Gazetarët e emisionit "Fiks Fare" denoncojnë blerjen e armëve dhe indiferencën e policisë

"Fiksi" blen pistoleta në mes të Tiranës

Vetëm 50 mijë lekë për një "Ekol & Voltran TUNA"


Shqipëria është vendi ku armët shiten sheshit. "Fiks Fare", në emisionin e djeshëm, denoncoi shitjen e armëve nga dy të rinj, të cilët nuk i kanë mbushur ende 18 vjeç. Ata janë persona që nuk mund të dënohen dot nga ligji për krimin që kryejnë. Pas ngjarjeve të ‘97-ës, armët vazhdojnë të qarkullojnë lirshëm në duart e shqiptarëve, madje edhe tregtohen kundrejt çmimeve të kripura tashmë, kuptohet në varësi të llojit. Pamjet filmike të transmetuara dje në emisionin "Fiks Fare" vërtetuan se sa e thjeshtë ishte të blije dy pistoleta me nga shtatë fishekë secila, në mes të ditës. Dy personat që kishin siguruar armët ishin dy të rinj, të cilët kundrejt pagesës prej njëqindmijë lekësh të reja sollën në duart e blerësve dy pistoleta të tipit "Ekol & Voltran TUNA". Pasi dy ndërmjetësit adoleshentë u siguruan se nuk i ndiqte njeri dhe se shuma e lekëve që morën për shitjen ishte ajo që kërkuan, pranuan të bënin këmbimin. Ata morën pistoletat nga njerëzit që ua siguruan, të cilët nuk dolën në asnjë moment përpara kamerës, gjithmonë vepronin nëpërmjet dy të rinjve. Armët ishin të vërteta dhe jo lodra. Madje, dy të rinjtë dilnin garantë që këto armë ishin të paregjistruara dhe nuk ishte kryer ndonjë krim më përpara me to.

Pjesë nga biseda me dy trafikantët që shitën dy pistoleta


Blerësi -Ku i ke ti?

Trafikanti -I ka ai djali, nuk i kam unë.

Blerësi 2 -Po pra po, por në ndonjë cep.

Trafikanti -Po në ndonjë cep, sepse është bërë problem me policinë. Janë therur me thika.

Blerësi 1 -I ka me vete ai?

Trafikanti -Po i ka me vete.

Blerësi 1 -Po mirë atëherë, hajde shkojmë dhe ta marrim.

Trafikanti -Jo, nuk ka qejf. Bën gjasme sikur... që mos ta njohë njeri.

Blerësi 2 -Po mirë, ku të futemi me ndonjë cep?

Blerësi 1 -Shumë më mirë, mos të ndërhyjë fare ai.

Trafikanti -Shko merre atë dhe hajde në makinë.

Blerësi 1 -Do lekët ai, nuk futem dot këtu, shikoje si është.

Trafikanti -Do lekët ai në dorë.

Blerësi 1 -Ka ndonjë cep këtu?

Trafikanti -Ata e gjejnë. Më jepni mua lekët tani.

Blerësi 1 -Si t‘i japim lekët tani.

Blerësi 2 - Nuk është problem për lekët.

Blerësi 1 -Kam hall mos të na vijë ndonjë polic.
Blerësi 2 -Ta kishim parë njërin nga ata.

Blerësi 1 -Mos kanë bërë ndonjë vrasje ato?

Trafikanti -Jo.

Blerësi 1 -Sa lekë t‘i lanë ty ato?

Trafikanti -420.

Blerësi 2 -T‘i shikojmë një herë si janë.

Blerësi 1 -Me gjithë silenciator?

Trafikanti -Jo,jo.
Blerësi 1 -Nuk i kishte me vete ai?

Trafikanti -Jo pra, shkoi me i marr. Nuk është shumë larg, 100 metra, me motor 5 minuta bën.

Blerësi 1 -Çfarë modeli janë këto?

Trafikanti -Janë shqiptare, të vogla, shtatë fishekëshe.

Trafikanti -A keni lekë shqiptare?

Trafikanti -400 euro sa lekë shqiptare janë?

Blerësi 2 -48000 lekë.

Trafikanti -400 euro?

Blerësi 1 -500 euro pra. 400 euro copa?

Trafikanti -400 euro i bie 400 e ca...

Blerësi 1 -48000 lekë.

Trafikanti -Po.
Blerësi 1- Sa u vonua ky, e ka shtëpinë larg?

Trafikanti -Jo.
Blerësi 1- Shko merri ato dhe hajde. Do lekët ai?
Trafikanti -Sa lekë shqiptare ke?

Blerësi 2 -Shqiptare, shqiptare të gjitha janë.

Trafikanti -Atëherë sa bëjnë të gjitha? 400,800

Blerësi 2 -Bëjnë 50 000 edhe 50 000 bëjnë 100 000 lekë.

Blerësi 1 -Jepja aty more burrë, jepja aty.

Trafikanti 2 -Problemi është se jam kap për vrasje, jam kap për gjëra që...
Trafikanti 2 -Çfarë problemi ke?
Trafikanti -I kam lënë dhe disa fishekë.

Trafikanti -Shikoje, shikoje është në rregull.

Trafikanti 2 -Kujdes se ka spiuna. Në të gjithë botën janë me lekë, këtu te ne janë pa lekë.

Trafikanti 2 -Po na e…, po na kapin. A ikim, zhdukemi.

Blerësi 1 -Po ikën?

Trafikanti 2 -Po iki.

Blerësi 1 -Hajt shëndet.



Thika të llojeve të ndryshme tregtohen hapur, pa ndeshur në asnjë rezistencë të forcave të rendit

Në tregun "çam", armë të ftohta me shumicë dhe pakicë

Policia: Kush i mban duhet të dënohet, ai që i shet jo

Krahas armëve të zjarrit, "Fiks Fare" dje tregoi se në mes të rrugës shiten armë të ftohta. Pak muaj më parë, "Fiks Fare" ka transmetuar pamje të shitjes së armëve të ftohta në qendër të Tiranës. Sot e kësaj dite ato vazhdojnë të shiten dhe askush nga autoritetet nuk shqetësohet për ta ndaluar këtë fenomen. Neni 279 i Kodit Penal parashikon dënim që shkon nga gjobë deri në burgim me pesë vjet për ata persona që prodhojnë, mbajnë, blejnë apo shesin armë të ftohta pa leje të organeve kompetente, si shpata, bajoneta, thika dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje. Por, në të gjitha rrugët e kryeqytetit tonë mund të gjesh pika shitjeje të thikave të madhësive të ndryshme. Çdo specialist që i shikon këto thika i klasifikon si armë të ftohta, por askush nuk kujtohet që t‘i heqë nga tregu apo të penalizojë personat që i shesin. Gazetarët e "Fiks Fare" shkuan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe në dy komisariate, ku u treguan armët e ftohta që i kishin gjetur duke u shitur në tezgat e tregut çam. Në këto institucione gjetën habinë e punonjësve të policisë dhe të të pranishmëve aty, kur panë se çfarë kishte gjetur në treg gazetari. Punonjësit e policisë e konsiderojnë krim, kur dikush i mban këto armë, madje i tregojnë gazetarit se edhe mund të shkosh në burg, kur të kapin në rrugë duke mbajtur këto thika dhe mjete të tjera të ftohta. Por, kur i gjen duke u shitur në treg, atëherë puna qëndron ndryshe. Sipas një punonjësi policie në Komisariatin Nr. 1 të policisë, krim përbën kur e mban një thikë të tillë, por ta shesësh nuk e ndalon njeri. Në të gjitha rrugët e kryeqytetit tonë mund të gjesh pika shitjeje të thikave të madhësive të ndryshme. Çdo specialist që i shikon këto thika i klasifikon si armë të ftohta, por askush nuk kujtohet që t‘i heqë nga tregu apo të penalizojë personat që i shesin. Askush nuk i cilëson këto armë të ftohta si të tilla, kur ato shiten në dyqane. Armët sheshit nuk duket se e shqetësojnë edhe aq shumë policinë. Kolegët tanë me pistoleta çakmakë në brez iu afrohen policëve, të cilët qëndruan shumë indiferentë edhe pse ato dukeshin si armë të vërteta.



Gazetari i emisionit "Fiks Fare" shkon në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Fiksi - Këto sipas meje janë armë të ftohta. Ju si i konsideroni?

Polici - Edhe mua ashtu po më duken.

Fiksi - Meqenëse juve po ju duken po e njëjta gjë si puna ime, a lejohen të shiten këto armë? Sepse unë, para 7 muajsh, i kam gjetur në treg, nëpër tezga në Tiranë. Kam ardhur dhe kam bërë një denoncim sot po e bëj…

Polici - Nuk përgjigjem unë për këtë punë.

Fiksi - Përse?

Polici - Por, ngaqë më tha një burrë, që është njëri me thika.

Fiksi - Ke shumë të drejtë zotëri, jam me thikë në dorë. Ka shumë të drejtë zotëria. Ke frikë zotëri?

Qytetari - Po shumë.

Fiksi - Shumë e drejtë.

Fiksi - Çfarë duhet të më bëjnë mua?

Qytetari - Duhet të të arrestojnë.

Fiksi - Unë duhet të arrestohem?

Qytetari - Menjëherë, po të jem unë.

Fiksi - Po një njeri, që i shet këto çfarë duhet t‘i bëjmë?

Qytetari - Ai duhet të ishte në burg.


Gazetari i emisionit "Fiks Fare" shkon në Komisariatin Nr. 4 të policisë së Tiranës

Polici - Ky zotëria është gazetar i "Top-Channel".

Fiksi - Unë kam ardhur për të bërë një denoncim si qytetar, pastaj si gazetar.

Polici - Po.

Fiksi - Kjo them unë që është një armë e ftohtë, apo jo?

Polici - Po.

Fiksi - Ja dhe kjo tjetra, e re. Unë i konsideroj armë të ftohta.

Polici - Po. Armë e ftohtë është.

Fiksi - Lejohet apo jo të shiten këto armë të ftohta. A përbën rrezik nëse një njeri i mban këto armë, aq më tepër i shet? Këto unë i kam blerë në treg të lirë. I kam blerë në tezgë, në mes të qytetit.

Polici - Po, ke të drejtë.

Fiksi - Unë e kam bërë para 7 muajsh të njëjtën kronikë dhe çudia më e madhe është se këtu nuk reagon njeri.

Polici - Si nuk reagon njeri?

Fiksi - Unë e kam bërë kronikën para 7 muajsh. E kam denoncuar njëherë, kam thënë: Shiko çfarë fenomeni ndodh. Në mes të Tiranës ka tezga që shesin doreza, thika, armë ushtarake, luftarake nuk e di si mund t‘i quajmë?

Polici - Doreza, armë e ftohtë. Po.

Fiksi - Në qoftë se dikush do të kapet në rrugë me këtë, çfarë do ndodhte?

Polici - Shkon në burg. Është armë e ftohtë, pikë.

Gazetari i emisionit "Fiks Fare" shkon në Komisariatin Nr. 1 të Tiranës

Fiksi - Përshëndetje, jam gazetar i "Top-Channel". Unë kam ardhur për të bërë një denoncim. Për këto armë të ftohta, në qoftë se i quani kështu?

Polici - Po.

Fiksi - Këto shiten në mes të pazarit, në mes të tezgave i shesin njerëzit.

Polici - I ke disponuar vetë?

Fiksi - Jo, unë i kam blerë. Nuk e di a konsiderohet për policinë, domethënë prej jush, armë e ftohtë kjo?

Polici - Eee more djema. Bledi, që ta shpjegoj unë me pak fjalë ty. Këto konsiderohen armë të ftohta. Por, nuk konsiderohen... Nuk e kanë të ndaluar të tregtohen.

Fiksi - Që të tregtohen?

Polici - Nuk është e ndaluar që të tregtohen. Armëmbajtja e këtyre me vete konsiderohet armëmbajtje pa leje.

http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=30532