Komisioni Evropian dërgon sërish kritika. Reformat kanë ngecur, ndërsa ekonomia pengohet nga kriza energjetike, infrastruktura dhe pa siguria e pronës
Klasa politike dhe mosbashkëpunimi i saj vazhdojnë të mbeten një nga problemet kryesore të Shqipërisë
TIRANË- Korrupsioni, emërimet politike në administratë, një sërë mangësish në hreforma, krimi i organizuar, pastrimi i parave dhe trafiqet janë “problemet serioze të Shqipërisë”, sipas raportit të Komisionit Evropian për vendet që pretendojnë anëtarësim në BE. Tonet e raportit me 55 faqe, të publikuar dje nuk ndryshojnë shumë nga ata të viteve të mëparshme, ndërsa theksohet se thuajse gjithçka e ndërmarrë deri më tani për të arritur standardet e parashikuara në MSA, ka mbetur në gjysmë apo nuk është kryer siç duhej dhe me gjithë përparimet e shënuara në fusha të veçanta, Shqipëria mbetet ende shumë larg BE-së.Sipas raportit Shqipëria ka ende një klasë politike, e cila nuk arrin të shmangë konfliktet dhe që ende nuk ka miratuar një ligj për të kontrolluar financimet e partive, duke i lënë të hapura mundësitë për korruptim brenda tyre. Klasa politike e cilazotohet të luftojë korrupsionin, vazhdon të mbetet, sipas raportit të fundit, problemi kryesor i Shqipërisë.
“Korrupsioni është përhapur gjerësisht dhe përbën një problem serioz për Shqipërinë”, thuhet në faqen 9 të raportit të Komisionit të Bashkimit Evropian. Përparimet në luftë kundër korrupsionit, si miratimi i një strategjie dhe ngritja e një Task Force mes Prokurorisë dhe Policisë, shënojnë të vetmet hapa pozitivë, por edhe këto gjysmakë. Raporti thekson se nuk janë marrë masat që duhej të kishin bërë më të ashpër ligjin kundër korrupsionit, ndërsa strategjia afatgjatë e qeverisë nuk përcakton objektiva konkretë. Në raport thuhet se “Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Pasurive ka ende mungesa në mekanizmin e tij për të verifikuar deklarimet”. Ndërkohë në skemën korruptive vazhdojnë të mbeten të gjitha partitë politike në vend, ndërsa ende nuk ka një ligj që t’i detyrojë këto të deklarojnë pasuritë e tyre, gjë që është identifikuar si një nga problemet kryesore në pjesën kushtuar antikorrupsionit. Raporti kërkon që Shqipëria të përshtatë pjesë të reja ligjore, të cilat do t’i mundësojnë publikut më shumë informacion dhe liri për të marrë informacione.
Edhe pse theksohet se Policia dhe Prokuroria shqiptare kanë pasur përmirësime të ndjeshme në punën e tyre kundër krimit, vendi mbetet ende një bazë për trafikun e drogës dhe armëve për në vendet e BE, ndërsa trafikantët shqiptarë kanë siguruar lidhje me rrejtete e fuqishme në vendet e tjera. Sipas raportit, një program i dobët i mbrojtjes së dëshmitarëve dhe nevoja për staf të specializuar, një gjyqësor të pavarur dhe korrupsioni masiv, pengojnë luftën kundër krimit të organizuar. Masat e marra kanë ulur 70 për qind sasinë e drogës së prodhuar në vend, por sasitë e kapura të narkotikëve janë shumë më të vogla se ato që trafikohen përmes Shqipërisë për në Greqi e Itali, ndërsa është zgjeruar tregu i drogës në vend, kryesisht në Tiranë. “Krimi i Organizuar, mbetet problem serioz i Shqipërisë”, thuhet në raport, ku theksohet se ekonomia informate vazhdon të jetë në norma të larta dhe kjo rrit rrezikun që Shqipëria të kthehet në një vend të mirë për pastrimin e parave nga organizatat kriminale.
“Emërimet politike në postet e larta dhe të mesme të administratës publike vazhdojnë, shpesh, edhe përkundër vërejtjeve të Komisionit të Shërbimit Civil”, thuhet në raport sipas të cilit, mjaft prej hreformave të ndërmarra në administratë kanë ndikuar për keq. Edhe pse ka vlerësuar shkurtimin e administratës dhe hreformën e ndërmarrë, raporti thekson se mjaft struktura shtetërore nuk kanë staf të mjaftueshëm, ndërsa ende askush nuk duket se i kryen emërimet sipas sistemit të meritës dhe karrierës. Raporti tërheq vëmendjen se vendi duhet të bëjë një “ndarje të qartë, mes strukturave politike dhe atyre civile”.
Problematik mbetet edhe sistemi gjyqësor, që sipas raportit vazhdon të vuajë nga mungesa e ambienteve dhe infrastrukturës, ndërsa është i ngadaltë dhe jo transparent.
Raporti i kushton pjesë të veçanta mungesës së bashkëpunimit politik, i cili sipas tij është një nga penguesit kryesorë të përparimit të vendit. Shqipëria ka, sipas raportit, probleme me ligjin e saj elektoral, por ende nuk është bërë asgjë konkrete për të përmirësuar këtë ligj dhe vënë në jetë sugjerimet e OSBE-së. “Vendimet parlamentare shpesh janë shtyrë dhe nuk janë marrë për shkak të konflikteve politike, ose janë marrë me nxitim dhe pa përgatitjen dhe diskutimet e duhura”. Gjendja ekonomike e vendit është e qëndrueshme, sipas raportit. Kjo nënkupton vazhdimin e rritjes ekonomike dhe një stabilitet makroekonomik, por nga ana tjetër ekonomia shqiptare vazhdon të jetë peng i mjaft problemeve që nuk marrin zgjidhje prej vitesh. “Pasiguria mbi pronën, mangësitë e gjyqësorit, korrupsioni mjaft i lartë, infrastruktura e papërshtatshme, problemet energjetike, pengojnë zhvillimin ekonomik dhe investimet”,- thuhet në raport. Sipas të cilit, krizat energjetike në 2005 dhe 2006 kanë shkaktuar frenim të ekonomisë.
Vladimir Karaj
Eksportet shqiptare e pësojnë nga mungesa e kontrollit
Raporti i Komisionit Europian nuk shikon asnjë përparim në sektorin e përpunimit ushqimor. Në mënyrë specifike flitet për sistemin e kontrollit të molusqeve, i cili nuk është i njëjtë me atë që përdor Bashkimi Europian. Kjo e ngushton shumë horizontin e eksporteve të vendit tonë, në të cilin nuk ekzistojnë kapacitetet e nevojshme laboratorike, për të përmbushur kërkesat që paraqet BE-ja lidhur me eksportin e peshkut dhe prodhimeve të peshkut nga vendet e treta. Kjo është edhe një prej arsyeve, për shkak të të cilave Shqipëria nuk arrin dot të shfrytëzojë tregun gjigant europian.
Respektimi i minoriteteve, probleme vetëm me romët
Në fushën e respektimit të të drejtave të minoriteteve, raporti i “tërheq veshin” qeverisë shqiptare kryesisht për pakicën rome, ndërsa thekson se minoritetet e tjera të njohura përfshi atë grek, serbo-malazez, maqedonas dhe arumun,“gëzojnë gjendje të mirë”. Romët, në krahasim me pakicat e tjera që jetojnë në zona të ndryshme të vendit tonë dhe që sipas raportit janë të integruara më së miri në shoqëri, hasin probleme duke filluar me nivelin shumë të ulët të jetesës. Sipas raportit, arsimimi mbetet një nyje për t’u zgjidhur, sepse vetëm 25 për qind e fëmijëve romë e përfundojnë ciklin fillor.
Dobët, sektori i transportit detar
Përparim shumë i kufizuar është bërë në sektorin e transportit detar, edhe pse Shqipëria ka ratifikuar disa konventa ndërkombëtare. Sipas raportit, qeveria shqiptare duhet të bëjë përpjekje shumë më të mëdha për të rritur sigurinë detare, duke përfshirë këtu edhe kontrollet portuale. Në qershor të këtij viti, flamuri shqiptar u rendit i dyti në listën e zezë të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit, duke u vlerësuar si “rrezik shumë i lartë”. Në të njëjtën kohë, vlerësohet si shumë i ulët rendimenti i Regjistrit Shqiptar të Transportit Detar, ndërsa raporti bën thirrje për të përshpejtuar punën në përmirësimin e situatës.
Energjetika, përsëri problematike
Raporti i përpiluar nga Komisioni tregon pakënaqësi lidhur me menaxhimin e sektorit energjitik në Shqipëri. Aty shkruhet, se vendi ynë nuk ka qenë në gjendje t’i japë konsumatorit sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Raporti merr në konsideratë faktin, se shqiptarët janë ende shumë të varur ndaj hidrocentraleve, gjë që sjell edhe problemet e rënda në furnizimin me energji. Prodhimi i pamjaftueshëm vendas dhe aftësitë e kufizuara të Interkonjeksionit ia bëjnë të pamundur qeverisë që të plotësojë të gjithë kërkesën, gjë e cila ka sjellë në vazhdimësi orë të zgjatura në errësirë. Lidhjet e paligjshme dhe humbjet në rrjet për shkak të amortizimit teknik në rrjetet e transmetimit mbeten ende në nivele të larta dhe përbëjnë në të njëjtën kohë një problem strukturor, që duhet zgjidhur sa më parë. Me anë të raportit, Komisioni kërkon që të rritet niveli i mbledhjes së të ardhurave nga faturat dhe i furnizimit të gjithë konsumatorëve me matësit e energjisë. Raporti përmend edhe pozicionin tepër të vështirë financiar, në të cilin ndodhet KESH-i për shkak të sasive të mëdha të energjisë elektrike që po importohen nga vendet e tjera.
Liria e shtypit
“Liria e shprehjes dhe e shtypit është e garantuar me Kushtetutë në Shqipëri, por mjaft medie mbeten subjekte të interesave politiko-ekonomike. Për t’i dhënë një dorë lirisë së medias, autoritetet dhe kompanitë mediatike duhet të ndryshojnë qëndrim, të zbatojnë ligjin dhe të jenë më transparente. Ndërsa kërkohet një përmirësim i mëtejshëm i ligjit”.
Liria e Fesë
“Shqipëria është për t’u marrë shembull sa i përket bashkëjetesës fetare të shkëlqyer”, thuhet në raportin e BE-së, ndoshta për të vetmin rast kur vendi ynë merr të gjitha pikët e nevojshme për të qenë anëtare i Bashkimit Evropian, e ndoshta është më i avancuar se mjaft vende të këtij bashkimi, por ndërkohë edhe këtu i tërhiqet vëmendja qeverisë që t’i kthejë pronat komuniteteve fetare.
Asnjë prej vendeve të tjera kandidate nga Ballkani Perëndimor, nuk mund të shpresojë realisht për anëtarësim
Anëtarësimi, vetëm Kroacia para vitit 2012
Përveç Kroacisë, asnjë vend tjetër nga Ballkani Perëndimor nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimit Europian përpara vitit 2012. Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Olli Ren, u shpreh dje se vetëm kroatët i plotësojnë kushtet për t’u pranuar brenda këtij pesëvjeçari. Kjo periudhë kohore do t’i lihet Shqipërisë dhe kandidatëve e tjerë, që të përgatiten më mirë ekonomikisht dhe politikisht në kuadër të procesit të integrimit. Lajme të mira kishte edhe për Serbinë, që për shkak të bashkëpunimit më të madh me Gjykatën e Hagës, do të ketë mundësi të nënshkruajë së shpejti Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
“Bisedimet për anëtarësim me Kroacinë po hyjnë në një fazë vendimtare”, shkruhej në raport, por “vendi duhet të vazhdojë me këtë ritëm hreformat” sidomos në çështjet e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe në ndihmën ndaj hrefugjatëve serbë, që u arratisën pas luftës civile në vitet 1991-95 dhe që tani duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Asnjë prej vendeve të tjera kandidate nga Ballkani Perëndimor, nuk mund të shpresojë realisht për anëtarësim përpara vitit 2012. Raporti shpjegon se Shqipëria ka ecur mirë ekonomikisht dhe po luan një rol pozitiv në ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajon, kurse problemet më të mëdha i ka me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Tensionet etnike të Bosnjës vazhdojnë të pengojnë punën e institucioneve qeveritare të këtij vendi, ndërsa një strukturë administrative e ndërlikuar dhe retorikat nacionaliste kanë vënë në rrezik edhe axhendën e hreformave qeveritare. Maqedonia ka bërë progres në krijimin e ekonomisë së tregut, por mungesa e dialogut midis partive politike është duke e paralizuar sistemin demokratik. Edhe falë Kushtetutës së re, Mali i Zi ka ecur përpara që prej arritjes së pavarësisë në vitin 2006, por këtij vendi i mungojnë ende “kapacitetet administrative” dhe i duhet më shumë punë në luftën kundër korrupsionit. Ekonomia e Serbisë është rritur ndjeshëm vitin e kaluar dhe hreformat qeveritare ndihmuan në krijimin e një ekonomie tregu që funksionon, por raporti e kritikon gjithashtu Beogradin për pengesat e shumta burokratike kundrejt investimeve të huaja.
G.Puto
Kosova, me administratë pa rendiment
Kosova ka vërtet si përparësi zgjidhjen e statusit, por kjo nuk e përjashton këtë krahinë nga raporti i Komisionit Europian, që përveç disa përmirësimeve të përgjithshme shikon probleme të mëdha në sistemin gjyqësor dhe në administratën publike. Korrupsioni është një nga plagët më të mëdha, por në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit, Komisioni mendon se gjyqësori kosovar është shumë i dobët dhe i brishtë, kjo edhe për shkak të paqartësisë për të ardhmen. Raporti i Brukselit vlerëson gjithashtu, se administrata qendrore dhe vendore e Kosovës mbetet shumë e dobët dhe pa rendiment, sepse “punonjësit janë ende shumë të ndjeshëm ndaj ndikimit që vjen nga klasa politike”. Zgjidhja e statusit rezulton të jetë një pengesë edhe për ekonominë kosovare, të cilën për këtë vit Komisioni nuk e vlerëson si një ekonomi tregu që funksionon.
Shekulli
Krijoni Kontakt