Qyteza e vogël e Rubikut në Mirditë i “delegon” kryetarin e ri të bashkisë qytetit të Roveretos, në provincën Trento në Itali. Ai do të jetë Gjergji Gjeta, i cili në Itali njihet me emrin Giorgio. Gjergji pasi mbaroi klasën e parë në shkollën fillore të Rubikut, në vitin 2002, së bashku me familjen e tij shkon në Itali dhe vendoset në provincën e Trentos, ku i ra fati të vijonte mësimet në shkollën “Dante Aligeri” të kësaj zone. Pikërisht pak ditë më parë, Bashkia e Roveretos në zbatim të një rregulli, i cili ka plot 52 vite që aplikohet, për herë të parë ka zgjedhur si kryetar të bashkisë së qytetit një ekstrakomunitar, i cili është Gjergji Gjeta. Për prindërit e tij, Pashk Zefi, ish-futbollisti i njohur i ekipit të Minatorit të Rrëshenit, dhe e ëma, Dava, një përzgjedhje e tillë ka qenë një surprizë e këndshme, por edhe një arritje. Ata thonë se djali i tyre, Gjergji, është mjaft këmbëngulës dhe sistematik në mësime.
Përzgjedhja
Kandidaturat për kryebashkiakun e vogël të Roveretos këtë vit janë zgjedhur nga shkolla “Dante Aligeri” e qytetit, ndërsa mes klasave është dalluar një klasë e tretë në të cilën mëson edhe Gjergji Gjeta. Në këtë klasë me 23 nxënës janë zgjedhur 19 të tillë, të cilët për një vit duhet të mbajnë në qafë shallin karakteristik të kryetarit të bashkisë. Votimi në prani të qindra nxënësve, autoriteteve të bashkisë së qytetit, prindërve dhe mësuesve, ka nxjerrë një fitues me plot 14 vota në dispozicion. Kryetarja e komisionit të votimit ka shpallur fituesin në një interesim të plotë të shumë të pranishmëve. Ajo ka artikuluar gjithë entuziazëm emrin e një shqiptari, por askush nuk ka reaguar negativisht. Mes duartrokitjesh kryetari i Bashkisë së Roveretos në Itali i ka dorëzuar çelësin dhe shallin e bashkisë, kryetarit të vogël të 52-të të bashkisë, por i pari që nuk është italian, por një i huaj, dhe për fatin e mirë, një shqiptar. Ceremonia ishte mjaft pompoze. Pas kësaj, kryetari i ri i bashkisë së qytetit, i shoqëruar nga nënkryetarja e bashkisë, Sabrina Pilati, policët bashkiakë dhe shoqëruesit e tjerë, janë nisur për në zyrat e bashkisë, ku edhe janë pritur në zyrë nga kryetari i saj. Rrugëtimi i tyre nga oborri i shkollës për në godinën e bashkisë është shoqëruar me duartrokitje dhe festë nga qindra banorë të qytetit.
Gjergji Gjeta: Do e trajtoj si koleg kreun e bashkisë së Roveretos
Tani të pret një detyrë e mirë, cili është vendimi i parë që do të merrni?
Kam shkruar një letër së bashku më shokët e mi për t’ia dorëzuar kryetarit të bashkisë, në të cilën shpjegojmë se disa gjëra nuk shkojnë mirë në shkollën tonë dhe në qytet. Por është sekrete dhe nuk mund ta hap.
Pasi t’i dorëzosh letrën, çfarë do t’i thuash?
Në fillim do ta përshëndes dhe më pas do ta trajtoj si koleg. Ky është një rast i mirë i cili na jep mundësinë për të treguar se ne shqiptarët kemi kulturë dhe edukatë. Në fakt, në klasë kisha një vajzë konkurrente mjaft të fortë, por votimi tregoi se edhe unë mund të isha.
T.Observer.
Krijoni Kontakt