Sipas FAO-s, pas drithërave do të shtrenjtohen edhe produktet e tjera
Kur buka bëhet e shtrenjtë si ari
Shkak janë thatësirat e përmbytjet në zonat kryesore të prodhimit e furnizimit të tregut botëror
Rritja e "çmendur" e çmimeve të produkteve bujqësore është një realitet me të cilin po përballet sot pjesa më e madhe e tregjeve ndërkombëtare. Kinezët janë konsumatorët më të mëdhenj të grurit dhe drithërave. Hapja e "dritës jeshile" për biokarburantet dhe ndryshimet klimaterike që po reduktojnë në mënyrë të dukshme sipërfaqet e kultivuara, janë arsyet kryesore se përse produktet ushqimore rreth e përqark botës po bëhen gjithmonë e më të shtrenjta. Problemi qëndron te logjika e pamëshirshme e numrave. Për shembull, a do të donit t‘u mohonit kinezëve një shishe birre më shumë në vit? Sigurisht që jo, por për të përgatitur 1 miliardë e 300 milionë shishe birre nevojiten 370 mijë tonë drithëra. Faktikisht nuk është ndonjë shifër e madhe: një e treta e prodhimit vjetor të Norvegjisë, jo pikërisht hambari i Evropës, por një shifër e mjaftueshme për të krijuar tension në tregje. Qeveria e Pekinit dëshiron t‘i japë konsumatorit kinez nga dy deri në katër vezë mesatarisht në javë, që e përkthyer në shifra do të thotë 130 miliardë vezë. Por sa pula do të duheshin për të bërë kaq shumë vezë dhe sa ushqim u nevojitet atyre? Faktikisht askush nuk e ka vrarë mendjen kaq gjatë edhe pse bota e tregjeve ushqimore është duke u "shtypur" nga një numër i madh anomalish, sinjalet e të cilit i kemi marrë prej muajsh nga dyqanet apo supermarketet afër shtëpisë. Kështu, nëse dieta juaj ushqimore ka për bazë peshk me pak vaj dhe çaj me shumë sheqer, atëherë nuk keni pse të shqetësoheni sepse peshku norvegjez, çaji, vaji i ullirit i prodhuar në Evropë dhe sheqeri i importuar nga Karaibet, kushtojnë më pak se vitin e kaluar. Por nëse nuk hiqni dot dorë nga makaronat, biftekët apo gjëra të tjera të këtij lloji, atëherë do të hasni vërtet probleme, sepse çmimi i këtyre produkteve ushqimore në vitin e fundit ka njohur një rritje të madhe dhe sigurisht të papritur çmimesh. Ekonomistët, edhe pse nuk e kishin parashikuar, na tregojnë qartë se nga korriku i vitit 2006 deri në korrik të 2007-ës çmimet e ushqimeve kanë një rritje prej 2.8 për qindësh, tregon një raport i sapo dalë nga një bankë e madhe investimesh, UBS-ja. Në pjesën tjetër të botës rritja e çmimeve ka qenë akoma më e madhe, duke treguar edhe një herë se kur çmimet shtrenjtohen, ata që e "paguajnë" më shumë janë të varfrit. Por në vitin 2001, goditja ishte akoma edhe më e madhe. Megjithatë është e vështirë të jesh i qetë kur mendon se çmimi i grurit, me shumicë shkoi nga 125 në 204 dollarë për një tonelatë, ndërsa ai misrit nga 103 në 140 dollarë dhe shumë shpejt mendohet që shifra të arrijë në 160 dollarë. Edhe çmimi i orizit është rritur me 23 për qind. Duke vazhduar më tej me zinxhirin ushqimor, për fat të keq na duhet ta themi se gjalpi, djathi, mishi, qumështi do të "rriten" të paktën me 15 për qind për vitin tjetër. Por a është i gjithë faji i kinezëve? Sigurisht që jo, ose më mirë, akoma jo, do të ishte më mirë të thuhej. Por kështu siç po venë gjërat dhe sipas asaj që ekspertët parashikojnë për të ardhmen mund të themi se do të përfundojmë për të pasur një zi buke. Në gjashtë nga shtatë vitet e fundit bota ka konsumuar më shumë drithëra se sa ka prodhuar, gjë që ka ndikuar në boshatisjen e magazinave. Në të njëjtën kohë, një thatësirë e madhe ka prekur disa nga zonat kryesore të prodhimit botëror. Për shembull, në Australi, që e vetme eksporton pothuajse një të katërtën e prodhimit botëror të grurit, prodhimi këto dy vitet e fundit ka rënë me 60 për qind. Pak oferta, rezerva në shterim dhe kërkesa gjithmonë e më të mëdha. Nëse e gjithë kjo ju duket e njëjta situatë me atë të naftës, atëherë gaboheni. Ndryshe nga ari i zi, produktet bujqësore janë gjërat më të rinovueshme që gjenden sot për sot: mjafton t‘i mbjellësh, sidomos kur çmimi është i arsyeshëm dhe brenda pak muajsh çdo gjë është "gati". Të paktën nëse efekti serë nuk na e bën të vështirë këtë proces. Kështu, për këtë problem shkencëtarët australianë janë ndarë në dy grupe. Ka nga ata që mendojnë se mungesa e shirave është rrjedhojë e "Nino"-s, një fenomen meteorologjik i pranishëm në Paqësor, ndërsa të tjerë që ia atribuojnë ngrohjes globale. Megjithatë, nëse thatësira që ka goditur Australinë, juglindja e Amerikës dhe Argjentinës do të hyjë në një cikël meteorologjik normal, edhe ajo që po shohim në tregjet bujqësore duhet të jetë një variacion normal ciklik dhe çmimet do të ishin të destinuara të ndryshonin. Ndoshta, por jo gjithçka është e mundur, sepse ekzistojnë edhe dy faktorë të tjerë që ndikojnë dukshëm në rritjen e çmimeve për produktet ushqimore. Para së gjithash vendi i parë i takon biokarburanteve. Rruga për të përdorur misrin për të krijuar etanolin, në vend që të vendoset në tavolinë dhe të përdoret si ushqim, i takon Amerikës së Presidentit Bush ku vet SHBA-ja mbulon 40 për qind të prodhimit botëror dhe 70 për qind të eksporteve. Përdorimi i një pjese të madhe të prodhimit amerikan për biokarburante ka pasur një imapkt shumë të madh mbi çmimet. Në fund të fundit, bën me dije një raport i OSBE-së dhe FAO-s (Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë e Kombeve të Bashkuara), se deficiti i drithërave i Amerikës së Veriut, Evropës dhe Australisë në tërësi ka qenë 60 milionë tonelatë, 4-fishi i asaj që u përdor për të krijuar etanolin që nuk është i vetmi shkaktar i rritjes së "çmendur" të çmimeve. Sa keq që nuk është lajm i mirë, sepse viti 2006 ishte vetëm fillimi i kësaj marrëzie dhe ndikimi i etanolit në tregjet ndërkombëtare është i destinuar vetëm të rrisë çmimet. Vitin e kaluar fermerët amerikanë i "taksën" biokarburanteve 16 për qind të prodhimit të grurit ndërsa këtë vit, kjo shifër do të bëhet 30 për qind. Pikërisht në këto nivele mendohet se do të qëndrojë edhe për pesë vitet e ardhshme falë nxitjeve të vazhdueshme të politikës së Shtëpisë së Bardhë, duke e hequr kështu misrin nga përdorimi për ushqim. Pastaj misri është një produkt i rëndësishëm i zinxhirit ushqimor. Ai mund të përdoret si ushqim për kafshët ashtu edhe për shumë përdorime të tjera. "Qumështi, vezët, djathi, pula, proshuta, mishi, akullorja dhe kosi që qëndrojnë në frigoriferin e një shtëpie të thjeshtë - ka thënë ekologjisti i famshëm, Lester Brown, janë prodhuar të gjitha nga misri. Dhe po ta marrim nga ana praktike frigoriferi është plot me misër". Pastaj vijnë kinezët ose më saktë vendet e quajtura emergjente. 20 vjet më parë, Kina dhe India së bashku importonin ushqime nga jashtë vendit për një shifër pak a shumë të barabartë me një të katërtën e shitjeve ndërkombëtare të SHBA-së, eksportuesi më i madh në botë, ndërsa sot ato marrin nga jashtë vendit, pothuajse gjysmën e eksportimeve amerikane. Pra, me pak fjalë kanë dyfishuar importimet ushqimore. Kush mendon për botën e tretë fshatare që furnizon me produkte bujqësore Perëndimin në këmbim të të mirave industriale, gabohet, sepse ky është një realitet që nuk ekziston më, si pasojë e globalizimit dhe industrializimit me ritme të jashtëzakonshme të shumë vendeve në zhvillim. Lind sërish pyetja: po luftojnë nga uria? Jo, ose më mirë jo më, të paktën si bashkësi e shoqërisë. Hapi drejt niveleve ndërkombëtare nëse do të matet prurja mesatare e përditshme e kalorive në vende si Kina dhe India ka ndodhur në mesin e viteve ‘90-të. Po atëherë përse kjo kërkesë kaq e madhe? Sepse dhjetë vjet më parë, lufta ndaj urisë u bë përmes një konsumi të madh të ushqimeve tradicionale. Me pak fjalë, kinezët filluan të fusnin në stomak një sasi të mjaftueshme orizi. Ajo që po ndodh sot është një ndryshim më i brishtë, por që na prek më nga afër. Rritja e nivelit mesatar të pagave dhe shtimi i një klase të mesme në këto vende po ndryshon edhe konsumin. Konsumi për orizin, misrin dhe grurin në Kinë, në krahasim me vitet ‘90 ka pësuar rënie të ndjeshme. Në të njëjtën kohë, konsumi i mishit është rritur me 50 për qind. Shporta e ushqimeve të pazarit kinez, si ajo e shumë vendeve të tjera emergjente po i ngjan gjithnjë e më tepër asaj të një familjeje perëndimore. Importimi i produkteve si mishi, peshku, qumështi djathi, kafeja, çokollata, makaronat dhe pijeve në vende si Brazili dhe Meksika është rritur mesatarisht në 20 vitet e fundit, me një shifër prej 13.4 për qind, ndërsa në vende si Kina me dhjetë për qind në vit. Nga një rast në tjetrin (në dollarë), vlera e këtyre importeve është dhjetëfishuar. Vetëm nga konsumatorët kinezë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, "shpjegohet" 35-40 për qind i konsumit botëror të mishit. Në gjigandin tjerët siç është India, një studim i "Mc Kinsey", një shoqëri e madhe konsulence, vlerëson 5 për qind të popullsisë totale, 50 milionë persona, klasën e mesme. Pas 20 vjetësh do të jenë 40 për qind, ose 500 milionë konsumatorë. Dhe nëse indianët hanë pak biftek, do të duan pula, qumësht dhe djathë. Në tërësi FAO llogarit se në dhjetë vitet e ardhshme, në krahasim me ata që sapo ikën, vendet emergjente do të importojnë 25 për qind më shumë misër, 16 për qind grurë dhe sojë, 100 për qind më shumë mish gjedhi, 50 për qind më shumë pula dhe 70 për qind më shumë qumësht pluhur. A do të ketë për të gjithë? Askush nuk e parashikon por, sigurisht që në të ardhmen nuk do të na mungojnë gjërat në tavolinë. Çmimet janë tjetër gjë. Në 50 vitet e fundit, çmimet e produkteve bujqësore kanë ardhur gjithmonë e në rënie. Por që nga ky moment dhe deri pas dhjetë vjetësh, FAO parashikon çmime më të larta si 20 për qind për grurin, 40 për qind për misrin dhe 80 për qind për orizin dhe diçka më pak 10-15 për qind për mishin dhe pulën. Sepse është e vërtetë që misri gjendet gjithandej, por nuk ka për të gjithë.
Raporti i OSBE & FAO
Botimi më i fundit i OSBE & FAO ("Perspektivat bujqësore 2007-2016"), tregon se në tregjet kryesore, çmimet e disa produkteve bujqësore bazë janë rritur në mënyrë të konsiderueshme këto 2-3 vitet e fundit dhe veçanërisht në verën e këtij viti. Duke ju referuar këtij raporti, çmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare është rritur me 36%, i misrit me 63%, orizit me 27%. Natyrisht, që ulja e ofertës së disa produkteve bujqësore dhe çmimet e muajve të fundit janë të ndikuar shumë nga faktorë konjukturorë meteorologjikë si thatësira e zgjatur apo përmbytjet në shumë rajone të botës, të cilat janë dhe zonat kryesore të prodhimit e furnizimit të tregut botëror me këto produkte. Që në hyrje raporti i OSBE & FAO për vitin 2007, tregon se çmimet aktuale botërore shumë të larta janë si pasojë e faktorëve të përkohshëm si; rezervat e ulëta dhe ulja e prodhimit që lidhet me thatësirën, por thekson që rritja e kërkesës për naftë bio mund të jetë një ndryshim strukturor, i cili mund të mbajë të lartë çmimet e drithërave gjatë dekadës së ardhshme.
Çmimet e drithërave dhe karburantetbio
OSBE & FAO presin që tek prodhuesit më të mëdhenj, prodhimi i etanolit në dekadën e ardhshme, më e pakta, të dyfishohet. OSBE& FAO parashikojnë që prodhimi i etanolit amerikan (bazuar tek misri) do të dyfishohet ndërmjet vitit 2006 dhe vitit 2016, nga 23 në 45 bilionë litra, ndërsa për etanolin brazilian (përftuar nga kallami i sheqerit) OSBE & FAO thonë se prodhimi do të arrijë 44 bilionë litra në vitin 2016, pothuajse njëlloj me Amerikën. Ky raport paraqet një rritje prej 145% krahasuar me vitin 2006.
Sipas OSBE & FAO çmimet e misrit do të /////////////////jenë $138 ton në vitin 2016/17. Rritja e vazhdueshme e prodhimit të etanolit në Amerikë do të thotë që, që karburanti të "konsumojë" rreth një të tretën e prodhimit të misrit në 2016. OSBE mendon që eksportet amerikane të misrit në vitin 2016/17 nuk do të jenë më të larta se 55 milionë tonë. Për shkak të rezervave të ulëta që do të jenë vazhdimisht, çmimet e grurit pritet tani të jenë rreth 30% më të larta, mesatarisht gjatë gjithë periudhës së parashikimit deri në 2016/17. OSBE & FAO parashikojnë që tregtia do të zgjerohet më shpejt se prodhimi dhe konsumi. Nga kjo do të përfitojnë eksportuesit tradicionalë si Australia, BE-ja dhe SHB-të, ashtu si edhe Rusia, Ukraina dhe Argjentina. India dhe Kina mbeten faktorët luhatës. Vitin e shkuar pritej që Kina gjatë dekadës së ardhshme të ishte një importues neto i rëndësishëm, por meqë kërkesa është ulur, parashikohet si një importues neto i vogël. Ndërkohë që India ka kaluar nga stadi i të qenit një eksportues neto i vogël në një importues të vogël të 3-5 milionë tonëve gjatë tërë periudhës së parashikimit.
Produktet e qumështit
Parashikimi më i fundit i raportit konfirmon rëndësinë në rritje të vendeve në zhvillim, veçanërisht Indisë dhe Kinës, në rritjen e sektorit të produkteve të qumështit. Parashikimet e çmimeve të OSBE & FAO për dekadën e ardhshme, janë rreth 40% mbi mesataren e dhjetë viteve të fundit.
Mishi
Një rritje e vazhdueshme parashikohet në vendet në zhvillim. Pas disa shpërthimeve të sëmundjeve tek kafshët, prodhimi dhe konsumi i mishit janë duke ritreguar rritje. Prodhimi i mishit global sipas OSBE & FAO tani parashikohet të ngrihet me 1.7% në vit, për të përmbushur kërkesën në rritje, kryesisht në vendet në zhvillim, më dukshëm kjo në Kinë, në Indi dhe në Brazil.
Ushqimet 2.8%
Nga korriku i vitit 2006 deri në korrik të 2007-ës çmimet e ushqimeve kanë një rritje prej 2.8 për qindësh, tregon një raport i sapo dalë nga një bankë e madhe investimesh, UBS-ja. Në pjesën tjetër të botës, rritja e çmimeve ka qenë akoma më e madhe
Çmimi i grurit rekord
Çmimi i grurit, me shumicë shkoi nga 125 në 204 dollarë për një tonelatë, ndërsa ai misrit nga 103 në 140 dollarë dhe shumë shpejt mendohet që shifra të arrijë në 160 dollarë. Edhe çmimi i orizit është rritur me 23 për qind. Duke vazhduar më tej me zinxhirin ushqimor, për fat të keq na duhet ta themi se gjalpi, djathi, mishi, qumështi do të rriten të paktën me 15 për qind për vitin tjetër
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt