12/11/2007 Dokumentet e fshehta "akuzojnë"…

Titulli: Si u tradhtua dhe u shit Evropa e Lindjes (Gabimet tragjike të Çërçillit dhe të Ruzveltit)

Autori: Nicolas Baciu

Përktheu: Kostaq Xoxa

Shtëpia botuese: 55

Pasi i shpëtoi rrënimit në vendin e tij të lindjes, autori i këtij libri, me përvojën tanimë të 10 burgimeve komuniste, ndërmori në vitin 1950, që të tregonte peripecitë e tij në një libër të shkruar në frëngjisht: "Nga birucat e Ana Paukerit, në burgjet e Titos". Synimi i tij ishte që të sqaronte botën perëndimore të lirë për gjendjen në vendet e Lindjes. Ky libër ishte veçanërisht i prirur që të denonconte në këtë botë të lirë, në të cilën gjeti strehim, dhunën e tejmasshme të Rusisë gjatë kohës së pushtimit të vendit të tij, komunistizimin përmes dhunës, asgjësimin e elitës intelektuale, mizerjen dhe zvetënimin ekonomik të vendit, shkurt: vënien në skllavëri të këtij vendi.

Ashtu si edhe shumë të tjerë, në vitin 1950 ai besonte se rusët i kishin kryer mizoritë e tyre duke u mbështetur, para së gjithash, në fuqinë e tyre ushtarake. Ushtria e Kuqe dhe vetëm ajo, mendonte ai, falë peshës së saj në Evropën Lindore, kishte mundur të ushtronte zotërimin ideologjik, duke shkelur mirëbesimin e amerikanëve dhe të britanikëve; ajo kishte shkelur me këmbë zotimet e shenjta të Kartës së Atlantikut dhe Deklaratën për një Evropë të lirë, që u bë në Jaltë, në prani të Çërçillit dhe të Ruzveltit; rusët, dhe vetëm ata, kishin gënjyer, mashtruar dhe u bënë zotëruesit e Evropës, kundër vullnetit të kryetarëve të qeverive perëndimore. Kështu, ai pati mundësinë që në vitin 1950, të shihte historinë e atyre viteve tragjike.

Por ka kohë që ai, atëherë dhe tani, i humbi këto iluzione. Kërkoi pra, të zbulonte të vërtetën dhe kjo e vërtetë është një gjë krejt tjetër.

Megjithatë, tridhjetë e tetë vjet pas mbarimit të luftës, mjaft njerëz u besojnë ende legjendave me të cilat isha ushqyer edhe unë…

Mësohet që, nëse do të kishte jetuar Ruzvelti, do të kishte ndryshuar faqja e botës.

Dëgjohen prapë, gjithashtu, admiruesit e njërit prej titanëve të historisë së botës, Uinston Çërçillit, që pretendojnë se idhulli i tyre nuk mundte dot të ndalonte rusët që të pushtonin Evropën Lindore, për faj të Ruzveltit që nuk po i kuptonte aspak planet e kryeministrit britanik, i cili dëshironte që të zotëronte Ballkanin, në mënyrë "që t'u ndërpriste rrugën Rusëve" në vërshimin e tyre drejt Evropës. Pra, na del që i vetmi përgjegjës për këtë mjerim na qenka Ruzvelti.

Por si është puna në të vërtetë?

Gjatë takimit të famshëm që pati Çërçilli në Kremlin me Stalinin, më 9 tetor 1944, mëtonte se ai kishte parashikuar zonat e ndikimit për vetëm një periudhë tremujore. Por a është kjo e vërteta? Për fat të keq, tani na del se jo! Ne kemi mundur të shfletojmë dokumente tepër të fshehta, tanimë me afat të skaduar, në arkivat e Londrës dhe të Uashingtonit. Analiza e këtyre dokumenteve na tregojnë qartësisht tani se Çërçilli dhe Ruzvelti kishin vendosur vetë, në mënyrë të fshehtë, për fatin e botës…

Gazeta Metropol