Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,955

    Si u zbulua plani i Titos për pushtimin e Shqipërisë

    Në fillimet e lëvizjes antifashiste, Titoja u shfaq si aleat, por pas shpine hartonte plane për pushtimin e Shqipërisë”.

    Afrim Imaj

    Përtej sfondit politik të konfliktit midis dy vendeve tona në fillimin e viteve ‘40, Maliq Sadushi, ish-zëvendësministri i Mbrojtjes dhe një nga kuadrot e ushtrisë nacionalçlirimtare që mori pjesë gjatë luftimeve në territorin e Jugosllavisë, sjell një sërë argumentesh nga veprimtaria e emisarëve ushtarakë jugosllavë që operuan në vendin tonë gjatë luftës dhe në vitet e para të çlirimit. Sadushi dëshmon historinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe strategjinë e emisarëve të Titos, të cilët poshtë spaletave ushtarake fshihnin planet ogurzeza për të bashkangjitur Shqipërinë në federatën e Jugosllavisë. Në rrëfimin e ish-numrit dy të Mbrojtjes shqiptare sqarohet mbërritja e këshilltarëve të parë të marshallit Tito në shtatmadhorinë e ushtrisë sonë, debatet e para midis tyre dhe kolegëve shqiptarë për çështje parimore, diferencat e qëndrimeve midis emisarëve politikë dhe ushtarakë, reagimet e ndryshme të shtabit të përgjithshëm dhe drejtorisë politike për ofertat e "miqve" nga Beogradi, etj. Në një retrospektivë të zgjeruar Maliq Sadushi, zbardh kronikën e përplasjeve midis tyre dhe autoriteteve ushtarake shqiptare, deri në shpalljen e vendimit për ndërprerjen e marrëdhënieve dypalëshe. Në argumentin e tij sqarohet se çfarë fshihej pas ofertës së këshilltarëve jugosllav për unifikimin e ushtrisë shqiptare me atë jugosllave, ku synonte Titua me kërkesën për të vendosur divizionet e tij në Korçë dhe Gjirokastër, pse këmbëngulnin të deleguarit e tij për shkarkimin nga detyra të kreut të shtatmadhorisë Mehmet Shehu. Për herë të parë Sadushi zbardh planin e agjenturës jugosllave për shkatërrimin e regjimentit të shtatë të Delvinës si të shitur te Greqia dhe synimet e këshilltarëve jugosllavë për të sensibilizuar autoritetet shqiptare rreth një sulmi të mundshëm të monarko-fashistëve grekë ndaj jugut të vendit.Zoti Maliq! Ju keni qenë njëri prej partizanëve që keni luftuar në Jugosllavi dhe pas çlirimit të saj keni shërbyer si oficer në ushtri. Çfarë ju kujtohet nga kontaktet e para të udhëheqjes jugosllave me atë shqiptare?

    Ka kohë që flitet për marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, të cilat janë vendosur qysh përpara Luftës Nacionalçlirimtare. Janë shfaqur e shfaqen për këtë mendime të ndryshme. Opsionet përplasen sidomos për momentin dhe protagonistët e këtyre lidhjeve. Dikush thotë se ato u vendosën nëpërmjet Kosovës. Ka të tjerë që startin e këtyre marrëdhënieve e lidhin me nxjerrjen nga burgu i Peqinit të Miladin Popoviçit. Ka që thonë se ndërlidhësi i parë ka qenë Koço Tashko, i cili ka shkuar në Kosovë në vitin 1941. Ndërkaq, në dokumente thuhet se lidhjet e para janë realizuar në vitin 1941, por se kush ishte protagonisti i tyre, nuk konfirmohet gjë. Sipas tyre, bëhet e ditur, se rrethe të grupit komunist të Korçës (dega Tiranë) kërkojnë që të nxirret nga burgu i Peqinit Miladin Popoviçi, sekretari Politik i PKJ për Kosovën. Pikërisht këtë mision të vështirë e të rrezikshëm e kryen në mënyrë shembullore patrioti Myslim Peza së bashku me mikun e tij familjar Mustafa Gjinishi. Lideri komunist jugosllav, pasi fitoi lirinë u urdhërua nga Titua për të qëndruar si përfaqësues PKJ pranë Partisë Komuniste shqiptare që do të krijohej rishtazi. Menjëherë, përpara nëntorit 1941, u dërgua në Tiranë në bazat ilegale të grupeve komuniste shqiptare Dushan Mugosha. Njohja e tyre zyrtare u bë në mbledhjen themeluese të PKSH më 8 nëntor 1941. Nga kjo kohë u realizua lidhja e parë zyrtare dhe njohja reciproke e dy partive komuniste respektove....Prania e dy emisarëve të Titos në mbledhjen themeluese të PKSH, i shtyn shumë studiues të konkludojnë se PKSH e ka krijuar PKJ. Çfarë mund të thoni për këtë, si një nga komunistët e vjetër?

    Të tilla konkluzione janë dëgjuar shpesh e më shpesh gjatë viteve të zhvillimeve demokratike në vend. Sa qëndrojnë dhe cila është e vërteta, unë i përmbahem idesë se duhet ta vulosë këtë gjë historia dhe dokumentet autentike. Me sa di unë, sot jeton vetëm njëri nga pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese. Jeton pra, Pilo Peristeri. Jeton ndërkaq edhe një shoqe e radhëve të para antifashiste, që atë 8 nëntor, me shumë shokë e shoqe të tjera nuk morën pjesë në sallën e mbledhjes, por ruanin jashtë saj për të garantuar sigurinë e marrjes së vendimit historik. Duhet folur mendoj unë me Nexhmije Xhunglinin, e cila padyshim di shumë gjëra dhe mund t’i dëshmojë për të zbardhur këtë të vërtetë historike.

    Po kështu mendoj se duhet lexuar me vëmendje libri që ka botuar para disa kohësh Kristo Themelkua, njëri nga pjesëmarrësit e asaj mbledhjeje, i cili larg manipulimeve deklaron se dy jugosllavët që ishin të pranishëm në themelimin e PKSH ndihmuan në sheshimin e kontradiktave dhe dhanë mendime për programin e partisë. Ndërkaq, Themelkua pohon se edhe vet dy jugosllavët që ishin në themelimin e Partisë Komuniste shqiptare, asnjëherë nuk e kanë pranuar që ata kanë krijuar PKSH...Po vet Koço Tashkua çfarë roli ka pasur në krijimin e partisë dhe në vazhdim si një nga liderët e parë të saj, pasi siç dihet ka pasur shumë vlerësime të kundërta për figurën e tij?

    Ajo që dua të them në parantezë, si një nga dëshmitarët e kohës, ka të bëjë me të vërtetën që pjesa më e madhe e komunistëve të vjetër nuk ka mbajtur qëndrim të sinqertë ndaj Koço Tashkos.

    Pavarësisht nga çfarë na është servirur për të në kohën e komunizmit kur Koço Tashkua u ndëshkua me burg si element antiparti, unë jam i bindur që ai nuk ishte kurrë armik i PKSH dhe tradhtar. Vërtetë që mund të kish gabime si shumë të tjerë por në asnjë mënyrë nuk duhej hedhur poshtë si figurë historike..Tani të vijmë te çështja konkrete. Kur kanë filluar kontradiktat e para midis përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre jugosllavë?

    Sipas dokumenteve zyrtare, konfliktet e para, të cilat nuk kanë qenë shumë të acaruara janë shfaqur në pranverën e vitit 1943. Pranë KQ të PKSH ishin atashuar dy përfaqësues të KQ të PKJ, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha. Për shumëkënd prej nesh që na u dha rasti të njiheshim, ata ishin dy përfaqësues me dy karaktere të ndryshme. Popoviçi ishte një njeri babaxhan, zemërgjerë e shpirt pastër, ndërkohë që Mugosha ishte një njeri me karakter të ulët, i pasinqertë dhe herë pas here njeri ngatërrestar që krijonte probleme e shqetësime gjatë komunikimit me të tjerët.A keni pasur kontakte me ta gjatë luftës dhe çfarë u kujtohet nga qëndrimi që mbanin?

    Mbaj mend një ngjarje për të cilën Dushan Mugosha është përfol gjatë. Në majin e vitit 1943, me sa mbaj mend unë, ai erdhi në Vlorë bashkë me Liri Gegën dhe u sistemua në bazën e qarkut të partisë në Hysoverdhë, në shtëpinë e Kadri Hazbiut. Ishte kjo një detyrë e Komitetit Qendror, më saktë e kreut të saj. Qysh ditët e para të qëndrimit këtu, me ndihmën e Lirisë filloi të punojë në fshehtësi për të prishur këshillat popullore antifashiste dhe t’i zëvendësojë ato me "sovjetët", si në kohën e pas revolucionit në Rusi. Ishte koha kur partia me shumë vështirësi kishte mundur të zëvendësonte kryepleqësitë me këshilla si përfaqësuese të Frontit Nacionalçlirimtar. Këtë gjë e kundërshtuan që në ditët e para Hysni Kapua dhe Mehmet Shehu. Problemi që krijoi miku jugosllav shkoi deri te Enver Hoxha, i cili urdhëroi prerë largimin e Dushanit nga Vlora dhe ashtu u bë.A mbani mend raste të tjera ku përfaqësuesit jugosllavë ndërhynin në mënyrë të tillë?

    Pas largimit të Mugoshës nga Vlora, flitej në radhët e kuadrove të partisë së Qarkut të Vlorës edhe për një sërë ndërhyrjesh të tjera që njerëzit e marshall Titos kishin filluar të bënin, madje në shumë raste në formë provokacionesh. Kulmi i këtyre ndërhyrjeve arriti në vitet 1944 (tetor)-1948 (maj). Gjatë kësaj periudhe, përveç Miladinit e Mugoshës erdhën edhe misionarë të tjerë jugosllavë për "ndihmë" ndaj vendit tonë. Nga fundi i vitit 1943 erdhi në Shqipëri Vukmanoviç Tempo. Mbërritja e tij në malet e Çermenikës përkonte me përfundimin e misionit si i deleguar i Komiternit në Greqi. Qysh në kontaktin e parë ai lëshoi një sërë vërejtjesh për luftën antifashiste, por nuk e dëgjoi njeri. Tempua, ndërkaq ishte i pari që gjatë kësaj vizite hodhi idenë e konfederatës që do të ngrinte marshall Titua i nxitur nga Stalini dhe Dimitrovi, por ngaqë nuk gjeti terrenin e duhur, u tërhoq me dinakëri. Me prezantimin e kësaj teze të Tempos, autoritetet shqiptare u njohën pak a shumë me qëllimet e Titos për të pushtuar Shqipërinë...Cilat ishin kontradiktat e tjera me emisarët jugosllavë që u shfaqën gjatë viteve të luftës?

    Në periudhën kur qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë po çliroheshin, mjaft nga vendet rreth nesh vazhdon të ishin nën pushtimin nazist. Në këtë kohë Kosova ishte tërësisht e pushtuar. Pikërisht për këtë, komanda jonë e përgjithshme i kërkon shtabit të Titos që forcat tona të shkonin në ndihmë të vëllezërve tanë në Kosovës, madje edhe më tej në ndihmë të popujve të Jugosllavisë për çlirimin e trojeve të tyre nga bisha naziste. Çuditërisht, këtë kërkesë shtabi i marshallit Tito e shpërfilli dhe nuk pranoi që forcat tona të marshonin përtej kufijve shtetëror. Pak më parë forcat e komanduara nga Haxhi Lleshi kishin depërtuar kufirin shtetëror dhe ishin hedhur në ndihmë të forcave maqedonase për çlirimin e zonës së Dibrës së Madhe dhe Gostivarit. Ndaj këtyre veprimeve komanda jugosllave kishte protestuar disa herë pa vënë në dukje arsyet e këtij hezitimi për ndihmë. Kishte ndodhur dhe po ndodhte ky reagim në një kohë kur ne ishim deklaruar aleatë të frontit kundër nazizmit, madje ishim shprehur për ndihmë e mbështetje të njëri-tjetrit. Kishte ndodhur edhe më parë që forcat tona kishin kaluar disa herë kufirin në jug në mbështetje të forcave antinaziste greke.

    Mirëpo, komanda jonë e përgjithshme, pasi u informua me hollësi nga Fadil Hoxha për gjendjen e rëndë në Kosovë i kërkoi përsëri shtabit të Titos për të çuar urgjent aty forcat e ushtrisë sonë për të luftuar nën një komandë të përbashkët kundër hordhive gjermane. Pas shumë kundërshtimesh, komanda jugosllave pranoi kalimin e forcave tona në Kosovë, madje jo vetëm aty, por edhe në Mal të Zi, në Sanxhak e deri në Bosnjën Jugore.Si e kujtoni përpjekjen e emisarëve jugosllavë në Plenumin e Beratit për të ndryshuar programin e qeverisë dhe për të eliminuar Enver Hoxhën?

    Plenumi i Beratit, siç, dihet u mblodh në tetor 1944. Ishte ende luftë. Kudo në Shqipëri vazhdonin betejat për çlirimin përfundimtar nga pushtuesi. Përpjekjet më të ashpra bëheshin në afërsi të Tiranës. Ndërkaq, KQ i PKSH që e ndiqte situatën me vëmendje, më 15 tetor kishte krijuar qeverinë provizore në Beratin e çliruar dhe po mendonte për rindërtimin e vendit. Zhvillimet e reja kërkonin edhe ndihmën e aleatëve, sidomos të jugosllavëve me të cilët ishin vendosur lidhjet qysh në vitet e para të luftës. Po ndodhi që përpara kërkesave të palës tonë, miqtë e Titos të mendonin për një skenar djallëzor të cilin e bënë prezentë në Plenumin e Beratit në tetor 1944. Dy emisarët e Titos, Velmir Stojniçi dhe Niaz Dizdareviçi në këtë plenum, duke bërë për vete një pjesë të drejtuesve të KQ ndërthurën prapaskenën që të gjitha planet, ekonomike, ushtarake e kulturore të bëheshin vetëm pas pëlqimit të palës jugosllave. Ky lloj nënshtrimi që cenonte rëndë integritetin e organeve politike të shtetit të ngritura pas luftës, do të haste në një kundërshtim të prerë të pjesës më të madhe të pjesëmarrësve të Plenumit të Beratit, ndërkohë që do të trondiste me themel unitetin e drejtuesve të lartë që deri në atë kohë kishin drejtuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare...Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Enver Hoxha, ndër të tjera e ka akuzuar atë si një prej njerëzve që organizuan prapaskenat e Beratit. Gjithçka për këtë e argumentonte me mospjesëmarrjen e Mehmet Shehut në këtë plenum. Çfarë dini konkretisht rreth kësaj akuze?

    Desha të them se qysh kur e kam dëgjuar për herë të parë këtë akuzë, nuk e kam besuar, pasi unë bëj pjesë në ata dëshmitarë që e dimë pse Mehmet Shehu nuk shkoi në Berat për të marrë pjesë në atë plenum që më vonë u quajt njollë e zezë në historinë e PKSH.

    Së paku e kam pranuar me një lloj rezerve këtë akuzë të Enverit për Mehmetin...Atëherë, pse nuk shkoi për të marrë pjesë në Plenumin e Beratit Mehmet Shehu?

    Siç e thashë, ky plenum po zhvillohej në një kohë kur luftimet vazhdonin në pjesën më të madhe të vendit. Për rrjedhojë, komandantët e njësive partizane, një ndër ta edhe Mehmet Shehu, nuk mund të shkëputeshin nga fronti i betejave me pushtuesin. Ca më shumë divizioni i parë që drejtohej nga Mehmet Shehu kishte marrë urdhër për çlirimin e Tiranës, ku luftimet vazhdonin me intensitet të lartë. A mund të largohej në këto kushte komandanti i operacionit që ishte caktuar Mehmeti? Këtë e dinte Enveri, po me sa duket nga të tjera motive arrin në një akuzë të pabazë.

    Jam i bindur se akuzat për pro-jugosllave të Mehmet Shehut janë të pavërteta, madje edhe të pabesueshme, sidomos për brezin tonë që e ka njohur nga afër atë. Mehmet Shehu nuk kishte pse të bënte prapaskena, pasi po qe se do të kishte bindje të tilla, atij nuk i ka munguar asnjëherë kuraja që t’i thoshte çështjet hapur e pa pasur frikë. Po kështu edhe po të kishte ndonjë vërejtje për qeverinë provizore, me siguri që do ta bënte ballasi e pa drojë. Po të ishte e vërtetë ajo që thoshte Enver Hoxha në fillimin e viteve ‘80, ai do ta kishte sqaruar çështjen që në vitin 1946, ku Nako Spiro pranoi që kishte vepruar në prapaskenë dhe nuk kishte pse ta mbronte Mehmet Shehun po të kishte qenë edhe ai në një komplot me të dhe stanin e Stoiniçëve që Mehmeti i urrente jashtë mase.vijon nesër...

    Gazeta Panorama
    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-04-2007
    Postime
    61
    Davius faleminderit për këtë postim.

Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Incidenti i Korfuzit - 22 tetor 1946
    Nga Tannhauser në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 25
    Postimi i Fundit: 10-06-2011, 08:32
  3. Paketa e propozuar nga Ahtisari për statusin final të Kosovës
    Nga Nice_Boy në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 451
    Postimi i Fundit: 21-10-2007, 12:59
  4. Informacion i përgjithshëm mbi Republikën e Shqipërisë
    Nga bastardi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-05-2004, 16:05

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •