Atentati në një lokal. Vdesin një burrë dhe një grua, plagosen katër të tjerë
Dy shqiptarë kanë vdekur dhe katër të tjerë janë plagosur dje në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, kur persona të armatosur kanë hapur zjarr në një lokal. Sipas informacioneve të mediave greke, viktimat janë një burrë dhe një grua, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë nga policia. Ndërkohë, katër të plagosurit, që të katërt shqiptarë janë dërguar në spital me plagë të rënda, por jashtë rrezikut për jetën.
Lokali ku ndodhi ngjarja ndodhet në rrugën "Metaksa" të kryeqytetit të Greqisë dhe administrohej nga një shqiptar, me origjinë nga qyteti i Patosit. Dy të vrarët dhe katër të plagosurit mësohet se ishin klientë të lokalit, që mblidhte kryesisht emigrantë nga zona e Fierit. Dëshmitarët okularë thanë dje për mediat vendase se katër persona të armatosur kanë hyrë papritur në lokal dhe kanë hapur zjarr pa paralajmërim ndaj një çifti që po darkonte. Të dy të sulmuarit mbetën të vdekur në vend, pasi kanë marrë shumë plumba. Ndërkohë plumbat kanë prekur edhe katër presona të tjerë, të cilët nuk kishin lidhje me asnjërën palë. Askush nuk ka mundur t‘i shquajë mirë atentatorët, pasi gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. Ata kanë hyrë në lokal me armë në dorë, kanë hapur zjarr dhe janë larguar me shpejtësi. Dëshmitarët mundën të tregonin për policinë se edhe vrasësit ishin shqiptarë, pasi kishin folur shqip me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, policia greke thotë se ka të dhëna për identitetin e autorëve dhe po punon për kapjen e tyre. Policia tha se bëhet fjalë për një përplasje mes bandash kriminale të shqiptarëve. Megjithatë, policia konfirmoi se dy të vdekurit dhe katër të plagosurit nuk kishin precedentë penalë në Greqi. Por, konfirmohet gjithashtu se në xhepin e mashkullit 31-vjeçar, i cili mbeti i vdekur nga plumbat, është gjetur një sasi kokaine.
Bandat shqiptare kontrollojnë një pjesë të mirë të trafikut të drogës dhe të prostitucionit në kryeqytetin grek. Javën që shkoi, policia e shtetit fqinj ka arrestuar pesë shqiptarë, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe të favorizimit të emigracionit klandestin. Shqiptarëve iu gjet një sasi prej 1 kilogramë kokainë e pastër, një sasi tjetër prej 20 gramë hashash, ndërsa katër prej pasagjerëve, të gjithë shtetas shqiptarë, ishin emigrantë klandestinë. Policia tha se ata po transportoheshin në brendësi të vendit. Sasia e drogës kishte si drejtim qytetin e Selanikut, ku kokaina përzihej me lëndë të tjera narkotike dhe më pas hidhej në tregun vendas
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt