Bakshishi, vlerësim, detyrim a ryshfet?
Vende të ndryshme, zakone të ndryshme. Ka që e japin me shumicë e të tjerë që e injorojnë
Edhe pse mund të duket disi e çuditshme, bakshishi është i detyrueshëm në shumë restorante dhe lokale, dhe kjo për arsye sepse shërbimi (pra fitimi i kamerierit) nuk është i përfshirë në çmim. Zakonisht lihet 15-20 për qind, por nëse restoranti është shumë elegant, duhet t‘u lësh 15 për qind kamerierëve dhe 5 për qind shefit. Kohët e fundit, në vendet e mbipopulluara nga turistët, bakshishi futet në llogari (zakonisht në mëngjes), ose thjesht kërkohet. Por kini kujdes se mos lini dy herë!
Për sa u përket taksistëve, shifra është e përfshirë mes 15-20 për qindëshit edhe në këtë rast.
Edhe në hotele zakonisht lihet një bakshish i vogël. Zakonisht lihet një dollar për një ose dy valixhe, ose dy dollarë në ditë për kamerierin (të cilët ndonjëherë lënë një zarf në dhomë) dhe një dollar për recepsionistin, nëse ky i fundit të lajmëron një taksi. Gjithashtu duhet të llogarisni edhe hotelin ku flini. Dhe së fundmi është teatri, vendi ku zakonisht nuk lihen kurrë bakshishe.
Nga një sondazh rezulton se bakshishi është një gjest i zakonshëm, nga i cili nuk mund të hiqet dorë, të paktën kjo është vënë re një në tri persona. Personat e rritur janë më bujarë se të rinjtë (dhe sigurisht më të aftë të paguajnë). Sot bakshishi është një nga zakonet më pak të globalizuara, por pavarësisht kësaj, gjërat po ndryshojnë. Bakshishi, si një akt i detyrueshëm, apo si një shpërblim optimal? Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, ku shërbimi nuk është i përfshirë, kamerierët e restoranteve të ndjekin nga pas nëse nuk lë bakshish të paktën 15 ose më mirë 20 për qind të shumës. Në Kubë dhe Korenë e Veriut, bakshishi konsiderohet, të paktën zyrtarisht, një praktikë poshtëruese dhe e padrejtë, një zakon kapitalist, një tentativë korrupsioni. I njëjti mentalitet ishte edhe në Kinë, por meqenëse ajo është në prag të lojërave olimpike, po përshtatet me shpejtësi me zakonet perëndimore, duke e bërë bakshishin simbol të modernizimit. Ndërsa në Japoni, ashtu si në Polinezi, bakshishi është konsideruar si cenues i dinjitetit personal. Në Tajlandë është cilësuar si një pagesë ndaj lypsarëve. Në Australi dhe Zelandën e Re është një gjest fyes, në Evropë një gjest elegant dhe borgjez, ku si njerëz mjaft bujarë konsiderohen italianët dhe anglezët.
Por pse lihet një bakshish? Për faktin se kamerieri ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm, sepse është një zakon, apo sepse nuk dëshironi të bëni një figurë të keqe?
Sipas ekspertit të këtij sektori, kërkuesi Majkëll Lin, një profesor i universitetit "Cornell", i ka dedikuar 25 botime dhe 20 vite të jetës së tij, duke studiuar sjelljet njerëzore përballë kushtëzimit të bakshisheve, raportit mes cilësisë së shërbimit të marrë dhe sasisë së parave të lëna si ekstra, kjo e fundit është e papërfillshme. Bakshishi lihet - praktikisht një detyrim i vogël - për të treguar dashamirësi ndaj vetes dhe të ftuarve të tjerë që ndodhen me ty, apo thjesht për ta pasur ndërgjegjen e pastër. Zakonisht, në ditët me diell dhe kohë të mirë, bakshishet janë më të majme.
Pra, bakshishi i lihet kamerierit për t‘u ndjerë mirë me veten. Është një zakon që qytetarët amerikanë po e eksportojnë në të gjithë botën, ashtu siç nënvizon edhe "Times"-i i Londrës në një kërkim kushtuar argumentit në fjalë, ku thuhet se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bakshishet përfaqësojnë një komponent domethënës të ekonomisë së vendit, që është baras me një shifër të lartë rreth 26 miliardë dollarë në vit.
Për kamerierët, parkuesit e makinave, parukieret, taksistët, faturinot, punëtorët e karburanteve, recepsionistët e hoteleve, bakshishi është një shenjë vlerësimi për shërbimin e marrë, por nga shumë konsumatorë është cilësuar si një tangjente e vogël që ndihmon për të fituar privilegje dhe favore.
Ndërsa për shumë të tjerë është një shenjë e keqe, por që mund të përdoret me maturi. Shpesh herë bakshishet e majme lihen nga të rinjtë e pasur. Por, më mirë një "budalla" bujar, se sa një koprrac elegant. Xhani Anjeli nuk linte kurrë bakshishe, sepse nuk merrte kurrë para mjaftueshëm. Princi i Anglisë, Uilliam, djali i madh i Karlit dhe Dianës, gjatë pushimeve me miqtë, dimrin e kaluar në Zvicër, la një bakshishesh shumë "të varfër". Kushedi, ndoshta u ngatërrua teksa bënte llogaritë. Por ajo ndoshta që të habit më shumë është pikërisht fakti se për bakshishet është hapur edhe një faqe interneti, e cila quhet www.bitterwaitress.com. Kjo faqe përcjell edhe pakënaqësitë e kamerierëve. Si më kurnacet janë cilësuar Britni Spirs, Xhenifer Lopez, Viktoria Bekam.
"Shpesh herë kam vënë re se shumë persona lënë bakshishe qesharake, pothuajse poshtëruese. Zakonisht tendenca është ajo për të lënë monedha, thjesht sa të "lirohen" prej tyre. Kur arrihet në këtë pikë, është më mirë të mos lënë fare. Personalisht besoj se bakshishi duhet të jetë një shpërblim i vogël, një shenjë mirënjohjeje në funksion të kënaqësisë që ka marrë klienti nga shërbimi. Pra, bakshishi lihet atëherë kur duhet dhe gjithmonë në kartëmonedhë", përfundon një kamerier.
Ndërsa në Shqipëri bakshishi është një gjest aristokrat, i trashëguar që në kohët e lashta, kur njerëzit e kamur u jepnin të holla njerëzve që u kryenin shërbime të ndryshme. Me kalimin e viteve ai mbeti si një zakon dhe nga një detyrim për punën, u kthye në një shpërblim kundrejt atyre që u shërbenin pikërisht këtyre njerëzve. Më i theksuar ky veprim është në shërbimet publike, si për shembull në bare, restorante e thuajse në të gjitha shërbimet e tjera ambulante. Kurrë nuk mund të konsiderohet si një gjest fyes, madje është një shenjë respekti dhe mirënjohjeje kundrejt një shërbimi.
Në botë
Francë
Në Francë, pothuajse gjithnjë shërbimi është i përfshirë në llogarinë që i jepet klientit, prandaj ndodh shumë rrallë që një kamerier të marrë një bakshish
Gjermani
Bakshish u lihet të gjithëve, duke përfshirë edhe pronarët e lokaleve, edhe pse përqindja ndryshon në situata të ndryshme. Në bare dhe restorante lihet 5%, por mund të arrihet edhe 10%, nëse janë klientë kalimtarë ose nëse janë klientë që janë mësuar me këtë zakon
Spanjë
Për spanjollët, bakshishi nuk është një zakon, madje konsiderohet si një formë korrupsioni. Por për turistët është zakon dhe shkon nga 5-10%. Ky zakon përdoret në hotele dhe taksi
Angli
Në Mbretërinë e Bashkuar, një bakshish është vetëm një shpërblim "nëse ju pëlqen". Përqindja varijon sipas restoranteve dhe hoteleve. Pjesa më e madhe e hoteleve e përfshijnë në llogarinë e shërbimit, që varijon nga 10-12%. Aty ku nuk është e përfshirë në llogari, lihet një bakshish 10-15%, që kalon në llogarinë e vetë restorantit
SHBA
Kanadaja dhe SHBA-ja janë vlerësuar ndryshe si "parajsa" e bakshisheve. Në restorante lihet 15-20%, madje ka edhe nga ata që lënë 25%. Por jo gjithmonë ndodh kështu. Titullarët e tri restoranteve të "Mollës së Madhe": "Nobu", "Nobu 57" dhe "Nobu Nex Door", janë denoncuar fajtorë, sepse u kanë grabitur bakshishet kamerierëve të tyre. Duhet t‘i kishin shpërndarë mes menaxherëve të lokalit
Rusia
Në Rusi, lënia e një bakshishi ka dalë në modë kohët e fundit. Në shekujt e kaluar ishte një zakon i lokaleve, ndërsa tani të paktën 10% e bakshishit është një detyrim në restorantet më të rafinuara të qendrës së qytetit
Australi
Mund të duket e çuditshme, por të gjithë e pranojnë. Kështu ndodh në Australi, ku përqindja e bakshishit shkon nga 10-15%, veçanërisht në restorante. Për taksitë përqindja është më e vogël, ndërsa për hotelet nuk ka kurrë bakshishe
Greqi
Në Greqi bakshishi quhet "filodorima", pra "dhuratë për një mik". Dhe si çdo dhuratë që respektohet, është i lirë nga kushtëzimi i përqindjes. Lihet nga pak kudo, përveçse taksistëve
Krijoni Kontakt