Si nuk ju vjen turp! nga Rexhep AHMETI
16 October 2007
Në vend se të na kërkoni falje publike për krijim të antirendit juridik e për veprime e mashtrime absurde në të, na kërkoni votën për të na rirobëruar vullnetarisht!
Dhe ende pa filluar zyrtarisht (sipas Unmikistanit) fushata zgjedhore kanë filluar të na kërkojnë votën!
Na kërkojnë votën deputetë të ndryshëm që paskan hyrë në lista të ndryshme si për zgjedhje për “ pushtet lokal” ashtu edhe deputetë që qenkan në lista për “ nivel kombëtar”, apo për “pushtet qendror”!
Na kërkojnë votën pjesëmarrës dhe partizanë të nënshkrimit të “Marrëveshjes” së Rambujesë, zbatues besnik të Rezolutës 1244-tër, pranues e ithtarë besnik, ekstrem të Pakos famëkeqe të Ahtisarit, e cila zyrtarizon indirekt “kombin kosovar”, zyrtarizon bunkerizimin legal të Kosovës nga regjimi imperialist millosheviqian i Serbisë kinse “duke mbrojtur të drejtat e minoritetit serb në Kosovë ”, në federatë a konfedreatën e planifikuar të Kosovës me Serbinë, ashtu siç është shkruar dhe parashikuar, në Pakon e Ahtisarit, e cila është pranuar edhe nga Kuvendi jolegjitim i Kosovës, por e cila, kinse, nuk është pranuar publikisht nga Parlamenti i Serbisë! Mospranimi i Pakos së Ahtisaarit nga organet e pushtetit dhe qeveria e Serbisë, pos tjerash, ka edhe letrën mashtruese për opinionin shqiptar. Bëhet me qëllim, që masa shqiptare të shtyhet të mendoj: “ pasi Pakon e Ahtisaarit nuk po e pranuaka Serbia, ajo sigurisht qenka e mirë për ne!, prandaj edhe pranimi i saj nga “Grupi Negociator”,” Ekipi i Unitetit”,” Grupi politik Strategjik”, qenka “politikë e hollë” ! “
Ky opinion, në fakt anipavarësi për Kosovën (ngase pranon Pakon e Ahtisaarit) i duhet Serbisë dhe UNMIK-ut, për ta “rilegjitimuar”, “legalizuar” e fuqizuar me zgjedhje të 2007-tës, këtë “Grup politik strategjik” a “Ekip të Unitetit”, i cili ka vërtetuar dhe po vërteton përditë, se është në gjendje të pranoi e të bie edhe më poshtë se Pakoja e Ahtisaarit, ngase përsëri edhe pas dështimit të OKB-së për ta shfuqizuar Rezolutën nr. 1244 (fatale për ne), po vazhdon negociatat për Traktat me Serbinë, kinse si dy shtete të pavarura, kur në fakt jemi ende nën juridiksionin serbo-unmikase të Rezolutës pushtuese neoimperialiste nr. 1244 të KSOKB-së.
Dje (e shtunë 22 shtator 2007 në Mitrovicë) nga një blic bisede në këmbë që inicioi me mua një kërkues i votës sime (N.RR.), për nivelin qendror a “kombëtar” në Kosovë, u binda se ai, vërtetë, nuk e dinte se çfarë tmerri të mbuluar mban Pakoja e Ahtisaarit, për kombin shqiptar në Kosovë si dhe për minoritetet këtu!
Pasi që i dhashë të kuptonte ish-mikut tim, se unë po të dal të votojë për ty, do të votojë, indirekt, edhe për vazhdimin e kësaj status-quoje nën Rezolutën 1244-tër, për trysninë aktuale nën Pakos së Ahtisaarit dhe për trysnin edhe më të rrezikshme të stërdiktaturës paspakosahtisaariane, ai u shpreh: ” A të gjitha këto negativitete i përmban Pakoja e Ahtisarit a? ”
Nga ky kërkues vote, mësova, se fatkeqësisht, te një pjesë e deputetëve që janë në lista për zgjedhjet në Kosovë, po ekzistuaka opinioni tillë: “ A po e shihni, nuk po na lënë as ta zyrtarizojmë, as ta zbatojmë Pakon e Ahtisaarit, e lëre më tjetër? Po të mund ta zyrtarizojmë e zbatojmë këtë pako do të ishte sukses, do të ishim të kënaqur”. Gati se nuk thonë “do të ishim të parët e shokëve!
Opinioni se duhet t’i votojmë partitë politike dhe kandidatët e tyre që e kanë pranuar Pakon e Ahtisaarit, meqë ajo është “patriotike”, andaj vet Serbia nuk po e pranon, ndërsa e kanë pranuar anëtarët e “Ekipit të Unitetit”, “Grupit Politik Strategjik” në “kundërshtim me Serbinë ”, me të vërtetë, është opinion fals dhe mashtrues. Edhe subjektet tjera politike që nuk kanë mundur të mbërrijnë që të jenë në “Grupin e Unitetit” dhe pastaj të kenë edhe ato “meritat” e tyre për ta pranuar pakon e Ahtissarit, edhe ato intensivisht, dhe çdo ditë, qysh tani, ende pa filluar zyrtarisht fushata unmikase zgjedhore, po e kërkojnë me zjarmi votën tonë (të zgjedhësve), duke i gënjyer të varfërit se “po t’ ua qesin kokrrën atyre do t’i mshajnë shkelm fukarallëkut”! Po të ishte krejtësisht i vetëdijshëm trupi zgjedhor (zgjedhësit) do t’i përgjigjeshin lypësve të votave të tyre, apo ithtarëve të “kombit” kollovar (lexo:kosovar) kështu:
Bile, kur janë votimet dhe kur ju jeni në rolin e lypësve, dhe ne zgjedhësit jemi në rolin e sovranëve, po ua themi të vërtetën e kuptuar definitivisht nga ne, se: ju zbatuesit e politikës së huaj në vitin 1999 nënshkruat “Marrëveshjen” e Rambujesë, dhe pas tri viteve na premtuat Referendumin. Me nënshkrimin tuaj, pa menduar gjatë, fshitë me gomë traktori luftën e UÇK-së, e zyrtarizuat atë si “konflikt” dhe pranuat sovranitetin dhe juridiksionin e huaj dhe atë serbomadh mbi Kosovën. Referendumi pas tri vjetësh për Kosovën doli farsë pushtetore dhe pavarësiste nga ana juaj. Pastaj premtuat pavarësinë e sigurt në vitin 2005. Nuk u bë. Premtuat në të 2006-tën. Përsëri nuk u bë. Premtuat edhe në të 2007. S’u bë as “pavarësi” e kushtëzuar. Tani kur përsëri na latë mbi kokë e jetë Rezolutën e rëndë robëruese me peshë (të padukshme e të dukshme) prej 1244 kilogramëve për çdo qytetarë të Kosovës (pa marrë parasysh se a e din ai këtë a jo) përsëri nuk keni turp të na premtoni pavarësinë më 10 dhjetor 2007!
Si nuk keni turp të vazhdoni, aq gjatë, të njëjtën politikë dështake për Kosovën dhe statusin e saj? Si nuk keni turp ta kërkoni votën tonë edhe tani? Na lusni dhe bëheni servilë edhe tani ndaj nesh, për ta marrë votën tonë, jo për status të Kosovës por për pasurimin tuaj e duke anashkaluar statusin dhe pavarësinë e vërtetë të Kosovës, ngase vetëm kështu duke penguar, në fakt, pavarësinë e Kosovës, siguroni pavarësinë e “kombit” tuaj kollovar, i cili po vepron ashtu siç i thotë dikush tjetër, e nuk do as të lodhet, të mendoj e të shoh se po ia lëshojnë mjekrën. Ndaj edhe kënaqet jo vetëm me pako të tilla si të ahtisarëve, por edhe më keq e më ultë se ato! Siç duket, ju e keni një brengë tjetër: se mos nuk do t’u pranojë as Serbia në një federatë-konfederatë me te, ose që është krejt identike me këtë, se mos nuk do t’ua pranojë Serbia Pakon e Ahtisaarit, apo edhe diçka më ultë se ajo?! Ku ta dish: marrëveshja e Rambujesë dhe marrëveshjet e ngjashme si ajo, që më shumë janë të fshehta se sa publike, mund edhe të mos vazhdojnë dhe të mos dalin të “vërteta” gjithherë!?
Ju zotërinj që jeni në listat e të zgjedhurve, ju që keni vetëvendosur që të jeni deputetë të kënaqur me këtë “sistem”, dhe jo sokratë të vuajtur kundër këtij sistemi, ju që tani jeni bërë turpi, më falni-trupi potencial për të qenë të zgjedhurit tonë, tani po na lusni që t’u ndihmojmë! Cilët qenkemi më të fortë: ju që lypni pameritueshëm votën tonë, apo ne që kemi në dorë votën dhe fatin tonë?! Një gjë duhet ta keni të qartë: të fortët gjithmonë ndihmojnë.
Dhe me të vërtetë ne do t’u ndihmojmë duke mos dalë fare në këto zgjedhje-lidhje. Kështu ju ndihmojmë që ju me votën tonë të mos bëheni përsëri rirobëruesit dhe shtypësit tonë. Duke mos dalë në zgjidhje ne m o h o j m ë, kategorikisht, që ju edhe njëherë, me votën tonë, dhe me dorën tuaj, ta nënshkruani rirobërimin tonë kolektiv, deshqiptarizimin e Kosovës dhe riinstrumentalizimin e minoritetve në Kosovë krejt në dëm të drejtave e lirive të tyre dhe në kob për Kosovën.
Ne nuk duam që përsëri të robërohemi vullnetarisht përmes jush, ndaj assesi nuk do ta keni votën tonë.
Ju më parë se ta kërkonit votën tonë duhej të kërkonit falje publike për gjithë veprimtarinë tuaj servile, nënshtruese të pasluftës në Kosovë. Këto, pra, janë arsyet e forta kolektive për mosdalje në zgjedhjet e 17 nëntorit të 2007-tës.
Ndërsa ish-mikut t’im që ma kërkoi votën në Mitrovicë dhe që më pyeti se a do të më ndihmosh që t’i fitojë votat për deputet të Kuvendit të Kosovës po i përgjigjem këtu publikisht dhe sinqerisht:
-Jo, assesi nuk do të mund të ndihmoj ty për ta rirobëruar veten dhe kombin shqiptar të Kosovës, ngase po të “ndihmoj ty” tani ia zgjati jetën (si individ) me dorën t’ime, këtij antirendi juridik dhe kaosi të organizuar e të riorganizuar, i cili po na shtyp pamëshirshëm. Jo, nuk mund të shkeli gjakun e shokëve të mijë të luftës, prandaj nuk do të dal në këto zgjedhje ahtisariane.
Kur edhe unë e pyeta ish-mikun tim se kush më ndihmoi mua paslufte që ta rindërtojë shtëpinë e shkatërruar nga lufta, kush më ndihmoi që ta inkuadrojë shoqen time në punë...etj., ai duke më njohur mua mirë (duke e ditur se kam punuar gjatë për çështje të përgjithshme e në këtë vazhdë jam edhe veteran i UÇK-së), edhe ai më dha plotësisht të drejtë se nuk kam asnjë arsye individuale as kolektive për të dalë në këto zgjedhje të parashikuara (josigurt) për 17 nëntor 2007.
Edhe pse ka në lista zgjedhore krejt pak kandidatë seriozë (por të vetmashtruar), që po të ishte rendi juridik i mirëfilltë në Kosovë do ta meritonin, të votoheshin, kjo kurrsesi nuk është arsye e mjaftueshme, që tani për hatër të tyre, të dalim në votime dhe ta votojmë robërinë tonë kolektive dhe t’i djegim edhe ata pak të merituar e të mashtruar, të cilët ende mendojnë se ky sistem koshtuniciano-unmikas është i mirë, dhe mund të jetë zgjedhje e zgjidhje për qytetarin e Kosovës. Në fakt, ky antirend torturues juridik në Kosovë, ç’moti, qyshe instalimin e tij këtu, në vitin 1999 e ka mohuar de jure e de fakto qytetarin e gjorë dhe kombin e këtij të gjorit të Kosovës.
Atyre që e kërkojnë votën e qytetarit abstrakt të Kosovës në këto zgjedhje, që nuk janë zgjidhje por, në fakt, janë lidhje dhe rilidhje e qytetarëve të Kosovës, do të mund tu themi:
- Liria është, pos tjerash, edhe zgjedhje e lirë e individit, qytetarit, siç pat theksuar një filozof perëndimor. Ndaj lenani rehat më vuajtjet tona, që na i ka shkaktuar dhe po na i shkakton kundërrendi juridik, të cilin ju po kërkoni (indirekt dhe ndoshta edhe pavetëdijshëm) ta ripranojmë e riparojmë, me dalje në këto zgjedhje, vërtetë të turpshme të këtij viti të mbrapshtë (gjer më tani)!
Ne tani do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë legjitime, mundësinë e zgjedhjes së lirë. Do të zgjedhim për të mos dal në këto zgjedhje. Ne tani nuk do ta votojmë këtë kundërrend juridik, i cili po na shtyp pamëshirshëm. Prandaj as që na shkon mendja më të dalim në zgjedhje të 17 nëntorit 2007. Ndaj mos na lutni fare për të dal në këso votimesh. Ne nuk mund të ndihmojmë më rirobërimin tuaj dhe tonin duke dal në votime të tjetërsuara dhe të manipuluara me ligje të një antirendi juridik të tmerrshëm, siç është ky i tashmi në Kosovë. Na falni, nuk mund të votojmë rirobërinë dhe rirobërimin tonë. Çka na nevojitet rirobëria dhe rirobërimi për vete?!
Kur mendojmë dhe veprojmë kështu, siç thotë ky artikull, jemi plotësisht në vete.
Krijoni Kontakt