Jeta e vërtetë e Presidentit të 1 miliard vetave mbetet një enigmë e madhe
Jintao, hidrauliku misterioz që qeveris Kinën
Në prag të kongresit të partrisë, që pritet t‘i japë një tjetër mandat sundues liderit 64-vjeçar
Nesër dy mijë të deleguar do të mblidhen në Pekin në Kongresin e 17-të të Partisë Komuniste kineze. Nuk ka asnjë dyshim që sekretari i Përgjithshëm i partisë, Hu Jintao, do të jetë në qendër të evenimentit. Por cili është 64-vjeçari Hu Jintao, i cili do të mbetet edhe për pesë vjet të tjera në krye të partisë dhe President i Republikës? Ky inxhinier hidraulik, i zgjedhur personalisht nga Ten Hsiao Pin si pasardhës më shumë se 15 vjet më parë, ia ka kushtuar gjithë jetën ngjitjes së shkallëve të karrierës politike në radhët e partisë së masave më të madhe në botë. Gjatë këtyre ditëve do të luajë levat e kësaj organizate gjigante për të përgatitur vitet që do ta shohin sërish në majën e pushtetit. E megjithatë, delegatët e kongresit, ashtu si 1.3 miliardë kinezët nuk dinë thuajse asgjë mbi këtë individ. Në të kundërt të shefave të tjerë të shteteve, jeta e tij private, shijet, karakteri, mbeten një enigmë e vërtetë. Hu Jintao "i vërtetë" përbën një ndër sekretet e ruajtura me më shumë fanatizëm nga makina e pushtetit që gjendet e tëra nën urdhrat e tij.
Por nuk ka qenë gjithnjë kështu në historinë e komunizmit kinez. Tre paraardhësit e tij të mëdhenj i janë shfaqur shumë më tepër publikut, ndoshta me qëllim ndërtimin e një imazhi publik që do t‘u vinte në ndihmë për krijimin e kultit të personit. Mao, gjatë luftës partizane, u intervistua për muaj të tërë nga gazetari amerikan, Edgar Snou, që ndikoi së tepërmi në krijimin e legjendës së tij; shkroi poezi, hodhi në qarkullim 8 milionë kopje të Librit të Kuq, ku qenë kishte hedhur mendimet personale. Ten Hsiao Pin e tregonte prejardhjen nga Sikuani falë aksentit të fortë provincial. Jiang Zemin, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregoi talentin muzikor duke kënduar në një lokal karaoki një këngë të Frenk Sinatrës. Ndërsa për Hu Jintaon thuhet se statuja e tij prej dylli që gjendet në Hong Kong emeton më shumë emocione se ai vetë. Origjinali me mish e kocka duket si mishërimi modern i statujës së një perandori prej argjile. Artin për të mos e nxjerrë veten në pah e kultivon që në rininë e hershme. Fillimisht i vlejti për të mbijetuar, më pas për të organizuar ngjitjen në pushtet. Si bir i një tregtari iu desh të fshinte nga të dhënat biografike atë baba që mund t‘i sillte persekutimin gjatë revolucionit kulturor. Në Universitetin Cingua, më prestigjiozi në Pekin, u diplomua në Inxhinieri ndërsa eksploronte radikalizmin e rojeve të kuqe. Nga një ditë në tjetrën fraksionet kundërshtare fitonin apo humbisnin nëpër beteja të dhunshme; ishte shumë e lehtë të bëheshe pre e mynxyrave ideologjike. Kolegët e universitetit e kujtojnë mjaft mirë aftësinë e tij: shkonte mirë me të gjithë, nuk mbetej për asnjë çast i zbuluar. Profili prej komformisiti ishte ajo armaturë që e mbrojti nga përfshirja brenda stuhive të shumta. Biografja e tij zyrtare, historiania Ma Ling, e përshkruan si "njeri që kontrollon çdo fjalë që thotë që nga adoleshenca". Megjithëse e ka portretizuar ashtu siç ka dashur vetë lideri kinez, Ma Ling nuk është parë me sy të mirë nga makina e pushtetit. Ndoshta edhe për shkak të asaj të shkuare të cilën Hu Jintao e ka fshirë nga librat menjëherë, pasi pushteti ia dha mundësinë për ta bërë. Vite më parë, një gazetar i huaj arriti të binte në gjurmët e hallës 90-vjeçare të Hu Jintaos, e cila e rriti pas vdekjes së të atit. E moshuara, gjatë intervistës, tha çdo gjë të mirë të mundshme mbi të nipin, i cili paska qenë një nxënës model. Por për të shmangur çdo rrezik të mundshëm, tani hallës nuk mund t‘i bëhet më asnjë lloj interviste, duke qenë se shtëpia e saj ruhet nga forcat e policisë. Janë zhdukur fotot e fëmijërisë dhe kujtimet. Edhe pse në Kinë redaksitë e gazetave mendohen mirë kur vjen puna për të publikuar qoftë edhe një fjalë të vetme për liderët e shtetit, kujdesi nuk është kurrë i dëmshëm.
Edhe sot, që qëndron në majën e pushtetit, është diçka shumë e rrallë që Hu Jintao të shprehë një opinion personal. Një herë në muaj mbledh "kupolën e regjimit": atë ditë 22 limuzina të zeza me xhama të errët hyjnë që në mëngjes në Zhongnanhai, shtabi i përgjithshëm i nomenklaturës, në krah të Qytetit të Ndaluar. Qëkur Hu Jintao ka marrë në dorë kreun e partisë në vitin 2002, mbledhjet e Politbyrosë janë bërë të shkurtra, operative, në mënyrë që t‘u jepet hapësirë ekspertëve të Akademisë së Shkencave apo të këshillit, të shtetit mbi tema konkrete: ekonomia, energjia, kërkimet shkencore. Kur Hu Jintao nxjerr konkluzionet, përmbledh të gjitha ato që thuhen pa marrë një pozicion personal. Çasti i marrjes së vendimeve, kur vjen, duhet përgatitur në një qark më të ngushtë, larg çdo syri të huaj apo kureshtari. Në konferencat e tij të shtypit, nuk parashikohet bërja e pyetjeve, përveç atyre që janë përgatitur paraprakisht. As edhe gjatë takimeve ndërkombëtare e rangjeve të larta siç është ai i G8-ës, ku ekziston gjithnjë një frymë e theksuar rezervimi, Hu Jintao kurrë nuk improvizon gjatë dialogëve me të tjerët. E vetmja herë kur lejoi të hapej një dritare në jetën e tij private ndodhi për shkak të së bijës. Martesa e së bijës me miliarderin Daniel Mao, themelues i një shoqërie interneti, nuk mund të kalonte pa ngjallur kureshtjen e të gjithëve. Por menjëherë pas martesës, çifti i ri u zhduk nga skena. Mbi manovrat politike që marrin jetë në Zhongnanhai qëndron një perde edhe më e rëndë. Për shkak të publikimit para kohe të lajmit mbi një çështje që në fund të fundit do të mësohej nga të gjithë - kur Hu Jintao i shkuli nga duart Jiang Zemin-it detyrën e fundit që i kishte mbetur, kontrolli mbi forcat e armatosura - një nga bashkëpunëtorët kinezë të gazetës amerikane "New York Times" u dënua me tre vjet burgim. Motivi? Publikim i sekreteve shtetërore.
Me gjithë këtë rezervim obsesiv, jeta e Hu Jintaos përmban të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar natyrën e bllokut të pushtetit që është grumbulluar përreth tij. Në karrierën e tij bien në sy tri detyra në provincat e perandorisë. 14 vjet në krye të partisë në Gansu, krahinë që kufizohet me shkretëtirën e Gobit; më pas i njëjti rol në Guizhou në gjysmën e viteve ‘80. Gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë nëpër krahina të varfra. Që atëherë, Hu Jintao nuk mund të harrojë që një ndër problemet më të rënda të vendit të tij është zhvillimi i pabarabartë, me një pjesë shumë të madhe të vendit të zhytur në prapambetje të thellë. I treti vend ku punoi ishte Tibeti. Ishte viti 1987, në Pekin frynin erërat e liberalizimit që do t‘i paraprinin "pranverës studentore". Për një çast tibetainët patën iluzionin se shpejt do ta shihnin me sy lirinë dhe se në vend do të mund të kthehej Dalai Lama. Manifestimet shpërthyen, ndërkohë që protagonistët e tyre ishin murgjit budistë. Hu Jintao nuk u mendua dy herë për të futur në fuqi ligjin ushtarak në Tibet në vitin 1988: grushti i tij i hekurt në Tibet shërbeu si shenjë paraprirëse e represionit me armë që përdori paraardhësi i tij, Deng, një vit më pas në Tienanmen.
Roli parësor i partisë, nevoja për të ruajtur kontrollin e plotë mbi shoqërinë civile, janë pa diskutim parimet e tij udhëheqëse. Në të njëjtën kohë, diploma e inxhinierit hidraulik përbën markën e një klase drejtuesish pragmatistë, që beson te shkenca e teknika, e që nuk e lejon të përfshihet në beteja ideologjike siç ishte dikur ajo e revolucionit kulturor. Kryeministri i tij besnik, Ven Jiabao, është inxhinier gjeolog. Shumë pjesëtarë të këtij "brezi të katërt" liderësh të komunizmit kinez kanë studiuar nëpër degët teknike të universiteteve, vijnë nga karriera që kryesisht kanë pasur të bëjnë me menaxhimin e industrive shtetërore. Metoda falë së cilës janë zgjedhur në postet më të larta të shtetit, në pjesën dërrmuese të rasteve, është ajo e mbështetjes nga krerët e lartë: janë liderët e sotëm që shtyjnë përpara në karrierë vartësit e tyre, besnikëria dhe nënshtrimi i plotë janë më të rëndësishme se aftësitë profesionale. Demokracia nga poshtë, së cilës i është mëshuar aq fort në projektet politike, mbetet ende një iluzion. Decentralizimi dhe autonomia rajonale shërbejnë për të mbuluar feudet lokale, të sikletshëm, pasi janë mekanizmat më të korruptuar e joeficentë të qeverisë qendrore.
Një kongres i këtyre përmasave nuk është veç koreografi. Sipas Li Çeng, një autoritet i latë universitar kinez, "plakja e kastës drejtuese kineze e vë vendin përpara nevojës për një ndërrim shumë të gjerë brezash". Li mendon se 60% e komitetit qendror do të zëvendësohet brenda afatesh shumë të shkurtra kohore. Të njëjtin fat do të pësojë edhe qarku i ngushtë i politbyrosë, ku mosha mesatare i kalon 66 vjetët dhe 16 prej anëtarëve të saj e kanë mbushur moshën e pensionit.
Në fund është maja e kupolës, ku qëndrojnë nënte krerët supremë, komiteti ekzekutiv. Aty, vdekja e njërit syresh dhe mosha mbi 70-vjeçare e tre të tjerëve krijojnë një boshllëk prej katër poltronash. Në atë qark të vogël përgatitet ndeshja vendimtare e cila do të zbresë Hu Jintaon nga pushteti në vitin 2012. Sekretari i Përgjithshëm i partisë ka dy delfinë të parapëlqyer, pesëdhjetëvjeçarët Li Keqiang dhe Li Juançao. Që të dy vijnë nga feudi i dikurshëm i Hu Jintaos, nga radhët e rinisë komuniste, nga ku numri një i Kinës nisi dikur ngjitjen në pushtet, ku edhe ka rekrutuar edhe mbështetësit më të afërt. Por tashmë, Hu Jintao është i detyruar të bëjë llogaritë me një fraksion të lidhur ngushtë me paraardhësin e tij, Jiang Zemin. Tani që plaku Jiang është në pension, trashëgimtari i tij, Zeng Qing Hong, është i ulur në postin e zëvendëspresidentit. Është kreu i klanit të Shangait të njohur gjithashtu si partia e "princave". Kjo rryma brenda partisë i ka hedhur rrënjët në klasën sipërmarrëse kapitaliste kineze, ku shkëlqejnë bijtë e nipërit e hierarkive të lartë komunistë. Kandidati i tyre për të zëvendësuar Hu Jintaon pas pesë vjetësh është Ksi Jinping, sekretari 54-vjeçar i partisë së Shangait.
Një përshkrim i tillë i dy fraksioneve brenda Partisë Komuniste nuk asnjë shans të lexohet nëpër gazetat kineze. E megjithatë, qarkullon dendur në gojët e shtresës së mesme të kinezëve, mes menaxherëve e inxhinierëve, te brezat e shkolluar që udhëtojnë jashtë kufijve të vendit e përdorin internetin. Partia e vetme nuk është monolite; nuk ishte as në kohët e Maos, kur fraksionet i rregullonin hesapet mes tyre me beteja të armatosura e duke ngritur kampe përqendrimi. Sot lufta zhvillohet në forma shumë më të zbutura. Për të dobësuar klanin e Shangait Hu Jintao përdor dosjet e shërbimeve sekrete, përgjimet telefonike, llogaritë e fshehta bankare. Ka peshkuar disa nga njerëzit e rrymës kundërshtare të përfshirë në afera korruptive, ka bërë që t‘i denoncojnë pikërisht të dashurat e tyre. Por beteja nuk ka përfunduar, kundërshtarët kanë në duar poste shumë të larta. Ndoshta edhe vetë Hu Jintao do të konsideronte të rrezikshme një fitore të plotë e të bujshme. "Princat" kanë në duar pjesë të rëndësishme të aparatit shtetëror e financiar. Një gjueti shtrigash në shkallë të gjerë kundër tyre do të kishte efekte destabilizuese mbi të gjitha aspektet e jetës së vendit. Dhe e vetmja fe së cilës Hu Jintao i bindet verbërisht është stabiliteti. "Shoqëri harmonike", është slogani i tij i preferuar konfucian. Në vetvete përmbledh gjëra të ndryshme. Përkthehet në disa mënyra. Një kapitalizëm diçka më pak mizor, me tekste të lehta socialdemokratike, falë të cilit një pjesë e pasurisë së vendit u ndahet punëtorëve e fshatarëve. Një paternalizëm autoritar që i garanton partisë të drejtën për të qeverisur pa asnjë lloj alternative tjetër. Një refuzim ndaj konflikteve të hapura që parandalohen me fanatizëm falë kontrollit të mjeteve të informacionit. Në të njëjtën kohë, Hu Jintao ka preferuar ngritjen e një shteti të së drejtës, që do të hidhet në betejë kundër shkatërrimit të ambientit. Bilanci i pesë viteve të para në krye të pushtetit luhatet mes triumfeve e rreziqeve. Që nga viti 2002, Kina ka dyfishuar të ardhurat për frymë të qytetarëve të saj, ka trefishuar eksportet, ka akumuluar rezervat valutore më të pasura të planetit. Njëherësh është vendosur në vendin e parë në listën e vendeve që çlirojnë më shumë CO2 në atmosferë, ndërkohë që revoltat popullore njohin veç shtim të vazhdueshëm. Veshët e dy mijë të deleguarve që do të marrin pjesë nesër në kongres do të dëgjojnë gjëra kontradiktore. Në atmosferë ndihet një farë nervozizmi, i lidhur me një tjetër eveniment gjigant, Lojërat Olimpike të Pekinit të vitit 2008, që do të zbulojnë në sytë e botës abuzimet e regjimit. Makina gjigante e pushtetit ka nevojë për siguri, duhet të ketë garanci mbi prioritetet e vërteta. Një nga këto, padyshim është rezervimi i Hu Jintaos në sytë e botës.
shqip
Krijoni Kontakt