Kryeministri Berisha i kërkon Mediut të hartojë nga e para projektligjin për ushtrinë. Gati heqja e shërbimit të detyrueshëm
Qeveria është duke përgatitur draftin ligjor për të ndryshuar ligjin e shërbimit ushtarak dhe për ta përafruar atë me sistemin që ndiqet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë mënyrë do të hiqet shërbimi i detyrueshëm për bërjen e ushtrisë dhe ata persona që duan të bëhen pjesë e ushtrisë shqiptare, do të përfitojnë nga shteti pagesë mujore, ushqime dhe veshje falas dhe sigurimin e një apartament banimi me familjen e tyre. E gjitha kjo do të ofrohet në këmbim të përfshirjes së tyre në strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Detyrimi i Shqipërisë për të qenë pjesë e NATO-s është edhe heqja e shërbimit ushtarak të detyrueshëm brenda vitit 2010. Pas takimeve të fundit të Kryeministrit Berisha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Islandë, në kuadër të përfshirjes së Shqipërisë në NATO, kreu i qeverisë ka kërkuar hartimin e menjëhershëm të draftit për të modernizuar ushtrinë shqiptare. Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Mbrojtjes, në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, janë duke bërë gati ligjin për të mos detyruar më djemtë 18-27 vjeçarë të shkojnë në ushtri, por duke e kthyer atë në një ushtri profesioniste. E gjitha kjo nënkupton se ushtria do të kthehet me pagesë, mundësi ofrimi për shkollë të lartë, gjetjen e një banesë, ofrimin e veshjeve dhe ushqimit gratis dhe e gjitha kjo kundrejt ofertës për të punuar më pas për Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Sistemi që pritet të aplikohet në Shqipëri është i ngjashëm më atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qëllimi i kësaj nisme është që një pjesë e konsiderueshme e ushtrisë sonë të kthehet në ushtri profesioniste dhe të organizuar më së miri për çdo situatë. Kjo është një nga rekomandimet kryesore që duhet të përmbushë Shqipëria për t‘u bërë pjesë e NATO-s. Për një ushtri të profesionalizuar, një ndër pikat e kërkuara nga Kryeministri Berisha dhe ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është bërja e ushtrisë me pagesë, duke hequr sistemin e bërjes së ushtrisë në mënyrë të detyrueshme. Ideja e heqjes së sistemit të detyruar ushtarak është hedhur nga qeveria e mëparshme socialiste. Socialistët në pushtet kishin kërkuar që ushtria të profesionalizohet brenda vitit 2015, ndërsa mazhoranca e sotme ka si synim zbatimin e këtij rekomandimi të marrë nga NATO brenda vitit 2010. Vetë ideja e bërjes së ushtrisë me pagesë, presupozon të nxjerrë një ushtri profesioniste. Këta ushtarakë do të jenë specialistë për fusha të ndryshme si artileri, ndërlidhje dhe të tjera. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se "kjo kërkesë i është propozuar Këshillit të Mbrojtjes dhe nëpërmjet tij edhe Këshillit të Ministrave. Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes bëjnë me dije se kanë nisur iniciativat që të ngrihet grupi i punës, i cili do të merret me ndryshimet ligjore të ligjit për shërbimin ushtarak të Republikës së Shqipërisë. Ligji aktual ushtarak parashikon një sistem miks, ose i shprehur me qartë, një shërbim ushtarak i detyrueshëm dhe ushtarë profesionistë. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se do të iniciojë me këtë grup pune një projektligj që do të ndryshojë shërbimin ushtarak nga shërbim miks, duke e kthyer atë në shërbim të plotë profesionist. Vlen të theksohet se sistemi profesionist është një nga detyrimet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Shqipëria, duke aplikuar sistemin profesionist, ka benefitet e veta, duke pasur parasysh faktin se shërbimi ushtarak s‘do të jetë një skot sociale e mbyllur, por një profesion si gjithë të tjerët. Benefiti më i madh lidhet me faktin se duke futur shërbimin ushtarak profesionist do të merret edhe shkolla e lartë, do krijohet mundësia për shërbime shëndetësore, veshje, ushqime gratis. Gjithashtu, sipas kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Mbrojtjes përfitohet edhe banesë nga Forcat e Armatosura.
Vitet
Hiqet kufizimi i moshës për ushtrinë
Sipas draftit të ri, ata që duan të vazhdojnë ushtrinë nuk duhet të kenë kufizim moshe, siç është përkufizuar mosha në ligjin aktual, nga 18-27 vjeç. Një person që do të futet në radhët e ushtrisë si një rekrut i thjeshtë dhe ka dëshirë të vazhdojë karrierën e tij ushtarake si një nënoficer, nuk do të ketë kufij të moshës. Deri 50 vjeç është përcaktuar mosha aktive e mobilizimit të një ushtaraku. Për atë person që pasi mbaron shkollën e mesme dëshiron të punojë në ushtri dhe merr të lartën, sërish karrierën e tij do të mund ta vazhdojë deri në moshën 50 vjeç. Fatura se sa do të paguhet në ditë një rekrut ende nuk është përcaktuar, por benefitet që priten të përfitohen mendohet të jenë të mëdha, duke u nisur nga fakti që më pas pritet një karrierë e sigurt, shtëpi e ofruar nga shteti dhe jetesë e mirë me një kosto të lirë. Shkaku që ende nuk është përcaktuar fatura e çmimit, është se akademia e mbrojtjes është përpjekur që këtë pjesë ta fusë në trajtimin më të madh të mundshëm me ekuivalentët që janë Forcat Speciale të Policisë. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se e gjitha kjo është në proces negociatash, ndërkohë që gjithçka varret nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave.
Rekrutët, kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes për shkollën e lartë
Kushtet për të përfituar ushtrinë dhe arsimin
Ndërtimi i draftit të ri për shërbimin ushtarak do të sjellë benefite për ata që duan karrierë në sistemin ushtarak. Një pakt i nënshkruar mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe personit të interesuar për të vazhduar shkollën e lartë me shpenzimet e Forcave të Armatosura të shtetit, do të krijojë mundësinë e marrjes së një diplome trevjeçare në degët civile dhe pas saj kryerjen e shërbimit ushtarak për një vit. Aktualisht degët civile që ofrohen për studentët ushtarakë në universitetin "Skënderbej" janë menaxhim biznesi dhe informatik. Ndërkohë që me futjen e sistemit profesionist në Shqipëri mendohen të hapen edhe degë të tjera civile. Shkolla civile e ofruar nga ushtria është 3-vjeçare, plus një vit detyrim ushtarak. Pasi ke mbaruar këtë shkollë, një rekrut merr emrin oficer. Por si mund të përfitosh nga bërja e ushtrisë me pagesë. Një njeri që sapo ka mbaruar arsimin e mesëm dhe do të bëhet pjesë e ushtrisë, nënshkruan një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes. Shkolla është e hapur për cilindo që kalon testin fizik, por gjithashtu numri i atyre që do të përfitojnë nga arsimimi do të jetë i reduktuar. Pasi ndiqet universiteti për tre vjet dhe shërbimi ushtarak njëvjeçar, i diplomuari është i detyruar të punësohet në ushtri për një afat kohor pesëvjeçar dhe do të dërgohet në ato vende ku kanë nevojë Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Pas pesë vjetësh shikohet kontrata për kurset e gradave që janë marrë dhe progreset që janë bërë gjatë kësaj kohe dhe përcaktohet më pas rregullat e reja. Numri i atyre personave që do të përfitojnë nga arsimi i lartë i paguar nga ushtria do të jetë rreth 200 rekrutë në vit. Numri i studentëve që studiojnë aktualisht në shkollat ushtarake është 150 veta. Në Fakultetin e Menaxhim Biznesit mësojnë 90 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër në Fakultetin Teknik. 46 studentë ndjekin studimet pasuniversitare në shkollat ushtarake dhe 20 studentë janë dërguar për studime jashtë vendit. Vendet e huaja ku studentët që dërgohen me studime nga ushtria shqiptare pajisen me një diplomë, janë Akademia e Hamburgut në Gjermani, Akademia e Modenës në Universitetin e Torinos. Diplomë e huaj për Shqipërinë ofrohet edhe në Akademinë e Mynihut dhe në Akademinë e Uestpointit në SHBA. Fatura sesa do të paguhet në ditë një rekrut ende nuk është përcaktuar nga grupi që po përgatit draftin për shkak se kjo çështje është në negociata mes Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Drejtësisë dhe Financave.
Shqip
Krijoni Kontakt