Vendosmëria tek njerëzit e mëdhenj







Paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ju

Njerëzit e mëdhenj, kanë pasur vendosmëri të palëkundur. Emrat e tyre janë të regjistruar në regjistrin e përjetshëm dhe historia i kujton me nder. Vendosmëria e tyre buronte nga fjalët e Atij që është i Vetëm dhe pa rival, ku thotë:”mos u dobësoni dhe mos e dëshpëroni, pasi jenë më të lartit nëse jeni besimtarë.”


Kuptimi i këtij ajeti është:”Jo dështimit, jo thyerjes dhe jo dobësisë. Përparoni pasi ju jeni në rrugën e përcaktuar nga vetë Zoti i gjithësisë, jeni në të drejtë dhe përkrahja juaj dhe e Profetit buron nga vetë Zoti i Madhëruar, Xhibrili a.s dhe melekët e tjerë.

Profeti Muhamed a.s përpiqej që vendosmërinë dhe vullnetin e muslimanëve ta forcojë dhe ta ngrejë lart. Këtë e gjejmë në shumë hadithe të tij, ku në njërin prej tyre thotë:”Nëse i kërkoni Zotit xhenetin, i kërkoni xhenetin Firdeus, pasi ai është grada më e lartë e xhenetit.” Edhe kur t’i kërkosh Zotit xhenetin, mos i kërko thjesht të hysh në xhenet, por kërkoji gradat më të larta të xhenetit dhe vendin më të bukur. Një hadith i tillë na mëson që kur të veprojmë diçka të mirë, ta kryejmë në mënyrën dhe formën më të mirë, të jemi njerëzit me moralin më të lartë, të jemi më të fisshimt, ta perfeksionojmë punën që bëjmë …etj

Burimi ynë kryesor i vendosmërisë, vullnetit dhe largpamësisë, është vetë i dërguari i Zotit, profeti Muhamed a.s, pasi ai karakterizohej nga këto morale që në vegjëli.

Jetëshkruesit e Profetit a.s, pohojnë se kur Profetit a.s ishte në moshën katër vjeçare, e merrte gjyshi i tij Abdul Mutalibi dhe e ulte mbi sexhaden e tij nën hijen e Qabesë. Askush tjetër nuk kishte të drejtë të ulej mbi atë sexhade përveç Abdul Mutalibit dhe Profetit a.s. E gjithë paria e Mekes, ulej rreth Abdul Mutalbit. Sa herë që Profeti a.s turrej për tu ulur në prehërin e gjyshit të tij, shërbëtorët e ndalonin, pasi gjyshi ishte duke biseduar me parinë dhe ishte i angazhuar me çështjet e Mekes. Por gjyshi ndërhynte dhe u thoshte:”Lëreni djalin tim të vijë, pasi për Zotin ai do të ketë nam të madh në të ardhmen.”

Kështu u rrit dhe u edukua profeti Muhamed a.s, me vullnet, vendosmëri dhe largpamësi, derisa Zoti e nderoi me profecinë.

Ai ishte i vendosur dhe largpamës në adhurimin e Zotit, në dije, në trimëri, komandimin e ushtrive, formimin e shtetit, përballjen me krizat dhe fatkeqësitë…etj

Kurse përsa i përket mikut të tij më të ngushtë, Ebu Bekrit, është si të flasësh mbi mrekullitë e krijesave të detit. Jetëshkruesit e tij pohojnë se Ebu Bekri ishte i pari në çdo rast, ishte i pari në pjesmarrje në beteja me Profetin a.s, ishte i pari në dhënien e ndihmës për pregatitjen e ushtrisë, ishte i pari që e besoi Profetin a.s nga burrat … Sa herë që falej namazi, e gjeje direkt pas të dërguarit të Zotit. Sa herë që bëhej thirrje për luftë, e gjeje të parin të pregatitur. Sa herë që bëhej thirrje për të dhënë nga pasuria, Ebu Bekri sillte të gjithë pasurinë e tij dhe e vendoste para Profetit a.s.

Ishte një largpamësi dhe vendosmëri që nuk njihte lodhje dhe dembelizëm.

Një herë, Profeti [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem] po u fliste muslimanëve mbi xhenetin, duke u thënë:”Secili prej jush, do të thërritet Ditën e Kijametit nga njëra prej dyerve të xhenetit. Kush është falur shumë, do të thërritet nga dera e namazit dhe do të hyjë në xhenet nga kjo derë. Kush ka agjëruar shumë, do të thërritet nga dera e agjërimit. Kush ka luftuar shumë, do të thërritet nga dera e xhihadit. Kush ka dhënë pasuri shumë, do të ftohet në xhenet, nga dera e sadakasë…” Ebu Bekri, teksa dëgjonte e pyet Profetin [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem]:”O i dërguar i Zotit! A është e mundur, që dikush të ftohet për të hyrë në xhenet, nga të gjitha dyert?” Profeti [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem] i buzëqeshi dhe i tha:”Po o Ebu Bekr dhe unë shpresoj që ti të jesh nga këta njerëz.”


Ebu Bekri ishte ambicioz dhe nuk mjaftohej me shpërblimin më të vogël, gjithmonë ai kërkonte diçka më shumë se të tjerët. Ebu Bekri dallohej në të gjithë fushat e mirësisë, prandaj dhe Profeti a.s i tha që shpresonte që Ebu Bekri do të thirrej nga të tetë dyert për të hyrë në xhenet.

Një ditë, pasi Profeti [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem] fali sabahun me muslimanët në xhami, u kthye nga njerëzit dhe i pyeti:”Cili prej jush, agjëron sot?” Ebu Bekri ngriti dorën dhe tha:”Unë o i dërguar i Zotit.” Më pas Profeti [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem] i pyeti:”Cili prej jush ka vizituar sot një të sëmurë?” Ebu Bekri tha:”Unë kam vizituar një të sëmurë o i dërguar i Zotit.” Më pas, Profeti [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem] i pyeti për të tretën herë:”Cili prej jush ka dhënë sadaka sot?” Ebu Bekri iu përgjigj:”E kam bërë unë o i dërguar i Zotit.” Profeti a.s pyeti:”Kush prej jush ka shoqëruar një xhenaze sot?” Përsëri Ebu Bekri ngriti dorën dhe tha:”Unë o i dërguar i Zotit.” Profeti [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem] i tha:”E gëzofsh xhenetin o Ebu Bekr! Kushdo që i vepron këto punë të mira në një ditë, përgëzohet me xhenet.”

Nga ana e Umerit u dëgjua “ Kurrë nuk do të mundem të dallohem prej teje o Ebu Bekr.”

Megjithatë, pas vdekjes së Ebu Bekrit, ishte Umeri ai që vazhdoi rrugën e tij.

Tregon Umer ibnul Hattabi:”Na mblodhi Profeti [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem] para betejës së Tebukut dhe na tha:”O njerëz! Jepni nga pasuritë tuaja, pasi kjo luftë kërkon të holla të shumta!” Ndodhi që unë kisha të holla në shtëpi dhe me vete thashë:”Sot do ia kaloj Ebu Bekrit.” Shkova menjëherë në shtëpi, morra të hollat dhe i ndava përgjysmë. Gjysmën ua lashë familjes dhe fëmijëve dhe gjysmën tjetër e morra t’ia çoj Profetit [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem]. Me t’ia dhënë Profetit [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem], ai më pyeti:”Po familjes tënde, çfarë i ke lënë o Umer?” Unë iu përgjigja:”Gjysmën tjetër të pasurisë o i dërguar i Zotit.” Ai më tha:”Të lumtë o Umer! Zoti të shpërbleftë për atë që po jep dhe të dhashtë bereqet në atë që ke lënë për familjen.” Umeri, i gëzuar nga kjo që kishte bërë, e pyeti Profetin a.s:”O i dërguari i Zotit, a ka dikush që ka sjellë më shumë se unë?” Profeti a.s iu përgjigj:”Është Ebu Bekri që ka sjellë të gjithë pasurinë e tij.” Atëherë Umeri i thotë:”Për Zotin, nuk do të përpiqem më t’ia kaloj pas kësaj dite Ebu Bekrit!”

Pas Ebu Bekrit dhe Umerit, vjen Uthman ibnu Affani. Ai është bujaria e mishëruar në fizikun e tij, janë adhurimi dhe lotët e natës që rridhnin për hatër të Zotit. Profeti a.s ka thënë për Uthmanin:”Nuk ka gjë që e dëmton Uthmanin pas kësaj. O Zot! Falja Uthmanit gjynahet e mëparshme dhe ato të mëvonshmet.”


Profeti a.s u bëri thirrje muslimanëve për të kontribuar në pregatitjen e ushtrisë së Tebukut. Të gjithë heshtën, kurse Uthmani u ngrit dhe premtoi se do e pregatisë të gjithë ushtrinë me kafshët dhe mjetet luftarake e duhura. Ishte pikërisht ky rast, kur Profeti a.s tha:”Nuk ka gjë që e dëmton Uthmanin pas kësaj. O Zot! Falja Uthmanit gjynahet e mëparshme dhe ato të mëvonshmet.”


Një person tjetër me vullnet dhe vendosmëri të lartë ishte dhe Ali ibnu Ebi Talibi, tek i cili ishte mishëruar trimëria dhe guximi. Ushtria muslimane kishte dështuar në marrjen e kalave të Hajberit. Ishte përpjekur vetë Ebu Bekri dhe kishte dështuar. U përpoq dhe Umeri por dhe ai dështoi. Të gjithë ndiheshin të zhgënjyer dhe të dëshpëruar ngaqë nuk po mundeshin të marrin Hajberin.


Profeti a.s u thotë një natë:”Do ia jap flamurin nesër dikujt që e don Zotin dhe të dërguarin e Tij dhe atë e don vetë Zoti dhe i dërguari i Tij.” Të gjithë njerëzit fjetën atë natë duke menduar rreth atij që do e arrinte këtë gradë të lartë. Kush do të ishte ai që e don Zotin dhe Profetin a.s dhe atë e don vetë Zoti dhe Profeti a.s? Kush nuk do e dëshironte nga muslimanët një gradë kaq të lartë? Kush nuk do të dëshironte të ishte nga të dashurit e Zotit dhe të Profetit të Tij?


Pasi Profeti a.s përfundoi namazin e mëngjesit, u kthye nga njerëzit dhe i pyeti:”Ku është Ali ibnu Ebi Talib?”


“Ndjen dhimbje në sy” i thanë. Profeti ([sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem]) i pyeti:”Çfarë i ka syri?” “E ka të infektuar” iu përgjigjën. “Ma sillni këtu” – i urdhëroi. Me të ardhur Aliu, profeti ([sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem]) e pyeti se çfarë kishte. Aliu iu përgjigj:”Më është infektuar syri dhe nuk shoh dot o i dërguar i Zotit.” Profeti ([sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem]) i tha:”Shtrihu dhe vendose kokën në prehërin tim!” Profeti a.s ia fryu me frymën e tij të pastër sytë, ia fërkoi me dorën e tij dhe shikimi iu kthye Aliut sikur të mos kishte pasur sëmundje më parë. Më pas profeti iu drejtua Aliut dhe i tha:”Merre flamurin dhe mos u kthe pas!” Aliu e pyeti:”Për çfarë duhet t’i luftoj këta njerëz o i dërguar i Zotit?”

Profeti ia ktheu:”O Ali, fillimisht ftoji që të pranojnë islamin, të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe se unë jam rob dhe i dërguar i Zotit.” Edhe pse po e dërgonte të luftojë hebrenjtë, Profeti i flet mbi diçka tjetër me vlerë. Ai i thotë Aliut:”Nëse Zoti të bën shkaktar që një prej tyre të pranojë islamin, për ty është më e mirë se kjo botë me të mirat e saj.” Me këtë, duket që synimi i Profetit [sal-lall-ahu alejhi ve sel-lem] nuk ishte të luftonte dhe t’i vrasë, por udhëzimi i tyre në islam. Ai ishte profet i mëshirës dhe udhëzimit hyjnor, qoftë dhe me hebrenjtë dhe pasuesit e feve të tjera. Çfarë do të përfitonim nëse vriten apo ndëshkohen njerëzit? Është detyrë e jona që t’i ftojmë që të shpëtojnë nga ndëshkimi dhe zemërimi i Zotit. Profeti a.s e porosiste Aliun, që para se të luftojë me ta, t’i ftojë me urtësi dhe butësi në besimin e një Zoti të vetëm dhe të pa shok.

Pas këtyre porosive, niset Aliu dhe arrin rezultatet e kënaqëshme të cilat të gjithë i dimë.

Umer ibnu Abdul Azizi tregon mbi veten e tij:”Unë kam një shpirt tepër ambicioz. Fillimisht desha të bëhem princ i Medines dhe e arrita. Më pas, desha të martohem me Fatimen, vajzën e Velid ibnu Abdul Melik, Halifes së muslimanëve dhe e arrita. Më vona dëshirova të marr postin e vetë Halifes, gjë të cilën dhe këtë e arrita.” Më pas, me lotë në sy ai thotë:”Kurse tashmë unë shpresoj që të fitoj xhenetin dhe shpresoj që edhe atë ta arrij.” Objektivi më i madh dhe më i lartë për çdo musliman, duhet të jetë xheneti.


Të njëjtën dëshirë dhe ambicie kishte dhe Jusufi a.s, i cili kishte arritur një post të lartë dhe pozitë të kënaqshme, pas gjithë atyre sprovave dhe fatkeqësive. Këtë e përmend vetë Zoti në Kuran, ku thotë:” (Pasi iu plotësua dëshira, Jusufi tha) Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, ma mësove mua komentimin e ëndrrave; o Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestar imi në Dunja e në Ahiret, më bën të vdes musliman dhe më bashko me të mirët!” (Jusuf: 101) Është pikërshti ky objektivi i njerëzve me vendosmëri dhe ambicie të larta, të vdesin si muslimanë dhe të bashkohen me njerëzit e mirë.


Ti mund të fitosh poste të larta, famë dhe pushtet, por gjëja më e mirë është të vdesësh si musliman dhe të ringjallesh me njerëzit e mirë.


Mund të kesh shumë shërbëtorë, të mira materiale dhe mjete të ndryshme udhëtimi, por gjithmonë më e mirë dhe më e dobishme se këto, është të vdesësh si musliman dhe të bashkohesh me njerëzit e mirë.


Një nga njerëzit me vendosmëri dhe ambicie të lartë është dhe imam Shafiu. Në disa vargje, ai thotë:


Minierat flori le të nxjerrin


Qielli diamantë le të lëshojë


Nëse jetoj, për bukë nuk do të vdes


Nëse vdes, pa varr nuk do të mbes


Ambicjet e mia janë ambicje mbretërish


Shpirti im është i lirë dhe nënshtrimin e sheh me mohim.






Ambiciet e tij Shafiu i krahason me ato të mbretërve, të cilat u ngjajnë luanëve fisnikë. Ai i pranon vuajtjet e kësaj bote cilat do qofshin, por nënshtrimin dhe përbuzjen, i refuzon dhe i konsideron të barabartë me mohimin e Zotit.


Njerëz të tillë nuk pranojnë të jenë robër të njerëzve, përveç robër të Zotit të njerëzve. Ambicia e lartë e bën njeriun të jetë krenar dhe i pavarur, duke mos iu nënshtruar askujt tjetër përveç Zotit që e krijoi.


Ishte Umer ibnul Hattabi ai që përpiqej që ambicen dhe shpirtin e lirë ta stimulonte tek njerëzit dhe vartësit e tij.


Umer bin Hattabi kishte caktuar Amr ibnu Asin si guvernator të Egjyptit. Në garat e kuajve që zhvilloheshin, nga konkurentët më të mirë ishin një kristian dhe djali i guvernatorit. Në fund, garën e fiton kristiani. Djali i guvernatorit i zemëruar e godet kristianin me kamzhik në kokë duke i thënë: “Si ta fitosh garën ti, kur unë jam djali i guvernatorit të nderuar?” Djali i kristianit i tha që do të ankohem tek Prijësi i Besimtarëve, Umer ibnul Hattabi. Kur përmendej emri i Umerit në atë kohë, dridheshin dhe mbretërit e Persisë dhe të Romës. Mjaftonte që një njeriu të keq t’i thoje që do të ankohem tek Umeri dhe ai të ndalohej nga padrejtësitë dhe zullumet.

Por kristiani e dinte që muslimanët ishin të drejtë dhe do vendosnin drejtësi në këtë çështje. I bindur për këtë, merr rrugën dhe udhëton me devenë e tij nga Egjypti për në Medine, kryeqytetin e islamit dhe të drejtësisë, ku takon Umer bin Hattabin, udhëheqësin e muslimanëve, të cilit i thotë: “Unë jam një kristian nga Egjypti. Hyra në garat e kuajve dhe i fitova ato, por djali i guvernatorit tënd më goditi dhe më tha:”Si ta fitosh ti garën, ndërkohë që jam djali i guvernatorit të nderuar?!” Kur e dëgjoi Umeri këtë, mblodhi shokët në xhami dhe i shkroi një letër Amrit ku e urdhëronte të vijë menjëherë bashkë me të birin.

Pasi erdhi Amri me të birin dhe u takuan me Umerin, ky i fundit merr kamzhikun që e mbante në dorë, me të cilin vendoste drejtësinë, ia drejton kristianit duke i thënë: “Bjeri tani djalit të guvernatorit të nderuar!” Kështu kristiani e godet të birin e Amrit. Umeri i thotë: “Tani bjeri dhe kokës së guvernatorit!” Kristiani i habitur i thotë: “Mua më goditi djali i guvernatorit dhe jo vetë guvernatori.” Por Umeri ia kthen: “Bjeri dhe guvernatorit pasi djali i tij nuk të goditi veçse duke u mbështetur mbi pushtetin e babait.” Më pas i drejtohet Amrit dhe i thotë:“Qysh kur keni filluar t’i robëroni njerëzit, në një kohë kur nënat i kanë lindur të lirë?”

Ambicja dhe vendosmëria e bëjnë njeriun të jetë i pavarur dhe të jetojë i ndershëm.


Imam Muslimi vdiq në moshën dyzet vjeçare, megjithatë ai la pas një trashëgimi të çmuar librash dhe dijesh. Vlen të përmendim këtu “Dyzet Hadithet e Neveviut” “Shpjegimi i haditheve të Imam Muslimit” dhe dhjetëra libra të tjerë. Ai nuk ishte i martuar, ngaqë thoshte se nuk ka kohë për tu martuar. Numri i orëve të mësimit, arrinte në 12 orë mësimi në ditë. Ai u mësonte të interesuarve Hadithin, Tefsirin, Gramatikë, Logjikë... Natën nuk flinte veçse një pjesë të vogël të saj dhe mjaftohej me diçka të lehtë për të ngrënë.


Ditën, përveç mësimeve, ai agjëronte, urdhëronte për mirë dhe ndalonte nga e keqja, sillej me edukatë dhe moral të lartë me njerëzit, qëndronte në krah të atyre që u ishin bërë padrejtësi, vizitonte të afërmit, të sëmurit dhe vizitonte të vdekurit në varre.


Libri i tij “Rijadus Salihin” është një nga librat më të përhapur dhe që shpërndahen më së shumti, pas Kuranit, Buhariut dhe Muslimit. Ai është përkthyer në shumë gjuhë dhe është nga librat më të kërkuar.


Një model tjetër i vendosmërisë dhe ambicjes së lartë është dhe dijetari i njohur musliman, Ibnul Xheuzi. Në librin e tij:”Tkurrja e mëlçisë dhe këshillat e fëmijës” ai i tregon djalit të tij lodhjen dhe sakrificat e tij për të fituar dije. Ai nuk dinte të luajë dhe të dëfrejë siç bënin fëmijët e tjerë të moshës. Mësonte Kuranin përmendësh dhe merrte pjesë në mësimet që jepeshin nga dijetarët muslimanë në xhami. Vetë ai tregon që kurrë nuk mjaftohej me dijet e një fushe, por sa përfundonte mësimet në një fushë, kalonte në një tjetër. Ai predikonte para njerëzve dhe për të dëgjuar predikimet e tij mblidheshin me mijëra dëgjues. Shkroi me dorën e tij mbi njëmijë libra. Me këtë, ai është një nga autorët me produktivitet më të lartë në islam. Vetë Ibnu Tejmime tregon që ka lexuar mbi njëmijë libra dhe broshura të Ibnul Xheuziut. Librat e tij që i kanë rezistuar kohës, tregojnë më së miri cilësinë dhe aftësitë e këtij dijetari të madh musliman. Në fundin e jetës së tij, ai u burgos pesë vite në një burg të Horasanit, ku mësoi dhe leximet e ndryshme të Kuranit famëlartë.


Në burgun ku ndodhej, gjendej dhe një pus ku lante rrobat dhe pastrohej vetë. Gjatë qëndrimit në burg, ai mësoi leximet e Kuranit, përsëriste hadithet e mësuara më parë, përsëriste Kuran, falej natën... Ai vetë treon për veten e tij:”Nëse dijet që kam do të mëshiroheshin në një trup njeriu dhe una t’i pyesja:”A keni parë njeri si unë?” Ato do të përgjigjeshin:”Jo.”


Një model tjetër i vendosmërisë dhe vullnetit të çeliktë, është dhe dijetari i medh-hebit Shafi, Ebu Is’hak Shirazi, imami i Bagdadit dhe referenca e dijetarëve të kohës në çështjet e fikhut. Ai ishte model në zuhd, njohuri dhe vepra të mira. Ai tregon për veten:”Në çdo qytet dhe fshat të Horasanit dhe të Irakut që hyra, gjeta që të gjithë gjykatësit ishin nxënësit e mi, ose nga ata që kishin mësuar nga nxënësit e mi.”


Ai tregon:”I përsërisja mësimet njëqind herë ose njëqind mijë herë, derisa më thahej goja.”


Këto ishin disa shembuj dhe modele të atyre që kishin vendosmëri të lartë dhe vullnet të çeliktë, për të përftuar dije dhe për të vepruar sipas tyre.