Skandali i analizave Kalo: Faji, i ministrisë
Gabimet në laboratorë vijnë edhe nga mungesa e standardeve
Ministria e Shëndetësisë duhet të kontrollojë përpara licencimit, por edhe më pas, punën e të gjithë laboratorëve privatë dhe publikë, klinikave mjekësore, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Drejtori i Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore në Shqipëri, profesor doktor Isuf Kalo, bën përgjegjëse Ministrinë e Shëndetësisë për gjendjen aktuale në të cilën ndodhen dhe punojnë të gjithë subjektet private dhe publike, qoftë këto laboratorë apo klinika shëndetësore. "Qendra jonë nuk e ka mandat licencimin. Licencimi i laboratorëve është mandat i Ministrisë së Shëndetësisë, e cila duhet ta bëjë në bazë të asaj që laboratorët deklarojnë dhe në bazë të verifikimit të kushteve dhe personelit që ka. Nuk është absolutisht mandat i qendrës sonë licencimi", tha dje Kalo për gazetën "Shqip". Sipas tij, QCSAISH-ja është e interesuar për cilësinë e mirë të shërbimit të këtyre laboratorëve dhe ajo çka denoncoi gjatë këtyre dy ditëve emisioni "Fiks Fare" tregon një fakt "që saktësia e analizave lë për të dëshiruar". Drejtori i kësaj qendre përmend disa herë gjatë intervistës së tij se "nuk e kemi dhënë ne këtë mandat, s‘kemi pasur absolutisht asnjë lidhje me to".
Gjithashtu, nga ana tjetër, profesor Kalo thekson se qendra që ai drejton që prej një viti e gjysmë është ende shumë e re dhe nuk "e ka fare mandatin e qartësuar akoma, ndaj ne synojmë të vendosim standarde të cilat mungojnë sot për sot".
Këto standarde duhet të verifikohen dhe laboratorët duhet të certifikohen në bazë të verifikimit janë apo jo standardet dhe standardet kanë të bëjnë me mjetet që përdoren, me metodat që përdoren, me kualifikimin e personelit, me saktësinë e analizave e kështu me radhë, ka saktësuar më tej Kalo.
Sipas drejtorit të Qendrës së Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore në Shqipëri, "është një detyrë urgjente që kujdesi shëndetësor që u ofrohet qytetarëve të jetë i monitoruar, i verifikuar, që kur ti hyn në një laborator, ta dish që është një laborator i kontrolluar apo saktësuar".
Por, kjo sot për sot, për fat të keq, mungon. Në Shqipëri ende nuk është kristalizuar qartë kush e ka mandatin e laboratorëve matës. Profesor Kalo kërkon që me urgjencë të ngrihen grupe pune, "sepse këto standarde nuk do shpiken nga ne. E vërteta është që qendra jonë ka bërë dhe një aktivitet të tillë bashkë me qendrën e akreditimit, ku i thirrëm gjithë laboratorët, ku u thirr dhe një eksperte nga jashtë Evropës për t‘u njohur me këtë domosdoshmëri të vendosjes së standardeve, unifikimit të metodave të metodikës, por për fat të keq vetëm dy-tre erdhën nga 15 apo 20 laboratorë që qendra jonë lajmëroi të vinë të paktën të dëgjojnë ç‘bëhet në botë". Duke theksuar që dhënia e licencës për ushtrimin e aktivitetit të këtyre laboratorëve është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila duhet ta japë në bazë të verifikimit, profesor Kalo largon përgjegjësinë nga institucioni që ai drejton, duke sqaruar se "kompetencat tona nuk janë ndëshkuese, kompetencat janë promovuese të cilësisë, nxitëse që spitalet të arrijnë standardet. Duam apo s‘duam them që kjo ngjarje që ka ndodhur, aksidente të tilla janë shumë pozitive për të katalizuar veprimet. Qendra jonë po ngulmon me të madhe dhe për fat të keq nuk po lexohet siç duhet në të gjitha instancat nevoja e standardeve në sistemin shëndetësor. Këtë e kemi, por nëse ne nuk e kemi cilësor dhe nëse nuk e kemi brenda standardeve, kot që e kemi, sepse në vend që t‘i ndihmojmë njerëzit, po i dëmtojmë", përfundon Isuf Kalo.
Vëzhgimi
Poliklinika qendrore punon me pajisje tejet të vjetruara
Analizat kryhen me aparatura të viteve ‘50
Shumë të shqetësuar nga fakti që "Fiks Fare" dy ditë më parë transmetoi çudirat që ndodhin në laboratorët e analizave, dje me kërkesë të punonjësve të ambulancës qendrore këtu në Tiranë, një grup xhirimi i emisionit "Fiks Fare" shkoi për të parë kushtet në të cilat punohet atje. Në momentin e parë që kamera e "Fiks Fare" hyri në këtë laborator, u ndesh me një tub uji nga i cili rridhte ujë. Muret e këtij laboratori ishin të suvatuara, por jo të lyera me gëlqere.
Diku në një cep të dhomës të tërheq vëmendjen një aparaturë shumë e vjetër, për të cilën u habitëm se si mund të funksiononte ende. Por, mësuam se kjo centrifugë shërbente për analizat që kryheshin në këtë laborator. Çudia më e madhe ishte që kjo centrifugë kishte 40 vjet që ishte në këtë shërbim dhe mbi pesëmbëdhjetë herë ishte riparuar nga vetë punonjësja e këtij laboratori.
E ndërsa grupi i xhirimit të emisionit "Fiks Fare" shikonte ambientet dhe kushtet në të cilat kryheshin analizat e qytetarëve të ndryshëm, reagimi i punonjësve të Poliklinikës Qendrore ishte tjetër nga ai i fillimit. Punonjëset e laboratorit i konsideronin më se komode këto kushte, por më e rëndësishme ishte fjala e drejtorit të kësaj ambulance, kur theksoi se "nuk kanë rëndësi ngjyrat e jashtme, aparatura mjafton të bëj punën". Por pikërisht kjo aparaturë e ngatërroi ujin me urinën dhe gjeti jo pak, por 3 leukocite. Pra, i dha përgjigjen që pacienti ishte me infeksion.
Leukocitet janë rruazat e bardha të gjakut, të cilat bëjnë pjesë në sistemin imunitar (mbrojtës) të organizmit kundër infeksioneve, ndërsa eritrocitet janë rruazat e kuqe.
Reagimi
Flet Anila Bulo, shefe e laboratorit të QSUT-së
"Përgjigjja e analizave, e gabuar. Nuk ka cilësi"
Shefja e laboratorit të QSUT-së, "Nënë Tereza", Anila Bulo, e pranon që nuk mund të ketë leukocite dhe eritrocite në tretësirën e përgatitur nga gazetarët e emisionit "Fiks Fare". Gjithashtu, edhe ajo kërkon që të rritet cilësia e shërbimit në laboratorët privatë dhe publikë në Shqipëri.
"Unë e përkrah nismën tuaj për të sensibilizuar opinionin lidhur me rritjen e cilësisë së laboratorëve privatë dhe publikë në Shqipëri. Ka ardhur koha që mjekësia laboratorike të futet në programet e kontrollit të cilësisë, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimit ndaj pacientit".
Që të dy sektorët, ai privat dhe ai shtetëror, sipas shefes së laboratorit të QSUT-së, duhet të kontrollohen vazhdimisht, në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimit.
"Ne në mënyrë të vazhduar kemi kërkuar dhe shpresojmë që nëpërmjet këtij emisioni strukturat shtetërore dhe profesionale të nxiten për të krijuar programin nacional të kontrollit të gjithë mjekësisë laboratorike shqiptare, duke rritur cilësinë. Në fund të fundit, rritja e cilësisë e mjekësisë laboratorike nënkupton cilësi shërbimi ndaj pacientit", përfundon shefja e laboratorit të QSUT-së.
KLINIKA SULCEBEJ
Përgjigjja e analizës
Recepsionistja- Juve?
Fiksi- Ja, më thatë për në orën dy. Si kanë dalë?
Recepsionistja- Nuk di. Ja thuaji doktor Gencit e ke aty te shkallët.
Fiksi- Rrofsh, faleminderit! Doktor Genci, më falni mund të m‘i hidhni një sy, i kam të mamit?
Mjeku- Sigurisht, patjetër. Jo, shumë mirë i kanë dalë.
Fiksi-Normale, ë?
Mjeku-Po.
Laborator LAB/1
Përgjigjja e analizës
Fiksi- Si kanë dalë?
Laborantja- Jo keq, vetëm kristale ka.
Fiksi- Kristale kripe?
Laborantja- Po, të acidit urik.
Laborator SINANI
Përgjigjja e analizës
Fiksi- Mirdita, të marr një përgjigje. E kam sjellë dje një analizë urine.
Laborantja 1- Me emrin?
Fiksi- Lytfie Bejko.
Laborantja 1- Version gjurmues, ka vetëm kripëra shumë.
Fiksi- Çfarë mund të marrë, lëngje?
Laborantja 1- Lëngje shumë.
Fiksi- Faleminderit, ditën e mirë!
Klinika INTERMEDICA
Përgjigjja e analizës
Fiksi 1- Mund ta kini aty përgjigjen.
Laborantja- Përgjigje doni dhe ju? Si e ka emrin?
Fiksi 1- Lytfie Bejko.
Laborantja- Urinë komplet, e sotmja ë?
Fiksi 1- Po.
Laborantja- Normale, i ka shumë mirë.
Fiksi 2- Si normale, domethënë është shumë mirë?
Laborantja- Nuk ka ndonjë infeksion, ndonjë gjë.
Fiksi 1- Po këto që janë negative?
Laborantja- Negativja domethënë që është mirë. Normalja prapë hyn te mirë. Nuk është pozitiv. Pozitivi është keq në analizë. Në mjekësi është e kundërta. Nuk ka as infeksion, as leukocite, albuminë s‘ka. I ka të gjitha në rregull.
Fiksi 1- Po kjo?
Laborantja- Epitelet? Nuk ka ndonjë gjë.
Laborator përballë spitalit
Përgjigje e analizës (klinika përballë spitalit onkologjik)
Fiksi- Mund të marr një përgjigje analizash që kam sjellë dje, urinë? Lytfie Bejko, e kam të mamasë.
Laboranti- Vetëm urinë?
Fiksi- Po, po.
Laboranti- Nuk ka ndonjë problem, ka vetëm kripëra.
Fiksi- E kam të mamasë.
Laboranti- Kripëra ka.
Fiksi - Çfarë mund të marrë, apo thjesht me dietë.
Laboranti - Kripërat i ka një çik si shumë, megjithëse natyra e këtyre kripërave nuk është shumë e qartë. Mos keni përdorur ndonjë lloj ilaçi?
.....
Laborator "Semael"
Përgjigjja e analizës
Fiksi- Të marr një përgjigje analizash. Si ka dalë?
Laborantja- Mirë, mirë ka dalë.
Fiksi- Këto që janë negative, janë mirë?
Laborantja- Po.
Fiksi- Po këto, për shembull, që janë të rralla, epitelet?
Laborantja- Ma shpjego pak se nuk...
Fiksi- Epitelet?
Laborantja- Këto janë thjesht te femrat, ke parasysh mosha, zakonisht te femrat janë.
Fiksi- Nuk ka ndonjë gjë që të shqetësohet domethënë?
Laborantja- Jo, jo. Shiko vetëm këto rruazat e bardha dhe rruazat e kuqe i ka në normë, në qoftë se ke infeksione ose të veshkës ose të tubave. Albumina pastaj, glukoza, sheqeri acetoni këto janë ato që kanë parametra. Mirë i ka.
Ambulanca e madhe
Përgjigjja e analizës
Fiksi- Më fal, ka dalë ajo përgjigjja?
Laborantja- Si e ke emrin?
Fiksi- Lytfie Fejzo.
Laborantja- Po Lytfie...?
Fiksi- Fejzo, më fal Bejko.
Laborantja- Lytfie, thashë mos të ngatërrova emrin?
Fiksi- Po. Si ka dalë?
Laborantja- Çoje te doktori.
Klinika "Zoja e Këshillit të Mirë"
Përgjigjja e analizës
Murgesha- Lytfije?
Fiksi- Po, faleminderit! Ma shiko dhe mua një çikë?
Laborantja- Ti kishe makinën keq, nuk ike?
Fiksi- Po...
Laborantja- Jo mirë i ke. Kristale për fushë që nuk ka ndonjë problem.
Fiksi- Faleminderit!
Klinika "Neo Style"
Përgjigjja e analizës
Fiksi- Mirdita, të marr një përgjigje analizash? Ma shiko pak. Lytfije Bejkon, se nuk e di...?
Recepsionistja- Ti çfarë ke bërë?
Fiksi- Një urinë. Ma shikon pak?
Recepsionistja- Po, ti sot e bëre?
Fiksi- Po. Më fal, mund të më thuash ndonjë gjë, se nuk e kam idenë?
Laborante- Po të them unë. Ka një infeksion të lehtë urinar, kështu që patjetër një mjekim.
Laborator "Dibra"
Përgjigjja e analizës
Fiksi- Ka dalë?
Laborantja- Po, po emrin si e ka?
Fiksi- Lytfie Bejko.
Laborantja- Lytfija kishte shumë-shumë kristale të acidit urik, shyqyr infeksion e gjë nuk ka, por ka shumë myk në urinë, s‘ka bërë vaki.
Fiksi- Myk?
Laborantja- Ëhë, në kanal të urinës ka shumë myk. Nuk më ka bërë vaki ndonjëherë të has në urinë kaq shumë myk. Prandaj do ta mjekoni.
Klinika Ortodokse
Përgjigjja e analizës
Fiksi- Na e gjej një çikë, tek ajo zonja e gjen?
Sportelistja- Po.
Fiksi- Lytfije Bejko.
Laborantja- Lytfije Bejko.
Fiksi- Ajo është, ajo.
Laborantja- Urdhëro.
Q.S.U.T
Përgjigje e analizës
Fiksi- O zonjë, një analizë që e kam sjellë sot në mëngjes?
Laborantja- Kë kishe ti?
Fiksi- Lytfie Bejko.
Laborantja- Ju kishit urinë, apo jo?
Fiksi- Po.
Laborantja 3- Jo nuk ke përse zbret poshtë, ta jap ty unë s‘ke përse me u marrë me ato poshtë. Ja ku është fatura. Ja ku është dhe urina.
Fiksi- Si ka dalë me ato që mund të shihni ju?
Laborantja 3- Mirë i ka dalë. Ka pak leukocite, por jo ndonjë infeksion kushedi. Merre.
Fiksi- Domethënë këto të tjerat i bie që të jenë në rregull?
Laborantja- Ë?
Fiksi- Parametrat e tjera janë në rregull, vetëm leukocite ka?
Laborantja- Në rregull po, po.
D.SH.P
Përgjigje e analizës
Fiksi- Mirdita, të marr një përgjigje analizash?
Laborantja- Po.
Fiksi- Lytfije Bejko.
Laborantja- Hajde, ç‘analizë ke bërë?
Fiksi- Urinë. Lytfije Bejko
Laborantja- Ç‘analizë ke bërë?
Fiksi- Urinë.
Laborantja- Urinë, ja shikoje vetë. Ja, ajo është steril.
Fiksi- Si steril?
Laborantja- S‘ka pasur gjë.
Fiksi- S‘ka pasur gjë, nuk del kështu me fletë analize?
Laborantja- Kur del i sëmurë del antibiograma, kur s‘ka nuk del. Kur ka mikrob, infeksion del antibiograma, pastaj luftohet.
Fiksi- Kjo nuk kishte?
Laborantja- Jo.
Fiksi- Mirë, faleminderit!
Grupi i laborantëve konfirmon (jo)profesionalizmin
Konfirmimin përfundimtar nëse një klinikë i plotëson kushtet për të qenë e licencuar e jep një grup kontrolli. Në rastin e kontrolleve të laboratorëve që duan të ushtrojnë aktivitetin, grupi i inspektimit është i përbërë nga tre mjekë laborantë. Pas kontrollit përgatitet një raport inspektimi. E njëjta procedurë shërben edhe në rastin kur klinika kërkon të vazhdojë aktivitetin dhe të rilicencohet. Në fillim subjekti bën kërkesën, më pas dorëzon dokumentacionin e kërkuar. Grupi i kontrollit përgatit materialin e inspektimit e më pas vendoset nga komisioni i dhënies së licencave, nëse ky subjekt plotëson ose jo standardet për licencë. Në rast se evidentohet se subjekti është joprofesional dhe punonjësit nuk janë të aftë, atëherë aktivitetit i hiqet licenca. Kjo është masa që merr Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë që për profesionalizimin e stafit kompetencën për penalizmin e ka urdhri i mjekëve. Gjatë dhjetë viteve të fundit kanë qenë të pakta rastet e heqjes së licencës së aktivitetit, ndërkohë që nuk ka asnjë mjek që t‘i jetë hequr e drejta për të ushtruar profesionin. Lo. Mi.
Marku: Gabimet? Do u heqim licencat
"Do fillojmë verifikimet për të zbardhur problemin"
Laboratorëve privatë, të cilët nuk evidentuan se substanca e dërguar për ekzaminime nuk ishte urinë humane, nëse gjenden në gabim, do t‘u hiqet licenca. Ky ka qenë prononcimi zyrtar i shefit të zyrës së licencimeve në Ministrinë e Shëndetësisë, Arjan Bregu. Kreu i shqyrtimit të dokumentacioneve dhe koordinimit të kritereve licencuese ka sqaruar dje për gazetën "Shqip" se në rast se specialistët verifikojnë që këta laboratorë kanë qenë në gabim, atëherë këtyre subjekteve do t‘u hiqet licenca.
I pyetur nëse këta laboratorë kontrollohen nga Ministria e Shëndetësisë, Bregu sqaroi: "Pas kërkesës që dërgon subjekti për dhënien e licencës, shqyrtohet dokumentacioni. Më pas grupi i kontrollit, i përcaktuar më parë, bën të gjitha verifikimet dhe referon pranë kësaj zyre nëse subjektit privat shëndetësor do t‘i jepet licenca, apo nëse ky subjekt fiton rilicencimin". Sipas kontrolleve, të 13 laboratorët në të cilën u dërgua substanca e krijuar nga gazetarët e "Fiks Fare" janë licencuar dhe rilicensuar disa herë pasi ata kanë përmbushur standardet dhe kanë referuar rezultate të mira gjatë kontrolleve të grupit të inspektimit. Por në rast se specialistët e fushës, laborantët, do të faktojnë se në këtë rast të 13 laboratorët kanë nxjerrë rezultatet gabim, atëherë ata do të penalizohen. Konkretisht, 13 laboratorëve në Tiranë u është çuar për ekzaminim një lëng në të cilin u përzien ujë me kripë, pleh kimik, sheqer e duhan. Gazetarët e paraqitën këtë përzierje për urinë dhe kërkuan që laboratorët të gjenin se çfarë përmbante në të vërtetë substanca. Si përfundim, në asnjërën prej analizave nuk u verifikua kampioni i falsifikuar.
Kriteret për licencë
Sipas kritereve të vendosura nga drejtoria e licencimit në Ministrinë e Shëndetësisë, pronari i subjektit nuk duhet të jetë me detyrim specialist i fushës. Por drejtuesi teknik i aktivitetit duhet të jetë domosdoshmërish mjek kimist dhe të ketë minimalisht 10 vjet punë pranë laboratorëve. "Nëse vërtetohet se është shkelur etika profesionale në punë, për këta 13 laboratorë do të merren masa deri në heqje të licencës", përfundoi Bregu. Ndërkaq, specialistët që punojnë në këta laboratorë, përfshirë këtu edhe ata që punojnë në institucionet shtetërore, janë profesionistë të kësaj fushe, shumica e tyre kanë eksperiencë dhe një pjesë janë edhe pedagogë të Fakultetit të Mjekësisë.
Profesionalizmi
Shpesh herë në tryezat shëndetësore, konferenca apo simpoziume drejtuesit më të lartë të shëndetësisë kanë hedhur idenë e ngritjes së një strukture kontrolluese, e cila do të kryente kontrolle të herëpashershme në klinikat private, laboratorë apo qendra diagnostikimi. Në këtë mënyrë, pacientëve do t‘u jepej më shumë siguri lidhur me shërbimet private që u ofrohen atyre, por në të njëjtën kohë do të sillte edhe përmirësim të këtyre shërbimeve. Nga ana tjetër, sipas shefit të laboratorit, Ndok Marku, evidentimi i profesionalizimit të laboratorëve bëhet nga firma apo subjekte që kanë për detyrë të analizojnë standardet e shërbimeve shëndetësore. "Kontrollet e kualitetit të mënyrës së ekzaminimeve janë të veçanta, specifike", sqaroi Marku.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt