Ismet Beqiri dëshmon në gjykatë: Si më kërcënoi AKSH-ja?
Tetuta Rexhepi Bota sot

Deputeti Ismet Beqiri të martën u paraqit në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Ai është paraqitur si dëshmitar në cilësinë e palës së dëmtuar në gjykimin kundër Amir Sopës, i cili është i akuzuar me dy vepra penale që kanë të bëjnë me terrorizëm dhe me një armëmbajtje pa leje. Ish kryetari i Prishtinës dëshminë e tij e dha në lidhje me akuzën e parë, kundër të akuzuarit Sopa që sipas prokurorit Haxhi Millaku, më 10 dhe 16 maj 2003, Amir Sopa në bashkëpunim me Metush Kamerin u kanë dërguar letra kërcënuese Fadil Berishës, Islam Islamit dhe Ismet Beqirit, ish-kryetar i Prishtinës. Letrat e nënshkruara nga komandant Rrapi i Armatës Kombëtare Shqiptare (AKSH) përmbajnë kërcënime me vdekje ndaj marrësve të përmendur më sipër, për shkak të qëndrimit të tyre kundër AKSH-së. Në letrën e adresuar Ismet Beqirit, oficerët e kriminalistikës kanë gjetur gjurmë gishtash të cilat, sipas prokurores, përputhen me gjurmët e Amir Sopës. Oficerët e Njësisë së Kriminalistikës kanë siguruar një kartelë me gjurmë gishtash, një fotografi dhe një formular për arrestimin dhe paraburgimin e Amir Sopës dhe Metush Kamerit nga burgu në Kampin Bondsteel, ku ata ishin paraburgosur më 18 shkurt 2001. Në atë kohë, Amir Sopa ishte prezantuar si Kadri Kameri. Gjithashtu aty thuhet se në letrën kërcënuese që i ishte adresuar Ismet Beqirit është vërtetuar se Sopa ishte anëtar dhe pjesëmarrës aktiv në aktivitetet e AKSH-së. Prandaj aty shkruan se duke qenë anëtar i AKSH-së dhe duke marrë pjesë aktive në aktivitetet e saj, Amir Sopa ngarkohet me vepër penalë të terrorizmit, siç përkufizohet dhe dënohet në nenin 5.3 implementon Rregulloren e UNMIK-ut 2001/12 “mbi ndalimin e terrorizmit dhe akteve të tjera të ngjashme”, thuhet në aktakuzë, se ka konstatuar se AKSH-ja është një organizatë terroriste dhe se anëtarësia në të përbën vepër penale e cila është e dënueshme. “Sa u përket fakteve dhe rrethanave që e mbështesin dyshimin e bazuar janë dëshmitarët Fadil Berisha, Islam Islami dhe Ismet Beqiri ata që dhanë një deklaratë gjatë një seance hetimore, dhe të gjithë pohuan se kishin marrë letra kërcënuese nga komandant Rrapi i AKSH-së. Ndërsa gjurmët e gishtave të Amir Sopës u gjetën në letrën kërcënuese që i ishte adresuar Ismet Beqirit, dhe se Sopa gjithashtu e kishte kërcënuar Ismet Beqirin me vdekje në rast se nuk hiqte dorë nga qëndrimi i tij ndaj AKSH-së”, thuhet në aktakuzë. Ish kreu i Prishtinës, Ismet Beqiri gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues të martën tha se e kishte njohur më përpara të akuzuarin Sopa pasi që kishte qenë i lagjes së tij, mirëpo tha se nuk kishin pas kurrfarë marrëdhënie me të dhe familjen e tij. “Asnjë raport me Amir Sopën nuk e kam pas, por ka qenë i lagjes sonë dhe një foto që ma kanë treguar e kam njohur sepse është i lagjes sime mirëpo nuk kisha ndonjë marrëdhënie me të”, tha Beqiri. I pyetur se a i kishte marrë dy letra në një zarf apo të ndara, Beqiri tha se kishte qenë një pliko dhe nuk mund ta dinte se sa letra kanë qenë brenda. Askush nuk më ka sugjeruar se ky person në foto është Amri Sopa por edhe nëse më kishin thënë dikush, nuk kisha besuar sepse e njoh familjen. Unë e kam marrë atë letër dhe nuk mund t’ia vë gishtin dikujt sepse nuk kam argument për këtë. I pyetur nga gjyqtari se a kishte dëgjuar ndonjëherë për komandant Rrapin, Beqiri tha se nuk kishte dëgjuar asnjëherë për të. Beqiri po ashtu është pyetur nëse kishte pasur probleme ndonjëherë me AKSH-në. Ai tha se kurrë nuk kishte pasur probleme me të. Gjykimi në këtë rast pritet të vazhdon më 2 qershor.