Armand Bajrami Gazeta Albania

Duket që ish-ushtarakët do t’i shkojnë deri në fund orvatjeve të tyre për të përfituar pensionin suplementar. Të gjendur përballë heshtjes qeveritare për plotësimin e kërkesave të tyre, dita e premte do të jetë fillimi i protestave për ta. Qyteti i Korçës është përcaktuar i pari vend ku ish-ushtarakët do të kërkojnë atë që u takon duke dalë në rrugë. Lajmi konfirmohet për “Albania”-n nga kryesia e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë. Sipas tyre, ditën e premte ish-ushtarakët do të dalin në protesta në rrugët e Korçës. Po sipas të njëjtave burime, ish-ushtarakët do t’i nisin protestat e tyre në qytetin juglindor dhe do të vazhdojnë më pas në qytete të tjera si edhe në kryeqytet.
Ultimatumi
Fillimi i protestave në dhjetëditëshin e parë të muajit tetor nga Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë është publikuar në gazetën “Albania” rreth 2 javë më parë. Sipas këtij publikimi, kjo shoqatë i jepte ultimatum qeverisë se “ish-ushtarakët do të dilnin në protesta dhjetëditëshin e parë të muajit tetor nëse projektligji i dërguar nga ata në qeveri nuk do të miratohej në Kuvend brenda muajit shtator”. Ish-ushtarakët e bënë ultimatumin për protesta popullore pas konstatimit nga ana e tyre se projektligji për sigurimet shoqërore suplementare, i dërguar nga ata në qeveri që në datën 23 korrik, për të cilin u ishte premtuar se do të gjente miratim brenda muajit shtator, nuk ishte paraqitur ende në Kuvend. Projektligji, mosmiratimi i të cilit do të nxjerrë në protesta ish-ushtarakët, është përgatitur nga një grup pune i shoqatës i përbërë nga specialistë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Sigurimeve Shoqërore. Projektligji është “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9418, datë 20.02.2005, ‘Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë’, i ndryshuar me Ligjin Nr. 9781, datë 16.02.2006”.
Heshtja e qeverisëMosreagimi nga ana e Ministrisë ndaj ultimatumit për protesta nuk është i vetmi. Po ashtu, heshtja ishte e vetmja përgjigje që morën ish-ushtarakët edhe ndaj një letre të nisur Ministrisë së Mbrojtjes ku kërkohej që brenda 18 shtatorit t’i jepej përgjigje shoqatës për gjendjen e deriatëhershme të projektligjit, si edhe kërkohej brenda muajit shtator domosdoshmërisht miratimi i këtij projektligji. Disa ditë pas dërgimit të letrës në Ministrinë e Mbrojtjes në një prononcim për “Albania’-n kreu i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçe, pohoi se pas dërgimit të kësaj letre asnjë përgjigje zyrtare nuk kishte ardhur në adresën e shoqatës së tij, pavarësisht afateve që ishin vendosur në letër.
Kërkesa e paplotësuar
Miratimi i projektligjit për sigurimet shoqërore suplementare të ish-ushtarakëve do të realizonte atë që kjo kategori e pret prej dy vjetësh. Në radhët e tij, ky projektligj përmban disa mendime dhe sugjerime për shtesa ose ndryshime në ligjin ekzistues, sidomos për disa nene të ligjit për sigurimin shoqëror të ish-ushtarakëve të miratuar nga Kuvendi në vitin 2006. Por, edhe pse ai i është dërguar prej kohësh një grupi ndërinstitucional në qeveri që do të realizonte shqyrtimin e tij dhe më pas do ta paraqiste atë në parlament për miratim, ai ende nuk është miratuar.
Me miratimin e këtij projektligji, për të gjithë ish-ushtarakët do të jetë më e lehtë të përcaktohet se kush dhe si përfitohet nga pensioni suplementar, indeksi dhe rillogaritja, si edhe dokumentacioni i nevojshëm. Në ndryshimet e propozuara bën pjesë edhe ndryshimi në masën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi në shërbim.



Vendimi i Kushtetueses

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shpalljen në papajtueshmëri me Kushtetutën të Ligjit Nr. 9481, datë 16.02.2006, "Për disa ndryshime në Ligjin Nr. 9418, datë 20.05.2005, "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë", sipas specialistëve, përmban në vetvete dy aspekte. Aspektin e parë - atë rekomandues - dhe aspektin e dytë - atë të vendimit si proces përmbyllës i seancave plenare të kësaj gjykate. Secila prej tyre ka vendin dhe rolin e vet për zbatimin rigoroz të Ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005, të ndryshuar me Ligjin Nr. 9481, datë 16.02.2006 dhe të Vendimit Nr. 9, datë 26.02. 2007, të kësaj gjykate. Rekomandimi nuk përjashton e nuk mund të përjashtojë vendimin. "Në themel të seancave plenare të Gjykatës Kushtetuese nuk është rekomandimi, por vendimi, që buron nga ato seanca. Vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese në vetvete ka tre përcaktime, shfuqizimin në papërputhshmëri me Kushtetutën të Neneve 1, 7 (shkronja "a", "b") e 9 të Ligjit Nr. 9481, datë 16.02.2006; vendimi është përfundimtar dhe i formës së prerë dhe hyrja në fuqi e vendimit është ditën e botimit në Fletoren Zyrtare; zëvendësimi i nxjerrjes së aktit nënligjor në zbatim të këtij vendimi, me urdhrin për një ligj të ri, përbën një kompromentim të çështjes, një shkelje të hapur ligjore, me pasoja të drejtpërdrejta në trajtimin e ushtarakëve", - argumentojnë specialistët.










Ndryshimet e propozuara nga ish-ushtarakët

1. Në nenin 1, që bën ndryshimin në nenin 3, në pikën 1 në fund të fjalisë së parë të shtohet një fjali që të përcaktojë se kur vjetërsia është mbi 6 muaj, njihet vit i plotë. Një shtesë e tillë cilësohet si e domosdoshme dhe përdoret në të gjitha ligjet e këtij karakteri, si në Ligjin 7703, 8087, 8661 etj. dhe këto periudha shkojnë në interes të përfituesit.

2. Në nenin 2, që bën shtesa në nenin 12 të Ligjit. Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë është dakord me pikën 1, por janë të mendimit se pika 2 duhet të jetë nen më vete dhe të bëhet neni 13/1 sepse neni 12 ka të bëjë me pagesën kalimtare dhe jo me njohjen e periudhës së sigurimit.

3. Në nenin 3, që ndryshon nenin 13, sipas ish-ushtarakëve, sepse ky nen nuk ekziston në Ligj, pasi është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, rrjedhimisht ky nen duhet të shtohet pas nenit 12 me përmbajtjen e propozuar nga grupi.

4. Për nenin 4, i cili ndryshon nenin 14 për “Masën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi në shërbim”, Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë është dakord me pikën 1 dhe 2, germa “a”, “b”, “c”, por kanë propozim ndryshe për germën d. Sipas shoqatës duhet që për ushtarakët me gradën major të bëhet trefish e gjysmë, sepse kjo kategori bën pjesë në kategorinë e gradave të larta. Gjithashtu germa “f” për ushtarakët që mbajnë gradën kapiten të bëhet trefish.
Për ushtarakët që mbajnë gradën e nënoficerit (kryekapter dhe kapter) të bëhet dyfish e gjysmë dhe për të gjithë ushtarakët e tjerë të bëhet dyfish.
Sipas Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, “këto ndryshime do të bëjnë që kjo kategori ushtarakësh të ishte më e motivuar për të vazhduar dhe kontribuar në Forcat e Armatosura, në një kohë që politikat e personelit në Forcat e Armatosura aktualisht i kanë dhënë përparësi rekrutimit të shtetasve për t’i bërë nënoficerë dhe ushtarë profesionistë.

5. Në nenin 5, i cili prek nenin 27 të Ligjit, duke e lënë të pandryshuar, përveç pikës 2, e cila duhet hequr, në këtë nen, për të mos krijuar keqkuptime për ushtarakët e Rendit dhe të Shërbimit Informativ, është vënë përcaktimi përfituesit e vetëm nga ky ndryshim janë vetëm ushtarakët e Forcave të Armatosura. Ndër të tjera këtu lind nevoja për rivlerësimin e një pjese të pensioneve suplementare të pleqërisë, pasi ka defekte në masën e caktimit.

6. Në nenin 6, i cili ndryshon pikën 2 të nenit 29 të Ligjit, duhet të shfuqizohet, pasi është i pasaktë.

7. Në nenin 7, që shton një nen, 30/1 për të drejtën e ankimimit. Ky nen duhet të jetë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e ndryshme mes ushtarakëve dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

8. Në pikën 8 të relacionit nuk jepet ndonjë mendim për kohën e shtrirjes financiare të ligjit, në mënyrë që, Këshilli Drejtues të diskutojë dhe të vendosë duke pasur parasysh:
a) Pensionet e pleqërisë së ushtarakëve në periudhën 01.07.1992 deri 31.12.1998, pas derdhjes së kontributeve dhe rillogaritjes, pensionet e pleqërisë të arrijnë vlerat 14-16 mijë lekë.
b) T’u garantohet mosndryshimi i projektit në qeveri, komisione parlamentare dhe Parlament.
c) Pas miratimit të ligjit, të njihen me përmbajtjen e projektvendimeve të Këshillit të Ministrave për zbatimin e ligjit.
Ç) Efektet financiare të prapambetura të kompensohen me një formulë të pranueshme për të dyja palët.