Ervin Koçi
Banka e Shqipërisë ka përsëritur edhe një herë ditët e fundit kërkesën e saj për bërjen sa më transparente të individëve apo subjekteve që tërheqin kredi të ndryshme në bankat private. Kërkesa është bërë fillimisht nga guvernatori i BSH-së, Ardjan Fullani, i cili para disa ditëve, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit në vend, ka tërhequr vëmendjen për kujdesin dhe transparencën që duhet të tregojnë bankat private në kredidhënie. Sipas guvernatorit Fullani, “bankat private u kanë dhënë kredi të shumta individëve dhe subjekteve në një kohë që transparenca e tyre është mjaft e ulët dhe individët mund të jenë nga më të ndryshmit”. Ndërkohë, pas deklaratës tashmë të përsëritur të guvernatorit të BSH-së në lidhje me kreditë, ka qenë dhe Bordi i Kontrollit të Kredive në BSH që ka kërkuar prej bankave të nivelit të dytë që të bëjnë transparente të gjitha format e aplikimeve për të marrë kredi, si dhe të individëve që i përfitojnë ato. Në lidhje me këtë të fundit, burime brenda BSH-së bëjnë me dije se “transparenca kërkon që të nxjerrë në dritë edhe individët që i përfitojnë këto kredi, pasi ka të tillë që mund të kenë marrë disa të tilla në forma të ndryshme, ose ka edhe individë të ndjekur penalisht, që me anë të një kredie bëjnë të mundur largimin nga vendi”. Aktualisht, sipas një raporti të pak ditëve më parë të BSH-së, kreditë me probleme në raport me portofolin e kredive të dhëna nga bankat private arrijnë në 3.1 për qind ose 152 milionë lekë.
Raporti i BSH-së
Raporti i Bankës së Shqipërisë mbi mbikëqyrjen financiare të tregut tregon se kapitali aksioner i bankave është rritur nga zgjerimi i veprimtarisë së kredive. Sipas Bankës së Shqipërisë, ritmet e kreditimit të ekonomisë konsiderohen relativisht të larta, por nga ana e bankave nuk ka pasur asnjë ndryshim të masave për të mbrojtur portofolin e kredisë. Nisur nga kjo situatë, BSH-ja është në fazën finale të përgatitjeve për vendosjen në funksionim të regjistrit të kredive, si një instrument i cili do të mbështesë në mënyrë të ndjeshme analizën e bankave për aftësinë paguese të huamarrësve. Mirëmbajtja e regjistrit nga ana e bankave private ku do të shënohen të gjithë klientët kredimarrës, do të realizohet nga një zyrë e veçantë në Bankën e Shqipërisë, e cila do të fillojë të operojë, sipas objektivit, më 1 janar 2008. Për këtë projekt është realizuar një konsultim i gjerë me bankat tregtare dhe me institucionet e tjera financiare në vend. Ashtu si edhe në periudhën e kaluar, prirja e bankave të nivelit të dytë për të ruajtur ritme të larta të investimit të burimeve financiare në instrumente që sigurojnë një normë fitimi më të lartë, ka ndikuar në rënien e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit dhe ka ruajtur të pandryshuara karakteristikat e rrezikut mbi cilësinë e portofolit të kredisë.
Problematika
Kredidhënia në monedhë të ulët përbën problem, por në rastin e Shqipërisë ky problem amortizohet disi, pasi një pjesë e rëndësishme e të ardhurave vjen nga remitancat e individëve, të cilët jetojnë jashtë vendit. Mësohet se deri tani bankat kanë patur pa përvojë në ekzekutimin e kredive të këqija. Rritja e shpejtë e kreditimit ndikon statistikisht në afat të shkurtër dhe në mënyrë të përshpejtuar në madhësinë e kredisë së cilësuar si “standarde”, dhe artificialisht krijon perceptime të gabuara mbi madhësinë e rrezikut të moskthimit të kredisë. Ndërkohë, sistemi bankar përllogarit të ardhura, të cilat materializohen vetëm në momentin e pagesës nga ana e huamarrësit, kur do të njihet me saktësi më të madhe cilësia e kredisë. Në këto kushte, nevojitet një mekanizëm për të vendosur në një nivel më të drejtë treguesin rrezik-fitim që merr përsipër sektori bankar gjatë kreditimit të shpejtë, pra për të shpërndarë më mirë në kohë rrezikun e moskthimit të kredisë dhe për të zgjeruar mbrojtjen e nevojshme financiare për sektorin bankar. Për këtë qëllim, BSH-ja do të vendosë së afërmi në kuadrin rregullator mbikëqyrës disa kërkesa të reja, të cilat do të plotësojnë masat përkatëse rregullative të miratuara në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Masat e sigurimit të kredive
Këto masa do të synojnë në mënyrë më të drejtpërdrejtë zbutjen e rreziqeve që mban kredidhënia në valutë, veçanërisht në ato raste kur kredia jepet për huamarrës që nuk gjenerojnë të ardhura në valutë. “Zbatimi i këtyre masave nga ana e bankave, si edhe krijimi i strukturave të posaçme dhe adoptimi prej tyre i metodologjive të ndryshme që synojnë identifikimin dhe miradministrimin e rreziqeve që mbartin veprimtaritë kryesore të bankave, do të vazhdojnë të jenë në fokusin e veprimtarisë mbikëqyrëse”, - thuhet në raportin e BSH-së për këtë çështje. Në përfundim të raportit, BSH-ja rithekson se zhvillimi i sistemit financiar dhe posaçërisht i sektorit bankar, krahas rritjes së mundësive për zgjerim të veprimtarisë, shoqërohet objektivisht edhe me gjallërimin e rreziqeve të ndryshme financiare. “Aftësia e institucioneve financiare për të vepruar në mënyrë të mirorganizuar, të ekuilibruar dhe për t’u orientuar drejt në kushtet e rritjes së konkurrencës, është me rëndësi parësore për miradministrimin e rreziqeve financiare”. Për këtë arsye, BSH-ja kërkon në vazhdimësi nga strukturat drejtuese të bankave private, “që t’i ndjekin me kujdes zhvillimet e tregut dhe të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme rreziqet e saj”. Nga ana tjetër BSH-ja thekson faktin se ajo do të vazhdojë t’i trajtojë këto çështje në qendër të politikës së saj mbikëqyrëse.
Albania 2 Tetor 2007
Krijoni Kontakt