“New York Times”: “Busti i Enverit, Kiço Mustaqi kundër Ramiz Alisë”
Gazeta amerikane jep detaje se si oficerët e Shkollës së Bashkuar, të mbështetur nga ministri i Mbrojtjes, në shkurtin e vitit 1991 kërkuan rikthimin e monumentit të Enver Hoxhës në kryeqytet
Në një përpjekje për të shmangur një rritje të protestës, presidenti Ramiz Alia miratoi sot një qeveri emergjence, vazhduese e qeverisë komuniste, me disa shtesa. Ndërkohë që katër persona janë vrarë sot në përplasjet ku u përfshinë forcat e sigurisë dhe civilë në kryeqytetin e vendit, në Tiranë. “Dhuna vuri përballë qytetarët dhe studentët e Shkollës së Bashkuar që kërkonin demokraci për Shqipërinë kundër oficerëve që thuhet se ishin duke mbrojtur pasardhësit e Enver Hoxhës, diktatorit të fundit komunist”, - kanë pohuar dy banorë vendas në një bisedë telefonike. Madje, njëri foli për një përpjekje për grusht shteti të organizuar nga ushtarakët.
Doktor Sali Berisha, një kardiolog i njohur, i cili është një nga drejtuesit që së fundmi formuan Partinë Demokratike, tha përmes një interviste telefonike se katër persona, përfshirë edhe një oficer policie, ishin vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur rëndë në shkollën ushtarake që ndodhet në verilindje të Tiranës.
Ministri i Mbrojtjes, në vendngjarje
Doktor Berisha, që vizitoi shkollën pas incidentit, deklaroi se “dukej se tre civilët ishin vrarë nga zjarri i hapur nga oficerët me armë automatike. Ai tha se ndërsa ndodhej aty, m inistri i Mbrojtjes, Kiço Mustaqi, mbërriti në vendngjarje dhe tha në një takim me oficerët se do të mbështesë propozimet e tyre që monumentet komuniste të përmbysura këtë javë nga turmat e njerëzve, përfshirë edhe statujat e Enver Hoxhës, të rikthehen”. Doktori, por edhe banorë të tjerë të Tiranës, thanë se ata ishin të shqetësuar se oficerët dhe zoti Mustaqi bashkë me ta ishin duke vepruar jo në mbështetje të presidentit Alia, por kundër tij.
Fundi do të dukej që me fillimin e protestave popullore që u ndezën në mesin e dhjetorit të kaluar në Tiranë nga studentët e universitetit.
Shqetësimi është përhapur kudo në të gjithë vendin në mënyrë të shpejtë, ku protestuesit kërkojnë t’i japin fund sundimit komunist 46-vjeçar.
Deri tani, zoti Alia është përpjekur të vonojë rritjen e revoltave, duke miratuar hap pas hapi kërkesat e protestuesve, shumica e të cilëve ishin të rinj.
Qeveria e re e Alisë
Këtë mbrëmje, televizioni shqiptar njoftoi se zoti Alia, me miratimin e Kuvendit, ka miratuar një “këshill të përkohshëm presidencial”. Në të mbahen vetëm 2 nga 18 anëtarët e kabinetit të ish-kryeministrit Adil Çarçani, me të cilët presidenti takoi studentët grevistë të urisë, ku bisedoi për kërkesat e tyre.
Veç shtyrjes së protestave, qeveria e emergjencës, mesa duket, do të shërbejë derisa situata politike në Shqipëri të marrë një zgjidhje përmes zgjedhjeve të përgjithshme kombëtare të 31 marsit. Doktor Berisha tha se kjo qeveri përmban jo vetëm anëtarë të partive politike opozitare shqiptare të themeluara së fundmi. Në krye të qeverisë së re është Fatos Nano, një ekonomist që kishte qenë emëruar muajt e fundit në postin e zëvendëskryeministrit; ministër i Brendshëm, Gramoz Ruçi, i cili është një ish-sekretar partie në një rreth, ministri i ri i Jashtëm është Muhamet Kapllani, që më parë ishte zëvendësministër. Vetëm ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi dhe ministri i Tregtisë së Jashtme, Shane Korbeci, mbajnë pozicionet e tyre. Studentët protestues kanë kërkuar që të shkarkohej zoti Kiço Mustaqi.
Situata është e paqëndrueshme
“Situata është shumë e paqëndrueshme”, - tha doktor Berisha, duke vërejtur se komunistët në qytetet e Jugut ishin duke kërcënuar se në muajin mars do të rikthejnë autoritetin e partisë në kryeqytet. Zoti Alia ka toleruar demonstrimet e antikomunistëve dhe të komunistëve, megjithëse pa dëshirën e tij. Komunistët protestuan sot në tre qytete, në Gjirokastër, Përmet dhe Skrapar, për rikthimin e monumenteve partiake të rrëzuara nga protestuesit në kryeqytet dhe qytete të tjera në fillimin e kësaj jave. Kjo është një shenjë që tregon se në disa zona lëvizja popullore për demokraci është duke u përballur me një rezistencë të brendshme.
Shkrimi është publikuar në “New York Times” më 23 shkurt 1991
Titulli është redaksional
Krijoni Kontakt