“The New York Times”: “Ndryshimi i sistemit, në fillim të vitit 1990”
Gazetari amerikan analizon raportet dhe konfliktet e Shqipërisë me fqinjët. Roli i Zogut dhe Hoxhës. Identiteti kombëtar dhe shenjat e lirisë së madhe
David Binder
Duke u mbështetur nga informacionet e të arratisurve, minoriteti grek, veçanërisht, ka qenë i goditur rëndë nga politika laike. Por është Papa Gjon Pali II ai që ka mbajtur një qëndrim shumë të fortë rreth gjendjes së besimit në vitet e fundit. Duke folur më 26 shkurt në Bari të Italisë, pikërisht nga përtej Adriatikut, ai dha një mesazh të posaçëm në lidhje me liritë fetare në Shqipëri: “Lutjet e mia shkojnë te vëllezërit tanë në Shqipëri, të cilët nuk mund të tregojnë hapur besimin e tyre fetar”.
Në muajt e fundit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa për përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët e saj më të afërm; Greqinë dhe Jugosllavinë. Ajo ka qenë në një gjendje shumë të varfër për shkak të problemeve të minoriteteve në të dyja anët e kufijve.
Raportet Tiranë-Beograd
Që në vitin 1981, një numër i madh shqiptarësh në Jugosllavi, - janë rreth 1.7 milionë banorë, kanë kërkuar ndarjen e republikës. Pushteti i Hoxhës ka shprehur simpati të zjarrtë, duke shtuar shqetësimet për Beogradin. Ekziston një tjetër ngacmim në radhët e 20 mijë sllavëve maqedonas që banojnë në Shqipërinë Lindore, ku të drejtat e tyre si minoritet janë thuajse të mirënjohura. Jugosllavët janë akoma të interesuar rreth orientimit që mund të marrë Shqipëria kur të përfundojë periudha “Hoxha”, pasi kanë bindjen e tyre të investojnë që të mund të krijojnë një komunitet më të madh interesash midis dy vendeve. Ato përfshijnë hapjen e një lidhjeje hekurudhore. Jugosllavia mbetet partneri më i madh tregtar me shkëmbimin e dyanshëm, i cili parashikohet të jetë rreth 112 milionë dollarë në vitin 1984. Në kuadër të përmirësimit të klimës mes dy vendeve, një delegacion nga Tirana shkoi në Beograd në fund të muajit qershor për të hartuar një marrëveshje rreth bashkëpunimit në shkencë, edukim dhe teknologji. Komenti në të përditshmen jugosllave “Delo” theksonte se bisedimet kanë nisur në kohën kur “Shqipëria sërish është gjithnjë e më e vetëdijshme për izolimin e saj dhe është duke u përpjekur që të krijojë lidhje të sigurta, duke zgjidhur me kujdes partnerët tregtarë (për shembull Italinë). Megjithatë, muajin e kaluar, bisedimet e Beogradit u ndërprenë pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjeve rreth statusit të minoritetit jugosllav në Kosovë.
Raportet Tiranë-Athinë
Në raport me Greqinë, gjithashtu ekzistojnë konflikte të vogla mes të dyja palëve. Athina shpreh keqardhje për persekutimin, veçanërisht, rreth të dhënave të grekëve etnikë, që numërohen së paku 40 mijë; por ka gjasa të jenë 2 apo tri herë më shumë se kaq. Nga ana tjetër, Shqipëria pohon se Greqia diskriminon qindra e mijëra shqiptarë etnikë që jetojnë në Veri të Greqisë. Të dyja vendet akoma mbajnë në fuqi ligjin e gjendjes së luftës, duke i shtuar konfliktet kufitare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Kur kryeministri i Greqisë, Andreas Papandreu deklaroi në shkurt se grekët etnikë në Shqipëri ishin në një “gjendje të rëndë”. Shqipëria u përgjigj se kjo ishte “një ndërhyrje në punët e brendshme”.
Sërish, në javën e fundit të qershorit, një delegacion i nisur nga Tirana drejt Athinës, i kryesuar nga zëvendësministri i Jashtëm, Muhamed Kapllani, për bisedimet që përfunduan me inicimin e një marrëveshje për hapjen e dy pikave kufitare, vendosi krijimin e qendrës studimore greke në kolegjin e Gjirokastrës (vendlindja kala e zotit Hoxha) dhe rritjen e tregtisë. Zyrtarët grekë thanë se ekzistenca e ligjit të luftës midis dy vendeve mund të përcaktohet përfundimisht brenda pak muajve në vijim.
Përpjekja për liri
Ekziston një tjetër dimension në marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët e saj, - lëvizja e refugjatëve. Në valën e protestave nga minoriteti shqiptar në provincën jugosllave të Kosovës, disa të rinj shqiptarë kaluan vjedhurazi përmes kufijve, duke kërkuar strehim në vendin e të parëve. Në shumë pak raste ata janë kthyer mbrapsht, duke iu treguar autoriteteve jugosllave për kthimin e tyre; se ata kishin qenë mbajtur të izoluar vetëm brenda Shqipërisë, për shkak se ata mund të “helmonin” popullin me idetë perëndimore. Sigurisht, standardet e jetesës në Kosovë, megjithëse me nivelin më të ulët në Jugosllavi, janë akoma më të larta sesa në Shqipëri, e cila ka të ardhura për frymë rreth 550 dollarë në vit. Gjithashtu, shqiptarët etnikë të Jugosllavisë i gëzohen shumë lëvizjes më të madhe sesa të afërmit e tyre shqiptarë.
Në muajt e fundit numri i të arratisurve shqiptarë drejt Jugosllavisë dhe Greqisë ka shënuar rritje të ndjeshme. Sipas të dhënave zyrtare të Beogradit, numri ka shkuar gjithnjë e në rritje. Që nga fillimi i këtij viti janë “me qindra veta”. Duke konsideruar sesa i egër është Sigurimi shqiptar, - policia sekrete, - ruajtja e kufijve dhe kontrolli i brendshëm bëhet nga një numër i lartë forcash. Gjithashtu, Greqia ka raportuar një rritje të numrit të të arratisurve nga Shqipëria, - sidomos së fundi, kur dy motra notuan gjashtë milje drejt ishullit të Korfuzit më 29 korrik. Disa prej të arratisurve janë grekë etnikë. Shumë të arratisur tregojnë se kanë punuar në Shqipëri në kushtet e burgosjes për shkak të akuzave politike. Profesor Stavrou, njëri prej të arratisurve që është një grek etnik, arrinte në përfundimin, në një ese të shkruar në vitin 1983, në një letër ngjyrë të kuqërremtë, se regjimi Hoxha është duke mbajtur në burgje një numër prej 40 mijë të burgosurish politikë, - ku 2500 prej tyre janë ish-anëtarë të regjimit, të dyshuar se si “pro-sovjetik”; apo një numër më i vogël, si “pro-kinezë”.
Në vitet e fundit, vetëm 35% e volumit vjetor të tregtisë së jashtme të Shqipërisë me vendet e bllokut sovjetik ka qenë më shumë se 600 milionë dollarë. Por Tirana ka kërkuar në mënyrë selektive të zgjedhojë shkëmbimet e saj me disa vende, duke përfshirë Rumaninë, e cila ka njëfarë politike të jashtme të pavarur, e cila ngjall simpati për Shqipërinë, dhe me Hungarinë. Niveli më i lartë i zyrtarëve europiano-lindorë që kanë vizituar Tiranën gjatë kohëve të fundit, ishte në nëntorin e kaluar me ministrin e Tregtisë së Jashtme të Rumanisë, Vasile Pungan.
Identiteti kombëtar
Studiues si doktor Alberti dhe Milutin Garasanin i Universitetit të Beogradit raportojnë një sens të fortë të identitetit kombëtar në Shqipëri. Gjermano-perëndimori e lidh këtë me një përpjekje të vetëdijshme për të mënjanuar dukshëm sundimin turk, duke përfshirë edhe zëvendësimin e fjalëve turke me fjalët puro shqipe. Dr. Garasanin, profesori i arkeologjisë në Universitetin e Beogradit, që është specializuar për periudhën para Kristiano-Ilirike, konstaton: “Çdo nacionalizëm ka fazën e tij romantike dhe fazën e agresivitetit dhe shpërthimit. Pikërisht tani, kjo fazë është tek shqiptarët”.
Vënia e theksit rreth temave nacionaliste është më e fortë tani. Vetëm në vitin 1968 ishte ngritur në Tiranë statuja në përkujtim të Skënderbeut, princit të shekullit të 15 që luftoi kundër turqve dhe pothuajse e çliroi vendin, duke u bërë heroi i padiskutueshëm i të gjithë shqiptarëve. Dhe vetëm vitin e kaluar ishte hapur Muzeu Historik Kombëtar. Kostumet kombëtare janë duke i venitur në mënyrë të shpejtë nga jeta e përditshme dhe ato mund t’i shikosh kryesisht nëpër aktivitetet e trupave folklorike apo në raste ceremoniale të tilla si funeralet. Në kontrast, shqiptarët në Jugosllavinë fqinje i përdorin kostumet kombëtare si veshje të zakonshme.
Vizitorët, përfshirë doktor Albertin, thonë se ata janë goditur nga shkalla e indokrinimit nën sistemin komunist në Shqipëri. Por fuqia e klanit, një zakon i dukshme tek pjesa më e madhe e shqiptarëve, sërish mbetet e fortë.
Zogu dhe Hoxha
Shtetet e Bashkuara, të cilat, së bashku me Britaninë, vetëm dikur bënë përpjekje për të rrëzuar regjimin e zotit Hoxha, - midis viteve 1947 dhe 1952, duke dërguar njësi me agjentë brenda në Shqipëri, që u përpoqën në mënyrë të pasuksesshme për të organizuar një kryengritje, - kanë mbetur të painformuar thelbësisht rreth çështjeve shqiptare. Për shembull, në prill të vitit 1973, zëvendës-sekretarja e Shtetit, Kenneth Rush, ishte e autorizuar të bënte bisedimet mes Uashingtonit dhe Tiranës, duke u shprehur se Shtetet e Bashkuara ishin të përgatitura për të negociuar në vendosjen e marrëdhënieve. Muaj më vonë, Uashingtoni mësoi se, në atë kohë, ishte urdhëruar nga zoti Hoxha një tjetër spastrim i elementeve pro-perëndimorë dhe pro-sovjetikë.
Në më shumë se 40 vëllime të publikuara me fjalime dhe kujtime, duket qartë se zoti Hoxha është i hidhëruar veçanërisht rreth mbështetjes amerikane dhe britanike për paraardhësin e tij mbretin Zogu I. I lindur në vitin 19895, Ahmet bej Zogu mori pushtetin si president në vitin 1925 dhe tre vjet më vonë ai kishte kurorëzuar veten e tij mbret dhe mbretëroi deri në kohën e pushtimit italian, në vitin 1939. Ai ishte deklaruar i rrëzuar nga froni prej komunistëve të udhëhequr nga zoti Hoxha në vitin 1946. Zogu vdiq në ekzil në Francë në vitin 1961.
Dy vjet më pas, zoti Hoxha shkroi: “Ekzistojnë disa imperialistë dhe lakenjtë e tyre që thonë se ne kemi izoluar veten tonë nga “bota e qytetëruar”. Këta xhentëlmenë gabojnë. Historia e hidhur e vendit tonë në të kaluarën dhe realiteti i botës që ata këshillojnë na bind se kjo, në të gjitha aspektet, nuk është “botë e civilizuar”; por një botë në të cilën më i madhi dhe më i forti e shtypin dhe e rrjepin më të voglin dhe më të dobëtin; në të cilën paraja dhe korrupsioni bëjnë ligjin dhe padrejtësia, poshtërsia dhe prapaskena triumfon”.
Megjithatë, është ironike që nën sundimin e Enver Hoxhës Shqipëria ka nisur përpjekjet për t’u hapur, duke dërguar studentë në Francë, Austri, Suedi dhe Itali dhe duke kërkuar partnerë të rinj tregtarë. Një lloj ndryshimi i Shqipërisë mund të ndodhë vetëm pas vdekjes së tij.
Paralajmërohet ndryshimi
Për së paku 1000 vjet apo ndoshta edhe 3000 vjet, ky popull i mrekullueshëm ka ditur të ruajë të rrënjosur identitetin përmes poezive epike dhe kostumeve popullore. Në shekullin e kaluar, ai nisi të fitojë admiruesit e tij, me ndihmën e të huajve, - gjermanëve për linguistikën, fuqive të mëdha në periudhën e krijimit të shtetit të tyre, por përfundimisht, kjo do të bëhej prej vetë shqiptarëve. Zoti Hoxha ka gozhduar tek shqiptarët idenë se izolimi i tyre nga bota dhe veçanërisht nga fuqitë e mëdha, është arma e tyre kryesore e sigurisë kombëtare. Fakti që udhëheqja e Tiranës ka nisur të hapet për një bashkëpunim më të madh me fqinjët dhe me fuqitë e tjera të huaja; madje kur zoti Hoxha ndodhet akoma në pushtet, duket se paralajmëron një Shqipëri ndryshe në dhjetëvjeçarin tjetër.
Shkrimi është publikuar më 11 nëntor 1984 në “The New York Times”
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Albania opens its door a crack”.
Shkrimi i sotëm është pjesa e fundit e reportazhit të bërë për Shqipërinë
Krijoni Kontakt