Close
Faqja 25 prej 27 FillimFillim ... 152324252627 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 241 deri 250 prej 270
  1. #241
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Si dështuan 16 operacionet anglo-amerikane kundër Enver Hoxhës


    Stephen Dorril


    OPC-ja vendosi të transferojë njerëzit besnikë të saj te monarkistët dhe filloi të vërë në shenjë grupet zogiste, megjithëse kthimi i strategjisë në anën e monarkisë minonte kërkesat demokratike të operacionit. Gjatë verës, gjoja për të blerë pasuri të paluajtshme, mbreti Zog vizitoi Uashingtonin, ku diskutoi situatën me Greishën Jetseviç. Ndërkohë, stërvitja vazhdonte, marrëdhënia midis shqiptarëve dhe MI 6/OPC-së u keqësua. Me miratimin e udhëheqësit ushtarak grek, Aleksandër Papagos, CIA ngriti një bazë të re në grupin e ishujve Kalanissia, disa milje në veri të Korinthit. Si pjesë e politikës britanike të “dorëzimit të pishtarit” në Ballkan, CIA mori nën kontroll pothuajse gjithë rrjetin dhe instalimet sekrete. E maskuar si një stacion radari, baza strehoi grupe refugjatësh nga Shqipëria, Bullgaria dhe Bashkimi Sovjetik. Anije të fuqishme zbarkuan agjentë në bregdetin shqiptar me misione sekrete, megjithëse mënyra më e preferuar për amerikanët ishte hedhja e agjentëve nëpërmjet ajrit. Në mesnatën e 23 korrikut, ndërsa hetimi i Filbit ishte akoma në proces, amerikanët hodhën me parashutë në terren, në vende të ndryshme, dhe dymbëdhjetë të rinj shqiptarë. Katër u dogjën në një shtëpi, gjashtë u vranë dhe dy, Kasëm Shehu dhe Muhamet Zeqir Hoxha, u kapën. Hoxha, që nuk kishte asnjë lidhje me diktatorin, zbarkoi në Rrafshin e Vergoit: “Por në vend që ta gjenim veten tonë të sigurt, ne menjëherë u rrethuam nga forcat e Sigurimit shqiptar, të ndihmuar nga civilë të armatosur”.
    PASOJAT
    Më 10 dhjetor 1951, Shehu dhe Hoxha dolën para gjyqit në një kinema të Tiranës së bashku me të tjerë nga operacionet e mëparshme, si dhe ata që thuhej se kishin depërtuar në Shqipëri të sponsorizuar nga britanikët, grekët, italianët e jugosllavët. Muhamed Hoxha, i cili u torturua dhe u mbajt në kondita të tmerrshme, pohoi se gjyqi ishte “shumë i zhurmshëm”, i planifikuar të tregonte dështimin e anglo-amerikanëve dhe triumfin e forcave të Sigurimit”. Gjatë kësaj ngjarjeje të vënë në skenë, të pandehurit pranuan se kanë bërë krime, duke zbuluar fakte të rëndësishme që provuan vërtetësinë dhe saktësinë përsa u përket emrave dhe datave. Interesant është fakti se pavarësisht zellit të shqiptarëve për të publikuar gjyqin, pak, për të mos thënë asgjë, nuk u pa në shtypin perëndimor. Ndërkohë që gjyqi vazhdonte, më 15 tetor amerikanët hodhën një grup tjetër prej pesë personash në malet e zonës së Dibrës. Tre që mbijetuan e kaluan gjithë kohën duke iu shmangur patrullave, derisa kaluan në Greqi në fund të muajit. Megjithëse shumë prej të dënuarve iu dhanë dënime me burgim, disa prej tyre u shfaqën përsëri në gjyqet e mëvonshme. Disa vdiqën nëpër burgje, duke qenë të uritur dhe të rrahur. Disa prej tyre u kapën, treguan mjaft hollësi mbi stërvitjen dhe operacionin, duke furnizuar kështu Sigurimin me të dhëna të zbulueshme për të filluar një operacion dezinformimi.
    TERRORI
    Qendrat e të emigruarve ishin lehtësisht të depërtueshme nga agjentët komunistë, ndërsa terrorizimi i familjeve të tyre në Shqipëri u dha atyre informata plotësuese. Kjo solli një zhgënjim të hidhur dhe shqiptarët filluan të largoheshin nga zonat e stërvitjes. Kjo nuk ishte për t’u habitur duke pasur parasysh se gjashtëdhjetë agjentë u hodhën me parashutë gjatë vitit 1951, por asnjë fjalë e vetme nuk mbërriti prej tyre. “Rrallë, - shkruan Robin Uinks, - një operacion zbulimi nuk ka rrjedhur kaq në mënyrë ë prerë nga një disfatë në tjetrën”. Në fund të tetorit, në një mbledhje që u mbajt në Romë me Herëld Përkinsin dhe Entëni Northropin të MI 6-s dhe Xho Libin i OPC-së morën në shqyrtim problemet. Mbledhja përsëri përfundoi me diskutime rreth metodave të ndryshme të dërgimit të agjentëve në terren. Britanikët e quajtën vdekjeprurëse hedhjen e agjentëve me parashutë nga një lartësi prej rreth 150 metrash. Amerikanët qenë gjithashtu të gatshëm të akuzonin Filbin për dështimin, por siç ka theksuar Robin Uinks, “shpesh hedhjet nuk bëheshin në ato vende ku synohej, kështu, ndonjë informatë e transmetuar ndokujt pas operacionin do të ishte e gabuar. Për më tepër, meqë hedhjet ishin katastrofike, kërkohej që të fluturohej ulët, dhe këto të pasoheshin me hedhje furnizimesh mjaft larg njerëzve në vende-shesh të ndonjë fshati. Hedhjet në vetvete ishin deri diku të dallueshme dhe vinin në gatishmëri autoritetet”.
    DIKTIMI
    Duket që hedhjet me parashutë “diktoheshin thjesht sepse ato realizoheshin keq”. Filbi mendonte se “mungesa e përgjithshme e vëmendjes në nisje me misionin e OPC-së dhe një optimizëm i gabuar për gatishmërinë e Shqipërisë për revoltë së bashku me një mospërfillje për agjentët shqiptarë që dërgoheshin brenda sikur ata të ishin “të rënë nga pemët”, ishin aq të rëndësishme në përllogaritjen e dështimit se çdo tradhti nga ana e tij”. Privatisht, britanikët i konsideronin amerikanët “të pafajshëm”. Xhon Brëus Lokhart mendonte se vështirësia e Uajznërit se “ai nuk mundi të vlerësonte rreptësinë e kundërshtarit” dhe nuk kishte parë “fundin e vështirë” TË LUFTËS. Në të njëjtën kohë Brëus Lokhart konkludoi se “ne nuk po nxirrnim asgjë ë dritë. Ndryshe nga Lufta e Dytë Botërore, ne nuk kishim SIGNIT (sinjale përgjimi të zbulimit) dhe as zbulim ajror. Britanikët hoqën dorë nga përpjekjet për të futur agjentë: “Ishte e pakuptimtë. Ata menjëherë asgjësoheshin ose ktheheshin në agjentë të dyfishtë”. Britanikët gradualisht kuptuan kotësinë e operacionit “Valjuejbël” dhe pak a shumë filluan të tërhiqen, sepse keqësimi i gjendjes ekonomike në vend pengonte angazhimin e operacioneve të shkallës së gjerë. Abaz Ermenji, duke mos pasur dëshirë të shikonte përkrahësit e Ballit Kombëtar lesh e li, u kërkoi atyre të mos shkonin më me misione...
    TËRHEQJA
    Në Maltë, në fortesën Benjima vazhdonin stërvitje të shkurtra me pak rekrutë dhe një personel të reduktuar në komandën e Entëni Njumënit, por përfundimisht u mbyll nga drejtori i ri i MI 6-s për Lindjen e Mesme, Xhorxh Jang. Grupe të vogla vazhduan stërvitjen nga Entëni Northrop në Dartmoor, por rezervat e tij dhe mungesa e vullnetit nga qeveria paraardhëse konservatore, çoi në vendimin e britanikëve për t’i dhënë fund pjesës së tyre të operacionit. Ata vepruan kështu, kujton Filbi, “pa bërë asnjë progres të dukshëm ndaj qeverisë së Tiranës”. Çfarë kishte filluar si operacion nga ana e britanikëve pastaj i “përbashkët” ose, deri në fillim të vitit 1952, një përpjekje e koordinuar tani u bë privilegj vetëm i amerikanëve. Ata guerilë që mundën të shpëtojnë nëpërmjet Greqisë u transportuan në Angli për një pritje “Mirëseardhje në Shtëpi” në Caxton Hall në Londër. MI 6-a, duke shfrytëzuar autoritetin e më të fortit, i kërkoi Hom Ofisit (Ministrisë së Brendshme) t’i lejonin ata të jetonin në vend, gjoja se ata ishin “miqtë tanë nga Greqia”. Rekrutët që mbetën më vonë “u shpërndanë nëpër botë” në një proporcion të drejtë, duke gjetur rrugën e tyre në vendet e Komonuelthit, ndërsa disa të tjerë gjetën punë nëpërmjet Ministrisë së Punës në Angli, në pylltari dhe në një fabrikë armatimesh. Bob Xhojs kishte nxjerrë po ashtu si përfundim se operacioni nuk po i shërbente ndonjë qëllimi të dobishëm por Uajznëri nuk e mori me seriozitet kritikën, duke ditur se ai kishte ndihmën e zëvendësdrejtorit të CIA-s, Allen Dalles. Greishën Jetseviç ra dakord të vazhdojë luftën me anëtarët e Gardës Mbretërore të udhëhequr nga “kukudhi” më me eksperiencë, Hamit Matjani. I përkëdheluri i CIA-s, Matjani, “Tigri”, kishte kryer pesëmbëdhjetë inkursione në Shqipëri nëpërmjet tokës, çka provoi se ishte shumë i sigurt. Misioni i tij i gjashtëmbëdhjetë që u krye me parashutë ishte i fundit.
    Sui generis

  2. #242
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    The New York Times: “Një javë para vdekjes, Shehu takoi personalitete të huaja”

    Flasin diplomatët shqiptarë dhe perëndimorë. Pse nuk u zhvillua ceremoni funerale. Thashetheme nga Beogradi flisnin se Mehmet Shehu kërcënoi me armë Hoxhën

    UASHINGTON - Megjithëse vazhdon spekulimi rreth vdekjes së kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu, nuk ka dalë ndonjë e dhënë e fortë që të sfidojë versionin zyrtar se ai kreu vetëvrasje. Zoti Shehu, i cili ishte për 25 vjet krahu i djathtë i udhëheqësit shqiptar, Enver Hoxha, është raportuar zyrtarisht se ka kryer vetëvrasje në natën e 17 dhjetorit, në një “moment krize nervore”.
    Këtë javë vendi i zotit Shehu është zëvendësuar nga Adil Çarçani, që ka qenë zëvendëskryeministër që nga viti 1974. Disa gazeta në Jugosllavi, të cilat ishin përfshirë në një luftë fjalësh me Shqipërinë rreth minoritetet etnik shqiptar në provincën jugosllave të Kosovës, kanë hedhur dyshime rreth informacioneve zyrtare shqiptare se zoti Shehu bëri vetëvrasje.
    Revista e përjavshme “NIN” citon burime Perëndimore dhe konstaton se atë e kishin vrarë ose e detyruan që të vriste veten pas një konflikti, rreth politikës që duhej të ndiqej në të ardhmen, me zotin Hoxha në mbledhjen e Komitetit Qendror; e konkretisht për çështjen e hapjes së Shqipërisë ndaj botës.
    Publikohet raporti në vijim
    Në një raport të mëvonshëm, revista konstaton, por pa dhënë burimin, se Mehmet Shehu ishte qëlluar kur ai i kishte drejtuar pistoletën zotit Hoxha në mbledhjen e Komitetit Qendror. Revista “NIN” dhe media të tjera jugosllave theksojnë se atje nuk ishte mbajtur zi kombëtare dhe se nuk ishte zhvilluar funeral shtetëror, por ishte publikuar vetëm një nekrologji e përmbledhur në gazetën partiake “Zëri i popullit”, në vend që të shprehnin vlerësime për njeriun që kishte qenë një nga kandidaturat më të besueshme për të zëvendësuar zotin Hoxha.
    Në kundërshtim, kur vdiq Hysni Kapo, në vitin 1979, një tjetër udhëheqës i lartë shqiptar, ai ishte përcjellë me një ceremoni funerale shtetërore për në Varrezat e Dëshmorëve që nga qendra e Tiranës, kryeqyteti i vendit.
    Diplomatët shqiptarë këtu thonë se nuk ishte një ditë zie kombëtare për shkak se veprimi i zotit Shehu konsiderohej një akt i “turpshëm”, “i drejtuar kundër partisë”. Prandaj prehja në Varrezat e Dëshmorëve ishte tjetër problem për zotin Shehu, thonë ata.
    Ata shtojnë se atje kishte pasur pak vetëvrasje nga zyrtarët që nga fillimet e para të partisë në vitin 1941, edhe pse ata mund të kishin qenë të kërcënuar në një mënyrë të ngjashme.
    Diskutohet për sëmundjen e papërcaktuar
    Një diplomat shqiptar këtu (në SHBA, - shën. red.) tha se atje kohët e fundit nuk ishte zhvilluar ndonjë mbledhje e Komitetit Qendror përpara vdekjes së kryeministrit. Ai hodhi poshtë spekulimet për një luftë për pushtet brenda partisë.
    Diplomatët shqiptarë thonë se zoti Shehu kishte qenë mjekuar tri herë në Francë që në fillimet e vitit 1970, për një sëmundje ende të paspecifikuar. Ka gjasa të ketë qenë kancer; dhe spekulohet se kjo mund të ketë qenë arsyeja që solli më pas shkatërrimin nervor të tij.
    Kjo ngjarje ishte e befasishme dhe vuri në mëdyshje diplomatët Perëndimorë. Në ditët para vdekjes së tij, zoti Shehu priti vizitorë të huaj të rëndësishëm; përfshirë zëvendëskryeministrin rumun Cornel Burtica dhe një delegacion ekonomik grek.
    “Në Kongresin e Partisë së Punës së Shqipërisë, të mbajtur në nëntorin e vitit të kaluar, zoti Shehu shfaqi pjekurinë e tij, por foli me një ton të prerë, ndonëse pati përpjekje për bllokimin e shpërndarjes së fjalimit të tij”, - thonë burime diplomatike.
    Vitin e kaluar, zoti Shehu, i cili luftoi në Luftën Civile të Spanjës dhe më pas me forcat partizane shqiptare në Luftën e Dytë Botërore, dha dorëheqjen nga posti i tij shtesë i ministrit të Mbrojtjes. Por, lëvizja nuk ishte dukur si reflektim i ndonjë pakësimi të partneritetit Hoxha-Shehu.
    Nuk duken shenja fërkimesh
    Diplomatët Perëndimorë thonë se nuk kishin informacione të besueshme për dyshime në skemën rreth versionit shqiptar të ngjarjeve. “Nëse përflitet diçka, - thonë diplomatët, - ata nuk kishin të dhëna të një ndarje midis dy drejtuesve shqiptarë; pasi të dy ata u përkushtuan në linjën besnike”. Në fjalimin e mbajtur në Kongresin e nëntorit, zoti Hoxha theksoi se Shqipëria kishte zgjeruar marrëdhëniet e saj me vendet e tjera, veçanërisht pas ndarjes së saj me Kinën në vitin 1978, dhe do të vazhdojë të zhvillojë këtë politikë.
    Ai kishte thënë fjalë të ngrohta për Greqinë, Turqinë, Francën, vendet skandinave dhe vendet neutrale të Europës. Madje ai sinjalizoi një ndryshim në drejtim të Gjermanisë Perëndimore, duke thënë se atje nuk kishte pengesa të pakapërcyeshme për vendosjen e marrëdhënieve me Bonin zyrtar.

    Artikulli është marrë nga agjencia e lajmeve “Reuters”
    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 17 janar 1982
    Titulli është redaksional: Titulli origjinal është: “Questions over albanian’s death unresolved”
    Sui generis

  3. #243
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Zgjedhja e Berishës në krye të lëvizjes demokratike ishte një farsë

    Agjenti britanik analizon shkaqet e dështimeve të anglo-amerikanëve. Si doli sekreti i kodeve që solli radiolojën. Opinioni i Dorrilit për Berishën

    Stephen Dorril


    Duke e zgjidhur sa më mirë një situatë të vështirë, Jetseviç siguroi ndihmën e Engeltënit në Romë për të fiksuar elementët e dobët të “Komitetit Shqipëria e Lirë” dhe zëvendësimin e tyre me anëtarë të grupit të Independencës Katolike, një pjesë e të cilëve kishin bashkëpunuar me italianët gjatë luftës. Në Uashington komandanti ushtarak i mbretit Zog, Nuçi Kote, themelues i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, drejtoi një Komitet të ri Shqiptar të Asamblesë së Kombeve Europiane të Robëruar, i financuar nga CIA (ACEN). Kolaboracionisti i kohës së luftës, Hasan Dosti, ishte veçanërisht aktiv në ACEN, Komiteti Politik i të cilit në vitet ‘50 kontrollohej nga organizata e Ballit Kombëtar.
    Sërish tentativë
    Për të zbuluar se ku ishte gabuar me operacionin, më 28 prill 1952 pesë ruajalistë që kishin shkuar pas Zogut në mërgim, duke përfshirë Zenel Shehun, udhëheqës i operacionit, dhe Nahil Sufën, së bashku me radistin Tahir Preçi, u dërguan në Shqipëri, në zonën e Matit. Ky operacion, në dukje i suksesshëm, la dy agjentë me grupet e rezistencës të rekrutuar më parë, të cilët mbanin lidhje me oficerët e OPC-së në Greqi. Sidoqoftë, menjëherë shefi i OPC-së në Greqi, All Ollmër, e pati të qartë se “ne po i hidhnim ata me parashutë në një vend të kontrolluar. Në fakt, forcat policore ishin në pritje në një shtëpi, pronë e kushëririt të Shehut. Ata vranë ose arrestuan dhe torturuan guerilët dhe pastaj e detyruan radistin të transmetonte një sinjal të qartë drejt një baze të MI 6-s në Qipro”. Ishte një stërvitje plotësisht e dështuar, e cila solli si përfundim transmetimin e sinjalit në një mënyrë të tillë që paralajmëronte se ajo po dërgohej nën kanosje... Por milicia e dinte sekretin. Ollmër ishte për të ndërprerë operacionin, veçanërisht pas kërkesave të përsëritura për armë dhe sende; apo hedhje të tjera. Ata kishin si qëllim të rrëzonin aeroplanët, por askush nuk u kushtoi vëmendje paralajmërimeve të tij. Veçanërisht “ai burrë në Romë... Lib s’kishte të bënte me zbulimin. Në fillim të gushtit u hodhën me parashutë armë që u pasuan nga një kërkesë tjetër me radio. Në të njëjtën kohë, shqiptarët – Sigurimi – që kontrollonte situatën, në mënyrë torturuese u transmetonte operativëve të OPC-së kërkesa për të dërguar tre guerilë për udhëzime klandestine”.
    Pranohet dështimi
    Ndërsa Uajzner besonte se operacioni “Find” ishte në tërheqje, Frenk Lindzi e dinte se ai kishte dështuar dhe u lejua të ngrinte një “këshill drejtuese vrastar” për të ndërprerë operacionet. Gjatë vitit 1952, një e treta e operacioneve në drejtim të Europës u seleksionua. Para se të largohej nga shërbimi për të shkuar në fondacionin Ford, Lindzi formuloi një letër për Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku konkludonte se “në kohë paqe duket se rusët kishin penetruar me lehtësi” dhe ishin “më të zotë se gjermanët në trajtimin e çështjeve të tilla të rrezikshme”. Përveç kësaj, ushtarakët “nuk i vlerësonin vitet e organizimit politik: që lanë mbrapa lëvizjet e suksesshme të rezistencës. Lindzi kishte parë drejtpërdrejt “humbjet rrëqethëse të jetës”, vuajtjet që shkatërronin çdo nivel të shoqërisë, shkatërrimin total, vrasjet e pengjeve, zinë e bukës. Dallesi nuk u bind nga letra e Lindzit. Kur atij iu tha se hedhjet me parashutë nuk nxorën ndonjë gjë në dritë, ai u përgjigj. “Të paktën ne po marrim eksperiencën që na duhet për luftën e ardhshme”. Pas një pushimi të shkurtër OPC-ja ndërmori operacione të tjera me të arratisur, të cilat akoma ishin më të pamenduara. Ndërkohë, baza e radios në Qipro merrte kërkesa për të hedhur agjentë të tjerë me parashutë për t’u takuar me elementë disidentë. CIA ra dakord dhe ditën e 1 majit të vitit 1953, si pjesë e një plani trashanik për të çliruar Shqipërinë me anën e një force të arratisurish të armatosur me bazë në Itali, u dërguan në Shqipëri edhe tre grupe të tjera guerile. Duke rishqyrtuar opsionet për operacione kundër vendeve satelite të BS-së, zyrtari i CIA-s, Riçërd Bisëll, hasi në projektin e Shtabit Paraushtarak: “Ata nuk e ndërprenë hedhjen e agjentëve apo luftën guerile nëpër male, por duhej intensifikuar vazhdimisht derisa të arrihej kulmi me një ndërhyrje në Shqipëri me anije, avionë, hedhje me parashutë dhe me mijëra njerëz”. Bisëll mendonte se plani ishte absurd. “Si kanë menduar ata kolonelë të OPC-së se mund të dalin me sukses me një provokacion të këtyre përmasave?” - ose të maskohet ai. Në prill, Sajrës Soullsbërgër bisedoi me ministrin e Mbrojtjes të Greqisë, Panajotis Kanellopulos. “Çuditërisht i pakujdesshëm ai zbuloi hollësira për një “Coup de main” – goditje, - të planifikuar. Ai tha se trupat amerikane, nëse është e nevojshme, do të përdoren për të “mbajtur rregullin pas një goditjeje lokale. Grekët ranë dakord të mos ngatërrohen; jugosllavët, pak a shumë, u paralajmëruan të vepronin kështu.
    Enveri denoncoi aksionet
    Në prag të Vitit të Ri, Radio Tirana njoftoi se persona të stërvitur për pjesën e fundit të operacionit ishin arrestuar nga Sigurimi dhe së shpejti do të zhvillohet gjyqi. Gjyqi demonstrues në prill të vitit 1954 bëri të ditur për herë të parë shkallën e mashtrimit që kishin bërë shqiptarë. Sigurimi kishte marrë në duart e tij të gjithë rrjetin. Për 18 muaj, me këshillat dhe ndihmën e specialistëve sovjetikë, ata manipuluan operacionin amerikan duke kontrolluar të gjitha mesazhet dhe përmbajtjen e tyre të transmetuar nga Qiproja. Më vonë, Enver Hoxha, duke u mburrur, tha se “ne i detyruam agjentët e kapur të viheshin në lidhje me qendrat e tyre të spiunazhit në Itali, e kudo dhe prej këtu të bënin lojën e tyre. Banda e kriminelëve që u hodhën me parashutë erdhën si cjapi te kasapi. Radioloja jonë e famshme solli dështimin e turpshëm të planeve të armiqve dhe jo meritat e një farë Kim Filbi”.
    Gjyqi zbuloi në detaje të hollësishme operacionin si dhe një listë emrash dhe datash. Më 12 prill gjykata shpalli dënimin me vdekje për udhëheqësit komplotistë.
    Gjyqi u pasua nga një sulm terrori në të gjithë vendin, ku sipas vlerësimeve, disa mijëra njerëz, të një popullate më pak se dy milionë, u pushkatuan vetëm sepse kishin lidhje me ta, mund të ketë qenë rreth një mijë. Kur u pyet për humbjet e jetëve, ish-oficeri i OPC-së, Xhejms Makkagër, mundi vetëm të thotë “shumë keq”. Abaz Ermenji më vonë u shpreh me keqardhje për kotësinë e kësaj manovre: “Aleatët tanë donin të bënin eksperiment me Shqipërinë, duke na trajtuar neve sikur të ishim kavie laboratori pa çarë kokën për humbjet njerëzore dhe në një sipërmarrje absurde që ishte e dënuar të dështonte”.
    Nuk kishte kush të merrej me operacionin dhe ai përfundoi te shefi i Zonës Juglindore të CIA-s, Xhon Riçërdsën, për t’i dhënë fund operacionit “Find”. Një veteran i kohës së luftës në Korpuset e Kundërzbulimit në Itali, Vjenë dhe Trieste, hyri në Grupin Qendror të Zbulimit të pasluftës dhe më vonë në CIA. Xhokëu (Jocko Shimpazea) vizitoi Londrën, ku u takua me zyrtarë të lartë të MI 6-s. Pastaj shkoi në Romë dhe i përlotur i tha shefit të qendrës Xhozef Lib, se aktiviteteve ndaj Shqipërisë duhej t’u jepej fund. Gjatë verës së vitit 1954, kompania 4000 në Heidenberg u shpërnda së bashku me mjetet dhe pajisjet. Po kështu, edhe baza në ishullin grek që kontrollohej nga CIA. Shqiptarët që mundën të mbijetojnë u rivendosën në Britani, Komonuelth dhe Shtetet e Bashkuara.
    Britanikët i kishin prerë më parë lidhjet me operacionin sesa amerikanët, por jo në kohën e duhur për të shmangur gjakderdhjen e panevojshme. Nikollës Bethëll, i cili prek nga historia tragjike e shqiptarëve që mbijetuan, u tregua i ashpër ndaj tyre të MI 6-s që e lejuan atë të vazhdonte përtej cakut të arsyeshëm. “Ata duhet ta shikonin që operacioni po shkonte në rrugë të gabuar. Ata duhet ta ndërprisnin dhe të shpëtonin jetët e atyre që u përfshinë në të”. Megjithatë, Bethëll ruan një respekt romantik për muskëtierët që filluan projektin. Është e vështirë për ta kuptuar arsyen. Lordi Xhuliën Emeri ndërkohë pranoi se operacioni dështoi në objektivin për të çliruar Shqipërinë, vazhdoi të besonte se ai kishte arritur disa suksese të cilat qëndrojnë në atë që ai “detyroi sovjetikët dhe shqiptarët të ndërprisnin luftën civile në Greqi”. Nuk ka prova për këtë pohim. Më realist është konkluzioni therës i specialistit të tërhequr që është marrë me çështjet e mbrojtjes Xhon Kigënm (John Keegan) në recensionin e librit të Bethëllit “Tradhtia e Madhe”. Është një histori rrëqethëse që u bë e tillë nga perceptimi se u ishte mohuar me sa duket arkitektëve, se komunistët shqiptarë, si dhe ata jugosllavë, ishin shumë më tepër të zotë për të vendosur të ardhmen e vendit të tyre, sesa një tufë ngatërrestarësh romantikë me një arsim të mesëm, të pajisur me lëndë plasëse”.
    Muskëtierët këmbëngulën në bindjen dhe vazhduan kështu, se Filbi ishte përgjegjës për dështimin, por “bete moire”, - delja e zezë, - e tyre Sër Rexhinëld Hebërt ka plotësisht të drejtë kur pohon se operacionet ndaj Shqipërisë nuk mund të parashikoheshin se do të dështonin edhe sikur Filbi të mos i kishte tradhtuar ata”.
    Kjo ndërmarrje u bazua në një vlerësim të gabuar të ekuilibrit të forcave në Shqipëri. Kushtet e popullit ishin pa dyshim të vajtueshme dhe Hoxha kishte armiq në radhët e tij. Por, revolucioni i kishte fshirë të gjithë ata që tentuan të vepronin si udhëheqës jashtë kontrollit të partisë në pushtet. Në këtë pikëpamje Shqipëria ishte njësoj si dhe vendet e tjera të Europës Lindore. Ishte një shpresë e dëshpëruar që emigrantët, pasues të nacionalistëve që dështuan më 1944-n, të stërvitur nga Smajli dhe të futur në Shqipëri, do të ishin në gjendje të mobilizonin pasues kundër sundimit të hekurt të PKSH-së pas 6 vitesh të një organizimi social drakonian. Skema ishte menduar dhe zbatuar nga njerëz që nuk mundën të kuptojnë forcat revolucionare që mundësuan Hoxhën dhe PKSH-në të vinin në pushtet në vitin 1944. Ajo çka u arrit e bëri vijën propagandistike të kahershme të Hoxhës, për armiqësitë e fuqive kapitaliste dhe synimet e tyre të kobshme që nga koha e luftës e këtej të shfaqet më e besueshme dhe i dha Hoxhës një pretekst tjetër për të forcuar kontrollin revolucionar.
    Në një plan më të gjerë, britanikët dhe amerikanët ishin kështu “fajtorë” për të gjitha mëkatet e subversionit dhe ndërhyrjes duke mos përfillur sovranitetin kombëtar dhe nxitjen e luftës për të cilën ata gjithmonë kanë akuzuar armikun e tyre të Luftës së Ftohtë, Bashkimin Sovjetik. Duhej 14 dhjetori i 1990-s rreth 40 vjet më vonë që në Tiranë dhe qytete të tjera të mëdha të Shqipërisë të shpërthenin trazirat. Statujat e Hoxhës dhe Stalinit u rrëzuan dhe filloi procesi i ndërtimit të demokracisë. Për ironi, nuk ishte veprimtaria e guerilasve dhe sabotatorëve, por përfundon Bethëll, ndikimi i televizionit italian që rrezatonte në vend.
    Historia u kthye në një farë me zgjedhjen e Sali Berishës si president i Shqipërisë. Muskëtierët, duke mos patur akoma influencën e tyre në politikën britanike ndaj Shqipërisë, lidhën qerren e tyre ideologjike pas yllit të Berishës, duke besuar se ai ishte njeriu që do të spastronte vendin nga e kaluara komuniste. Megjithatë, Sër Rexhinëld Hebërt e vlerësonte atë aq veskeq e diktator sa edhe Hoxha. Regjimi i tij i korruptuar u përmbys nëpërmjet zgjedhjeve të përgjithshme në korrik të vitit 1997 dhe solli në pushtet Partinë Socialiste. Kthimi i djalit të mbretit Zog, princit Leka dhe i monarkisë u bë i pamundur për arsye se për të votuan vetëm 35%.
    Sui generis

  4. #244
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Enveri akuzon Mehmetin si titist: “Ishte një nga armiqtë e rrezikshëm”

    “The New York Times” citon fjalimin e Hoxhës një vit pas vdekjes së kryeministrit. Mesazhi i tij kundër titistëve jugosllavë: “Mos luani me zjarrin, se do të digjeni vetë”

    Henry Kamm

    Agjencia zyrtare e shtypit informoi sot se vetëm një votues shqiptar rezulton të ketë votuar kundër qeverisë komuniste, ndërsa 1 627 959 qytetarë votuan në favor të kandidatëve të vetëm, të propozuar në zgjedhjet për në Kuvendin Popullor. Nga 9 vota, 8 prej tyre dolën të pavlefshme, të cilat nuk ishin dhënë për regjimin e kryesuar nga Enver Hoxha, Sekretari i Parë i Partisë së Punës. Kjo tregonte një dobësim të tij, pasi në zgjedhjet e kaluara doli vetëm një votë kundër, një shqiptar tjetër abstenoi dhe tre vota ishte të pavlefshme.
    Numri i votave që dolën kundër shqetësuan dukshëm organet e brendshme në një mënyrë të pazakontë. Shqipëria refuzoi Perëndimin si imperialist; dhe Bashkimin Sovjetik dhe Kinën si revizionistë. Përmes burimeve diplomatike thuhej se thashethemet e spastrimeve kishin mbërritur deri te fqinjët jugosllavë dhe vendet e tjera.
    Sigurohet fjala e Hoxhës
    Konfirmimi i pjesshëm i informacioneve ishte përmendur gjatë një fjalimi zgjedhor të zotit Hoxha, teksti i të cilit ishte siguruar këtu (SHBA, - shën. red.) përmes shqiptarëve.
    Zoti Hoxha thotë se kryeministri i tij jetëgjatë, Mehmet Shehu, i cili thuhej se në dhjetorin e vitit të kaluar gjeti vdekjen nga vetëvrasja, ka vrarë veten jo “në një moment krize nervore”, - siç ishte thënë, - por sepse ai kishte qenë demaskuar si një agjent i huaj”.
    Duke e cilësuar kryeministrin “si një nga tradhtarët dhe armiqtë më të rrezikshëm”, zoti Hoxha tha se zoti Shehu kishte punuar për Shtetet e Bashkuara përpara Luftës së Dytë Botërore dhe për Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë pas luftës.
    Udhëheqësi shqiptar tha se zoti Shehu ishte urdhëruar nga jugosllavët të vriste atë dhe udhëheqës të tjerë shqiptarë dhe “të shtypte me të gjitha mjetet terroriste të gjithë ata që do të ngrinin kokën kundër këtij tradhtari të madh”.
    Zoti Hoxha tha se zoti Shehu “theu kokën e tij përballë unitetit parti-popull” dhe nuk kishte asnjë mënyrë tjetër “por alternativën e turpshme të vetëvrasjes”.
    Gjithashtu, zoti Hoxha tha se Jugosllavia sponsorizoi një tentativë ndërhyrjeje shtatorin e kaluar, kur një skuadër, e cila zbarkoi në bregdet ishte “shpartalluar përpara se anëtarët e tij të ishin në gjendje të merrnin frymë në ajër dhe të shikonin diellin e Shqipërisë”. Shqiptarët kishin njoftuar zyrtarisht zbarkimin, dhe në Korfuz, një ishull grek fare afër Shqipërisë, ishin dëgjuar shumë të shtëna armësh zjarri.
    Pavarësisht nga mallkimet e vazhdueshme kundër Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, një mike kjo që Shqipëria i doli kundër në vitin 1978, Jugosllavia ishte e keqja kryesore në diskutimin e Hoxhës.
    “Tani ne dëshirojmë t’u themi titistëve jugosllavë vetëm këtë fjalë: Mos luani me zjarrin sepse drita e tij është ajo që do t’ju verbojë”. Ai akuzoi Jugosllavinë se jo vetëm po bën skenarë rreth Shqipërisë, por se po keqtrajton shqiptarët etnikë në Jugosllavi.
    Theksohet vetëbesimi
    Egërsia dhe theksimi i vetëbesimit ishin çështjet kyçe. Zoti Hoxha tha se Italia, vendi Perëndimor me të cilin ka marrëdhënie diplomatike dhe tregtare, ndoshta më të ngushtat, “nëse nuk është e interesuar në këto marrëdhënie, ajo mund t’i ndërpresë ato kur të dojë dhe kjo nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh për ne”.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 18 nëntor 1982

    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Albanian who killed himself linked by Hoxha to Belgrade”
    Sui generis

  5. #245
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Perëndimi frikësohet nga kthimi rus pas vdekjes së Enver Hoxhës

    Henry Kamm

    Një shkëmbim zjarri i mistershëm u dëgjua në fund të muajit të kaluar përgjatë bregdetit të Shqipërisë, afër ishullit grek të Korfuzit, duke u pasuar me një shpjegim të çuditshëm prej shqiptarëve. Kjo i ka detyruar diplomatët këtu (në SHBA, - shën. red.) që të ndjekin çështjet e vendit më enigmatik të Europës, pasi besojnë se regjimi komunist është duke u përballur me probleme të brendshme serioze.
    Më 26 shtator një shkëmbim zjarri i vazhdueshëm për rreth 5 orë ishte dëgjuar në Korfuz, i cili vinte nga drejtimi Shqipërisë, përtej ngushticës së detit Jon. Duke vepruar me një shpejtësi të pazakontë për një vend që preferon të izolojë interesat e tij për hiçgjë, qeveria në Tiranë nxori një komunikatë përmes Ambasadës së saj në Vjenë.
    Shqipëria njoftonte se një numër i papërcaktuar personash, “njerëz të dëshpëruar”, ishin përpjekur për të zbarkuar në territorin tokësore, por që ishin vrarë nga forcat e Sigurimit të Shtetit. Qeveria tha se pushtuesit mbanin me vete kartëmonedha shqiptare, amerikane dhe italiane, si dhe armë automatike. Emri i Xhevdet Mustafës përshkruhej si një mik i djalit të mbretit të fundit të Shqipërisë, Ahmet Zogu. Kjo do të thoshte se familja e Zogut, e cila ishte dëbuar nga vendi prej pushtuesve fashistë italianë në vitin 1940, ishte përfshirë në zbarkimin tokësor.
    Anulohet ekspozita e Leonardos
    Megjithëse njoftimi nuk thoshte asgjë rreth origjinës së supozuar të pushtuesve, Ambasada Italiane ishte njoftuar në ditët në vijim se një ekspozitë e planifikuar me vizatimet e Leonardo da Vinçit, një ngjarje e rrallë në një vend që ishte i izoluar tërësisht nga kultura europiane, nuk mund të realizohet. Pyetjes për të shpjeguar ndryshimin e mendjes në mënyrë të befasishme, zyrtarët shqiptarë iu përgjigjën se ata besojnë se anija lundruese që organizonte ekspozitën tashmë kishte nisur udhëtimin e saj në Jugun e Italisë, në rajonin e Pulias. Italia refuzoi çdo informacion rreth ndonjë ekspedite të tillë dhe hapjes së një ekspozite të tillë. Të dhënat zyrtare rreth një zbarkimi të befasishëm nga deti dukej se ishin në kundërsens, sipas këndvështrimit të pak diplomatëve të stacionuar në Tiranë, për shkak të pranisë së lëvizjeve të pazakonta të ushtarakëve në mes të kryeqytetit.
    Një ditë u raportua zbarkimi dhe ata panë disa mijëra ushtarë, dy batalione, sipas disa hamendjeve, që kalonin përmes Tiranës në drejtim të Jugut. Në Korfuz është një situatë ndryshe prej qoshes më jugore të Shqipërisë.
    Incidenti me krismat e armëve, aspak i natyrës së tij, ndodhi fill pas një prej detyrave më të rëndësishme që u kishte lënë drejtuesve të lartë të ushtrisë Enver Hoxha, Sekretari i Parë i Partisë Komuniste, sunduesi absolut i Shqipërisë, kur foli publikisht për “armiqtë e brendshëm”. Ndihmës ishte Ramiz Alia, anëtar i Byrosë Politike.
    Spekulimi rreth një lufte të brendshme
    Vëzhguesit e Shqipërisë, - kryesisht një grup i vogël jugosllavësh, italianësh, francezësh që ruanin ambasadat e pakta në atmosferën armiqësore të Tiranës, dhe amerikanët dhe rusët që nuk arrinin të mblidhnin informacionin e tyre, - kishin spekuluar rreth një lufte harbuar për pushtet që prej vdekjes misterioze të kryeministrit të vendit Mehmet Shehu në dhjetorin e kaluar.
    Dy faktorë kishin ushqyer spekulimin rreth një lufte të tillë; njëri është mosha e zotit Hoxha, - ai është 73 vjeç dhe ka dhëna për sëmundjen e tij. Një tjetër është se që prej shkëputjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën në vitin 1978, i vetmi vend i huaj mik, telashet ekonomike dhe teknologjike të saja kishin qenë zmadhuar në mënyrë të konsiderueshme, si pasojë e ndërprerjes së asistencës së Pekinit.
    Sipas shpjegimeve zyrtare, zoti Shehu kreu vetëvrasje “në një moment krize nervore”. Vëzhguesit e Shqipërisë nuk e besojnë këtë, megjithëse ata nuk e kanë të nevojshme të besojnë as në përshtypjet jugosllave, sipas të cilave, shefi jetëgjatë i qeverisë ishte vrarë nga një shok i tij gjatë mbledhjes së Komitetit Qendror të Partisë.
    Diplomatët italianë besojnë se udhëheqja shqiptare mund të jetë ende larg rreth çështjes së afrimit më të ngushtë me vendet perëndimore për shkëmbime tregtare dhe teknologjike. Shqipëria ka nevojë për ndihmën teknologjike për të shfrytëzuar më shumë burimet e saja minerale dhe lëndët djegëse që posedon, por ajo është rreptësisht e kufizuar nga pengesa kushtetuese kundër pranimit të kredive të huaja dhe nga pengesat e saja ideologjike kundër vendeve kapitaliste.
    Interesi perëndimor është bazuar kryesisht në problemin që Bashkimi Sovjetik, i përbuzur zyrtarisht nga Shqipëria për më shumë se dy 10-vjeçarë, mund të rifitojë pozicionin e saj në rast të zhdukjes nga skena politike e vendit e zotit Hoxha.
    E ardhmja e bazës ruse në kanalin jonian solli shqetësime në Jugosllavi dhe siklet në krahët jugorë dhe lindorë të Organizatës së Marrëveshjes së Atlantikut Verior (NATO-s, - shën, red.).


    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 16 tetor 1982
    Titulli është redaksional; Titulli origjinal është “Fiefight on Albania coast stis speculation on internal woes”
    Sui generis

  6. #246
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Kongresi Amerikan, hetime për kolaboracionistët shqiptarë

    Uashingtoni hap dosjet. Hetime për Mithat Frashërin, Devën dhe Kupin. Kush ua dha lejen për të hyrë në Amerikë kur ishte e ndaluar ligjërisht

    Ralph Blumenthal

    Sipas dokumenteve të Departamentit Amerikan, të klasifikuara si sekrete për një kohë të gjatë, “udhëheqësit e komunitetit të emigrantëve shqiptarë që bashkëpunuan me forcat e Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore janë ndihmuar nga Shtetet e Bashkuara në vitet e para të pas Luftës, në lidhje me qëllimet e tyre për të përmbysur qeverinë komuniste të Shqipërisë. Dokumentet, të cilat janë nxjerrë nga lista e të qenit sekret pak kohë më parë, ishin siguruar nga arkivat e qeverisë prej Mark Truitt, një kandidat për “Doktor shkencash” në Stanford, që po punon për disertacionin rreth lëvizjes politike të shqiptarëve në ekzil në periudhën e Luftës së Ftohtë. Letrat e siguruara çuan në rihapjen e investigimit nga Kongresi për një dhënien e strehimit në Shtetet e Bashkuara të bashkëpunëtorëve të nazistëve, të cilët mund të jenë përfshirë në krimet e Luftës.
    Thuhet se dokumentet e tregojnë një gjë të tillë, ndonëse fillimisht Departamenti i Shtetit e kundërshtoi pranimin e disa prej drejtuesve të komunitetit të emigrantëve shqiptarë për shkak të së kaluarës së tyre disi të dyshimte. Por, vlerësimet e shërbimeve sekrete më vonë i ndryshuan. Pastaj, disa nga shqiptarët në ekzil erdhën në Shtetet e Bashkuara dhe disa luajtën një rol të rëndësishëm në fushatat e pasluftës në Amerikë kundër qeverisë pro-sovjetike të Enver Hoxhës, udhëheqësi i Partisë Komuniste Shqiptare. Tentativat, të cilat përfshinë hedhjen e agjentëve brenda në Ballkan me parashutë në fillimin e viteve 1950 për të nxitur kryengritje, dështuan dhe acaruan armiqësinë e shqiptarëve në drejtim të Shteteve të Bashkuara
    Fshehja është kundërshtuar
    Zyrtari i Departamentit të Shtetit, Ron Neitzke, tha se nuk kishte parë dokumente dhe nuk mund të bëjë asnjë koment. Më parë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Alan D. Romberg, hodhi poshtë se kishte pasur ndonjë përpjekje për të fshehur rastet e krimeve të luftës. Mijëra refugjatë të tjerë shqiptarë, për shkak të luftës, erdhën këtu (në SHBA, - shën red.) si emigrantë të zakonshëm.
    Shqipëria, e cila gjeografikisht ndodhet buzë Adriatikut, midis Jugosllavisë dhe Greqisë, ishte pushtuar nga ushtritë italiane dhe gjermane nga viti 1939 deri në vitin 1944, periudhë kur ajo u çlirua nga forcat partizane, të drejtuara nga komunistët. Ajo është në radhën e shteteve më të izoluara politikisht; ka ndërprerë marrëdhëniet në mënyrë të hidhur me ish-aleatët e saj, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, dhe vetëm së fundi ka dhënë sinjalet e një interesi për lidhje më të ngushta me Europën Perëndimore.
    Më 18 dhjetor të vitit 1981, kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu, është gjetur i vrarë apo ka vrarë veten në Tiranë, kryeqyteti i vendit. John Loftus, një ish-investigues i krimeve të luftës për Zyrën e Investigimeve Speciale në Departamentin e Drejtësisë, muajin e kaluar, në programin e lajmeve të CBS-së “60 Minuta”, akuzoi se agjencitë e shërbimeve inteligjente amerikane kanë bërë kontrabandë me bjellorusët, bashkëpunëtorë të nazizmit brenda këtij vendi në emër të agjitacionit kundër Bashkimit Sovjetik dhe spiunazhit në Europën Lindore.
    Më pas zoti Truit i vuri në dispozicion disa nga dokumentet e tij për shqiptarët zotit Loftus, të cilat ky i fundit ia kaloi Zyrës së Përgjithshme të Llogarive (G.A.O.), një degë investiguese e Kongresit.
    Në vitin 1978 GAO u shpreh se nuk gjeti të dhëna të ndonjë “konspiracioni të përhapur” që të pengojë investigimin e të dyshuarve si kriminelë lufte këtu në SHBA. Në atë kohë hapja e disa dokumenteve ishte bërë në mënyrë sekrete nga investiguesit e GAO-s, të cilat nxitën Autoritetin e Komitetit Gjyqësor t’i kërkojë agjencisë së saj muajin e kaluar të rihapë hetimin e saj.
    Zoti Truitt arriti të sigurojë një të dhënë për një vizitë të Mithat Frashërit, udhëheqësi i Partisë së Ballit Kombëtar në kohën e Luftës, apo i Frontit Kombëtar, tek ambasadori amerikan në Romë në vitin 1947. Zoti Frashëri dëshironte që të pranoheshin 50 mbështetës të tij nga ky vend (SHBA) që t’iu kundërpërgjigjeshin “intrigave” komuniste në radhët e shqiptarëve.
    Si shkuan shqiptarët në SHBA
    I pari në listë ishte Hasan Dosti, ministri shqiptar i Drejtësisë në kohën e pushtimit italian. Muaj më vonë, pas verifikimit të dokumenteve biografike sekrete rreth zotit Frashëri dhe mbështetësve të tij, Departamenti i Shtetit iu përgjigj se kërkesa për të lehtësuar hyrjen e 50 personave “nuk besohet të jetë e përshtatshme”, duke shtuar: “Kjo për shkak se duket e qartë tek e kaluara e shumë shqiptarëve në ekzil në Itali pas verifikimit të disave prej tyre dhe se prania e këtyre personave në Shtetet e Bashkuara në rrethanat e parashikuar nuk mund të bëhet shumë shpejt apo do të realizohet në një rast të mëvonshëm, për shkak të vështirësive të kësaj qeverie”.
    Sidoqoftë, nga prilli i vitit 1949 zoti Dosti ishte nxitur zyrtarisht nga Uashingtoni të mbështesë Komitetin Kombëtar Shqiptar në Ekzil. Më vonë ai u bë president i Komitetit Kombëtar për një Shqipëri të Lirë, - i financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tani ai është 87 vjeç dhe jeton në Los Anxhelos.
    Përmes një interviste telefonike, zoti Dosti nuk pranoi se kriminelët shqiptarë të luftës kishin ardhur në Amerikë, duke e cilësuar këtë si propagandë komuniste. Ai shtoi se ka luftuar gjermanët dhe se ata i kanë vrarë disa nga pjesëtarët e familjes së tij.
    Zoti Frashëri hyri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1949, me ndihmën e Robert Joyce, një anëtar i Stafit të Planifikimit të Politikës së Departamentit të Shtetit. Në një memorandum të Departamentit të Shtetit që aludon për lidhjet e shërbimeve sekrete, zoti Joyce shkruan se “miqtë e mijë konstatuan se ata nuk preferuan të ofrojnë direkt vendimin për dhënien e vizës” dhe e kërkuan që në rastin e zotit Frashëri, për shkak të interesave të sigurisë kombëtare, që “të mund të përshihej një frazë se vizita e Frashërit në Shtetet e Bashkuara në këtë periudhë realizohet pasi është konsideruar për shkak të interesave kombëtare”. Shumë shpejt, pas kthimit nga Nju Jorku, zoti Frashëri vdiq.
    Mbajtja e përgjegjësisë për masakrat
    Një tjetër udhëheqës shqiptar në kohën e luftës, Xhafer Deva, gjithashtu iu dorëzua Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas një Memorandumi të Departamentit të vitit 1948 ai është identifikuar si ministër i Brendshëm në kohën e pushtimit nazist, “që mban përgjegjësinë për masakrat e një numri të madh shqiptarësh në Tiranë më 4 shkurt 1944 dhe veprime të tjera të kryera nga Gestapo në bashkëpunim me xhandarmërinë shqiptare. “Ai vdiq në Palo Alto, Calif, në vitin 1978.
    Abas Kupi, udhëheqës në kohën e luftës që kërkonte përjashtimin e mundësisë për rikthimin në fronin mbretëror shqiptar të mbretit Zog, vdiq në “Freeport, L.@I.” në vitin 1976.
    Sipas një të dhëne të dalë në takimin e zhvilluar në vitin 1949 midis sekretarit të Shtetit Dean Acheson dhe Ernest Bevin, sekretari i Jashtëm britanik, “Komitetit Shqipëria e Lirë i ishte dhënë një zë në politikën amerikane. Zoti Acheson është cituar t’i ketë thënë Bevinit: “Pyes nëse ne mund të biem dakord në thelb që të përpiqemi për të përmbysur qeverinë ‘Hoxha’, kur të vijë rasti? Unë thashë “Po”, por nëse kjo përshpejtohet tani, grekët dhe jugosllavët mund të sillnin probleme serioze.
    Bevin pranoi se “ne duhet të jemi të kujdesshëm, pasi Rusia mund të ndërhynte. Ai pyeti se çfarë qeverie mund ta zëvendësonte Hoxhën nëse atë e largojmë? A ka ndonjë mbret rreth e rrotull që mund ta vendosim?”
    Operacionet prej agjentëve të hedhur me parashutë në Shqipëri dhe shtetet e bllokut sovjetik për shërbimet inteligjente amerikane dhe britanike ishin kompromentuar nga agjenti i dyfishtë britaniko-sovjetik, Kim Filbi. Agjentët ishin kapur dhe ishin vrarë. Njëri prej agjentëve amerikanë që planifikoi realizimin e të tilla tentativave, ishte Michael Burke, presidenti i mëvonshëm i “New York Yankees” dhe e korporatës “CBS”.
    Në një intervistë të dhënë në mars në Augrim të Irlandës, ku ai është duke shkruar autobiografinë e tij, zoti Burke thotë se në fundin e viteve ‘40 “unë kërkova nga CIA nëse mund të përpiqesha të shkaktonim një revolucion në Shqipëri”.
    Ai tha “aktualisht”, - kjo ishte diskutuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe çështja shtrohej: “A është e mundur që në kohë lufte të rrëzojmë një qeveri komuniste pa ndërhyrje të hapur ushtarake”? Ai tha se “që të realizojmë fundin nuk është e mundshme që ta bëjmë këtë pa mbështetjen e hapur ushtarake nga ajri prej Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara apo të ndokujt tjetër. Ju nuk mund ta bëni atë vetëm me banorët vendas”.
    Zoti Truitt tha se është duke shqyrtuar dokumente të tjera, veçanërisht broshurat e Departamentit të Shtetit të vitit 1949 rreth identitetit dhe të kaluarës së shqiptarëve në ekzil. Ai tha se ka pyetur CIA-n dy vjet më parë për përtëritjen e dokumenteve të çdo shtetasi nga Shqipëria që nga viti 1944 deri në vitin 1956 dhe i kishin thënë se ishin vetëm tre dhe njëri prej tyre mbahej ende i klasifikuar. Ai tha se akoma ishte duke pritur përgjigjen në lidhje me lutjen e tij.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 20 qershor 1982
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është” “Axis supporters enlisted by US. in postwar role
    Sui generis

  7. #247
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Shqipëria pendohet, u rikthehet marrëdhënieve me Kinën

    Marvine Howe

    Shqipëria, vendi më i izoluar në Europë, thuhet se është duke lëvizur gradualisht drejt ripërtëritjes së lidhjeve me aleatin e saj të dikurshëm, Kinën, dhe në të njëjtën kohë ka informacione se po përballet me spastrime politike dhe procese gjyqësore sekrete.
    Diplomatët këtu (Athinë, - shën. red.), të cilët po përpiqen të ndjekin zhvillimet në atë vend, thonë se ndonëse nuk janë në gjendje të shpjegojnë ndonjë fakt të sigurt se çfarë është duke ndodhur në Shqipëri, udhëheqësit vazhdojnë të mbrojnë faktin se sistemi i tyre është i vetmi shembull i pastër në botë i marksizëm-leninizmit.
    Diplomatët shprehen se ata priren të besojnë se zhvillimet aktuale mund të lidhen me mundësinë e një lufte të fshehur për pushtet për pasardhësin e Enver Hoxhës, udhëheqësi 75-vjeçar i Partisë Komuniste që ka drejtuar vendin përreth katër dekada. Në ndryshim nga Italia Jugore, që ndodhet në hyrje të detit Adriatik, Shqipëria, me një popullsi rreth 2.6 milionë banorë, është mbyllur nga bota për shumë shtete, me përjashtim të Greqisë, Turqisë, Francës dhe disa vendeve neutrale. Gazetarët e huaj, me përjashtim të atyre që kanë pranuar ideologjinë e këtij vendi, zakonisht nuk janë lejuar të hyjnë në Shqipëri.
    Shkëputja me Moskën dhe Pekinin
    Shqiptarët, të cilët për një kohë të gjatë janë njohur si një vend ishullor, popull fisesh, kanë qenë barrikadë në ortodoksinë e tyre komuniste që kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore. Izolimi i tyre u rrit me shkëputjen e tyre nga Moska në vitin 1961 dhe me ndarjen nga Kina në vitin 1978, me liberalizimin që ndodhi pas vdekjes së Mao Ce Dunit. Ndonëse teknikisht Greqia dhe Shqipëria kanë qenë në gjendje lufte për prej Luftës së Dytë Botërore, Athina është një ndër qeveritë e pakta që mban marrëdhënie miqësore me Shqipërinë.
    Si dhe përpara vitit 1944, Greqia ka pretendime për pjesën jugore të Shqipërisë, - e quajtur Epiri i Jugut, - e cila është e populluar kryesisht nga shqiptarë me prejardhje greke. Zyrtarët theksojnë se çështja ka qenë arkivuar që kur u vendosën marrëdhëniet tregtare dhe diplomatike midis dy vendeve në vitin 1971.
    Sipas Vlassis Socratides, gazetar dhe anëtar i organizatës së quajtur Komiteti për Mbrojtjen e Epirit të Veriut, atje ndodhen rreth 20–25 000 grekë që vuajnë në burgjet shqiptare dhe rreth 80 mijë të tjerë të internuar nëpër kampe.
    Shqiptarët në Greqi
    Greqia është vendi i rreth 60-80 mijë shqiptarëve etnikë që u stabilizuan këtu përpara se të mbylleshin kufijtë në vitin 1949. Ata krijuan një grup të mirorganizuar dhe domethënës. Aktualisht, Greqia dhe Italia janë dritaret kryesore të Shqipërisë drejt botës. Ato janë të vetmet vende me lidhje të drejtpërdrejtë telefonike me Shqipërinë dhe ndër të paktat që mbajnë linja ajrore dhe me ambasadë në Tiranë, kryeqyteti i vendit.
    Veç kësaj, për qarkullimin e refugjatëve shqiptarë drejt Greqisë, ka një lëvizje të kufizuar mes dy vendeve, kryesisht të diplomatëve, artistëve, gazetarëve, biznesmenëve dhe shtetasve grekë që kanë kushërinjtë e tyre, të cilët marrin përshtypjet, lajmet dhe thashethemet.
    Biseda me ta të jep një pamje të çuditshme dhe kontradiktore të vendit që është mbyllur aq shumë ndaj botës. Diplomatët perëndimorë këtu thonë se ata kanë dëgjuar se një sërë gjyqesh nisën në Shqipëri këtë vit, në lidhje me disa veprime të ish kryeministrit Mehmet Shehu dhe të mbështetësve të tij. Sipas të dhënave zyrtare shqiptare, zoti Shehu kreu vetëvrasje në dhjetor të vitit 1981. Disa burime shqiptare thonë se atë e detyruan të vetëvritej.
    Vrasje dhe burgosje
    Shqiptarët këtu (Athinë, - shën. red.), që kanë kontakte me Shqipërinë, thonë se zoti Shehu kryesonte një listë prej 30 ministrash dhe zëvendësministrash që ishte raportuar se secili prej tyre do të vritej ose burgosej. Thuhej se lista përfshinte ish ministrin e Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, që ishte shkarkuar nga detyra nëntorin e kaluar, dhe ish-ministrin e Brendshëm, Feçor Shehu, që ishte liruar nga detyra në janarin e vitit 1982.
    Disa të dhëna të një lëvizje prej Shqipërisë në drejtim të ripërtëritjes së marrëdhënieve me Kinën janë konstatuar këtu (Athinë, - shën. red.) me rastin e nënshkrimit të Protokollit të Tregtisë dhe Pagesave në Pekin më 4 tetor nga zëvendësministri shqiptar i Tregtisë së Jashtme dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë së Jashtme kineze.
    Marrëveshja është përmendur nga ekspertë të Ministrisë së Jashtme greke si një e dhënë e ndërgjegjësimit nga ana e Shqipërisë se politika e fortë e vetë-besimit nuk është e mjaftueshme. Ekspertët thonë se Shqipëria ka nevojë në mënyrë urgjente për pajisje dhe pjesë rezervë për makineritë që të zëvendësohen stoqet e vjetra.
    Gjithashtu, diplomatët këtu theksojnë se ministri i Jashtëm i Shqipërisë u takua kohët e fundit me homologun e tij italian në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.
    Marrëdhëniet me Greqinë
    Sipas gazetarit grek, George Tsiouni, që ka shkruar një shkrim favorizues për Shqipërinë në gazetën e përditshme majtiste “Eleftherotypia”, “veç të tjerash, shqiptarët dëshirojnë ‘marrëdhënie më të ngushta dhe më të ngrohta’ me Greqinë”. Ai tha se shqiptarët nuk mund të kuptojnë pse kryeministri grek Andreas Papandreu nuk mund të shfuqizojë ligjin e luftës midis dy vendeve.
    Shkrimi i “Eleftherotypia”, i cili duket se e ka qëllimin te rreshtimi i të dhënave negative prej emigrantëve shqiptarë, e përshkruan vendin si një “fortesë me pak miq dhe shumë armiq”, - që do të thotë; Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Jugosllavia.
    Zoti Tsiouni shkroi për suksesin e arritur nga Shqipëria, duke përfshirë atë që ai e quajti shteti model bujqësor, me rekordet e produktivitetit në grurë, misër dhe drithëra të tjera dhe me kapërcimet në të gjitha sektorët e industrisë. Ai shtoi se qëllimi i industrisë shqiptare është të prodhojë automobila, të cilat deri më tani i ka importuar.
    Kudo bunkerë
    Në ndryshim, udhëtarët grekë përgjithësisht e përshkruajnë Shqipërinë me tiparet e varfërisë, të militarizuar dhe të kontrolluar. Një zyrtar grek, i cili kohët e fundit kishte vizituar vendin tha se ai ishte shokuar me pamjet e fëmijëve të zbathur, me rroba të leckosura, sasinë e pakët të patateve të treg, mungesën e makinave dhe praninë e bunkerëve kudo. Madje, edhe në qendër të Tiranës, fare afër ambasadës greke. “Ajo që duket se dy në dhjetë shqiptarë janë ushtarë dhe një është polic”, - theksoi ai.
    Autoritetet greke këtu thonë se janë të shqetësuar për minoritetin grek në Shqipëri, por, me fjalë të tjera, nuk mund të bëjnë asgjë më shumë se sa të “mbajnë hapur lidhjet me telefon dhe me postë”. Diplomatëve u nevojitet leje për të udhëtuar më shumë se 25 kilometra jashtë kryeqytetit dhe shpeshherë një e tillë leje nuk është e disponueshme. Konsujt nuk janë lejuar të vizitojnë të burgosurit.
    “I gjithë vendi është si një burg i madh”, - thotë Elias Fani, një grek etnik 27-vjeçar, që u kthye nga Shqipëria më 15 prill. Ai ishte arrestuar kur ishte student dhe u akuzua për përhapje të propagandës kundër qeverisë. Ai shërbeu për 6 vjet në punë të detyrueshme nëpër galeritë e minierave.
    Ai eci përgjatë kufirit
    Zoti Fani thotë se për herë të parë tentoi të notojë drejt ishullit grek të Korfuzit, por ishte dorëzuar pas 8 orësh not në ujin e akullt. Pastaj ai vrapoi 40 milje përgjatë zonës kufitare malore drejt qytetit grek të Janinës. Si shumë refugjatë shqiptarë, ai thotë se shpreson të shkojë në Shtetet e Bashkuara.
    Këtë vit 21 shqiptarë, mes tyre edhe tre roje kufitare me uniformë, kishin arritur të kalonin përtej kufirit, brenda në Greqi. Ky është numri më i lartë i kohëve të fundit; mesatarja ka qenë katër apo 5 persona në vit. Kjo shifër është dhënë nga zyra e Komisionit të Lartë për Refugjatët e Kombeve të Bashkuara në Athinë.
    Komiteti i Luftës për Epirin e Veriut dhe grupe të tjera kanë ngritur çështjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri në Komitetin për Mbrojtjen e Minoriteteve të Kombeve të Bashkuara, i cili është i vendosur në Gjenevë.

    Shkrimi është publikuar më 23 tetor 1983 në “The New York Times”
    Gazeta sjell të plota qëndrimet e nacionalistëve grekë të përmendur në shkrim si dhe të gazetares amerikane
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Something seems to stir inside isolated Albania”
    Sui generis

  8. #248
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Skenaret e vitit 1984 per hapjen e Shqiperise me Perendimin

    David Binder

    Më 18 qershor rojet shqiptare të kufirit hapën zjarr në mes të ditës ndaj tre zhytësve francezë të “Club Mediterranee”, duke vrarë njërin prej tyre. Më 16 shtator vranë edhe një tjetër shtetas grek, rojtar pylli në zonën kufitare. Të tilla lajme raportohen për Shqipërinë, e cila duket thuajse jashtë normalitetit; - e mbushur me fortesa dhe bunkerë të betontë që “pikëzojnë” kudo në të gjithë vendin, me politikë të jashtme agresive, me një simbol kombëtar që përmban sloganin “Me kazmë dhe pushkë” dhe me një histori represioni brenda vendit.
    Gjëegjëza shqiptare
    Kjo është që të surprizon, pavarësisht incidenteve të tilla; Shqipëria, një shtet i vetmuar që deri kohët e fundit ka qenë gjithmonë një shërbëtore e fuqive të mëdha komuniste, dhe tani, në mënyrë graduale, duket se po thyen guaskën e izolimit dhe po shqyrton mundësinë e vendosjes së marrëdhënieve të reja në Perëndim dhe në Lindje. Akoma më i çuditshëm është fakti se kjo është duke ndodhur teksa Enver Hoxha, udhëheqësi komunist shqiptar përgjatë 43 viteve të fundit, është akoma gjallë. Ai është konsideruar hapur si brutal dhe paranojak, në një gjendje të çmendur, një i mbijetuar i shkëlqyer. Si pasojë, gjëegjëza shqiptare të huton sërish. A është ky vend enigmatik, me udhëheqjen e saj komuniste të dalë mode, në prag të një tjetër ndryshimi surprizues?
    Të paktë janë ata që mohojnë se Shqipëria është një gjëegjëzë, pasi ajo ka qenë për katër dekadat e fundit një nga vendet më pak të afrueshme me botën; duke iu kundërpërgjigjur me armiqësi politike padronëve të saj të njëpasnjëshme në atë kohë; Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.
    Të lashtë, por të rinj
    Shqiptarët janë pasardhësit e një prej popujve të njohur më të vjetër të Europës, Ilirisë, dhe akoma shteti-komb i tyre, i krijuar përmes një dekreti të Fuqive të Mëdha në vitin 1912, është një nga shtetet më të reja të Europës. Ai është relativisht i vogël; është një vend kryesisht malor, pak më i madh sesa shteti i Marylandit, me një popullsi në përmasat sa të kryeqytetit të Bostonit, - rreth 3 milionë banorë. Sigurisht, ai është një nga vendet më të varfra të Europës. Mburrja e tij mospërfillëse se është bastion i komunizmit stalinist, në zhvillimin e marrëdhënieve me vendet e rëndësishme Perëndimore, ka shkurajuar kontaktin dhe të dhënat për ekzekutimet e shqiptarëve të japin përshtypjen e rivaliteteve brenda udhëheqjes, e cila të shkakton neveritje.
    Por, vendndodhja e saj, konfliktet e vjetra etnike dhe politike me fqinjët e saj të afërm, Greqia dhe Jugosllavia, e bëjnë atë kritike në mbajtjen e ekuilibrit të ndjeshëm politik në gadishullin e Ballkanit.
    Tani ekziston një dinamikë e gjallë në Shqipëri si rezultat i rritjes së shpejtë të popullsisë (Studimet demografike tregojnë se niveli i lindshmërisë është rreth 4-4 herë më i lartë sesa a i pjesës tjetër të Europës. Mosha mesatare e popullsisë është 26 vjeçe). Autoritetet e Tiranës, kryeqyteti i vendit, përllogarisin se popullsia do të arrijë në 4 milionë në 15 vitet e ardhshme. Ekziston një domethënie nacionaliste te kjo, për zotin Hoxha, i cili deklaroi në vitin 1981 se “ne jemi 6 milionë”, një numër ky që përfshin shqiptarët që banojnë në Jugosllavi, Turqi dhe Greqi.
    Era e ndryshimeve
    Përgjatë viteve të fundit Shqipëria ka rihapur në mënyrë të matur disa nga kanalet e saj me Perëndimin, të mbajtura mbyllur për një kohë të gjatë. Në të njëjtën kohë, duke ndryshuar me kujdes shfaqjen e saj, që duket në mënyrë të fshehur në Tiranë, me njerëz që u përfshinë në udhëheqjen komuniste 40 vjet më parë, si revolucionarët e luftës dhe që gradualisht kjo po zëvendësohet me burra dhe gra të reja. Këto tendenca, të gërshetuara me rënien e ndjeshme të imazhit publik dhe sëmundjen e zotit Hoxha, kanë ngjallur interesin në zhvillimet shqiptare.
    Refuzimi i vizës
    Për rreth tri dekada Shqipëria nuk i lejoi gazetarët amerikanë të hynin në vend. 21 vjet më parë unë bëra aplikimin për një vizë që të vizitoja Shqipërinë që nga Jugosllavia. Konsulli shqiptar në Beograd ishte i përzemërt, por ai ishte i prerë që të refuzonte aplikimin. Dokumentet e dërguara në Tiranë nuk morën asnjëherë përgjigje, megjithëse përfundimisht emri im ishte përfshirë në listën e zyrtare të sektorit të propagandës shqiptare. Së fundi, një kërkesë e imja përmes telefonit për një takim me përfaqësuesit diplomatik të misionit shqiptar në Kombet e Bashkuara mori këtë përgjigje: “Ju nuk mund të bisedoni me askënd, në asnjë kohë”.
    Ajo që e solli këtë kërkesë është një bashkim i asaj që dihet dhe nuk dihet rreth Shqipërisë nga informacionet zyrtare të qeverisë së Tiranës, nga informacionet e pak akademikëve dhe korrespondentëve perëndimorë që kishin vizituar Shqipërinë dhe nga shqiptarët që kanë qenë arratisur gjatë viteve të fundit.
    Vendi i Hoxhës
    Zoti Hoxha, kryetar i Partisë Komuniste, që mbushi 76 vjeç më 16 tetor, raportohet se është sëmurë, dhe se në daljen e tij të fundit në publik, në një aktivitet sportiv në Tiranë më 20 tetor, teksa ecte, ai ishte mbajtur te ndihmësit. Në mënyrë të dukshme ai nuk doli për të folur në publik deri në fillimin e këtij viti. Shpesh ai i mënjanonte detyrimet e tij të rëndësishme publike dhe thjesht dërgonte një “mesazh përshëndetje”. Për këtë situatë, çështjet janë ngritur rreth asaj se çfarë mund të ndodhë në Shqipëri pas vdekjes së zotit Hoxha.

    Shkrimi është publikuar më 11 nëntor 1984 në “The New York Times”
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Albania opens its door a crack”
    Autori i shkrimit është ndihmës i kryeredaktorit të “The New York Times”-it në degën e Uashingtonit. Ai shërbeu si korrespondent në Ballkan
    Sui generis

  9. #249
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Gazetari amerikan: “Ju tregoj Byronë Politike të vitit 1984”

    Vijon specialja e Binderit për Shqipërinë në prag të vdekjes së Hoxhës. Hapja me Italinë; konfliktet Hoxha-Shehu dhe prurjet e reja në Polibyro

    David Binder

    Kur u krijua Partia Komuniste në Tiranë në vitin 1941 me të dërguarit dy komunistë jugosllavë që shërbenin si ndërmjetës, zoti Hoxha, një ish-mësues, u zgjodh sekretari i parë i saj. Ai e mbajti këtë detyrë që atëherë e deri sot, duke shënuar një rekord unik për vendet komuniste europiane. Në Jugosllavi ekzistonte thuajse një nervozizëm i dukshëm për shkak se Shqipëria, pas vdekjes së Hoxhës, mund të rrëshqiste, duke u kthyer sërish në orbitën e Bashkimit Sovjetik, i cili luajti një rol mbizotërues në çështjet shqiptare që nga viti 1948 deri në vitin 1961. Opinioni i jugosllavëve, si paralajmërues të çdo lëvizjeje në Tiranë, është se Shqipëria do të përmirësojë marrëdhëniet me aleatët rusë, siç ndodhi me Hungarinë apo Bullgarinë. Ende, edhe për shumë vjet, udhëheqja Hoxha do të vazhdojë akuzat për Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, duke i vlerësuar njësoj si superfuqi “imperialiste”, politikat e të cilave, përgjithësisht, kërcënojnë paqen e botës dhe aspiratat e kombeve të vogla.
    Lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë
    Ndryshimi më i habitshëm në politikën e jashtme të Tiranës zyrtare ka nisur rreth 10 vjet më parë, duke shënuar hapjen e saj ndaj Perëndimit, e kryesisht ndaj Italisë, e cila e pushtoi dhe e aneksoi Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
    Një marrëveshje e re tregtare ishte finalizuar marsin e kaluar në Tiranë nga Nicola Capria, ministri i Tregtisë së Jashtme të Italisë dhe homologut shqiptar, Shane Korbeci. Në të vërtetë, dy qeveritë firmosën një marrëveshje kulturore, që parashikonte futjen e gjuhës italiane në Universitetin e Tiranës dhe mësimin e italishtes në shkollat e mesme. Në të njëjtën kohë, një marrëveshje e përbashkët ishte firmosur midis Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe agjencisë italiane të lajmeve “ANSA”. Me këtë rast, ANSA siguroi, në mënyrë të pazakontë, një intervistë të nivelit të lartë me zëvendëskryeministrin Manush Myftiu. Nëntorin e kaluar Shqipëria hapi një qendër për shërbimet tregtare midis Portit të Durrësit dhe të Triestes. Janë parashikuar gjithashtu edhe shërbimet e transportit detar mes ngushticës së Otrantos drejt Brindizit. Shqiptarët shprehën interesin për bashkëpunimin me palën italiane për lehtësimin në fushën e telekomunikacioneve, për ndërtimin e një hidrocentrali dhe shkëmbimin e pandërprerë të mallrave shqiptare të prodhuara nga fabrikat e këtij vendi.
    Megjithatë, ekzistojnë pengesa të panumërta, përtej kontakteve të tilla, duke përfshirë refuzimin e Tiranës zyrtare që të pranojë hua, kredi apo ndihma financiare të huaja, të çfarëdo lloji. Këmbëngulja e tyre për kontaktet vazhdoi me një kohëzgjatje maksimale përgjatë një viti. Si rezultat, pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme ishte bërë në formën e shkëmbimeve, ku pala shqiptare i ofronte partnerit tregtar krom dhe naftë në shkëmbim të mallrave industriale. Pak vende perëndimore janë mësuar që të bëjnë biznes në këtë mënyrë dhe italianët janë shumë skeptikë për shtrirjen në shkallë të gjerë dhe realizimin e projekteve afatgjata në Shqipëri.
    Konflikti Shehu-Hoxha
    “Politika e të ecurit vetëm të Shqipërisë” ishin përfolur se kishte qenë në qendër të një ndarjeje të thellë mes zotit Hoxha dhe bashkudhëtarit të tij, të ndjerit, kryeministrit Mehmet Shehu, i cili ishte vrarë apo kreu vetëvrasje gjatë një sesioni të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë në dhjetor të vitit 1981. Vdekja e kryeministrit 73-vjeçar u pasua nga spastrimi i madh, i katërti i këtij lloji në rrethin e brendshëm të udhëheqjes që prej vitit 1948. Mbështetësit dhe të afërmit e zotit Shehu ishin arrestuar menjëherë si “armiq të popullit”. Sipas shqiptarëve të arratisur në Perëndim, “të paktën katër prej tyre, duke përfshirë ministrat e Mbrojtjes, të Brendshëm, të Shëndetësisë si dhe shefin e Policisë Sekrete të qytetit të Vlorës, ishin ekzekutuar në shtatorin e vitit 1983 nga një skuadër pushkatarësh”.
    Rikompozimi i Byrosë Politike
    Pasardhësi i zotit Shehu në detyrën e kryeministrit është 62-vjeçari Adil Çarçani.
    59-vjeçari Ramiz Alia duket se do të jetë kryetar i shtetit dhe pasardhësi i mundshëm i zotit Hoxha në drejtimin e partisë. Ai është 11 vjet më i ri sesa paraardhësi. (Ai mund të ketë qenë përfshirë si anëtar i lëvizjes në kohën e luftës. Ai iu bashkua Brigadës VII Sulmuese kur ishte 19 vjeç. Gjithashtu, zoti Alia ka shërbyer edhe si ideolog i partisë.)
    Rrjedhja e ngjarjeve shikohet se është gjithnjë e më e dukshme në nivelet e tjera të udhëheqësve të partisë dhe qeverisë, me ardhjen së fundi të njerëzve të tillë si Lenka Çuko, anëtare e Byrosë Politike, zëvendëskryeministrit Besnik Bekteshi dhe sekretarit të Partisë, Vangjel Çerrava. Të gjithë këta përbëjnë 40 për qind të tyre.
    Nikolaos A. Stavrou, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Harëard-it, i cili ka përgatitur tezën e tij të masterit për elitën e pushtetit në Shqipëri, thotë se kërkimi i tij tregon se Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë ka udhëheqës të rinj dhe në moshë mesatare më shumë se çdo parti tjetër komuniste. Po ashtu, edhe përqindjen më të lartë të grave në poste të larta drejtuese. Në të vërtetë, Lenka Çuka, anëtare e Byrosë Politike, është ministre Bujqësie; Themie Thomai, ministre e Arsimit; Tefta Cami, ministre e Kulturës; Vito Kapo, ministre e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore. Bashkëshortja e zotit Hoxha, Nexhmija, ka mbajtur për shumë vjet poste drejtuese kyçe, duke përfshirë edhe drejtimin e Institutit të Marksizëm-Leninizmit, - shkolla e përgatitjes së kuadrove partiakë.

    Shkrimi është publikuar më 11 nëntor 1984 në “The New York Times”

    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Albania opens its door a crack”

    Autori i shkrimit është ndihmës i kryeredaktorit të “The New York Times”-it në degën e Uashingtonit. Ai shërbeu si korrespondent në Ballkan
    Sui generis

  10. #250
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    “The New York Times” kundër Dritëro Agollit: “Mikroborgjezët”, poezi e dobet


    David Binder


    Te ky vend ekziston një tjetër problem; pamundësia për të mësuar ndonjë gjë rreth çështjeve të brendshme të udhëheqjes. Gjithashtu, është e vështirë të sigurosh informacion të dorës së parë rreth jetës së përditshme në Shqipëri. Turistët, - rreth 3000 mijë çdo vit, - shohin vetëm pjesë të vendit, pasi janë të mbikëqyrur në mënyrë të rreptë. Vizitorët kërkojnë për njerëzit e tyre të mallkuar në harresë. Historitë e të arratisurve nuk mund të jenë lehtësisht të verifikueshme.
    Jetë e egër
    Malet e thyera mbizotërojnë Shqipërinë dhe rreth 2/3 e vendit shtrihet në një lartësi deri në rreth 3000 këmbë. Vetëm 13 për qind e tokës është kultivuar, megjithëse po përdoren gjithnjë e më shumë, në mënyrë graduale, toka edhe nga kënetat, - ku më parë njerëzit prekeshin nga malaria në zonat bregdetare. Nëpër male rriten kudo lisa, arra, ahe, pisha dhe bredha, ndërsa në rajonet e ulëta kultivohen fiq, ullinj dhe agrume, në një klimë të bekuar.
    Jeta është e egër, siç ka qenë për shumicën e shqiptarëve në shekujt e mëparshëm. Ligjërisht është përcaktuar 48 orë punë e detyrueshme në javë. Posedimi i makinave private është i panjohur. Numri i përdorimit të televizorëve po rritet gradualisht (45 mijë të tillë ishin llogaritur në vitin 1981). Por, për një vend që ka vetëm dy radio transmetues që prej vitit 1945, përmirësimi i mjeteve të komunikimit është thelbësor. Shtrirja e valëve transmetuese të Radio Tiranës, të programeve të saj në anglisht, është e qartë për dëgjuesit e këtij vendi.
    Imazhi fals
    Botimi i fundit i revistës qeveritare “Shqipëria e re” në gjuhën angleze tregon në fotografi një grup femrash studente, të veshura me kujdes, me fustane me lule të pikturuara, me bluza dhe funde verore, përpara hyrjes së Universitetit të Tiranës. Motrat e tyre më të reja shfaqen në të tjera fotografi, të veshura me shamia të lidhura pas qafe, grykëse të zeza, çorape të bardha dhe sandale me shirita të kuq. Një grumbull vajzash më të vogla tregohen me veshje të bardha dhe në krah disa veteranë lufte që iu varen yjet të mëdhenj me ngjyrë të kuqe. Albert Helmut, një mësues gjerman, i cili, së fundi kaloi katër javë në Shqipëri, e përshkroi gjendjen në një ese: “Stili i veshjes është relativisht modest; madje grave iu mungojnë bizhuteritë e luksit. Gjatësia e fundeve është e përcaktuar poshtë gjurit të këmbës, pasi është një normë strikte, por më parë lejoheshin edhe më të shkurtra”.
    Në kontrast me të kaluarën, burrat rrallë lënë mjekra. Turistët burra me flokë të gjatë nga Perëndimi, për t’u përshtatur me mjedisin duhet t’i presin ato në berberhane sapo të arrijnë në kufi apo në Aeroportin e Tiranës.
    Socrealizmi
    Për të gjitha këto është bërë një poezi e dobët, e publikuar në mars nga Dritëro Agolli, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në të përjavshmen “Drita”. Një pjesë e poezisë së titulluar “Anti-mikroborgjezët” bën thirrje:
    Pikëllim nihilist.
    Sa i përçmoj ata!
    Pikëllim: Ah!
    Pse nuk i bëjnë ata brekët me lulka,
    me ushkur të mëndafshtë;
    Pikëllim: Ah!
    Shpinat tonat janë kërrusur nga kursimi, kursimi
    dhe vetëm kursim;
    Pikëllim: Ah!
    Për një zog të pjekur në sobë me mikrovalë

    Zoti Agolli vazhdon të flasë për ture nëpër botë; “nuk ka rëndësi se ku”, vilat në det dhe kozmetikën; dhe më pas denoncon hedonistët (njerëz qe jepen pas qejfeve të momentit) që i lakmojnë ata si “krijesa idiote”
    Me sa duket ekziston një klasë e vogël, e re, e burokratëve që kanë arritur të sigurojnë njëfarë jete luksoze.
    Gjatë qëndrimit të tij profesor Alberti ishte mahnitur nga ajo që ai e quajti “krenaria në frazat thuajse euforike të një prej progreseve teknologjike”. Ai vazhdon: “Dëshmi për këtë është mburrja që tregojnë ata me ekspozitën e përhershme të Prodhimit Industrial dhe Teknologjik Shqiptar në Tiranë, qendrat prodhuese, sukseset në eksportin e vajit dhe energjisë. Tani prodhimet e karburanteve llogariten të jenë rreth 3.5 milionë tonë në vit. Ndërmarrjet private janë në ekstrem të kufizuara. Prona private përfshin një sipërfaqe të vogël toke rreth shtëpisë së tyre, apo kafshët kryesore për nevoja shtëpiake. Për gjënë më të vogël atë mund ta blesh tek marketi i vogël, por vetëm se tavani i çmimeve përcaktohet nga shteti”, - thotë dr. Alberti. Në qytete shikon pazare, si kudo në vendet ballkanike, që dikur ishin të pushtuar nga turqit.
    Deri tani Shqipëria ka qenë vend i qyteteve të vogla, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar qendrat urbane. Kryeqyteti i vendit, i cili në vitin 1939 kishte rreth 25 mijë banorë, tani ka 250 mijë. Shkodra, qyteti i dytë, është duke arritur tek 100 mijë banorë.
    Shteti laik
    Në vitin 1967 udhëheqja shqiptare nisi një fushatë për asgjësimin e kishave nga jeta publike, - një vend që përpara Luftës së Dytë Botërore ishte 70 për qind mysliman, 20 për qind ortodoks dhe 10 për qind katolikë romanë, - me objektivin e deklaruar për të krijuar “shtetin e parë ateist” në botë.
    “Katër priftërinj françeskanë ishin djegur të gjallë në vitin e parë, dhe deri vonë në vitin 1972, një prift në Shkodër ishte ekzekutuar sepse po i bënte katekizëm një fëmije. Pjesa më e madhe e xhamive dhe kishave ishin kthyer në ndërtesa jofetare.
    Profesor Alberti shkruante se në Muzeun Ateist të Shkodrës ai pa një ekspozitë fotografike që tregonte 150 xhami në rajonin e Shkodrës, përpara nisjes së fushatës për laicizmin e vendit. Por ai numëron vetëm 10 xhami që pa gjatë udhëtimit njëmujor nëpër gjithë vendin. Në fakt praktikimi i besimit është bërë në mënyrë të fshehtë në Shqipëri, ndonëse vizitorët raportojnë se shikojnë myslimanë duke u lutur në gjunjë në perëndim të diellit në zona të thella të vendit.


    Shkrimi është publikuar më 11 nëntor 1984 në “The New York Times”
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Albania opens its door a crack”
    Autori i shkrimit është ndihmës i kryeredaktorit të “The New York Times” në degën e Uashingtonit. Ai shërbeu si korrespondent në Ballkan
    Sui generis

Tema të Ngjashme

  1. Dosja e krimit politik në Kosovë
    Nga kosovar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 15:05
  2. Historia ndryshe
    Nga karaburuni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 01-07-2005, 09:53
  3. NjËdimensionalitetin E QytetËrimit PerËndimor
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 02-02-2005, 17:02
  4. Liria e shtypit shqiptar
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-05-2003, 06:14
  5. Abaz Ermenji
    Nga Eni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 14:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •