Si u interpretua hapja e kufijve dhe liria e besimit në vitin 1990
DAVID BINDER
Shqipëria shpalli sot një seri ligjesh që mund të sjellin liberalizimin më të gjerë në shumicën e vendeve komuniste europiane. Këto përfshijnë masat për lëvizjen e lirë jashtë kufijve dhe kthimin e së drejtës së ushtrimit të besimit.
Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka të ndaluar ligjërisht të gjitha besimet dhe ka mbyllur të gjitha objektet e kultit. Në këta katër muajt e fundit, udhëheqja shqiptare ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me Europën Perëndimore, SHBA-të dhe Bashkimin Sovjetik për të nxjerrë veten nga periudha e gjatë e izolimit.
Ndërkohë, Shqipëria ka përmirësuar marrëdhëniet e saj në këto vitet e fundit me Gjermaninë Perëndimore, Francën, Italinë dhe vende të tjera të Perëndimit dhe ka filluar në këto katër javët e fundit të konsiderojë rifillimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik.
Vizita e liderit të OKB-së
Kohët e fundit, Shqipëria jo vetëm ka propozuar marrëdhëniet me Komunitetin Europian, por edhe për të marrë pjesë në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE). Të premten, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Javier Perez de Cuellar, do të arrijë për një vizitë 24-orëshe në Shqipëri, e para e këtij lloji. Për herë të parë në këto dekada janë ftuar gazetarë nga Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo jep shenjat e rigjallërimit të besimit se Shqipëria është duke u përpjekur të luajë një rol aktiv në komunitetin ndërkombëtar.
Shtesat ligjore të sistemeve penale dhe të drejtësisë, si dhe çështje të tjera, janë aprovuar unanimisht nga Asambleja Parlamentare të martën në mbrëmje dhe janë njoftuar sot nga Agjencia Telegrafike Shqiptare. Parlamentarët shqiptarë janë shprehur pro ligjeve si asnjëherë tjetër në votën e tyre.
E drejta për të udhëtuar
Për qytetarët e zakonshëm që kanë qenë ndaluar për të udhëtuar që kur Shqipëria u përfshi nën sistemin komunist në fundin e vitit 1944, mesa duket, e drejta e udhëtimit është më domethënësja e masave të ndërmarra. Në një raport për Asamblenë, zëvendës-kryeministri Manush Myftiu foli për një ligj, sipas të cilit, në bazë të kërkesës, çdo shtetas shqiptar do të ketë të drejtë për të marrë një pasaportë dhe për të udhëtuar kudo. “Nuk është e qartë se kur rregullorja do të ketë efekt”, - tha Myftiu.
Gjithashtu, Asambleja reduktoi numrin e krimeve kapitale dhe aprovoi një ligj që arrin të heqë ndëshkimet penale për tentativat e arratisjes jashtë kufijve.
Qindra shqiptarë janë arratisur në këto katër dekadat e fundit, ndërsa një numër i madh personash janë vrarë teksa përpiqeshin për t’u larguar.
Zoti Myftiu, i cili është 71 vjeç, tha se që tani e tutje “dezertimi” që ishte një krim, nuk do të konsiderohet si “tradhti ndaj atdheut”.
Izolimi
Shqipëria për disa vjet ka qenë një shtet rebel në botën komuniste. Fillimisht, ajo ishte një aleate e ngushtë e Bashkimit Sovjetik që kur ndërpreu marrëdhëniet me fqinjin jugosllav në 1948-n, kur Tito u shkëput me Stalinin. Pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, Shqipëria kundërshtoi tendencat liberalizuese në Bashkimin Sovjetik. Ajo i ndërpreu marrëdhëniet me Moskën në vitin 1961 dhe u lidh me Kinën pas hendekut që u krijua mes Pekinit dhe Moskës. Aleanca mes Shqipërisë dhe Kinës u zbeh pas afrimit midis Uashingtonit dhe Pekinit në vitin 1972 dhe më tepër u shkatërruan kur vdiq Mao Ce Duni në vitin 1976. Më vonë, për disa vjet, Shqipëria mbeti e izoluar thuajse komplet nga e gjithë bota.
Stalini nderohet akoma
Regjimi i presidentit Ramiz Alia akoma nuk kishte bërë të qartë se si banorët e vendit 3.3-milionësh do të arrinin të drejtat e tyre me ligjet e reja. Që në vitin 1944, të drejtat e individëve kanë qenë diktuar nga strukturat e larta të centralizuara, të krijuara sipas modelit të Stalinit, statuja e të cilit qëndronte përballë asaj të Leninit në bulevardin kryesor të këtij kryeqyteti. Perëndimorët që jetojnë këtu thonë se ata besojnë se zoti Alia është duke zgjuar një fushatë liberalizimi kundër forcës së pushtetit që do të kishte ndërtuar sistemi që në kohën e paraardhësit të tij, Enver Hoxhës. Njëri prej tyre thotë se “ka një luftë përçarëse që po vazhdon”. "Është hequr dënimi që parashikohej për propagandën fetare. Ai tha se, “çështja e besimit fetar është një problem që i takon ndërgjegjes së çdo individi”.
Zoti Myftiu tha se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë “propagandën ateiste”. Qëndrimi i tij nuk bën të qartë se si myslimanët, katolikët dhe ortodoksët do të jenë në gjendje të rifillojnë ushtrimin e besimeve të tyre fetare. Përpara ardhjes së sistemit komunist, Shqipëria kishte rreth 70% myslimanë, 20% ortodoksë dhe 10% katolikë.
Ndryshimet në Kodin Penal
Në sesionin dyditor të tij, Asambleja ia kushtoi ndryshimeve në Kodin Penal. Ato përfshijnë një reduktim të ndëshkimit të personave të dënuar me vdekje nga 34 në 11 vjet. Krimet akoma do të ndëshkohen me vdekje për veprat penale si për “tradhti ndaj atdheut dhe spiunazh, aktivitete terroriste dhe sabotazhi, përvetësim të pronës socialiste në kushte të veçanta, grabitje të pronës socialiste dhe vrasje”. Parlamenti vendosi gjithashtu që grave shqiptare, në shumicën e rasteve, nuk do t’u jepet dënimi kapital.
Në kuadrin e reformave të drejtësisë, Parlamenti aprovoi urdhrin e Enver Halilit, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe ministër i Drejtësisë.
Myftiu tha se, “ai është drejtuar në krijimin e një sistemi të ri gjyqësor dhe të përfaqësisë ligjore të mbrojtjes (avokaturën). Ndonëse ndalimi i besimit mesa duket është hequr, një udhëtar që bëri 100 milje, përmes një ekskursioni nga kufiri jugosllav në Hanin e Hotit deri në kryeqytet, sot gjeti vetëm një objekt kulti, një xhami në qendër të Tiranës, e cila është kthyer në një muze.
Pamjet brenda vendit
Një vizitor në Shqipëri gjen pamje në disa rrugë që të kujtojnë fillimin e këtij shekulli. Fushat duket të jenë të ruajtura mirë, me punën që bëjnë grupet e burrave dhe grave me lopata, cfurqe dhe shata. Ndodhen tufa delesh, dhish dhe lopësh nëpër rrugë.
Teksa udhëton me makinë nëpër autostradë, nga kufiri drejt Tiranës, sheh qindra, madje, mijëra shqiptarë që janë duke qëndruar ose vrapuar në këmbë, si dhe një sërë bunkerësh bosh të rreshtuar njëri pas tjetrit.
Trafiku nëpër rrugët e vendit, që nga kufiri drejt kryeqytetit, ka kamionë 30-vjeçarë si dhe qindra karroca, ku ndoshta gjysma e tyre tërhiqen nga gomerë, por pothuajse nuk ka makina.
Artikulli është publikuar më 10 maj 1990
Titulli është redaksional
Përgatiti: Albert Gjoka
Albania
9 Tetor 2007
Krijoni Kontakt