Close
Faqja 17 prej 27 FillimFillim ... 71516171819 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 161 deri 170 prej 270
  1. #161
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Fjalimet e Enverit, reagimet ne Athine e Beograd

    Si jane pritur deklarimet e udheheqesit komunist ne vitin 1974 kunder Traktatit te Varshaves dhe NATO-s. Interpretimet e bera ne Greqi e Jugosllavi, diskutimet ne seline e Aleances se Atlantikut te Veriut dhe komentet e diplomateve amerikane

    Ne nje fjalim te tetorit 1974, Enver Hoxha, udheheqesi komunist i Shqiperise, foli per vendosmerine e Tiranes dhe vendeve te tjera, si Jugosllavia e Greqia, per te qendruar jashte Traktatit te Varshaves dhe NATO-s. Fjalet e Hoxhes kane shkaktuar reagime te ndjeshme dhe diplomatet amerikane ne Beograd e Athine jane aktivizuar te kuptojne e interpretojne pjeset me te rendesishme te ketij fjalimi. Gjithashtu, sic tregojne dokumentet e kohes, selia e NATO-s ka trajtuar problemet e permendura nga Enver Hoxha ne fjalimin e tij.

    Ne nje telegram te 7 tetorit 1974, ambasada amerikane ne Athine njofton Departamentin e Shtetit dhe homologet ne Beograd e Moske, se shtypi grek ka shfaqur interes te madh per fjalimin e Hoxhes. Ne menyre te vecante, shtypi grek ka theksuar se gazeta "Borba" ne Beograd ka shprehur komente ne favor te fjalimit. Trajtimi i medias (greke) ve ne dukje garancine e Hoxhes per popujt grek dhe jugosllav, se kufijte e ketyre vendeve me Shqiperine do te mbeteshin gjithnje te sigurt", thuhet ne telegramin e derguar ne Uashington. Megjithate, ne raportin nga Athina thuhet se mediat konservatore duket ta kene injoruar fjalimin e Enver Hoxhes.

    Tri dite me pas, ne Departamentin e Shtetit do te mberrinte edhe informacioni nga Beogradi. Ambasada amerikane ne Jugosllavi do te njoftonte me 10 tetor 1974 se fjalimi i Enver Hoxhes, me 3 tetor, vazhdon te publikohet ne Beograd. "Editoriali i "Borba"-s me 6 tetor thoshte se teksa editoret nuk bashkoheshin me disa gjera te thena nga Hoxha, ata e pelqenin qendrimin e tij, ndoshta duke iu referuar konstatimit te Hoxhes se Jugosllavia, Shqiperia dhe Greqia kane interesa te perbashket ne mbrojtje dhe se siguria e secilit komb eshte e thelbesore per dy te tjeret", shkruhet ne telegramin e nisur nga Beogradi.

    Gjithashtu, TANJUG, agjencia jugosllave e lajmeve, ne materialin e shperndare vetem per nivelet e larta te qeverise dhe partise, e ka publikuar fjalimin dhe reagimet per te cdo dite dhe se fundmi duke vene ne pah reagimin e favorshem grek.

    Reagime kane mberritur ne Departamentin e Shtetit edhe nga misioni amerikan ne NATO, lidhur me nje fjalim te Enver Hoxhes me 3 nentor 1974. Ne kete fjalim, udheheqesi komunist i Shqiperise, ka permendur gjeresisht Jugosllavine, Greqine, Bashkimin Sovjetik, Shtetet e Bashkuara dhe Bullgarine. Me 13 nentor 1974, telegrami konfidencial i mberritur ne Uashington ve ne dukje se Hoxha nuk ka permendur Rumanine. Duke iu referuar edhe nje bisede me perfaqesuesin e Turqise, diplomatet amerikane shkruajne se marredheniet mes Shqiperise dhe Rumanise jane shume te mira, duke mos qene nevoja qe Rumania te permendet ne menyre te vecante.

    Gjithashtu, perfaqesuesi italian ne NATO i eshte bashkuar qendrimit turk, ndonese ka nenvizuar se deklarimet antisovjetike te Hoxhes ishin me te fortat qe ai kishte bere ndonjehere. "Trajtimi i vendeve Perendimore ne pergjithesi nga lideret shqiptare ishte pak me teper paqtues se te ne shkuaren, ndonese ata nuk merrnin nje linje afrimi", thuhet ne telegram. Perfaqesuesi italian ka shtuar se Hoxha ka shprehur gatishmerine per vendosjen e marredhenieve diplomatike me Mbreterine e Bashkuar, me kushtin qe britaniket te kthenin floririn shqiptar dhe me Republiken Federale te Gjermanise, nese Boni binte dakord te paguante reparacionet e luftes.

    Ne vitet 1973-1975, Shtetet e Bashkuara kane ndjekur me interes zhvillimet ne Shqiperi edhe per shkak te levizjeve te brendshme. Keto ndryshime ne ushtri dhe kulture shqetesuan jo pak udheheqjen komuniste te komanduar nga Enver Hoxha, ndonese nuk ishin te mjaftueshme per te tronditur pushtetin e tij personal.

  2. #162
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Vizita e Çu En Lait në Tiranë, si u prit nga shqiptarët

    Speciale e gazetës “Zëri i Popullit”: “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze, më të ngushta se kurrë” . Përbërja e delegacionit kinez, takimet me krerët e lartë të shtetit dhe vizitat nëpër Shqipëri

    Me ftesën e kryetarit të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Mehmet Shehu, prej datës 31 dhjetor 1963 deri më janar 1964, bëri një vizitë miqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë, Kryetari i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, Zëvendëskryetari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Çu En Lai. Kryetari i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës Çu En Lai shoqërohej nga: Çen Ji, zëvendëskryetar i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, ministër i Punëve të Jashtme, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze; Kun Juan, zëvendëskryetar i Kabinetit për marrëdhëniet me botën e jashtme pranë Këshillit të Shtetit, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze; Huan Çen, zëvendësministër i Punëve të Jashtme; Tun Shio Pun, kryetari i Kabinetit të Kryetarit të Këshillit të Shtetit; Çia Guan Hua, ministër asistent i Punëve të Jashtme; Y Pei Vin, drejtor i Drejtorisë së Protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme; Van Min, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme; Li Shu Huai, zëvendësdrejtor i Kabinetit të Ministrisë së sigurimit publik. Kryeministri Çu En Lai dhe zëvendëskryeministri Çen Ji, si dhe shokët që i shoqëronin, vizituan Tiranën, Shkodrën, Vlorën, Korçën, Beratin dhe Qytetin Stalin, si dhe uzina, kooperativa bujqësore dhe institucione kulturore e arsimore, dhe patën kontakte me shtresa të ndryshme të popullit shqiptar. Atyre iu bë kudo një pritje e nxehtë dhe e pashembullt, një mikpritje madhështore dhe e përzemërt nga ana e popullit vëlla të Shqipërisë. Kjo është një shprehje e gjallë e miqësisë së madhe, të bazuar në internacionalizmin proletar, që lidh popullin kinez me popullin shqiptar. Gjatë vizitës së tyre, shoku Çu En Lai dhe shoku Çen Ji zhvilluan bisedime të përzemërta dhe miqësore me Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë shokun Enver Hoxha dhe me Kryetarin e Këshillit të Ministrave shokun Mehmet Shehu, mbi forcimin dhe zhvillimin e pandërprerë të miqësisë, të unitetit dhe të marrëdhënieve të ndihmës reciproke e të bashkëpunimit midis dy partive dhe dy vendeve, si dhe për çështjet kryesore të gjendjes ndërkombëtare e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare të kohës së sotme. Bisedimet u karakterizuan nga uniteti i plotë i pikëpamjeve dhe i qëndrimeve për të gjitha çështjet e diskutuara. Në këto bisedime morën pjesë: Nga pala shqiptare: Adil Çarçani, ministër i Minierave dhe Gjeologjisë, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë; Beqir Balluku, zëvendëskryetar i parë i Këshillit të Ministrave, ministër i Mbrojtjes Popullore, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, president i Këshillit Qendror të Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë; Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sekretar i Komitetit Qendror; Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sekretar i Komitetit Qendror; Ramiz Alia, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sekretar i Komitetit Qendror; Rita Marko, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë; Behar Shtylla, ministër i Punëve të Jashtme, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë; Nesti Nase, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë. Nga pala kineze: Çen Ji, zëvendëskryetar i Këshillit të Shtetit, ministër i Punëve të Jashtme, anëtar i Byrosë Politike të Komunitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze; Kuan Juan, zëvendëskryetar i Kabinetit për marrëdhëniet me botën e jashtme pranë Këshillit të Shtetit, kandidat i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze; Huan Çen, zëvendësministër i Punëve të Jashtme; Tun Shio Pun, ministër asistent i Punëve të Jashtme; Lo Shi Gao, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës Popullore të Kinës në Republikën Popullore të Shqipërisë. Gjatë bisedimeve të dyja palët vunë në dukje me kënaqësi të madhe marrëdhëniet vëllazërore të miqësisë, të ndihmës reciproke dhe bashkëpunimit që ekzistojnë midis dy partive, dy qeverive dhe dy vendeve, të cilat janë forcuar e zhvilluar çdo ditë e më tepër në luftën kundër imperializmit dhe për mbrojtjen e paqes botërore, në luftën kundër kolonializmit dhe neokolonializmit, dhe për mbështetjen e lëvizjes nacional-çlirimtare, në luftën kundër revizionizmit modern dhe për mbrojtjen e pastërtisë së marksizëm-leninizmit, si dhe në luftën për çështjen e përbashkët të revolucionit socialist e të ndërtimit të socializmit. Miqësia e madhe dhe uniteti luftarak midis dy partive dhe dy vendeve mbështeten mbi marksizëm-leninizmin dhe internacionalizmin proletar, ato ndërtohen mbi parimet që rregullojnë marrëdhëniet midis partive motra dhe vendeve vëllezër dhe që janë përcaktuar në Deklaratat e partive komuniste e punëtore të viteve 1957 dhe 1960. Forcimi i miqësisë midis Shqipërisë dhe Kinës u përgjigjet interesave themelore te popujve të tyre, interesave të të gjithë kampit socialist e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare dhe është një kontribut në çështjen e madhe të popujve të botës që luftojnë për paqen botërore, për çlirimin kombëtar, për demokracinë dhe për socializmin. Të dyja palët shprehin vendosmërinë për të vazhduar përpjekjet e tyre për forcimin e miqësisë e të unitetit midis dy partive, dy qeverive dhe dy vendeve dhe për të ecur përpara, krah për krah, në luftën e tyre të përbashkët, duke inkurajuar shoqi-shoqin dhe duke i dhënë gjithmonë njëri-tjetrit ndihmë dhe përkrahje reciproke.
    Çu En Lai përshëndet Hoxhën dhe Shehun
    Kryetari i Këshillit të Shtetit të RP të Kinës, zëvendëskryetar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, shoku Çu En Lai, u dërgoi këtë telegram përshëndetjeje shokëve Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nga bordi i aeroplanit me të cilin udhëtoi për në Tunizi:
    I dashur shoku Enver, i dashur shoku Mehmet Shehu,
    Duke u larguar nga kufiri shtetëror i Shqipërisë motër aleate, shoku Çen Ji dhe unë ju shprehim edhe një herë falënderimet tona të përzemërta. Përshëndetjet e zjarrta dhe pritjet e përzemërta që na bëtë gjatë vizitës, janë dëshmi të gjalla të miqësisë së ngushtë luftarake në mes popullit kinez dhe popullit shqiptar. Unë jam i bindur se me anën e kësaj vizite dhe të bisedimeve që u zhvilluan mes nesh, do të forcohen me siguri edhe më shumë miqësia dhe uniteti mes dy partive, dy vendeve dhe dy popujve të Kinës dhe të Shqipërisë, në bazën e marksizëm-leninizmit dhe të internacionalizmit proletar. I uroj popullit shqiptar që, nën udhëheqjen e Partisë së Punës të Shqipërisë me shokun Enver Hoxha në krye, të arrijë vazhdimisht fitore të reja në çështjen e ndërtimit të socializmit, në luftën kundër imperializmit, reaksionarëve të ndryshëm dhe revizionimit modern dhe në luftën për mbrojtjen e paqes në Evropë e në gjithë botën. Të rrojë miqësia luftarake dhe uniteti i madh në mes popullit kinez dhe popullit shqiptar! Tani me të vërtetë po largohemi nga vendi juaj heroik, me një emocion të madh po ju lëmë lamtumirën. Nëntë ditë plot miqësi e gëzim që kaluam këtu do të mbeten përgjithmonë në kujtesën tonë. Ne ju shprehim edhe një herë falënderimet tona të përzemërta për pritjen jashtëzakonisht të sinqertë, miqësore dhe të ngrohtë që na bëtë. Ne erdhëm dhe ju sollëm zemrën e 17 milionë anëtarëve të Partisë Komuniste Kineze dhe të popullit kinez prej 650 milionësh. Tani po largohemi duke marrë me vete frymën e madhe revolucionare dhe vullnetin e vendosur dhe luftarak të popullit shqiptar, sihariqet mbi fitoret e reja që arrin vazhdimisht populli shqiptar në çështjen e ndërtimit të socializmit, si dhe miqësinë jashtëzakonisht të lartë të internacionalizmit proletar. Të gjitha këto do të frymëzojnë së tepërmi komunistët kinezë dhe popullin kinez. Lamtumirë, shokë të dashur Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe shokë të tjerë udhëheqës shqiptarë! Unë jam i bindur se populli shqiptar, nën udhëheqjen e urtë të Partisë së Punës të Shqipërisë me shokun Enver Hoxha në krye, do të vazhdojë të ecë me siguri përpara nga fitorja në fitore edhe më të mëdha.

    Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i Popullit” më datë 10 janar 1964
    Titulli është redaksional

  3. #163
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Krizë buke në Shqipëri pas prishjes me rusët, vjen gruri nga Kina

    Gazeta raporton për protestat pro Enverit pas ndarjes me Rusinë. Krizë ekonomike në vend. Nis ndarja e tollonave. Gati ndihma kineze

    Paul Underwood

    BEOGRAD – Komunistët shqiptarë vazhduan edhe sot denoncimet e tyre të dhunshme ndaj kryetarit të Partisë Komuniste Sovjetike, Nikita Hrushov, gjatë protestave të tyre të bëra në mbështetje të pushtetit të gjeneral Enver Hoxhës, kryetar i Partisë Komuniste.
    Burime jugosllave thonë se Beogradi nuk ka konfirmuar informacionet në Europën Perëndimore për trazira brenda vendit të ashpër malor. Gjithashtu, zyrat diplomatike raportojnë se nuk ka të dhëna të ndonjë rritjeje të zemërimit në Tiranë, kryeqytet i vendit. Megjithatë, vëzhguesit komentuan se njëfarë tensioni do të jetë i pashmangshëm në drejtimin e pushtetit në këto momente, ku u bë thirrje për mbështetje popullore. Në mënyrë të qartë, një gjë e tillë duke u rritur në mënyrë energjike. Radio Tirana raportoi sot një varg të gjatë protestash dhe rezolutash pro Enver Hoxhës dhe kundër Hrushovit, të bëra nga grupe të bashkimeve tregtare dhe organizatave qytetare në zona të ndryshme të vendit.
    Duket mbështetja popullore
    Ka të dhëna se pushteti është duke marrë një mbështetje të vërtetë popullore përsa i përket konfliktit të tij për doktrinat komuniste me Kremlinin. Burime diplomatike thonë se informacionet nga Tirana kishin theksuar shenjat e një vetëdije popullore në protestat e fundit. I tillë reaksion pritej të ishte i natyrshëm për shqiptarët, një popull ky tradicionalisht krenar, luftëdashës, dyshues dhe armiqësor nga të huajt. Vëzhguesit këtu ishin plot dyshime, pavarësisht shqetësimeve të shpallura të Tiranës zyrtare, se zoti Hrushov do të përpiqet të rrëzojë forcërisht pushtetin e Enver Hoxhës. Një përpjekje e dështuar do të jetë humbje e prestigjit të Moskës.
    Në anën tjetër, një lëvizje e tillë do të jetë e panevojshme nëse Bashkimi Sovjetik dhe Kina komuniste arrijnë në një lloj marrëveshje për konfliktin më të madh të tyre, siç Beogradi beson se ata do ta bëjnë një gjë të tillë. Presioni i koordinuar i të dyjave do të jetë i mjaftueshëm të ndryshojë gjendjen në Tiranë pa treguar forcë ose përmbysje të pushtetit.
    Rikthehen ushqimet me racion
    Megjithatë, burimet e Beogradit priren të besojnë informacionet se masat e racionimit të ushqimeve duhet të jenë vendosur në Shqipëri. Megjithëse pushteti është duke e përdorur krizën si një justifikim për testimet jopopullore, ata besojnë gjithashtu se ishte e nevojshme në çdo mënyrë për shkak të vështirësive ekonomike të vendit. Tregtia dhe ndihma ekonomike që më parë vinin në Shqipëri nga Bashkimi Sovjetik dhe Europa Lindore, janë ndërprerë qëkur nisi konflikti. Kina komuniste ka qenë e detyruar të ndërrojë destinacionin e drithërave që i nevojiteshin për popullsinë e saj që të furnizojë shqiptarët, dhe burimet kanë informuar se ndodhet një sasi tepër e pakët bulmetrash dhe vaji në tregun e Tiranës. Gjithashtu, vendet e bllokut sovjetik kanë njoftuan se do të tërheqin të gjithë personelin e tyre të ndihmës teknike nga Shqipëria, duke ndërprerë punën në një numër projektesh industriale dhe minerale që ndodhen në ndërtim e sipër në të gjithë vendin.


    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 11 nëntor 1961
    Titulli i gazetës është redaksional. Titulli origjinal është: “Tirana continues to score Moscow”

  4. #164
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Ultimatumi i Shqipërisë ndaj Rusisë: “Nikita Hrushov, tradhtar i ndërgjegjes”

    “Zëri i popullit” publikon deklaratën kundër politikës së ndjekur nga Bashkimi Sovjetik. Refuzimi i ftesës së bërë nga Kremlini për të marrë pjesë në bisedimet dypalëshe

    , të rishikojë me kurajë pozitat e saj dhe të kthehet përsëri në rrugën e marksizëm-leninizmit e të internacionalizmit proletar, të dënojë qëndrimet e veta shoviniste e veprimet armiqësore ndaj partive motra e vendeve socialiste vëllezër dhe të rivendosë marrëdhëniet e miqësisë e të solidaritetit proletar me to. Madje, edhe pas Kongresit të 22-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, kur Nikita Hrushovi u vërsul me sulmet publike më të ulta dhe me shpifjet më të përbindshme kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe udhëheqjes së saj, partia jonë i është drejtuar udhëheqjes së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që të rishikojë pozitën e saj dhe të rikthehet në rrugë të drejtë. “Partia e Punës e Shqipërisë, në fjalimin e mbajtur më 7 nëntor 1961 në mbledhjen solemne kushtuar 20-vjetorit të themelimit të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe 44-vjetorit të Revolucionit të madh socialist të Tetorit, me ndërgjegje të qetë e të pastër i bën thirrje Komitetit Qendror të ri që zgjodhi Kongresi i 22-të që, me drejtësi leniniste, me objektivitet e gjakftohtësi, jo në mënyrë të njëanshme, të gjykojë mbi gjendjen e krijuar në marrëdhëniet midis dy partive e dy vendeve tona. Partia jonë ka qenë kurdoherë e gatshme, për hir të unitetit të lëvizjes komuniste e të kampit socialist, të interesave të vendeve tona, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ekzistuese. Por ajo gjithnjë ka qenë dhe është e mendimit që këto çështje të zgjidhen drejt dhe vetëm në rrugë marksiste-leniniste, në kushtet e barazisë dhe jo të presioneve e të diktimit. Ne kemi shpresë e bindje në drejtësinë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”, - tha shoku Enver Hoxha. Edhe në prill të vitit 1963, partia jonë, në një artikull të botuar në organin e Komitetit Qendror “Zëri i popullit”, theksonte: “Në qoftë se Nikita Hrushovi është për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe forcimin e unitetit, këtë duhet ta tregojë me vepra, të ndërmarrë hapa reale e jo fiktive, të heqë të gjitha pengesat që ai ka krijuar në marrëdhëniet midis dy partive të dy vendeve tona. Ashtu siç guxoi të sulmojë në mënyrë shpifëse, të ndërhyjë në punët e brendshme dhe të kryejë veprime armiqësore kundër partisë e vendit tonë, ashtu ai duhet të marrë edhe guximin t’i dënojë botërisht këto qëndrime e veprime antimarksiste dhe të kthehet në respektimin rigoroz të normave internacionaliste të marrëdhënieve midis partive komuniste e punëtore e midis vendeve socialiste. Ne do të mirëpresim çdo hap të sinqertë në këtë drejtim”. Mirëpo, grupi i Nikita Hrushovit jo vetëm nuk ia vuri veshin zërit të arsyes dhe i përbuzi këshillat shoqërore të partisë sonë, e të partive të tjera motra, por vazhdoi me një këmbëngulje akoma më të madhe kursin e tij të tradhtisë, shtoi sulmet dhe veprimet armiqësore kundër partisë sonë, Partisë Komuniste Kineze dhe partive të tjera motra, kundër marksizëm-leninizmit, kundër unitetit të kampit socialist e të lëvizjes komuniste. Ngjarjet dhe faktet kanë provuar në mënyrë të pakundërshtueshme se Nikita Hrushovi është një tradhtar e armik i ndërgjegjshëm dhe i vendosur të ecë deri në fund në rrugën e tij kundërrevolucionare. Vendimi i fundit për të thirrur arbitrarisht dhe në mënyrë të paligjshme një mbledhje të veçantë të partive që ecin pas gjurmëve të tij, është një komplot i ri i madh që flet qartë se grupi i Nikita Hrushovit është përçarësi më i madh që ka njohur historia e lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Në këtë komplot të ri antikomunist, që do të sanksionojë përçarjen e plotë e të hapur të kampit socialist e të lëvizjes komuniste, Nikita Hrushovi përpiqet të tërheqë sa më shumë parti. Lidhur me këtë, ai u ka dërguar të gjitha partive, ndërmjet tyre edhe partisë sonë, një letër me anë të së cilës njofton se ai ka vendosur të thërrasë më 15 dhjetor të këtij viti mbledhjen e komisionit të redaktimit dhe nga mesi i vitit të ardhshëm mbledhjen ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore. Në letër partia jonë ftohet të dërgojë në Moskë delegacionin e saj për të marrë pjesë në punimet e komisionit të redaktimit dhe të njoftojë sa më parë përbërjen e delegacionit. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, duke marrë parasysh se grupi i Nikita Hrushovit ka tradhtuar përfundimisht, në mënyrë të pandreqshme, çështjen e marksizëm-leninizmit e të socializmit dhe se të gjitha përpjekjet e shpresat për ta sjellë atë në rrugë të drejtë kanë dështuar plotësisht, ka vendosur të mos i përgjigjet letrës së tij të 30 korrikut 1964. Me grupin renegat të Nikita Hrushovit, Partia e Punës e Shqipërisë nuk ka të bëjë më. Me këtë rast dhe në këto kushte, Partia e Punës e Shqipërisë vendosi t’ju drejtohet me këtë letër të hapur juve, anëtarëve të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, pionerëve të kauzës së madhe të komunizmit, për të cilët ne kemi patur dhe kemi një respekt e dashuri të thellë. Në këtë letër, ne duam t’ju themi juve, me emër të hapur e me sinqeritet vëllazëror, atë të vërtetë që Nikita Hrushovi jua ka fshehur për vite me radhë. Ai ju ka mashtruar dhe po ju mashtron. Ai ju ka mohuar juve çdo të drejtë të njiheni me materialet e partive të tjera marksiste-leniniste. Partia e Punës e Shqipërisë ju drejtohet juve, sepse ajo mendon se në këtë situatë përgjegjësia dhe roli juaj janë historike. Ju përket juve të thoni fjalën tuaj. Ne te ju kemi besim. Në Bashkimin Sovjetik askush tjetër përveç jush nuk mundet të ndalojë kursin revizionist të Nikita Hrushovit. Ju jeni forca e vetme që mund ta shpëtoni Bashkimin Sovjetik, atdheun e Tetorit të madh, dhe Partinë e lavdishme të bolshevikëve nga qorrsokaku ku e ka futur Nikita Hrushovi, të mbroni marksizëm-leninizmin, nderin dhe dinjitetin e Bashkimit Sovjetik, të ngrini lart flamurin revolucionar të partisë suaj, të cilin Nikita Hrushovi e ka njollosur me turp. Grupi i Nikita Hrushovit po bën një zhurmë të madhe rreth së ashtuquajturës mbledhje ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore. Ai po mundohet t’ju mbushë mendjen juve dhe të gjithë komunistëve të botës se kjo qenka një mbledhje e domosdoshme, se ajo gjoja do t’i shërbeka zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe forcimit të unitetit të kampit socialist e të lëvizjes komuniste. Ky është një mashtrim i madh, një bllof, një manovër e rrezikshme. Në të vërtetë, kjo mbledhje, si nga rrethanat në të cilat po thirret e nga mënyra se si po përgatitet ashtu edhe platforma politike e saj, nuk i shërben aspak çështjes së unitetit marksist-leninist. Ajo ka për qëllim të minojë unitetin, të përçajë përfundimisht lëvizjen komuniste, të forcojë luftën kundër marksizëm-leninizmit, duke i bërë kështu shërbimin më të madh borgjezisë imperialiste. Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë deklaron se Partia e Punës së Shqipërisë shprehet me vendosmëri kundër mbledhjes përçarëse të revizionistëve modernë dhe e dënon kategorikisht këtë komplot të ri të klikës hrushoviane.

  5. #165
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Fjalimi i Hoxhës në “Times”: “Si dështuan dy misionet anti-Shqipëri të Hrushovit”

    Gazeta amerikane publikon fjalimin denoncues të Enverit kundër Bashkimit Sovjetik. Ndëshkim me ndërprerje të kredive, tërheqje të ekspertëve dhe heqjen e bursave

    Harry Schwartz

    Drejtuesit më të lartë komunistë të Shqipërisë akuzojnë se kryetari i Partisë së Bashkimit Sovjetik denoncoi Shqipërinë në Moskë gjatë muajit të kaluar sepse udhëheqësi rus kishte dështuar dy herë në qëllimin e tij gjatë vitit 1960 që të imponojë pikëpamjet e tij në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Akuza ishte bërë nga gjenerali i Ushtrisë, Enver Hoxha, njëkohësisht Sekretari i Parë i Partisë së Punës (Komuniste) në një fjalim të mbajtur në fillimin e këtij muaji në Tiranë. Një përmbledhje zyrtare e fjalimit tashmë është bërë publik. Gjeneral Hoxha tha se Hrushovi dështoi që ta çojë (çështjen shqiptare, - shën red.) në takimet e Internacionales Komuniste në Bukuresht, në takimin e mbajtur në qershor 1960 dhe në Moskë në nëntorin e po atij viti. Fjalimi i gjeneral Hoxhës nxirrte në pah se shqiptarët janë besnikë dhe se kanë shumë mbështetës në të gjitha partitë komuniste të botës. Udhëheqësi shqiptar tha se 34 parti komuniste nga 81 të tilla që u përfaqësuan në Kongresin e 22-të të Partisë së Bashkimi Sovjetik, nuk u pajtuan me sulmin e Hrushovit ndaj Shqipërisë. Ai tha se nga udhëheqësit sovjetikë që morën pjesë në Kongres, vetëm 80 nga 88 veta dolën hapur kundër Shqipërisë.
    Presioni rus
    Gjeneral Hoxha e paraqiti këtë situatë si skemë taktike të presionit. Ai tha se Bashkimi Sovjetik është duke u përpjekur që t’u imponojë shqiptarëve kërkesat e tij: "Në sferën ekonomike, të gjitha kreditë e dhëna nga Bashkimi i Republikave Sovjetik për vendin tonë për planin 5-vjeçar janë ndërprerë me qëllimin e vetëm, sabotimin e planit ekonomik të vendit tonë. Pa asnjë arsye, të gjithë specialistët rusë që po punojnë në Shqipëri, të cilët plotësonin nevojat tona ekonomike, janë larguar në një mënyrë të njëanshme, megjithëse ne u kishim kërkuar atyre zyrtarisht që të qëndronin. "Për shkak të kërkesave për pagimin e kredive të vjetra ne nisëm që këtë vit, megjithëse sipas dokumenteve ekzistuese, ato duhej të fillonim pas vitit 1970. Pala sovjetike ka ndërprerë përfundimit marrëdhëniet tregtare”.
    Tërheqja e studentëve ”Të gjithë studentëve shqiptarë, civilë dhe ushtarakë që studionin në Bashkimin e Republikave Sovjetike, u ishin hequr të drejtat e studimeve të tyre dhe më tej, presioni ekonomik ishte shoqëruar me masa të rrepta në sferën ushtarake. Enver Hoxha akuzoi Kryetarin e Partisë Komuniste Sovjetike Nikita Hrushov, se ofroi azil politik në vitin 1957 për Panajot Plakun, të cilin ai e kishte shpallur tradhtar të vendit dhe një agjent spiunazhi jugosllav për një kohë të gjatë”.
    Gjeneral Hoxha nuk kurseu në denoncimin e tij as A. Suslov, Sekretarin e Parë të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ai tha se në muajt prill dhe maj të vitit 1956, zoti Suslov u përpoq të bindë shqiptarët për të rehabilituar figurën e Koçi Xoxes, një ish-udhëheqës shqiptar, i ekzekutuar rreth 10 vjet më parë për preferencat e tij pro-titiste. “Vetëm një asamble ndërkombëtare e partive komuniste është kompetente të gjykojë në tërësi nëse komunistët shqiptarë e kanë drejt ose gabim”, - tha gjeneral Hoxha. “Por Zoti Hrushov ka frikë të thërrasë një asamble të tillë, - tha ai, - sepse ai ishte i bindur se nuk do të arrijë qëllimin e tij që të ndëshkojë Partinë tonë të Punës (Komuniste)”.
    Arsyeja e takimeve Që ta mbështesë këtë, udhëheqësi komunist shqiptar jep këtë përmbledhje që u paraqit në takimet e partive komuniste internacionale në Moskë dhe Bukuresht: “Mënyra e përdorur nga Sekretari i Parë i Partisë Komuniste Sovjetike që të sulmojë partinë tonë në mënyrë të njëanshme, është e njohur nga lëvizjet punëtore dhe komuniste në rang ndërkombëtar. Kjo metodë është përdorur njësoj edhe në Bukuresht, ku përmes akuzave të njëanshme dhe të gabuara ai u përpoq të përulë partitë marksiste-komuniste dhe përmes një prononcimi të shpejtë, të mirëstudiuar, kërkoi kompromisin e përfaqësuesve të partive simotra. Por, pavarësisht nga kjo, me gjithë përpjekjet e tij, ai nuk i arriti qëllimet.
    “Përkundrazi, zoti Hrushov ishte detyruar të pranojë rezultatet e takimit të Moskës të vitit 1960, tek të cilat korrigjohen diskutimet që kishin synim t’i transferonin ato (tek lëvizja komuniste ndërkombëtare) dhe në mënyrë të qartë, nxori publikisht se pikëpamjet e tij nuk gjenin mbështetjen entuziaste në radhët e pjesëmarrësve”.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 19 nëntor 1961
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Enver Hoxha says that party resisted Russian”

  6. #166
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Shqipëria denoncon Hrushovin: ”Ja pse po i mbledh partitë komuniste”

    “Zëri Popullit” analizon situatën. “Pse nuk marrim pjesë në takim”. Qëllimi i Hrushovit për të përjashtuar partitë kundërshtare

    Së pari, Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë është i bindur se, në kushtet dhe në rrethanat e sotme, kur në lëvizjen komuniste ndërkombëtare ekzistojnë divergjenca të thella për çështje themelore e strategjike midis marksist-leninistëve dhe revizionistëve, rreth të cilave zhvillohet tani një polemikë e madhe, thirrja me rrëmbim e mbledhjes së partive komuniste e punëtore nuk është në dobi të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe të forcimit të unitetit mbi baza të shëndosha marksiste-leniniste, nuk është aspak rruga më efektive për forcimin e kompaktësisë së lëvizjes komuniste, por përkundrazi është rruga drejt minimit të plotë të saj. Me pikëpamjet dhe veprimet e tyre revizionistët modernë i kanë thelluar e ashpërsuar gjithnjë e më shumë divergjencat ekzistuese, e kanë minuar përherë e më tepër unitetin, janë futur gjithnjë e më thellë në llumin e tradhtisë e të përçarjes. Me të gjitha këto ata e kanë bërë edhe më të vështirë thirrjen e mbledhjes ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore, e kanë shtyrë edhe më larg atë. Tani duhet një punë më e madhe dhe një kohë më e gjatë për të përgatitur kushtet e nevojshme për thirrjen e mbledhjes që do t’i shërbente me të vërtetë unitetit marksist-leninist të kampit socialist e të lëvizjes komuniste. Së dyti, Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë deklaron se mbledhja që po thirret tani me iniciativën e grupit të Nikita Hrushovit është një mbledhje krejt arbitrare dhe e paligjshme, meqenëse janë shkelur brutalisht normat e parimet e sanksionuara në Deklaratën e Moskës të vitit 1960, që rregullojnë marrëdhëniet midis partive. Askush nuk ka të drejtë të thërrasë mbledhjen e përgjithshme të partive komuniste e punëtore sipas qejfit të vet, pa u konsultuar me partitë e tjera dhe pa marrë më parë pëlqimin e tyre. Ne deklarojmë publikisht se asnjë konsultim paraprak nuk është bërë për këtë çështje me Partinë e Punës të Shqipërisë. Nikita Hrushovi, krejt arbitrarisht, ka vendosur që parimin e sanksionuar në mbledhjen e Moskës të vitit 1960, të arritjes së pikëpamjeve unike me anën e konsultimeve të barabarta e shoqërore, të zëvendësojë me parimin e nënshtrimit të pakicës ndaj shumicës. Partia e Punës e Shqipërisë është shprehur dhe shprehet kundër parimit të tillë sepse kjo është një shkelje flagrante e barazisë dhe e pavarësisë së partive motra është një orvatje për t’u imponuar të tjerëve vullnetin e së ashtuquajturës shumicë. Por edhe në qoftë se flasim për shumicën, shumica e vërtetë reale dhe jo e rreme e fiktive, nuk është aspak në anën e revizionistëve. Kundër thirrjes së mbledhjes komuniste ndërkombëtare, në kushtet dhe në rrethanat e sotme, janë shprehur në mënyrë krejt të përcaktuar një numër i konsiderueshëm partish motra që kanë në radhët e tyre rreth gjysmën e komunistëve të mbarë botës, pa llogaritur këtu një armatë të tërë komunistësh revolucionarë që bëjnë pjesë në partitë e vendeve të tjera, ku udhëheqjet kanë shkarë në pozita revizioniste dhe që gjithashtu dënojnë veprimet përçarëse e tradhtare të Nikita Hrushovit. Së treti, Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë deklaron se grupi i Nikita Hrushovit, duke organizuar në mënyrë të ngutshme, arbitrare dhe të paligjshme të ashtuquajturën mbledhje ndërkombëtare, në fakt ai përpiqet të organizojë një mbledhje fraksionistësh. Kjo duket qartë edhe nga letra e 30 korrikut e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik ku thuhet: “Sipas mendimit tonë komisioni duhet të fillojë punën edhe në qoftë se ndonjëra nga të 26 partitë komuniste nuk do t’i dërgojë përfaqësuesit e saj në afatin e caktuar”. Dhe më poshtë, letra vazhdon: “Refuzimi i kësaj ose asaj partie nga puna kolektive nuk mund të shërbejë si arsye për shtyrje të reja në çështjen e realizimit të masave që kanë si qëllim përpunimin e rrugëve e të metodave të forcimit të unitetit internacionalist të marksist-leninistëve të gjithë botës”. Pra, është e qartë se Nikita Hrushovi ka vendosur të thërrasë mbledhjen edhe pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumë partive, të cilat qysh më parë janë shprehur kundër mbledhjes ndërkombëtare në kushtet dhe në rrethanat e sotme. Kjo do të thotë se mbledhja që po thirret tani do të jetë një mbledhje vetëm e udhëheqësve të disa partive, dhe kryesisht e atyre që ndjekin pas Nikita Hrushovin, do të jetë një mbledhje revizionistësh. Edhe vetëm ky fakt hedh poshtë gjithë demagogjinë e Nikita Hrushovit për gjoja unitet e kompaktësi dhe zbulon sheshit synimet e tij antimarksiste e përçarëse. Tani po bëhet e qartë për të gjithë së grupi i Nikita Hrushovit duke thirrur me ngut të ashtuquajturën mbledhje ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore, synon të arrijë dy objektiva kryesore: nga njëra anë, të intensifikojë luftën kundër marksizëm-leninizmit, të dënojë disa vende socialiste e disa parti komuniste dhe t’i përjashtojë ato nga kampi socialist e lëvizja komuniste; dhe nga ana tjetër të forcojë radhët e frontit revizionist, t’i nënshtrojë gjithë revizionistët ndaj diktatit të tij, t’u imponojë atyre një kartë të re duke u lidhur duar e këmbë. Arritja e këtyre objektivave është vendimtare për fatet e grupit revizionist të Nikita Hrushovit, i cili gjendet përpara vështirësish shumë serioze. Lufta parimore dhe e vendosur e partive marksiste-leniniste dhe e komunistëve revolucionarë në botë jo vetëm u çori maskën revizionistëve hrushovianë dhe po shkatërron planet e tyre armiqësore, por ka krijuar në gjirin e vetë revizionistëve modernë situata të rënda. Midis tyre kanë lindur kontradikta të theksuara, të cilat shprehin qartë sidomos në tendencat për të kundërshtuar hegjemoninë dhe paternalizmin e grupit të Nikita Hrushovit. Në këto kushte për revizionistët hrushovianë nuk mbetet rrugë tjetër: ata duhet të çojnë deri në fund përçarjen me marksistë-leninistët, sado formale qoftë ajo. Këto plane që Nikita Hrushovi synon të arrijë me mbledhjen që po përgatit, kanë ndeshur në pengesa të mëdha, jo vetëm nga partitë marksiste-leniniste, që i kanë të qarta qëllimet tradhtare të Nikita Hrushovit në dëm të komunizmit dhe të kampit socialist, por edhe nga disa aleatë të tij revizionistë. Në radhë të parë duhet thënë se disa nga kundërshtarët revizionistë të mbledhjes së propozuar nga Hrushovi në dëm të komunizmit dhe të kampit socialist, por edhe nga disa aleatë të tij revizionistë. Kundërshtimi i tyre për mbajtjen e mbledhjes ndërkombëtare nuk frymëzohet nga preukupacioni për unitetin e lëvizjes komuniste dhe të kampit socialist, por nga qëllimi që përçarjen e plotë dhe luftën kundër marksizëm-leninizmit ta bëjnë me metoda të ndryshme nga ato të Nikita Hrushovit, më efikase, sipas tyre, me më pak pasoja të rrezikshme për ta, duke i zgjatur jetën vetes me anë të krijimit të iluzioneve false rreth pozitës së tyre etj. Veç kësaj, kundërshtimi i tyre frymëzohet nga që nuk duan t’i vënë vetes zinxhirë në duar, duan të fitojnë pavarësinë nga klika hrushoviane, të jenë të lirë të lidhen drejtpërdrejt me socialdemokracinë apo me borgjezinë imperialiste, si dhe kur të duan. Manovrat që po bëjnë tani Nikita Hrushovi dhe pasuesit e tij, taktikat që ata po përdorin nuk mund të fshehin qëllimet antimarksiste të revizionistëve modernë, armiqësinë e tyre ndaj marksizëm-leninizmit. Ata nuk do të mund të mashtrojnë askënd. E bëjnë apo nuk e bëjnë mbledhjen revizioniste, e bëjnë tani apo më vonë, asgjë nuk ndryshon. Marksistë-leninistët e vërtetë do ta forcojnë edhe më shumë luftën e tyre parimore për demaskimin e revizionizmit hrushovian dhe të të gjithë revizionistëve modernë, luftë e cila do të sjellë disfatën dhe shkatërrimin e plotë të këtyre armiqve të rrezikshëm të komunizmit.

    Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 6 tetor 1964
    Titulli është redaksional

  7. #167
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Rusët largohen nga Tirana, kërkojnë largimin e ambasadës shqiptare nga Moska

    Thellohet përçarja mes Shqipërisë dhe BS-së. Priten marrëdhëniet diplomatike. Luftë mediatike mes dy vendeve. Shtohet konflikti mes Pekinit dhe Moskës

    Seymour Topping

    MOSKË – Burime shqiptare raportuan sot se Bashkimi Sovjetik ka tërhequr misionin e tij diplomatik nga Shqipëria dhe ka kërkuar mbylljen e ambasadës së Tiranës zyrtare në Moskë. Lëvizja thelloi ndarjen brenda bllokut komunist. Shqipëria është mbështetur nga Kina komuniste në ndarjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik. Informacioni rreth lëvizjes ruse, e cila ka mbërritur e plotë nga burime shqiptare, tregon se Moska ka ndërprerë për një kohë të shkurtër marrëdhëniet diplomatike me qeverinë e Tiranës. Një zyrtar i ambasadës shqiptare këtu (në Moskë, - shën. red.) thotë se tërheqja ka nisur disa ditë më parë me nismën ruse. Ai po komentonte një njoftim të lajmëruar këtë mëngjes nga agjencia shtetërore telegrafike shqiptare, ATSH.
    Tërhiqet ndihma tregtare
    Agjencia qeveritare thotë se Bashkimi Sovjetik ka tërhequr stafin e ambasadës së tij dhe zyrën tregtare në Tiranë dhe ka kërkuar tërheqjen e stafit të ambasadës shqiptare në Moskë. “Kërkesat ruse vijnë në serinë e disa letrave zyrtare të dërguara për qeverinë shqiptare që nga data 25 nëntor dhe deri dje”, - njofton ATSH-ja. Moska nuk komentoi qëndrimin shqiptar dhe nuk dha asnjë të dhënë as radioja shtetërore ruse.
    Megjithatë, TASS-i, agjencia shtetërore e lajmeve, publikoi mbrëmë në mënyrë shumë të përmbledhur padinë ideologjike të Partisë Komuniste Shqiptare, e cila akoma nuk është publikuar nga Moska. Padia ishte përmbledhur në një artikull të shkruar nga Fedor V. Konstantinov, i Akademisë së Shkencave, që merret me çështjet aktuale te “Kommunist”, një gazetar ky i çështjeve teorike në Komitetin Qendor të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
    Shenjat paralajmëruese
    Përmbledhja nxirrte përfundimin se këtu ishte interpretuar si një paralajmërim i nënkuptuar për Kinën komuniste, e cila vazhdon të jetë kundra, duke dalë hapur palë me Shqipërinë. Pasi shpallte sërish doktrinën e bllokut komunist se “rreziku kryesor” te lëvizja është përfaqësuar nga stili jugosllav i revizionizmit, artikulli deklaronte: “Gjithashtu është e nevojshme të luftohet kundër dogmës, e cila mund të bëhet rreziku kryesor te disa parti. Për Partinë e Punës së Shqipërisë, dogmatizmi i udhëheqësve të saj në të vërtetë është bërë rreziku kryesor sot”. Në të kaluarën, Partia Komuniste ka përdorur termin “dogmatizëm” në denoncimin e ideologjisë së Pekinit dhe Tiranës.
    Etiketimet e Moskës për t’i quajtur si “dogmatistë” ato vende komuniste që refuzojnë të pranojnë strategjinë e “bashkekzistencës paqësore” të kryetarit të Partisë Komuniste Nikita Hrushov, janë mënyra më e mirë për të arritur te komunizmi botëror. Në kongresin e fundit të Partisë Komuniste Sovjetike, kryetari i Partisë Komuniste të Kinës, Çu En Lai, mbrojti Shqipërinë nga sulmi i Nikita Hrushovit. Udhëheqësi rus kishte akuzuar gjeneralin Enver Hoxha, kryetarin e Partisë Komuniste Shqiptare, se po praktikon “kultin e individit” stalinist dhe po shmanget nga politika e jashtme e bllokut. Kryetari Çu En Lai ia ktheu: “Zoti Hrushov nuk ka të drejtë të ndëshkojë publikisht secilin anëtar të bllokut pa bërë më parë konsultime privatisht”. Pekini përkrahu Shqipërinë edhe duke publikuar në shtypin e tij deklaratat antisovjetike të gjeneral Hoxhës dhe të partisë së tij.
    Protestat për konfliktin
    Artikulli i “Kommunist” nxirrte në shesh se ka patur ngjarje të mëparshme të rebelimit që ishin ndërmarrë nga udhëheqësit shqiptarë në drejtim të Moskës. Artikulli thotë se, “Shqipëria kishte shprehur pakënaqësinë se nuk ishte duke marrë ndihmën e mjaftueshme ekonomike nga blloku sovjetik”. Pas deklarimit se ajo kishte marrë qindra milionë rubla nga vendet komuniste në këto 15 vitet e fundit, në “grante dhe kredi”, artikulli theksonte: “Thelbi i çështjes është se udhëheqësit shqiptarë nisën të bënin kërkesa të tepruara nga Bashkimi i Republikave Sovjetike dhe shtetet e tjera të bllokut, gjë që solli dhunimin e parimeve të reciprocitetit”. Artikulli vazhdon: “Mendjengushtësia dhe egoizmi i Hoxhës dhe Mehmet Shehut (kryeministër i vendit, - shën. red.) realisht gjetën shprehje në fyerjen e tyre ndaj ndihmës së ofruar nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste për te vendet në zhvillim, Azi dhe Afrikë. Ky qëndrim i atribuohej Shqipërisë dhe paralelisht pozicionimit të ndërmarrë nga Pekini në drejtim të ndihmës sovjetike te shtetet jokomuniste të Azisë. Ndonëse Moska ka zgjeruar në shkallë të gjerë asistencën drejt Indisë, Kina komuniste ka qenë e paaftë të marrë prej saj përfitime pasi Rusia është vend i përshtatshëm që të ndihmojë në lehtësimin e plagëve ekonomike. Ekonomia kineze është dëmtuar rëndë nga disfatat me përmasa katastrofike në bujqësi.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 11 dhjetor 1961
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Rusia tërheq misionin e saj në Shqipëri pas ndarjes së thellë”

  8. #168
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Akuza e Enver Hoxhës: “Hrushovi bëri atë që s’e bënë nazistët”

    Gazeta “Zëri i popullit” publikon letrën që PPSH-ja i dërgoi Kremlinit zyrtar. Si ndryshoi politika e Nikita Hrushovit dhe mbështetësit e tij në Shqipëri

    Partia e Punës e Shqipërisë ka qenë dhe është për mbledhjen ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore. Por ajo ka qenë dhe është për një mbledhje që do t’i shërbente unitetit të vërtetë të lëvizjes komuniste mbi bazën e marksizëm-leninizmit dhe të internacionalizmit proletar, mbi bazën e parimeve revolucionare të Deklaratave të Moskës të viteve 1957 e 1960. Ajo ka qenë dhe është me vendosmëri kundër çdo mbledhjeje që do të sanksiononte përçarjen e hapur ose që do të krijonte një unitet të rremë mbi baza antimarksiste revizioniste. Partia e Punës e Shqipërisë ka deklaruar edhe më parë dhe e përsërit edhe tani se për të përgatitur një mbledhje të unitetit marksist-leninist të lëvizjes komuniste është e domosdoshme të merret parasysh gjendja e sotme në lëvizjen komuniste, ndryshimet që janë bërë dhe proceset që janë zhvilluar në të qysh nga mbledhja e vitit 1960 dhe, në përshtatje me këto rrethana e kushte, të përcaktohen masat dhe hapat që duhen ndërmarrë për të arritur në një mbledhje ndërkombëtare që do të shprehte me të vërtetë mendimin dhe vullnetin e të gjithë komunistëve të botës dhe do t’i shërbente arritjes dhe forcimit të atij uniteti luftarak për të cilin lëvizja jonë ka sot nevojë më tepër se kurrë. Baza e vetme e unitetit të vërtetë të kampit socialist e të lëvizjes komuniste është marksizëm-leninizmi dhe internacionalizmi proletar. Asnjë bashkim nuk mund të bëhet mbi bazën e revizionizmit, asnjë bashkim nuk mund të ketë midis marksistëve dhe revizionistëve që kanë tradhtuar çështjen e marksizëm-leninizmit dhe të internacionalizmit proletar. Plani i Nikita Hrushovit për bashkimin e lëvizjes komuniste mbi bazën e revizionizmit është plani i përçarjes dhe është i destinuar të dështojë me turp. Gjithashtu, çdo orvatje, çdo shpresë, çdo iluzion për të gjetur një platformë të ndërmjetme të kënaqshme për të gjithë që të bashkojë si marksistët ashtu edhe revizionistët është e kotë dhe pengon çështjen e arritjes së unitetit të vërtetë parimor të lëvizjes komuniste, që është i vetmi unitet i mundshëm. Qëllimet tradhtare që përpiqet të arrijë grupi i Nikita Hrushovit me mbledhjen e tanishme nuk janë aspak të rastit. Drejt këtyre objektivave kanë synuar kurdoherë përpjekjet e revizionistëve hrushovianë. Ata e filluan përçarjen me përhapjen e kursit të tyre revizionist. Ata e thelluan përçarjen me veprimet e tyre antimarksiste e antisocialiste dhe ata po e çojnë tani përçarjen deri në fundin logjik. Por revizionistët nuk duhet të harrojnë se nga mbledhja e tyre separatiste dhe nga masat kolektive që do të marrin ata, qiejt nuk do të përmbysen. Mbledhja e tyre do të jetë e frutshme dhe shumë e favorshme për lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Dita e mbledhjes së revizionistëve do të mbetet në histori si dita e tradhtisë së tyre të plotë e të hapur dhe në të njëjtën kohë si dita që do të shënojë katastrofën e tyre përfundimtare. Lëvizja komuniste revolucionare do të ecë përpara pa revizionistët dhe në luftë kundër revizionistëve dhe në këtë rrugë luftarake do të arrijë me siguri unitetin e saj. Ky do të jetë uniteti i vërtetë marksist-leninist për të cilin luftojnë dhe do të luftojnë me guxim marksistë-leninistët në botë.
    Ja çfarë shkruhet në letër
    Nikita Hrushovi përpiqet t’u mbushë mendjen juve, komunistëve të Bashkimit Sovjetik, popujve sovjetikë dhe të gjithë njerëzve në botë se, me ardhjen e tij në fuqi, nis një epokë e re, një kthesë e madhe historike. Dekada e sundimit të tij paraqitet si dekada e lulëzimit të Bashkimit Sovjetik, si dekada e triumfit të paqes e të bashkekzistencës paqësore, si dekada e lëvizjes komuniste dhe e zhvillimit krijues të komunizmit. Me ardhjen në fuqi të grupit të Nikita Hrushovit fillon me të vërtetë një kthesë historike, por kjo është një kthesë e madhe regresive, kthesa që i hapi dyert oportunizmit dhe revizionizmit, tradhtisë e degjenerimit, minimit të unitetit dhe fillimit të përçarjes në lëvizjen komuniste, afrimit dhe bashkimit me imperializmin e armiqtë e tjerë të popujve dhe të socializmit, sabotimit të revolucionit dhe restaurimit të kapitalizmit. Asnjë njeri dhe asnjë grup tjetër deri sot nuk i ka shkaktuar Bashkimit Sovjetik, kampit socialist, lëvizjes komuniste, çështjes së socializmit e të komunizmit, dëme dhe të këqija kaq të mëdha sa Nikita Hrushovi dhe grupi i tij. Historia e Bashkimit Sovjetik dhe e komunizmit ndërkombëtar nuk njeh renegat më të madh e armik më të tërbuar e më të rrezikshëm se sa grupi revizionist hrushovian. Atë që nuk mundën ta bënin në kohën e tyre imperialistët me intervencionin e armatosur, Trocki, Buharini dhe armiqtë e tjerë të pushtetit sovjetik, atë që nuk mundën të bënin dot fashistët gjermanë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, po përpiqet ta bëjë tani grupi i Nikita Hrushovit. Kush e ka poshtëruar, kush e ka diskredituar, kush e ka sulmuar më rëndë, kush ka shpifur më shumë se Nikita Hrushovi kundër pushtetit sovjetik, kundër rendit socialist sovjetik? Është Nikita Hrushovi ai që i vuri kryq periudhës më të lavdishme të Bashkimit Sovjetik, kur populli sovjetik, nën udhëheqjen e partisë me Stalinin në krye, kapërceu vështirësi kolosale, i bëri ballë me guxim rrethimit të egër kapitalist, shpartalloi kundërrevolucionin, ndërtoi për të parën herë në botë shoqërinë socialiste, korri fitoren e madhe historike në luftën patriotike dhe e shndërroi Bashkimin Sovjetik në një shtet të fuqishëm të zhvilluar e të përparuar socialist, me një autoritet dhe rol të paparë në arenën ndërkombëtare. Ai e paraqiti të gjithë këtë periudhë si periudhën gjatë së cilës në Bashkimin Sovjetik kanë mbretëruar terrori e persekutimet, burgjet e kampet e përqendrimit, shkeljet e ligjshmërisë e të demokracisë, arbitrariteti e despotimi, varfëria dhe uria. Me të gjitha këto Nikita Hrushovi u bëri një shërbim shumë të madh imperialistëve, duke u dhënë armë për të sulmuar e diskredituar Bashkimin Sovjetik. Raporti famëkeq sekret që Nikita Hrushovi mbajti në kongresin e 20-të, si dhe fjalimet e tjera të tij, u bënë ushqimi kryesor, burimi i pashtershëm për të gjithë propagandën më reaksionare antikomuniste e antisovjetike. Kush mund t’i besojë Nikita Hrushovit për shpifjet e tij mbi krimet e Stalinit? A mund t’u zihet besë trillimeve të komisioneve hetimore të krijuara nga Hrushovi, shkrimeve të Axhubejve dhe ditarëve të Solxhenicinëve me shokë? Mos vallë imperializmi dhe agjentët e tij, që e kishin halë në sy Bashkimin Sovjetik dhe që donin ta mbytnin atë që në djep, paskan ndenjur duarkryq dhe s’paskan bërë asgjë kundër tij? Dikur vetë Nikita Hrushovi më 1938 pati thënë: “Jakirët, balickët, ljupçenkët, zatnoskët dhe maskarenjtë e tjerë donin të sillnin në Ukrainë panët polonezë, donin të binin këtu fashistët gjermanë, çifligarët dhe kapitalistët... Ne kemi shfarosur shumë armiq, por akoma jo të gjithë. Prandaj duhet t’i mbajmë sytë hapur. Ne duhet të kemi gjithmonë në mendje fjalët e shokut Stalin se gjersa ekziston rrethimi kapitalist, në vendin tonë do të dërgohen spiunë dhe diversantë. Po ky Hrushov, një vit më parë, më 1937, thoshte: “Partia jonë do të shtypë pa mëshirë bandën e tradhtarëve, do të fshijë nga faqja e dheut gjithë kërmën trokciste të djathtë. Garanci për këtë është udhëheqja e patundur e Komitetit tonë Qendror, udhëheqja e patundur e udhëheqësit tonë, shokut Stalin...Ne do t’i shfarosim gjer në fund armiqtë, nga i pari gjer tek i fundit dhe do ta shpërndajmë hirin e tyre në erë”. Por në vend që të fshinte nga faqja e dheut kërmën trokciste, të shfaroste të gjithë armiqtë e të hidhte në erë hirin e tyre, renegati Hrushov dogji trupin e Stalinit, hodhi në erë hirin e tij, të këtij mbrojtësi dhe udhëheqësi të madh të fitoreve historike të Bashkimit Sovjetik, rehabilitoi nga i pari tek i fundit të gjithë kundërrevolucionarët, i shpalli ata viktima të Stalinit dhe vendosi t’u ngrejë atyre përmendore. Se ç’viktima janë këto që merr në mbrojtje Nikita Hrushovi, ne shqiptarët e dimë fort mirë nga eksperienca jonë. Ndërsa udhëheqësit e partisë e të shtetit shqiptar, që kanë udhëhequr popullin në luftën e madhe të çlirimit e të ndërtimit të socializmit, Nikita Hrushovi i ka quajtur agjentë të imperializmit të shitur për 30 aspra, vrasës e terroristë, armiqtë e partisë e të popullit tonë si K. Xoxe, P. Plaku, T. Sejko, L. Gega, i ka marrë hapur në mbrojtje duke i quajtur komunistë të vërtetë revolucionarë, internacionalistë, patriotë e viktima të pafajshme.

    Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më 6 tetor 1964
    Titulli është redaksional

  9. #169
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Vrasja e gjermano-perëndimorit në Murin e Berlinit dhe tensionet me Perëndimin

    Gazeta tregon operacionet e ndihmës së Forcave Aleate në ndihmë të refugjatëve. Si u la të vdesë 18-vjeçari pa i dhënë ndihmën në murin që ndante dy botët

    David Binder

    Ushtria aleate dhe personeli i ambulancave mjekësore kanë qenë të urdhëruar të mos lëvizin për të dhënë ndihmën në radhët civilëve të plagosur prej hapjes së zjarrit nga rojat e armatosura komuniste në Murin që ndan Berlinin Lindor me atë Perëndimor. Siç informojnë burimet e Shteteve të Bashkuara, ata ishin vendosur këtu sot, pas një përpjekjeje të pasuksesshme gjatë ditës së djeshme për të dërguar një ambulanca ushtarake britanike brenda Berlinit Lindor, që të ndihmojë një të ri gjermano-perëndimor, që ishte qëlluar nga rojat e armatosura gjermano-lindore.
    Vrasja e 18-vjeçarit
    Burimet thonë se personeli i ambulancës së forcave aleate është vendosur në pikën e kryqëzimit Friedrichstrasse që më 21 gusht dhe ishte udhëzuar që të “bëjë negociata me palën tjetër” që të kalojë matanë dhe të ndihmojë refugjatët që ndodheshin përtej murit. Urdhrat i udhëzonin ata të ktheheshin në stacionet e tyre nëse gjermano-lindorët refuzonin që të kalonin. Kjo është ajo që ndodhi dje në Berlin. Incidenti tregoi testin e parë të skemës së ambulancës së forcave aleate qëkur kjo ishte njoftuar shtatë javë më parë prej komandave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë dhe Francës. Ambulancat e ndihmës ishin dërguar në kryqëzimin e Friedrichtstrasse pasi 18-vjeçari Peter Fechter ishte qëlluar nga rojat gjermano-lindorë të kufirit më 17 gusht dhe e lanë t’i rridhte gjaku derisa vdiq atje pas murit. Incidenti provokoi protesta në Berlinin Perëndimor, të cilët sulmuan automjetet ushtarake ruse si dhe ato që mbanin ushtarët brenda zonës Perëndimit, që shkonin për të bërë detyra të ndryshme.
    Përpjekje për marrëveshje
    Sot diplomatët që ndodheshin këtu po çuditeshin nëse plani i ambulancës mund të jetë lënë qëkur gjermano-lindorët, me sa duket, kishin vendosur të mos lejonin automjete brenda pjesës së qytetit të tyre. Është thënë se aksioni duhet nisur me autoritetet e ushtrisë perëndimore përpara se të qëllohej Fechter. Ndjesia e tyre, pas incidenteve të tjera të ngjashme, të ndodhura edhe më parë, ishte se ata “nuk do të qëndronin në vend-numëro”, për të lejuar kalimin e refugjatëve pa u përpjekur që t’i ndihmojmë. Propozimi i tyre për ambulancat ishte dhënë nga Uashingtoni, i cili ishte diskutuar për shumë javë. Pastaj, vrasja e të riut Fechter shkaktoi nxitjen për vendosjen e saj. Një oficer i lartë ushtarak zbuloi ekzistencën e një skeme tjetër, që drejtohej nga një ushtar amerikan i paarmatosur, i cili do të shkonte të shpëtonte një refugjat, duke inskenuar një rrethanë të ngjashme. Burimet zyrtare thonë se ky urdhër ishte firmosur në fillimin e pranverës së këtij viti, por në mënyrë të qartë ai nuk ishte marrë parasysh. Burimet e këtushme citojnë se aksioni britanik në dërgimin dhe tërheqjen e ambulancës dje u përshtat plotësisht me marrëveshjet e aleatëve rreth ndihmës për refugjatët në ndodheshin në Gjermaninë Lindore.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 7 tetor 1962
    Titulli është redaksional. Titulli origjinal është “Perëndimi kufizon veprimet e tij”

  10. #170
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464
    Akuzat e Nexhmije Hoxhës ndaj Hrushovit në mbledhjen e Frontit të Gruas

    Gazeta publikon fjalimin e bashkëshortes së Enverit, të marrë nga “Europa e lirë”

    VJENË – Zëri i zonjës Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enver Hoxhës, kryetar i Partisë Komuniste Shqiptare, i është bashkuar goditjeve të Tiranës zyrtare ndaj revizionizmit të Moskës. Kjo deklaratë u bë këtë javë, me rastin e 20-vjetorit të Bashkimit të Grave të Shqipërisë, në të cilën zonja Hoxha është anëtare e Presidiumit. Bashkëshorti i saj Enver Hoxha dhe kryeministri Mehmet Shehu ishin në radhën e personave që po ndiqnin takimin. Në qendër të fjalës së zonjës Hoxha, e cila është transkriptuar nga Radio Europa e Lirë, ishte se partitë komuniste të “vërteta” janë duke luftuar kundër dy “armiqve të egër”. Ajo i përshkroi ata si “imperialistë” dhe “revizionistë modernë” të “bashkuar në një front të përbashkët” dhe të kryesuar nga Hrushovi, Kenedi, Titoja dhe të tjerë. Më pas ajo shtoi: “Tradhtari Hrushov bëri një sërë marrëveshjesh të pabesa, koncesionesh të turpshme dhe kapitullimesh. Ai nuk hezitoi të marrë nëpër këmbë sovranitetin e Kubës dhe të nisë pazarin me presidentin Kenedi në shitjen e Kubës, siç ka bërë me Titon, që t’i shitet Shqipëria.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 6 nëntor 1963
    Titulli është redaksional


    Ndëshkohet Liri Belishova, akuzohet për komplot me Hrushovin

    Gazeta tregon historinë e ndëshkimit të ish-partizanes, e cila pati të njëjtën akuzë me Koçi Xoxen

    VJENË – Shqipëria ka akuzuar kryetarin e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, se po komploton me një grua komuniste shqiptare, e larguar nga radhët e partisë tre vjet më parë, që të përmbysin pushtetin e Enver Hoxhës. Akuza ishte bërë nga gazeta partiake shqiptare “Zëri i popullit” në një artikull kushtuar 15-vjetorit të Kongresit të Parë të Partisë. Gazeta, e cituar nga Radio Tirana, identifikon si komplotiste të pretenduar, 40-vjeçaren Liri Belishova, heroinë partizane në kohën e luftës dhe anëtare e Byrosë Politike. Ajo ishte përjashtuar nga Byroja dhe Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë në shtator të vitit 1960 për “gabime të rënda”. Zonjusha Belishova është akuzuar për konspiracion kundër udhëheqjes partiake, - një akuzë që e çoi në proces gjyqësor dhe në zbatimin e tij në të shkuarën. Gjatë Kongresit të Parë të Partisë Komuniste, në vitin 1948, një tjetër udhëheqës shqiptar, ish-ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, ishte akuzuar për komplot me presidentin e Jugosllavisë, Josif Broz Tito dhe më pas ishte ekzekutuar.

    Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 10 nëntor 1963
    Titulli është redaksional

Faqja 17 prej 27 FillimFillim ... 71516171819 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Dosja e krimit politik në Kosovë
    Nga kosovar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 295
    Postimi i Fundit: 09-10-2012, 15:05
  2. Historia ndryshe
    Nga karaburuni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 43
    Postimi i Fundit: 01-07-2005, 09:53
  3. NjËdimensionalitetin E QytetËrimit PerËndimor
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 02-02-2005, 17:02
  4. Liria e shtypit shqiptar
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-05-2003, 06:14
  5. Abaz Ermenji
    Nga Eni në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 14:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •