Tre qëllimet e Hrushovit gjatë vizitës në Tiranë
Gazeta amerikane komenton udhëtimin e presidentit rus në Shqipëri. Spekulimet e mediave të huaja për një takim të liderëve komunistë
Paul Underwood
BUDAPEST – Vizita surprizë e presidentit Nikita S. Hrushov në Shqipërinë e ashpër shikohet nga kjo pjesë e botës gjithnjë e më tepër si një përpjekje për një lojë politike të trefishtë. Në radhë të parë, me Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Gjenevës, një lloj qendre e vdekur tashmë, ku në mënyrë të dukshme zoti Hrushov dëshiroi t’i jepte asaj një goditje, si dhe vizita e tij misterioze i siguroi atij një audiencë të mirë. Në të njëjtën kohë, ai e përdori Shqipërinë si një tabelë qitjeje për t’i dhënë mundësinë që t’i lëshonte Italisë dhe Greqisë një paralajmërim më të efekshëm për të penguar vendosjen e bazave të raketave të Shteteve të Bashkuara në territorin e tyre. Gjithashtu, vizita i dha regjimit komunist të Enver Hoxhës në Tiranë një përkrahje psikologjike tepër të nevojshme për momentin.
Spekulimet e një vizite
Spekulimi perëndimor se një takim i udhëheqësve të të gjitha vendeve komuniste mund të jetë duke u bërë në Tiranë, nuk është marrë shumë seriozisht në Europën Juglindore, pavarësisht pranisë në Shqipëri të Otto Grotewohl, president i Gjermanisë Lindore. Gjithashtu është minimizuar fakti se në Tiranë mbërriti edhe mareshalli Peng Tehuai, ministri i Mbrojtjes së Kinës komuniste. Megjithatë, disa burime jugosllave sugjerojnë se vizita e mareshallit Peng dhe e mareshallit Rodion Y. Malinovski, ministër i Mbrojtjes i Bashkimit Sovjetik, i cili është duke shoqëruar zotin Hrushov, ka gjasa të japë një mundësi të rivendosjes së pozicionit strategjik të Shqipërisë. Pavarësisht rezultateve, vizita vetëm sa u përqendrua në vëmendjen e botës rreth vendit më të fundit të njohur të Europës. Gjeografikisht, vendi i tyre i frikshëm dhe fakti se ai nuk ndodhet në një aks gjëkundi, i ka mënjanuar shqiptarët e izoluar për shumë shekuj. Si një popull që jeton në një vend kryesisht malor, ata janë të dyshimtë për të huajt. Regjimi i Enver Hoxhës është përpjekur të kanalizojë këtë ndjesi kundër Perëndimit, si dhe ka inkurajuar miqësinë me rusët. Studentë dhe ekspertë shqiptarë, të trajnuar në Bashkimin Sovjetik, janë në një numër shumë të lartë, krahasuar me pak veta që janë trajnuar në Perëndim, të cilët kanë qenë në gjendje që të hyjnë në vend gjatë viteve të fundit.
Shqipëria, një vend i ashpër, me male të frikshme dhe bregdet moçalor me malarje, ka një popullsi rreth 1.4 milionë banorë. Një racë trimash malësorë, njerëzit e quajnë veten e tyre “shqiptarë” ose “bijtë e shqiponjës”. Ata besojnë se janë pasuesit e ilirëve antikë që kanë populluar bregdetin dalmat në kohët e Romës. Rreth 70 për qind e tyre janë muhamedanë dhe pjesa që mbetet katolikë romanë dhe ortodoksë.
Vendi është shumë i prapambetur krahasuar me standardet perëndimore. Gjakmarrjet midis fiseve vazhdojnë deri në ditët e sotme, pavarësisht qëllimeve të pushtetit komunist që ta parandalojë atë. Këtu ka të dhëna se ky zakon vazhdon të ndiqet akoma në zonat malore.
E vetmja hekurudhë shkon nga Porti i Durrësit drejt Tiranës dhe ishte një dhuratë nga komunistët jugosllavë në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Më pak se 10 për qind e sipërfaqes së vendit është e punueshme dhe 90 për qind e popullsisë nuk ka mjete dhe mundësi jetese si ferma. Nafta, bakri dhe kromi janë prodhuar, por të dhënat për to nuk janë bërë të ditura. Pjesa më e madhe e eksporteve shkon në Bashkimin Sovjetik.
Shqiptarët, “viktima” të një historie të vështirë, ishin sunduar për shumë shekuj nga turqit dhe e fituan autonominë vetëm në vitin 1912 dhe pavarësinë e plotë në vitin 1915. Republika e ngritur në vitin 1925 ishte shndërruar tre vjet më vonë në monarkinë e Mbretit Zog. Në vitin 1939, mbreti ishte përzënë jashtë vendit nga forcat fashiste të Musolinit, të cilët e mbajtën Shqipërinë të pushtuar deri në kapitullimin italian në Luftën e Dytë Botërore.
Ndikimi i Titos
Partizanët jugosllavë të mareshallit Tito organizuan njësitë e rezistencës në Shqipëri dhe në fundin e luftës vendi ishte më tepër një satelit i Beogradit sesa i Moskës. Por frika e dominimit jugosllav ka qenë një faktor në politikën shqiptare që në vitin 1912.
Kjo është një arsye për të patur frikë për jugosllavët, përfshirë varësinë e mjerueshme të vendit te ndihmat e jashtme, të cilat e kanë detyruar regjimin e Tiranës të lidhet me Bashkimin Sovjetik. Rusët kanë ndërtuar një rafineri nafte dhe një hidrocentral me fuqi 20 mijë kilovolt; të dy këta janë objekte të paguara nga shitja e kromit, bakrit dhe produkteve të tjera të naftës. Gjithashtu, ato kanë furnizuar vendin me pajisje për rreth 40 ndërmarrje industriale, përfshirë një rafineri sheqeri, fabrikën e peshkut dhe të tekstileve dhe manifaturat e kompensatës.
Në anën tjetër, zoti Hoxha dhe kryeministri i vendit, Mehmet Shehu, janë ndër më të besuarit dhe të mbështeturit e Kremlinit në Europën Juglindore, si përkrahësit më të zellshëm të çdo lëvizjeje të rusëve.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 31 maj 1959
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Shqipëria, në qendër të vëmendjes prej vizitës së Hrushovit”
Krijoni Kontakt