Shqipëria shtrin duart drejt Bashkimit Sovjetik
Pa ndihmën e BS-së, plani pesëvjeçar nuk do të realizohej. Çfarë shkruan gazeta “Bashkimi” e datës 5 nëntor 1951
Gazeta “Bashkimi” e datës 5 nëntor 1951 shkruan për ndihmën e pazëvendësueshme të aleatëve rusë. Në raportin mbi direktivat e planit pesëvjeçar, shoku Enver Hoxha analizoi konditat mbi të cilat ne mbështetemi për hartimin e planit që do të përforcojë akoma më shumë themelet e socializmit në vendin tonë. Midis këtyre konditave shoku Enver përmendi rezultatet tona të deritanishme pasuritë e mëdha të atdheut tonë, pushtetin tonë popullor, udhëheqjen e Partisë sonë. Por, mbi të gjitha shoku Enver përmendi që: “Vendi ynë ka një tjetër konditë, populli ynë ka Bashkimin Sovjetik, Partinë Bolshevike dhe Stalinin e Madh, mësimet dhe eksperiencën e tyre të pakufishme...”. Konkluzioni logjik që nxjerr shoku Enver ka plotësisht vlerën e një parimi shkencor. Realiteti ynë e fakton këtë. Ne u çliruam në sajë të Bashkimit Sovjetik. Roli i Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore qe faktori vendimtar më i rëndësishëm për ndryshimet revolucionare që u bënë në vendin tonë. Kur masim sukseset që kemi arritur në këto 10 vjet të shkëlqyera nën udhëheqjen e Partisë dhe me ndihmën e Bashkimit Sovjetik konstatojmë me kënaqësinë më të madhe se kemi ecur me hap të shpejtë, por të sigurt. Pothuaj nga hiçi kemi hedhur sot bazat e një industrie të përpunuar. Fshati ynë po shkon me shpejtësi nga shekulli i parmendës së drurit në shekullin e traktorit dhe kombajnës. Në qoftë se do të mund të përmendeshin terma luftarake, mund të themi se po zhvillojmë një ofensivë të fuqishme injorancës, analfabetizmit dhe prapambetjes. Vitet e mbas çlirimit kanë qenë një dëshmi e gjallë e forcës dhe miqësisë sonë me vendin e sovjetëve, e vitalitetit të lidhjeve tona vëllazërore me çlirimtarin, mbrojtësin dhe përkrahësin tonë të madh. Populli ynë kishte nevojë për bukë, për veshmbathje, për makineri që të ngrinte industrinë e tij. Ai kishte nevojë për ndihmë materiale, morale e teknike. Të gjitha na i siguroi Bashkimi Sovjetik.
Krahasimi me grekët, që zgjodhën Amerikën
Edhe populli grek i prapambetur ishte, si populli ynë, i shkatërruar nga lufta si ne, kish nevojë për shumë gjëra, por në vend të bukës imperialistët amerikanë i kanë dërguar barut. Ne po ndërtojmë një fabrikë të madhe duhani, por në Greqi industria e duhanit po likuidohet nga zotërimet e amerikanëve. Greqia kishte nevojë të rimëkëmbte vendin, por amerikano-anglezët shkaktuan gërmadha të reja. Shqipëria dhe Greqia paraqesin shembujt e gjallë të dy botëve: të botës që lind me ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe të botës që mbytet gjithnjë më shumë në kaos si pasojë e punës varr-gërmonjëse të imperializmit amerikan. Sot ne jetojmë në një shekull ku siç thotë Molotovi, të gjitha rrugët të shpien në komunizëm. Ne kemi bërë deri tani një etapë të vështirë por të lavdishme. Plani pesëvjeçar është pikënisja për një etapë të re në këtë rrugë. Ne e çmojmë ndihmën e mbrojtjen e Bashkimit Sovjetik me vlerën e fitoreve që kemi arritur dhe të perspektivave që na janë hapur. Në çdo hap përpara që ne bëjmë, ndihma e Bashkimit Sovjetik na bëhet më e ndjeshme, më e nevojshme, më vitale dhe jo vetëm kaq. Për popullin tonë është krejt e natyrshme që të ketë ndihmën dhe përkrahjen e Bashkimit Sovjetik. Ai nuk mund ta kuptojë ndryshe ekzistencën e tij., zhvillimin e tij, përparimin e tij, veçse duke u mbështetur mbi këtë ndihmë.
Planet e Bashkimi Sovjetik për ne
“Asnjë vend në botë që ndërton jetën e tij të re dhe të lirë dhe veçanërisht asnjë demokraci popullore, sikundër që është vendi ynë që ndërton themelet e socializmit, nuk mund të ketë jetë dhe të lulëzojë pa ndihmën morale, politike dhe materiale të Bashkimit Sovjetik”, - u shpreh Enver Hoxha. Nga kjo del përfundimi i logjikshëm se vetëm me përkrahjen e gjithanshme të Bashkimit Sovjetik ne kemi mundur të nisim punën për planin tonë pesëvjeçar. Makineritë e uzinave, fabrikave dhe instalimeve të tjera industriale do të na vijnë nga Bashkimi Sovjetik. Vendi i sovjetëve do na dërgojë traktorë, plehra kimike, materiale të tjera për zhvillimin dhe mekanizmin e bujqësisë. Marrëveshja e nënshkruar në Moskë në shkurt 1951 parashikon që t’i furnizohen Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik, me kredi pajisje industriale nga 1951 deri më 1955-n, d.m.th. për 5-vjeçarin. Në direktivat e planit theksohet gjithashtu ndihma e Bashkimit Sovjetik për zhvillimin e minierave, transportit etj. Për rritjen e mëtejshme të prodhimit të serës do të vihet në funksionim furra e shkrirjes së bitumit të Selenicës. Do të ndërtohet fabrika e spastrimit të bakrit. Rafineria e re e naftës që do të ndërtohet gjatë pesëvjeçarit do të jetë nga më modernet. Këtë rafineri do të na e dërgojë Bashkimi Sovjetik. Me ndihmën e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të demokracisë popullore gjatë pesëvjeçarit industria, transportet do të zhvillohen më tepër. Janë në përfundim e sipër kombinati i drurit Elbasan, fabrika e orizit Vlorë. Gjatë planit pesëvjeçar do të ngrihet një fabrikë për shkrirjen e hekurit dhe çelikut, një fabrikë çimentoje në Vlorë si dhe fabrika të tjera. Me ndihmën e madhe të akorduar nga Bashkimi Sovjetik gjatë viteve 1951-1955 do të ngrihen hidrocentrale të rinj. Në qytetin Stalin do të vendosen turbinat dhe lokomobilët me një kapacitet prej 12.000 kilovat, do të ngrihet centrali i rafinerisë së naftës etj. Traktorët dhe vegla të tjera bujqësore, si dhe farëra të seleksionuara do të sillen nga Bashkimi Sovjetik për zhvillimin dhe modernizimin e bujqësisë. Ne i përmendim të gjitha këto në kohën kur kanë përfunduar veprat e para madhështore, hidrocentrali “Lenin”, kombinati i tekstilit “Stalin” dhe fabrika e sheqerit “8 Nëntori” në Maliq. Kur shohim këto vepra e ndiejmë akoma më mirë se zhvillimi i marrëdhënieve të tilla me Bashkimin Sovjetik përbën një shembull të gjallë të vënies në jetë të parimit të shkëlqyer Stalinian të barazisë në të drejta midis popujve të mëdhenj ose të vegjël, të bashkëpunimit miqësor dhe ndihmës reciproke midis tyre. Bashkimi Sovjetik nga vetë esenca e tij, nga karakteri i politikës Staliniane, zhvillon me demokracitë popullore marrëdhënie vetëm në një drejtim; në drejtimin që t’i ndihmojë këto vende të ndërtojnë jetën e re, socializmin, që të mbrojnë akoma më fuqimisht paqen. Në këtë drejtim dhe këtë synim kanë edhe marrëdhëniet tona me vendin e sovjetëve. Kështu shpjegohet që Shqipëria sot është bërë një kantier i madh ndërtimi, në një shkollë të madhe ku edukohen dhe kaliten njerëzit tanë të rinj. Shumë vepra kanë mbaruar. Shumë të tjera janë të ndërtuara me skela. Nëpër të tjera do të hidhen së shpejti themelet. Punonjësit e vendeve kapitaliste konstatojnë çdo ditë se të famshmet ndihma të planit Mareshal nuk janë gjë tjetër veçse topa, automatikë, kuti me mish të prishur ose aty këtu ndonjë makineri të skaduar me kohë. Krejt ndryshe nga kjo punonjësit e hidrocentralit Lenin konstatojnë që makineritë e ardhura nga Bashkimi Sovjetik mbajnë datën e prodhimit 1951, se ato janë krijimet e fundit e fundit të shkencës dhe teknikës. Me makineri të tillë s’ka dyshim se do të arrihen plotësisht objektivat që cakton plani pesë-vjeçar. Krahas me ndihmat materiale nga Bashkimi Sovjetik populli ynë ka siguruar mësimet dhe eksperiencën e paçmueshme si dhe ndihmën teknike të domosdoshme për të kryer veprat e planit tonë madhështor. Eksperienca sovjetike është bërë për punonjësit tonë një udhëheqje e fuqishme në punë. Metodat Kulkov, zinxhir, çekanka, prerje e shpejtë e metalit etj. i kanë dhënë një hov të ri punës ndërtimore dhe prodhuese tek ne. Metodat sovjetike të përparuara të industrisë së naftës të punimit të drurit, të shfrytëzimit të mineral, si dhe metodat e njohura sovjetike të sektorit të ndërtimit, përbëjnë ndihmën më të madhe në zbatimin praktik të planit të parë pesë-vjeçar të shtetit. Eksperienca e realizimit të planeve tona ekonomike të shtetit e ka vënë në dukje më tepër forcën e madhe të metodave të përparuara të Bashkimit Sovjetik. Zbatimi i eksperiencës sovjetike nuk kufizohet vetëm me përhapjen e metodave sovjetike. Të punosh në bazë të eksperiencës sovjetike do të thotë të punosh sipas stilit të njerëzve sovjetikë, të mësosh prej tyre për të mbajtur një qëndrim socialist karshi punës të edukosh me shembullin e tyre për të mos u ndaluar përpara asnjë pengese ose vështirësie.
Ekspertët
Teknikët dhe inxhinierët sovjetikë që punojnë në vendin tonë janë një model i shkëlqyer për çdo punëtor teknik, ose drejtonjës tonin. Ne nuk mund veçse të falënderojmë nga zemra njerëzit sovjetikë dhe vendin e madh të socializmit, për të gjitha këto mundësi që i japin popullit tonë, që të përfitojë nga eksperienca dhe mësimet e tyre shumë të çmueshme. Fakti që ne mbështesim hartimin e planit pesëvjeçar në ndihmat e Bashkimit Sovjetik përbën një garanci të shëndoshë për realizimin e këtij plani. Ndihma dhe përkrahja e gjithanshme e Bashkimit Sovjetik i ka frymëzuar dhe i frymëzon punonjësit tanë që janë të palodhur në kryerjen e detyrave të planit. Kjo ndihmë të ngjall entuziazëm në punë, të jep forca dhe besim në rrugën e ndritur ku e udhëheq vendin tonë Partia dhe ku e ndihmon Bashkimi Sovjetik dhe shoku i madh Stalin. Në luftën për realizimin e planit pesëvjeçar, ta çmosh drejt ndihmën e Bashkimit Sovjetik do të thotë të mobilohen për ta përdorur si duhet këtë ndihmë që është boshti kryesor që e shpie vendin tonë përpara. Në eksperiencën tonë të këtyre 10 vjetëve të fundit, në vetë realitetin tonë të mrekullueshëm, ndihmat e bashkimit sovjetik janë përjetësuar në veprat madhështore që kemi ngritur dhe po ngremë. Kështu do të jetë dhe në të ardhmen. Është një fat i madh për vendin dhe popullin tonë që ka në krye të Partinë e tij heroike të Punës dhe shokun Enver që i kanë siguruar miqësinë mbrojtjen dhe përkrahjen e parezervuar të Bashkimit Sovjetik dhe shokut të dashur Stalin. Emrat e Bashkimit Sovjetik, të Partisë Bolshevike dhe Stalinit të Madh për popullin tonë duan të thonë fitore kurdoherë fitore.
Box
Letra e Enver Hoxhës: “Duam këshilltarë dhe ndihma
Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë ka nderin t’i drejtojë Qeverisë së Bashkimit Sovjetik sa më poshtë:
Me anën e dy shkresave tona të mëparshme, njëra e shkruar në dhjetor të vitit 1949 dhe tjetra në muajin janar të vitit 1950, i jemi lutur Qeverisë sovjetike që të na ndihmonte për të përballuar nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore të Shqipërisë në veshmbathje, armatim, municion, mjete transporti dhe ndërlidhjeje si dhe për të dërguar te ne, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme disa këshilltarë. Deri më sot, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje në lidhje me kërkesat tona të parashikuara. Edhe një herë tjetër i lutemi Qeverisë sovjetike që të ketë mirësinë të na vijë në ndihmë për të përballuar nevojat e Ministrisë së Brendshme të Republikës sonë. Pasi i kemi revizionuar kërkesat e parashikuara me anë të shkresave të dërguara në muajin dhjetor 1949 dhe janar 1950, kërkesat tona të sotme për të plotësuar nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme paraqiten si më poshtë:
1- Këshilltarë
= Këshilltarë për kundërinformacion në Sigurimin e Shtetit 1
= Këshilltar për hetuesi në Sigurimin e Shtetit 1
= Këshilltar për ekonomi dhe për organizatat kundërrevolucionare në Sigurimin e Shtetit 1
= Këshilltar për shërbimin e sigurimit të Udhëheqjes 1
= Këshilltar për kriminalistikën 1
= Këshilltar për zbulim e vërtetim në Sigurimin e Shtetit 1
= Këshilltar për kufirin 1
= Këshilltar për Shkollën e Policisë (Sigurimit) 1
Gjithsej këshilltarë 8
Këta këshilltarë na nevojiten për të paktën për një kohë prej dy vjetësh.
2- Armatim
= Fishekë automatiku gjerman kalibri 9 mm copë 3.000.000
= Fishekë automatiku parashutist k. 7.92 mm copë 3.000.000
= Karikatorë automatiku gjerman kalibri 9 mm copë 7.000
= Karikatorë automatiku parashutist k.7.92 mm copë 6.000
3- Veshmbathje
= Komplete veshje dimërore për oficerët e Sigurimit 800
= Komplete veshje verore për oficerët e Sigurimit 800
= Komplete veshje dimërore për oficerët e Policisë 600
= Komplete veshje verore për oficerët e Policisë 600
= Komplete veshje dimërore për oficerët e Kufirit 300
= Komplete veshje verore për oficerët e kufirit 300
= Komplete veshje dimërore për n/oficerë 4500
= Komplete veshje verore për n/oficerë 4500
= Komplete veshje dimërore për ushtarë 9000
= Komplete veshje verore për ushtarë 9000
= Çizme për oficerë 1700
= Këpucë me gozhdë për n/oficerë dhe ushtarë 13500
4- Transport
= Automobila “Gaz” tip 67 copë 30
= Automobila ngarkese 1 e 1/2 ton copë 50
= Motoçikleta dyvendëshe copë 20
5- Ndërlidhje
= Radiostacione marrëse-dhënëse Tor Fb-1 copë 25
= Motorë për ngarkim baterish copë 25
= Radrizatorë për ngarkim akumulatorësh copë 25
= Akumulatorë plumbi 6 volt 90 AO copë 100
= Akumulatorë tip 2B 38 gjerman copë 200
= Akumulatorë gjermanë 2-4 volt, 36 amper copë 400
I lutemi Qeverisë sovjetike që, po pati mundësi, këtë material, në rast se do të na e akordojë, të na e dërgojë sa më parë dhe të parashikojë se materiali i veshmbathjes të mund të sigurohet edhe për vitet e ardhshme, mbasi ne nuk kemi mundësi ta sigurojmë gjetkë këtë material. Me shpresë se kërkesa jonë do të merret parasysh, më lejoni që t’u shpreh respektin më të thellë dhe më të sinqertë në emër të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe timin personal.
Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë
Enver Hoxha
Krijoni Kontakt