Berisha: Do përgjohen deputetët dhe ministrat
Hyrja në fuqi e ligjit për kufizimin e imunitetit do të shënojë edhe aksesin për përgjim telefonik të deputetëve dhe ministrave.
Adi Shkëmbi
Lajmi është bërë i ditur dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nga vetë Kryeministri Berisha, i cili është shprehur se do të pranojë përgjimin e të gjithë deputetëve dhe ministrave në rastet e hetimeve për korrupsion me kërkesë të organeve të drejtësisë. Kryeministri Berisha e ka argumentuar këtë me luftën ndaj korrupsionit që po ndërmerr qeveria. Miratimi i këtij ligji në Parlament do të thotë që, nëse Prokuroria kërkon të përgjojë një ministër, do t'i mjaftojë vetëm një OK i Kryeministrit Berisha dhe nëse organi i akuzës do të përgjojë deputetë të ndryshëm të Kuvendit, do të duhet vetëm një përgjigje e kryetares së Kuvendit për të nisur procedurat e përgjimit. "Nuk do të pengohet përgjimi i asnjë zyrtari të lartë, kushdo qoftë ai", mësohet të ketë thënë Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme. Kryeministri Sali Berisha ka folur lidhur me fenomenin e përsëritur së fundi pas arrestimit të disa zyrtarëve të tatim-taksave në Lushnjë. Kreu i qeverisë është shprehur se nuk do të bëhet pengesë për asnjë përgjim apo arrestim, edhe sikur në këtë mes të ketë të dyshuar në radhët e ministrave. Kreu i qeverisë, teksa ka folur para deputetëve demokratë është shprehur se, "ne kemi ardhur në pushtet me moton e luftës ndaj korrupsionit dhe lufta ndaj korrupsionit do të fillojë nga Sali Berisha. Nuk duhet të pyesim se kush është zyrtari apo kush e ka propozuar, duhet të goditen të gjithë ata që janë marrë me korrupsion, sepse ne për këtë punë kemi ardhur në pushtet. Unë nuk do të pengoj hetimet dhe përgjimet, edhe nëse të dyshuar do të ketë ndonjë ministër, ia kam bërë të qartë të gjithëve këtë", mësohet të ketë thënë kryeministri në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar. Por ndonëse në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, nuk ka pasur reagime gjatë propozimit të bërë të kreut të qeverisë, mes tyre deputetët kanë shprehur habinë e tyre për këtë nismë të re, e cila duket se nuk ishte parashikuar në variantin fillestar të ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Gjithashtu bëhet e ditur se në ditët e ardhshme deputetë të veçantë do t'i kërkojnë sqarime Kryeministrit Berisha lidhur me përgjimin e tyre, pasi kjo mund të shfrytëzohet edhe për presion ndaj deputetëve që mund të dalin "të pabindur" për ligje apo aksione politike në të ardhmen. Gjithashtu burime nga grupi parlamentar bëjnë të ditur se, megjithëse Kryeministri Berisha ka folur për korrupsionin, dy fenomenet e fundit, ai i arrestimit të dy zyrtarëve të lartë të PDK-së dhe disa funksionarëve të tatim-taksave në Lushnjë, nuk janë prekur për asnjë moment në këtë mbledhje.
Ligji i imunitetit
Në nenin 2 të ligjit për kufizimin e imunitetit "Afati dhe procedurat e fillimit të ndjekjes penale", parashikohet që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, fillimi i ndjekjes penale të përcaktuara në pikën 1 të ligjit, për të cilat është vendosur kufizimi i imunitetit, mund të bëhet jo më herët se 72 orë, pas dërgimit të njoftimit me shkrim kryetarit të Kuvendit dhe deputetit subjekt hetimi, (kur qëllimi i hetimit e lejon) nga Prokurori i Përgjithshëm. Kryetari brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit vë në dijeni dhe i dërgon materialet e çështjes Këshillit të Rregullores, Mandatet e Imunitetit, si dhe deputetit ndaj të cilit fillon ndjekja penale, kur nga njoftimi rezulton shprehimisht se, deputeti nuk është njoftuar sipas pikës 1 të këtij neni, kryetari i Kuvendit vë në dijeni Kuvendin për kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm në seancën më të parë plenare.
Neni 4
Kufizimi i imunitetit sipas nenit 1 të këtij ligji nuk i shtrin efektet mbi masat dhe veprimet procedurale të mëposhtme:
a. masa shtrënguese që shkaktojnë kufizim të
lirisë së lëvizjes
b. kontrollin e personit
c. kontrollin e banesës ose të zyrës së deputetit
d. këqyrjen e personit
e. masën e arrestit
f. dërgimin e çështjes penale për gjykim
Krijoni Kontakt