Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1

    Kosta Dhimgjoka, shqiptari që u përkrah nga mafiozi Gambino

    Kosta Dhimgjoka, shqiptari që u përkrah nga mafiozi Gambino


    VLORË -Eshtë arratisur në moshën 15- vjeçare nga Shqipëria. Që në momentin që ka kapërcyer kufijtë e një diktature të egër dhe ka prekur ëndrrën e shumëkujt - AMERIKËN, fati i ka rezervuar surpriza nga më të çuditshmet; që nga mëkëmbja e një emigranti të ardhur nga një vend i humbur, deri në majat e biznesit dhe vite më pas, miqësinë me Presidentin Bush. Por, mbijetesa dhe integrimi në jetën amerikane kanë lënë gjurmë-hije në jetën e Kosta Dhimgjokës (Sotirion) nga Qeparoi. Një rastësi ose më saktë një gjest njerëzor i këtij të fundit ndaj një emigranti italian, e lidhi për shumë kohë dhe pa dashjen e tij me emrin e gangsterit më të frikshëm të botës, Carlos Gambino. I ardhur në Vlorë për të qenë i pranishëm në një proces gjyqësor për çështje pronësie, Dhimgjoka tregon në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” gjithë historinë e tij, që herë-herë të duket se merr përmasat e një trilli. Shqiptaro-amerikani pohon historinë e tij që zë fill që nga viti 1950 e deri në ditët tona. Ai rrëfen me detaje se cila ishte arsyeja që ai u kthye në një personazh mjaft të diskutuar në mediat amerikane për “lidhjet” me Gambinon. Ndërkohë, Kosta Dhimgjoka flet dhe për biznesin e tij në Amerikë, dëshirën e tij për të investuar në vendlindje. Thotë se do të sjellë luksin amerikan në Qeparo, dhe së bashku me dy djemtë e tij do të ndërtojnë një hotel me 5 yje në këtë zonë të bregdetit.
    Cilat janë rrethanat që ju detyruan të lini vendin tuaj?
    Isha vetëm 15 vjeç kur u arratisa nga fshati. Behet fjalë për vitin 1950. Kalova me not deri në Korfuz. Më pas ishte kushëriri im Qirjako Koka (Teneti), babai i Xhorxh Tenetit që kërkoi të shkoja në Amerikë. Ai do të tregonte kujdes për mua deri sa të futesha në rrjedhat e jetës amerikane. Pasi qëndrova një farë kohe tek xhaxhai im në Athinë, mora rrugën e mundimshme e të dhimbshme drejt ëndrrës së premtuar, Amerikës. Që të sistemohesh atje dhe të mbijetosh, duhet sakrificë e jashtëzakonshme.
    Si nisi jeta e një 15-vjeçari në shoqërinë amerikane?
    Kur mbërrita, si mijëra emigrantë të tjerë që vinin nga shumë shtete të botës, më futën në kampin e pritjes dhe pas një kohe bëhej riatdhesimi. Që të dilje andej dhe të integroheshe në shoqërinë amerikane, duhej një mbështetje, kërkohej një garanci nga të afërm prej 10 mijë dollarë. E vetmja shpresë e imja ishte Qirjako Koka (Teneti), por edhe ai në atë vit e kishte të pamundur të përballonte këtë shumë. Por me fatin nuk luhet dhe as nuk e tjetërson dot. Njohja e rastësishme me një emigrant italian aty, më krijoi hapësirë për të dalë nga kampi, por ama, tërë jetën do të më ndiqte nga pas hija e gangsterit më të rrezikshëm në botë, për të cilin do të shkruanin edhe gazetat amerikane.
    Si ndodhi?
    Në kampin që ndodhej në ishullin AJLER, përballë statujës së Lirisë, qëndrova 6 muaj. Në të vërtetë, atje kushtet ishin si në burg dhe në ditë vinin qindra emigrantë. Ndërsa ditën tjetër, iknin e riatdhesoheshin po kaq sa kishin hyrë një ditë më parë.
    Krejt rastësisht, një ditë shoh një djalë që lante fytyrën e gjakosur në lavaman. Më erdhi keq dhe iu afrova ta ndihmoja. Ishte një djalë trupvogël, por në moshë ishte 25 vjeç. Vinte nga Italia dhe quhej Xhuzepe. Ai më shpjegoi se e rrihnin thuajse çdo ditë, e gjakosnin, vetëm pse ai ishte nipi i gangsterit më të rrezikshëm në botë; italiano-amerikanit Carlos Gambino. Unë isha më i vogël se ai në moshë, por me trup të zhvilluar; kësisoj e mora në mbrojtje dhe përballesha me cilindo që e rrihte, deri në momentin që e larguan dhe e riatdhesuan në Itali.
    Keni pasur pasoja nga kjo njohje, ndonëse ju kryet një gjest njerëzor?
    Absolutisht, është ashtu sikurse shpreheni ju. Unë mora në mbrojtje një të ri që gjakosej çdo ditë dhe që nuk kishte asnjë faj. Ishte hallexhi, sikurse unë dhe nuk kishte asnjë faj, pse vëllai i nënës së tij ishte gangsteri numër një i botës. Ky qëndrim fillimisht m’u shpërblye, duke mundësuar ingranimin tim në shoqërinë amerikane, por ama hija e tij më ndoqi gjatë gjithë jetës.
    Çfarë ndodhi me ju z.Kosta?
    Kur mori vesh Campinjo që unë i kisha dalë në mbrojtje nipit të tij, ai gjeti formën për të shlyer shumën prej 10 mijë dollarësh që më nevojiteshin për të më nxjerrë nga burgu, ku kisha qëndruar 8 muaj e gjysmë. Kësisoj u ingranova, u punësova si roje dhe më pas si kamerier në një restorant që e kish emrin ”Braoklin”. Më vonë e mora nën pronësinë time restorantin dhe këtu nis jeta e re e një emigranti shqiptar drejt një biznesi shumë fitimprurës.
    E ruanit miqësinë me Gambino?
    Po. Jo vetëm kaq, por ai vazhdonte të më përkrahte. Thjesht dhe pse isha përkujdesur për nipin e tij, ai më fali një restorantin ku unë punoja si roje. Pasi e mora veten, formuam Sindikatën 516, që ishte numri i prefiksit Longata; një ishull ku jetonin vetëm 4.620 njerëz. Kjo sindikatë mbronte interesat e punonjësve, të drejtat e tyre, njëherësh edhe të biznesit që kisha ngritur. Unë kisha një fuqi punëtore të madhe, shtetas nga shumë shtete, vetëm shqiptarë nuk kam pasur. Në vitin 1967 filloi biznesi i ndërtimeve me shoqërinë “Kosta Konstruksion” kompani, që vazhdon aktivitetin edhe sot.
    Cili është aktiviteti i kompanisë me emrin tuaj?
    Ka ndërtuar dhe vazhdon të ndërtojë vila në rajonin e Nju Ingland, që përfshin 7 shtete që janë ndërtuar nga anglezët. Janë vila të shtrenjta që shkojnë 10-14 milionë dollarë. Unë jetoj në Connectic, ku kam aktivitetin tim, që është vetëm 30 minuta larg New Yorkut.
    Nuk mendoni se kjo mbështetje, aq më tepër financiare, ju kompromentonte me gangsterin numër një të botës, Gambino?
    Pasoja lidhet vetëm me emrin e tij dhe aspak me bashkëpunimin me të. Asnjëherë ai nuk kërkoi të më fuste në rrjetin e tij. Ai bëri një gjest duke ndihmuar një emigrant shqiptar që i kishte bërë një të mirë të nipit, pa e ditur se si do të shpërblehej dhe kaq. Sigurisht, kjo marrëdhënie krijoi imazhin e rëndë për mua. Në shumë gazeta shkruhej se isha bashkëpunëtor me të dhe u deshën vite që të mësohej e vërteta dhe që unë, Kosta nga Qeparoi i Shqipërisë, të tregoja vlerat e shqiptarit të ndershëm në shoqërinë amerikane. Mbështetjen financiare nuk ia kërkova unë, ma dha vetë, ndoshta mëshiroi emigrantin shqiptar. Unë ju shpjegova se cili ishte shkaku që më ndihmoi ai. Atëherë kur diskutohej ekzistenca ime, pavarësisht se ishte dhe mbetet gangsteri më i rrezikshëm në botë, mua më ndihmoi për shkak të nipit dhe këtë nuk mund ta mohoj, as atëherë dhe as sot. Unë pohoj se, nëse Gambino nuk do të kishte dhënë shumën e duhur prej 10 mijë dollarësh që ma dërgoi me njerëz të tjerë, me siguri unë do të isha kthyer në fshat. Pra, jetën në Amerikë e kam prej tij, por duhen ndarë gjërat. Ka institucione shteti, sikurse është FBI-ja e CIA, që zbulojnë e ndjekin aktivitetin kriminal të njerëzve, aq më tepër të personave që lidheshin me një personazh shumë të rrezikshëm sikurse ishte Gambino. Mbështetur në këto fakte, këto shërbime, hetuan për shumë kohë, por nuk gjetën asnjë lidhje mes meje dhe atij. Gjithçka ishte në kuadër të fjalëve që sigurisht në opinion bëjnë efektin e tyre. Gjithsesi, tashmë gjithçka është sqaruar, por ama dua të them se hija e këtij njeriu të frikshëm për botën, më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.


    http://balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=24662
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  2. #2
    Eleni, kushërira e Xhorxh Tenet


    Eleni jo vetëm ka të afërm nënën e ish-drejtorit të CIAS, George Tenet, Evangjelinë, por ajo ka edhe miqësi me kushëririn, që megjithëse baballarët janë nga Qeparoi, nuk kanë shkelur kurrë në vendlindje. Xhorxh dhe Eleni kanë përfunduar të njëjtin universitet, të njëjtin fakultet; ata janë juristë, të dy të famshëm në karrierën e tyre. E vetmja kundërshti janë bindjet partiake. Ndërsa Eleni i përket Partisë Republikane, Xhorxhi gjatë gjithë kohës ka qenë i Partisë Demokratike të Klintonit. Ndoshta ishte një ndërhyrje e Eleni Sotirianit tek Presidenti Bush i ri, që e mbajti Tenet në krye të CIA-s edhe kur u rizgjodh President. Eleni është shprehur se do të vijë në Qeparo, në tokën e të atit kur të përurohet hoteli me 5 yje, investim i saj dhe i vëllezërve, që ajo e konsideron si një dhuratë të shtrenjtë të mërgimtarëve për vendlindjen.

    http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=24661
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  3. #3
    Eleni, një Miss shqiptar që tronditi botën e avokatisë


    Eeni Kosta Sotiriani, vajza me origjinë nga Qeparoi, vlerësohet si një intelektuale e famshme në shtetin më të fuqishëm të botës, Amerikë. Prej shumë vitesh, ajo është zgjedhur presidente e Dhomës së Avokatëve të partisë së Bushit, kurse 25 vjet më parë, është shpallur Miss ndër pjesëmarrëset nga 50 shtete të Amerikës. Me mirënjohje dhe krenari për origjinën e saj, Eleni pret të shkelë për herë të parë vendlindjen e të atit, fshatin buzë detit Jon, Qeparoin. Sikurse shprehet babai i saj, Kosta, tokës ku të ka rënë koka nuk mund t’ia shpërblesh kurrë, por ai dhe fëmijët e tij, kanë bërë aq sa kanë mundur për të ngritur lart vlerat e shqiptarit. Eleni ka hyrë te 45-at, ndërsa i ati nuk e mohon krenarinë që ndjen nga ajo. “Jam modest për time bijë, por kurrsesi për shkak të modestisë, të kaloj në heshtje vlerat e saj, që i njeh dhe vlerëson shoqëria amerikane, në kupolën e së cilës ajo qëndron prej shumë vitesh”, - thotë Kosta. Eleni mbaroi shkëlqyeshëm të gjitha etapat e shkollimit, ndërsa pas përfundimit të Juridikut në vitet 1984-85, ka qenë vetë ish- Presidenti Bush(plaku), që duke vlerësuar intelektin e juristes, kërkoi të bëhej anëtare e Partisë Republikane. Ajo e pranoi për shkak të bindjeve republikane, ndërsa vlerësimi për të shkoi deri atje, sa ajo të zgjidhej Presidente e Dhomës së Grave amerikane të Partisë Republikane, ku qëndron prej shumë vitesh.

    http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=24659
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

  4. #4
    Kosta: Vajza ime është mikeshë e Presidentit Bush


    Cila është familja juaj z. Kosta?
    U martova me një shtetase greko-amerikane, Elisabetën, me të cilën linda dy djem dhe një vajzë. Vajza ime Eleni, është një avokate e famshme, ka qenë kryetare e avokateve të gjithë shteteve të Amerikës që aderojnë në Partinë Republikane. Ajo është mikeshë e Presidentit Bush, ka shumë foto me të, sikurse duhet t’ju them se kur ishte 19 vjeçe, u shpall Miss CONNECTICA. Ndoshta më pas, do të flasim më gjatë për të, pasi është shqiptarja më e fuqishme në Amerikë, politikisht dhe ekonomikisht.
    Flitet se jeni martuar me një vajzë të re nga Fieri, emigrante. Si ju shkon jeta?
    Në vitin 1987 më vdiq bashkëshortja, atëherë kur kisha më shumë nevojë për të. Ishte e dhimbshme, pse kishim kaluar shumë mirë, kisha fëmijët me të dhe u ndjeva i braktisur nga kjo botë kur u ndava me Elisabetën. Ishte ime bijë Eleni, ajo që ndikoi në martesën time me Artën nga Fieri, të cilën e njoha në një supermarket që ka im bir në Athinë, ku emigrantja ishte e punësuar. Është rreth 30 vjet më e vogël se unë, por kalojmë shumë mirë bashkë. Kemi edhe një shtëpi në Fier, ku rrimë gjatë, pasi ajo do të çmallet me njerëzit e saj, me qytetin dhe tokën që e lindi dhe rriti. Kemi një vilë edhe në Athinë, në Amerikë, po se po. Lëvizim bashkë gjithë kohën dhe ndjehemi të dy mirë.
    Cilat kanë qenë lidhjet tuaja me vendlindjen dhe të afërmit që latë pas në Qeparo?
    Asnjë lidhje, asnjë kontakt. Regjimi monist të mbyllte çdo dritare për të kontaktuar me të afërmit, me prindërit për të cilët më përvëloi malli. Unë kam ardhur në Shqipëri dhe në fshatin tim Qeparo, pas 44 vjetësh, pra ishte viti 1994. Nëna, njeriu më i shtrenjtë në botë, Theodhora kishte vdekur plot 10 vjet më parë nga dita që erdha unë. Nuk më mbeti gjë tjetër veçse t’i bëj një varr ndryshe në Babicë dhe në ditët që jam këtu, të shkoj çdo ditë pranë saj. Është vërtet e dhimbshme, por jeta kjo është, duhet të përballosh shumë dhimbje e trauma, që nuk i ke në dorë vetë. Ajo që kam unë në dorë dhe familja ime, është të shpalosim vlerat e shqiptarit, që është i mençur, i zoti në punë, i edukuar në shoqëri dhe çka na mbetet në këto vite të fundit të jetës, është të kthejmë fytyrën nga Qeparoi, për të bërë një qytezë turistike që ta trashëgojnë brezat.

    http://www.balkanweb.com/gazetav4/index.php?id=24658
    ABCÇDDhEËFGGjHIJKLLlMNNjOPQRRrSShTThUVXXhYZZh (Alfabeti Shqip, 36 gërma)

Tema të Ngjashme

  1. Roli i UNMIK në Kosovë
    Nga Hyllien në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 38
    Postimi i Fundit: 26-11-2009, 01:04
  2. Nacionalizmi si nocion dhe zbatimi i tij ne praktike!
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 14-09-2009, 17:27
  3. Shqiptari i ri
    Nga ZANOR në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 12-11-2008, 03:08

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •