
Postuar më parë nga
brooklyn2007
Rreth veprës “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” të prof. Shaban Demirajt
Prof.dr.Rami Memushaj
Në këtë epokë të “romantizmit patriotik” shqiptar, që ka lindur si shpërdorim i lirisë së penës, nuk janë të pakta botimet që përpiqen t’i nxjerrin shqiptarët si popullin më të vjetër, si popull pellazgjik, dhe gjuhën shqipe si gjuhën më të vjetër, si çelësin për të shpjeguar gjithë gjuhët e tjera etj. Në këtë kakofoni zërash, ku djali i tregon babait arat, ku ushtari i mëson gjeneralit strategjinë dhe profani i shpjegon profesorit teorinë, zërat e mjeshtërve të vërtetë të historisë e të gjuhës mezi dëgjohen. Mezi dëgjohen, se po mbyten nga zhurmat e profanëve, të atyre që nuk dinë gjë nga mjeshtëria e historianit, e arkeologut, e gjuhëtarit, të atyre që kanë marrë një arsim të gjymtë nga universitetet tona të gjymta, të atyre të cilëve ju duket se me llambën magjike të Aladinit mund të ndriçojnë ato që dhjetëra e dhjetëra breza dijetarësh nuk kanë mundur t’i ndriçojnë. Mes kësaj zhurmërie e potereje të shumëfishuar nga gazetat dhe televizionet, që te njerëzit e thjeshtë krijon përshtypjen se kanë rënë në ar të kulluar dhe jo në një copë plastikë të lyer me varak të verdhë, zërat e mjeshtërve janë udhërrëfyes për të kuptuar të vërtetën. E tillë është vepra e profesor Shaban Demirajt “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët” (botuar nga INFOBOTUES), e cila sapo ka dalë nga shtypi. Siç duket edhe nga titulli, në këtë vepër bëhen përpjekje për të hedhur dritë mbi çështje të mjegullta të historisë, siç janë pellazgët, etruskët dhe mesapët dhe lidhjet e shqiptarëve me këta popuj të lashtësisë. Disa nga këto tema, si ajo e pellazgëve dhe e origjinës pellazgjike të shqiptarëve zënë fill që në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe janë rimarrë kohë pas kohe prej autorësh shqiptarë e të huaj. Edhe tema e karakterit etnik dhe e gjuhës së Epirit në lashtësi e mesjetë nuk është e re, por është bërë aktuale dy dhjetëvjeçarët e fundit, pas mëtimeve greke për Vorio-Epirin dhe Shqipërinë në jug të Vjosës, të cilat rrethet shkencore greke i kanë shoqëruar edhe me një propagandë agresive e me një literaturë të gjerë, si vepra e vëllimshme “Epiri – 4000 vjet histori dhe civilizim grek” (1997). Qasja e prof. Demirajt ndaj këtyre problemeve nuk është fort e re. Puna e tij më se 40-vjeçare në fushën e gramatikës dhe të fonetikës historike të shqipes, fushë ku gjuhësia dhe historia shkojnë bashkë, i ka dhënë lëndë të mjaftë për t’i parë problemet historike të shqipes nga këndvështrimi i gjuhëtarit dhe për të mbështetur apo hedhur poshtë me argumente gjuhësore teza të ndryshme lidhur me këto çështje. Pa përmendur botimet e tij gjuhësore, ku nuk janë të pakta vrojtimet me karakter historik, përpjekjet e profesorit për të ndriçuar problemet e prejardhjes së shqiptarëve duke shfrytëzuar dëshmitë gjuhësore janë konkretizuar së pari në veprat “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (1988) dhe “Gjuhësi ballkanike” (1994) për të kaluar pastaj te vepra “Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të gjuhës shqipe” (1999), të botuar edhe anglisht më 2006, për të ardhur te botimi më i fundit “Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët”. Ndërsa në dy veprat e para synimi i autorit ka qenë vendosja e shqipes dhe e nënës së saj, ilirishtes, në kontekstin historik dhe gjeografik të Ballkanit, në dy veprat e fundit bëhen përpjekje që dëshmitë dhe dukuritë gjuhësore të shfrytëzohen për të provuar tezat mbi lidhjet historike të shqiptarëve me këta popuj të lashtësisë dhe karakterin etnik jogrek të viseve jugore të Shqipërisë. Ka qenë një veçori e studimeve albanologjike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, e lidhur me emra historianësh, arkeologësh dhe gjuhëtarësh të shquar, për të shfrytëzuar të dhënat e shkencave të afërta për të provuar autoktoninë e shqiptarëve në këto troje, lidhjet e tyre me ilirët dhe të shqipes me ilirishten. Kësaj fryme i përmbahet edhe prof. Demiraj në veprën e tij më të fundit, ku tezat e tij mbështeten në të dhëna historike e arkeologjike dhe, nga ana tjetër, përbëjnë argumente me vlerë në ndihmë të historianit. Vepra ka karakterin e një mozaiku, ku disa kontribute të mëparshme të autorit për këto probleme, të botuara si artikuj, janë ngërthyer në një kuadër më të gjerë, duke i dhënë veprës pamjen e një punimi tërësor. Ajo përbëhet nga tetë krerë, një përmbledhje anglisht, bibliografia, treguesi i autorëve të cituar dhe i emrave të përveçëm të njerëzve dhe të vendeve. Kreu i parë i kushtohet çështjes së pellazgëve dhe lidhjes së tyre me etruskët dhe shqiptarët. Duke mbajtur një qëndrim mohues ndaj tezës se pellazgët janë stërgjyshërit e shqiptarëve, autori, duke u mbështetur në autorët e lashtë grekë, pranon megjithatë se pellazgët kanë qenë shtrirë edhe në Epir, ku krijuan tempullin e famshëm të Dodonës, që u përvetësua më pastaj nga grekët. Lidhur me prejardhjen pellazgjike të shqipes, autori arrin në përfundimin se pellazgjishtja ka qenë një gjuhë e ndryshme edhe nga greqishtja, edhe nga shqipja. Vërtet që në shqipen ndonjë dukuri, si p.sh. numërimi me njëzetëshe (njëzet, dyzet, trezet etj.), që nuk e kanë gjuhët indoeuropiane ku bën pjesë edhe shqipja, provon se ilirët e morën këtë sistem numërimi nga një popullsi më e lashtë që gjetën në trojet ku u vendosën. Por dëshmitë nga pellazgjishtja janë aq të pakta, sa nuk mund të thuhet se ky sistem numërimi është trashëguar prej pellazgjishtes. Pra, për autorin, “barazimi pellazg-ilir nuk del i argumentuar as historikisht as gjuhësisht” (f. 51). Për sa i përket mendimit të disa autorëve se etruskishtja ishte gjuhë pellazgjike dhe përpjekjes së tyre për t’i zbërthyer mbishkrimet etruske me anë të shqipes, si p.sh. për ta lidhur Toskanën e Italisë ku kanë banuar etruskët, me toskë dhe Toskëri apo për të shpjeguar disa sintagma etruske, si La fisi fari la me “la fisin, la farën (tribunë)” ose Lan vetin lane uria me “Lanë veten, lanë urinë”, mjeshtri jep këtë këshillë për profanët entuziastë: “çdo krahasim midis shqipes së sotme dhe çdo fjale të një gjuhe tjetër nuk mund të jetë shkencërisht i mbështetur, në qoftë se nuk mbahen parasysh rregullsitë e evolucionit të sistemit fonetik të gjuhës shqipe” (f. 49). Dhe, për ta argumentuar këtë pohim të tij, merr fjalën uria, rrënja e vjetër e së cilës është un (si në gegërishte). Pra, jo vetëm që trajta uri është e re, po e re është edhe mbaresa -a, e cila është një zhvillim i brendshëm jo fort i hershëm i shqipes. Pjesa tjetër e librit i kushtohet karakterit etnik të Epirit në lashtësi, në mesjetë dhe në kohët e reja si dhe gjuhës amtare të banorëve të tij. Edhe këtu merren në shqyrtim dëshmitë e autorëve të lashtësisë dhe të kohëve më të vona. Në polemikë me autorë grekë se popullsia e Epirit “mund të jetë e ardhur dhe të ketë zëvendësuar një popullsi të mëparshme greqishtfolëse a të helenizuar” (f. 74), autori vëren se, së pari, mungojnë dëshmitë historike që mund të hidhnin dritë për ndonjë shpërngulje të tillë popullsie dhe, së dyti, se një popullsi ardhëse nuk mund të helenizonte një popullsi greke, që favorizohej nga sundimi bizantin dhe kisha greke. Në mungesë të dëshmive historike, ai u drejtohet dëshmive të vetë gjuhës shqipe: mënyrës se si janë pasqyruar tingujt latinë në të dhe ndarjes së saj dialektore. Kështu, mbylltorja grykore k para zanoreve i dhe e të fjalëve latine në gjuhën shqipe është ruajtur e pandryshuar, si p.sh. në fjalët peshk, qiell etj., ndërkohë që në bijat e latinishtes është kthyer në një fërkimore ose afrikate alveolare (rumanishte: peste [peshte], cer [çer] dhe italishte: pesce [peshe], cielo [çelo]. Ky shqiptim i këtij tingulli në gjuhën tonë pasqyron “shqiptimin romak të kohës së Augustit” (Gaius Octavius, perandor romak, 63 para Krishtit –14 i erës së re) të tingujve grykorë. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me huazime shumë të lashta të shqipes, që kanë shtrirje në mbarë trojet arbërore. Edhe shembuj të tjerë, si pasqyrimi i një zanoreje o të fjalëve latine në e në shqipen, si në fjalët pomum > pemë, hora > herë, dëshmojnë se ndikimi i latinishtes mbi shqipen ka nisur mjaft herët, që në shek. II para Krishtit. Kjo, nga ana e vet, do të thotë që ilirët i kanë marrë këto fjalë në trojet ku banojnë sot pasardhësit e tyre. Për sa u përket dialekteve, ndarja dialektore e shqipes “parakupton edhe hapësirat gjeografike ku janë zhvilluar dialektet dhe nëndialektet e kësaj gjuhe” (f. 75). Si provë të vjetërsisë së dialekteve, autori sjell dy dukuri të toskërishtes, rotacizmin (kthimin e një n-je midis zanoresh në r) dhe kthimin e zanores a të theksuar në ë: hanë / hënë, dam /dëm dhe ranë / rërë, venë / verë. Nisur nga shembuj të tillë, autori thotë se këto dy dukuri që i dallojnë dy dialektet e shqipes janë të vjetra, të periudhës para ardhjes së sllavëve dhe se “nuk mund të zhvilloheshin veçse në trevat e sotme shqipfolëse” (f. 75), pasi është jashtë logjikës dhe pa asnjë mbështetje historike mendimi që këto dukuri të jenë zhvilluar në territore të tjera dhe të jenë bartur në trojet e sotme të toskërishtes.
(vijon)
Gazeta Albania
2 Korrik 2008
Krijoni Kontakt