Studimi i fundit e cilëson mjetin komunikues për nga dëmi që shkakton, si "duhani i shekullit XXI"
Studimet e fundit për lidhjen midis përdoruesve të rregullt të telefonave celularë dhe sëmundjeve treguan se rreziku për t‘u prekur nga një tumor në kokë rritet në mënyrë të ndjeshme pas dhjetë vjetësh, pavarësisht "garancive" që japin kompanitë e prodhimit se ata nuk e dëmtojnë shëndetin
Të përdorësh një telefon celular për më shumë se dhjetë vjet rrit në mënyrë të ndjeshme rrezikun për t‘u prekur nga tumori në kokë, tregojnë studimet më të fundit të bëra në këtë fushë. Këto studime, që kundërshtojnë hapur deklaratat zyrtare të kompanive që i prodhojnë, se telefonat celularë nuk ndikojnë te shëndeti, treguan se njerëzit që kanë përdorur telefona celularë për më shumë se një dekadë janë dyfish më të prirur për të zhvilluar një tumor në kokë, në anën nga e cila ata kanë mbajtur më shumë aparatin celular. Shkencëtarët që u morën me këtë studim arritën në përfundimin se përdorimi i telefonit për një orë në ditë është më se e mjaftueshme për të rritur rrezikun, ndërsa standardet ndërkombëtare të përdorura deri më tani për të mbrojtur përdoruesit nga rrezatimet nuk janë të sakta e duhen rishikuar patjetër. Pas një sërë studimesh të hollësishme, ata kërkuan të tregonin se "duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përdorim në mënyrë të limituar telefonat celularë, por mbi të gjitha duhet të bindim fëmijët që të heqin dorë nga ideja për të pasur një të tillë. Studimi, i publikuar në numrin e fundit të revistës "Ocupational Environmental Medicine", është i rëndësishëm sepse pas shumë kohësh dyshime i bëri kërkuesit që të studionin lidhjen që mund të kishte përdorimi i gjatë i telefonit celular me zhvillimin e disa sëmundjeve, sidomos me tumorin në kokë. Kanceri do më shumë se dhjetë vjet të zhvillohet, por meqë telefonat celularë janë përhapur kaq shumë kohët e fundit, kjo do të thotë se gjithmonë e më shumë njerëz po i përdorin ata për një kohë të gjatë.
Garancitë që i bëjnë telefonat shumë të sigurt bazohen në kërkimet e bëra mbi shumë pak njerëz të ekspozuar ndaj rrezatimeve për një kohë të gjatë, mjaftueshëm për shfaqjen e një sëmundjeje, por pa asnjë vlerë për statistika të sakta. Muajin e kaluar, një studim i madh i bërë në Britani mbi rreziqet e shëndetit nga përdorimi i teknologjisë i quajtur "Mobile Telecommunications and Health Research", i financuar nga qeveria dhe burime të tjera, tregoi se "telefonat celularë nuk lidhen fare dhe nuk ka asnjë efekt negativ mbi shëndetin". Por, drejtuesi i gjithë kësaj e pranoi se një pjesë e vogël e kërkimeve u bazua mbi njerëz që kishin përdorur telefonin për më shumë se dhjetë vjet. Megjithatë, ai thotë se "ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë se kanceri mund të shfaqet brenda një periudhe të shkurtër kohe". Por, gjithashtu, ai tha se nga investigimi zbuloi se mund të kishte një rritje të numrit të njerëzve të prekur nga tumoret në tru, nëse ata ekspozoheshin për më shumë se dhjetë vjet ndaj rrezatimeve që lëshojnë telefonat, gjë që i shtyu të bënin më shumë kërkime.
Studimi i ri
Studimi i ri, i udhëhequr nga dy profesorë suedezë, Lennart Hardell dhe Kjell Hansson Mild, hapi disa rrugë të reja për të marrë më shumë informacion. Dy shkencëtarët bashkuan edhe rezultatet e 11 studimeve të tjera që ishin bërë më parë për zhvillimin e tumorit te njerëzit që kishin përdorur telefona celularë për më shumë se dhjetë vjet. Ata i bashkëngjitën kërkimeve të tyre edhe rezultatet nga studimet e bëra në Suedi, Danimarkë, Finlandë, Japoni, Gjermani, SHBA dhe Britani. Ata gjetën se pothuajse të gjitha studimet kishin zbuluar një rrezik në rritje, sidomos në anën e kokës ku njerëzit vendosin telefonin e tyre celular. Pesë nga gjashtë studimet treguan se te këta njerëz mundësia për një tumor malinj në tru ishte më e madhe. Po ashtu, ata gjetën se përdoruesit e rregullt kanë mundësi për të zhvilluar më shumë tumore se njerëzit e tjerë. Pas analizës së hollësishme, ata arritën në përfundimin se njerëzit që kanë përdorur telefonat e tyre për një dhjetëvjeçar ose më shumë janë 20 për qind më të prirur për të zhvilluar sëmundjet e veshit dhe 30 për qind për një tumor malinj. Po ashtu, rreziku është shumë herë më i madh në anën e kokës, nga e cila telefoni është mbajtur më gjatë. Në fund, shkencëtarët thanë se "rezultat e studimit të fundit në përdorimin e telefonave celularë për më shumë se dhjetë vjet rrisin ndjeshëm rrezikun e kancerit malinj në kokë apo vesh".
Gjithashtu, ata shtuan se rreziku nuk mund të përjashtohet edhe për llojet e tjera të tumoreve të trurit. Ashtu si të tjerët, edhe Hardell e Mild ishin alarmuar nga rezultatet që kishin nxjerrë prej punës së gjatë në këtë fushë. Edhe ata kishin arritur në përfundimin se njerëzit që e përdornin më shumë telefonin ishin rreth tri herë më të prirur për të zhvilluar malignant gliomas, se sa njerëzit e tjerë dhe rreth 5 herë për ta zhvilluar atë në anën ku ata mbajnë telefonin. Për neuromat akustike gjetën se ekzistonte një rrezik tri-katër herë më i madh për të zhvilluar tumorin. Ata nxorën gjithashtu të vetmin studim edhe për efektet e përdorimit për një kohë të gjatë të telefonave pa fije dhe gjetën se kjo rriste rrezikun për të dyja tumoret. Studimet e tyre sugjerojnë se të përdorësh një telefon të lëvizshëm apo ndryshe telefon celular për rreth 2000 orë ose më pak se një orë çdo ditë për dhjetë vjet, është mjaftueshëm për të rritur rrezikun.
Profesor Mild tregoi për "The Independent" se "gjithmonë më janë dukur të dyshimta paralajmërimet që thoshin se nuk ka rrezik nga përdorimi i gjatë i telefonave celularë. Ne arritën në përfundime të rëndësishme, se diçka mund të ndodhë pas dhjetë vjetësh". Ai thotë se telefoni celular duhet përdorur sa më pak të jetë e mundur dhe sugjeron njerëzit për përdorimin e kufjeve e bërjen e telefonatave sa më të shkurtra, duke i rezervuar telefonatat e gjata për telefonat e shtëpisë. Ai tha, gjithashtu, se telefoni celular nuk u duhet dhënë fëmijëve, pasi kafkat e tyre janë të holla dhe zhvillimi i sistemit nervor në vazhdim i bën ata më të prekshëm ndaj këtyre sëmundjeve. Rreziku mund të jetë akoma më i madh, sipas asaj që sugjerojnë studimet dhe asaj që profesori Mild thotë, dhjetë vjet është minimumi i kohës që i duhet një kanceri të zhvillohet. Gjithashtu, studiuesit kanë frikë se nëse studiojnë njerëz që kanë 15, 20 apo 30 vjet që përdorin një të tillë do të shohin se si sëmundjet do të zhvillohen në dekadat që vijnë, veçanërisht te njerëzit e rinj. Profesori thotë gjithashtu se emetimi i rrezatimeve është ulur ndjeshëm qëkur telefoni i parë celular u shfaq shumë dhjetëvjeçarë më parë, të cilët sugjeronin se edhe rreziqet do të jenë më të vogla. Po ashtu, ai rekomandon që të përdoren telefona që emetojmë sa më pak rreze që të jetë e mundur dhe thotë se njerëzit janë të ekspozuar edhe ndaj sistemeve të tjera që emetojnë valë të dëmshme, si për shembull sistemet Wi-Fi, që emetojnë shumë më pak rreze se telefoni celular. Por, Shoqata e Operatorëve të Telefonisë së Lëvizshme tregon se këto nuk janë të dhëna të sakta dhe duhen më tepër studime të detajuara. Gjithashtu, shkencëtarët thonë se mund të ekzistojë edhe një lidhje mes alzhaimerit dhe sëmundjes së parkinsonit. Për këtë arsye shumë vende në botë po mundohen të tregtojnë modele telefonash me rrezatim shumë të ulët, për të shmangur problemet me shëndetin.
Telefonat celularë: duhani i shekullit të 21
Neil Whitfield, një 49-vjeçar dhe baba i gjashtë fëmijëve, në vitin 2001 zbuloi se vuante nga një neuromë akustike, pasi kishte përdorur për shumë vite telefonin celular në anën e djathtë të kokës. Pikërisht në këtë anë ishte edhe vendi ku iu zhvillua neuroma. Ai tha se nuk ka pasur asnjë rast tjetër në familje që të vuante nga kjo sëmundje dhe kur ai e pyeti specialistin se nga çfarë mund t‘i shkaktohej kjo, doktori e kishte pyetur nëse kishte përdorur telefon celular. "Flisja rreth katër orë në ditë dhe kur e mbaja atë në kokë e ndieja sikur veshi më merrte flakë". Ai shtoi gjithashtu se e humbi komplet dëgjimin në veshin e tij të djathtë dhe nuk shkoi në punë për 12 muaj rresht. I paftë për t‘u kthyer në punën e tij të vjetër në marketing ai u bë mësues. "Kjo pati një efekt shkatërrues për familjen time. Telefonat celularë janë si duhani i shekullit të 21 dhe për këtë është e nevojshme që të tregojmë kujdes. Ju kurrë nuk do t‘u blinit fëmijëve një paketë cigare, por ju u blini atyre telefona që mund t‘u shkaktojnë dëme akoma edhe më të mëdha".
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt