Topi: Tri karakteristikat që duhet të përmbushë zëvendësuesi i Sollakut

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një intervistë të dhënë për emisionin “Top Story”, të gazetarit Sokol Balla, për herë të parë ka dhënë edhe opinionin e tij se si duhet të jetë prokurori i përgjithshëm ose, me pak fjalë, ai që do të zëvendësojë Theodhori Sollakun. Për Topin, tri duhet të jenë cilësitë kryesore të tij: integriteti, vendosmëria dhe etika në komunikim. Në qëndrimin e tij, Topi nuk ka ndryshuar asgjë nga një deklarim i disa kohëve më, kur tha se Sollaku nuk e ka mbështetjen e tij për këtë çështje.

Sot (dje), deputeti Spiro Peçi deklaroi që një pikë kryesore e reformës në drejtësi do jetë unifikimi i mandateve të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë, gjykatave dhe prokurorisë? Tani, çështja e prokurorit kalon tek parlamenti?

Peçi është ekspert dhe besoj që ka lançuar një moment të kësaj reforme të drejtësisë dhe ai është liberal sa të presë dhe mendimet e ekspertëve të tjerë. Ai ka prekur një nga momentet më të ndjeshme dhe delikate, që ka të bëjë me unifikimin e kohës së qëndrimit në dispozitën e kryetarëve të gjykatave dhe prokurorit. Çështja e debatit për prokurorin e përgjithshëm, më shumë ka qenë e amplifikuar, hera-heras e deformuar, më shumë ka pasur trajtim të karakterit politik sesa juridik. Besoj që, në disa raste, kam dëgjuar nga politikanë me përvojë, të prirur për të qenë protagonistë në një debat, që i janë larguar profesionalizimit për sa i përket linjës ligjore kushtetuese. Ka dy lloj debatesh: ai puro politik, i cili i anashkalon referencat ligjore juridike, për konsum publik, për të demostruar që ka një klimë opozicioni për këtë çështje dhe një debat tjetër, i cili përballohet nga politikanë me përvojë, të përgjegjshëm, që i referohen kuadrit ligjor. Sot, askush, në asnjë lloj institucioni presidenti nuk është institucion i cili del jashtë balancës. Pushtetet në Shqipëri janë të balancuara, falë Kushtetutës dhe falë eksperiencës ligjore.

Vendimet e këtyre, të merren në konsideratë nga Gjykata Kushtetuese?

Presidenti, kur shprehet në një çështje ka përdorur argumentin juridik, kompetencat kushtetuese. Ka dy rrugë që shkojnë anasjelltas në emërim dhe shkarkim. Prokurori propozohet nga presidenti, votohet në parlament dhe rikthehet në presidencë për t’u dekretuar.

Në lidhje me çështjen Sollaku, cili është qëndrimi i presidentit?

Të merreshim më gjatë me këtë çështje do të ishte humbje kohe. Është një prononcim i bërë. Natyrisht, ekskluzivitetin e marrjes së vendimi e ka institucioni i parlamentit. Në rast se do të ngrihet, sipas vullnetit të parlamentit, një komision dhe pastaj, sikurse dihet rruga, kemi rastin e komisionit hetimor, sërish do të vijë në tavolinën e presidentit. Unë nuk besoj që është momenti të bëjmë parashikime. I dhashë këto interpretime për të demostruar që, në të gjithë këtë debat politik, mjafton të thuash që presidenti, pozicion i shprehur edhe në Kuvend në momentin e betimit, i ritheksuar edhe sot, asnjëherë nuk do të dalë jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjeve. Besoj, mjafton kjo për të qetësuar edhe ata shpirtra të trazuar, që edhe në moment ekuilibri dhe qetësie kërkojnë të krijojnë damkë.

Si politikan, duhet të jetë Sollaku kryeprokuror?

Çështja në fjalë është një inerci edhe e deklarimeve të mëparshme. Kështu që, mos prisni që unë të deklarohem ndryshe. Por, për hir të delikatesës së çështjes, për hir të domosdoshmërisë së futjes në korniza ligjore kushtetuese dhe për të demostruar që presidenti, edhe aty ku kërkohet që debati të intensifikohet apo deformohet, të kërkojë që të riekuilibrojë situatën, unë mund t’iu them që do qëndroj në mënyrë shumë rigoroze tek korniza ligjore dhe duke marrë në konsideratë mjaft gjëra që mbeten për t’u rikonfirmuar.

Çështje parimore, nëse do ketë një emër të ri për prokurorin, si do të zgjidhet ai, me konsensus politik?

Ky është momenti më i rëndësishëm, sepse në një mënyrë apo në një tjetër, ai institucion apo institucione të tjera, do ta njohin rotacionin, pra do futen në linjën e natyrshme të të gjithë institucioneve kushtetuese që kanë një fillim dhe një përfundim. Kur njerëzit konsolidohen në një detyrë, marrin detyra të reja po aq të rëndësishme. Pra, nuk është e thënë që ikën nga një detyrë dhe mund të pësosh regresion, pra të dalësh jashtë loje, sepse sot mundësitë që janë në një ekonomi tregu, në një sistem demokratik, njeriu ka hapësira të nevojshme kur është i zoti. Mund të jetë në institucione shtetërore, mund të jenë në institucione private, akademike. Pra, e rëndësishme është që të absorbohet ky parim, i cili është parim themelor i demokracisë. Gjithmonë ndihet nevoja që të ketë një lloj lëvizjeje. Lëvizja është jetë. Nuk mund të ketë konservim afatgjatë në një pozicion. Kjo ndodh vetëm në institucionet akademike, ku njeriu merr meritat mbi bazën e titujve shkencorë. Në jetën e institucioneve shtetërore publike ka rregulla të tjera, që përcaktohen nga politika, ligji dhe parlamenti. Në këtë linjë do të ecë dhe Shqipëria.

Presidenti ka një shortlist emrash për prokuror?

Jo. Këtu është më se një thashethemnajë dhe unë dëshiroj të fokusohem në vijim të pyetjes se kur do të zgjidhet prokurori i ri. Ai do të zgjidhet kur të vijë koha. Është thashethemnajë. Ai që do zgjidhet duhet që në këndvështrimin tim të përmbushë tri parime themelore: një njeri me integritet moral, të ketë një pastërti morale, predispozicion moral; të jetë profesionist i fushës, jurist i zoti. Së treti, të jetë i etikës së komunikimit. Duke i ndërthurur të tria këto parime, atëherë ti gëzon besimin të ushtrosh detyrën sipas ligjit dhe Kushtetutës. Politika do të jetë kontribuese, ku të merren në konsideratë standardet.

Çfarë po ndodh me mazhorancën e djathtë dhe a jeni pranë riformatimit të qeverisë?

Mund t’iu jap shumë përgjigje. Nuk është një pyetje që i drejtohet presidentit. Ndonëse ai vjen nga një eksperiencë politike, do të doja të mos interferoja, sepse do të dilja nga misioni. Për të komentuar arrestimet, mund të them që ka një lloj rikthimi në qetësinë politike, pa interferuar në problemet ligjore. Për sa kohë këtë çështje e ka marrë drejtësia, ne duhet të presim që ajo, ndonëse ka mangësitë e veta, të japë drejtësi mbi faktet. Të gjitha marrëdhëniet e tjera janë të karakterit politik dhe duhet t’i largohen kësaj çështjeje, ndryshe do bënin një autogol.

Përgjimet, keni pasur kontakte me Ndokën?

Ka pasur shqetësim nga PDK-ja, por më shumë nga grupi i deputetëve, nëse deputetët e kësaj partie kanë qenë të përgjuar. Këtë shqetësim, unë e kam parë me mjaft kujdes, në mënyrë të menjëhershme, pa lënë që të agravohej. Kam thirrur kreun e grupit, kam marrë pretendimet e tij, kam marrë informacionin zyrtar të institucioneve të specializuara dhe jam siguruar që njerëzit e veshur me imunitet kanë qenë jashtë përgjimeve, të cilat vendosen mbi bazën e vendimeve gjyqësore.

Si e shikoni qeverinë dhe a ka vend për përmirësime?

Nuk kam hapësirën e duhur sot për të interferuar dhe gjykuar. Kam qenë i lirë kur isha kryetar grupi. Ka angazhim të natyrshëm, janë mjaft sfida, jo të qeverisë, por të qeverisjes, janë kombëtare, janë edhe sfida që kanë konsum shoqëror.

Problemi i energjisë ekziston dhe askush të mos presë të lavdërohet. Të jemi transperentë, të ndershëm në komunikim, problemi i energjisë, ndonëse është kronik, duhet të dalë nga rrjedha kronike. Ka iniciativa, dëshira, por duhen gjëra konkrete. Ka probleme të tjera, me të cilat përballen të gjitha pushtetet, të pronësisë. Ndoshta është kthyer si një lloj lajtmotivi në të gjitha bisedimet. S’ka si të mos jetë, kur është pjesë e ligjëratës së të gjithë njerëzve sot. Probleme që në dukje vijnë duke u zgjidhur, por agravohen.

Cilët do të jenë hapat në këto drejtime, ku mazhoranca i ka të kundërta?

S’mund të interferoj në politikë. Sot jam i detyruar të respektoj të gjitha vendimmarrjet institucionale e s’mund të bëj propagandë. Presidenti duhet të jetë i vëmendshëm që të sensibilizojë institucionet që të ruajnë drejtësi mbi zbatimin e ligjit. Sot abuzohet me ligjin në aspektin e pronësisë. Hipoteka, komuna, ka deformim problematik të kuadrit ligjor, mbivendosje të pronave, tentativa për të ngatërruar situatën. Drejtësia duhet të qartësojë situatën për atë që ndodh pranë sporteleve.

Nga Top Channel