Banka Kombëtare Tregtare (BKT) inauguroi degën e saj të parë ndërkombëtare në Prishtinë, Kosovë. BKT-ja është banka e dytë më e madhe në Shqipëri, me një total asetesh prej 1.1 miliardë USD dhe vlerë kapitali prej 60 milionë USD. Ajo është vlerësuar me çmimin “Banka e vitit 2006” prej revistës prestigjioze “The Banker” dhe zotëron 15 për qind të tregut bankar shqiptar.
Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në ambientet e degës së Prishtinës, të vendosur në një ndërtesë me arkitekturë moderne në qendër të qytetit. Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të shtetit dhe biznesmenë nga Shqipëria, Turqia dhe Kosova. Të pranishmit kanë vlerësuar mjaft shtrirjen e BKT-së në Kosovë. Ndërsa janë shprehur se një veprim i tillë do të ndihmojë edhe më shumë shqiptarët.
Ahmet Çalik, president i “Çalik Holding”, i cili zotëron shumicën e aksioneve të BKT-së, theksoi se BKT-ja do të udhëheqë strategjinë e zgjerimit rajonal të Grupit me shërbimet financiare. Ai ka premtuar zbatimin e politikave që do të nxisin investime, si dhe do të sjellin një konkurrim real në treg. Me hapjen e kësaj dege, BKT-ja ka zgjeruar shërbimet e saj për shqiptarët kudo ku janë.
Në ceremoninë e zhvilluar ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), të cilët zotërojnë respektivisht secili 20 për qind të aksioneve të BKT-së.
Zoti Seyhan Pencapligil, drejtori i përgjithshëm i BKT-së, u shpreh se dega e Prishtinës do të ndiqet nga degë të tjera në Kosovë, sikurse Kosova do të ndiqet nga të tjera vende të rajonit. “Prishtina përfaqëson hapin e parë të ekspansionit tonë ndërkombëtar,” pohoi ai: “Për më tepër, ne ndihemi shumë në shtëpi këtu”. Ndërkohë që tashmë është bërë gati dhe strategjia e hapjes së degëve dhe në vende të tjera të rajonit.
BKT-ja është banka e parë që shtrin degët në Kosovë, duke afruar edhe më shumë shqiptarët, si në marrëdhëniet kulturore, ashtu dhe në ato monetare. Ndërsa eksperienca e krijuar në Shqipëri do të shërbejë për të ofruar më shumë të mira për kosovarët.
Me një hap të tillë, BKT-ja synon dhe rritjen e prestigjit si dhe të tregut në Shqipëri apo dhe në rajon.
Krijoni Kontakt