Sifilizi, rikthimi i zotërisë së vjetër
Thuhej se e kishim mundur përgjithmonë. Por rastet po rriten dukshëm. Në origjinë të fenomenit janë sjelljet e rrezikshme. Dhe ulja e kujdesit të mjekëve, që nuk dinë më ta njohin
Katër muaj kalvar. Që nga periudha e inkubacionit e deri tek simptomat e para me shqetësime të lehta: ethe, dhimbje muskulore, ndjesi lodhjeje dhe plagë e shenja të lëkurës... Në fillim mund të mos ua vësh veshin, gjithçka duket si një grip kalimtar, as që mund të të shkojë mendja se e gjitha kjo lidhet me jetën seksuale. Dhe kur "gripi" vazhdon të mos kalojë, atëherë vjen radha e gjatë e ekzaminimeve. Ndokush i ka bërë të gjitha me radhë, ka arritur deri edhe të mendojë se mund të ketë një tumor të zorrës së trashë. Ndokush tjetër mund të ketë dyshuar edhe për hepatit. Në të vërtetë virusi i sifilizit, i quajtur treponema palidium mund të përhapet në të gjithë organet e brendshme duke shkaktuar një hepatit sifilitik. Një analizë e thjeshtë sierologjike, një version ky i moderuar i të vjetrës Wassermann, mund të sqarojë më në fund se ç'po ndodh në të vërtetë.
Pesë shekuj pasi kishte shpartalluar kontinentin e vjetër, sifilizi, sëmundja seksualisht e transmetueshme, është rikthyer, sidomos në qytetet e mëdha. Duke filluar që nga vitet '50 në sajë të terrapive intensive me penicilinë, kishim menduar se e zhdukëm përgjithmonë. Por nuk qe kështu. Ideja e mundësisë së zhdukjes së sëmundjeve infektive është një utopi sanitare. Dhe kështu që ato mund të kthehen prapë. Siç edhe ka ndodhur: javën e shkuar nga qendra e këshillimit të grave në maternitetin e Tiranës mjekja Vjollca Tare sinjalizoi përmes gazetës "Korrieri" se vetëm kohët e fundit ishin identifikuar tre raste të ndryshme me sifiliz. Kaq janë verifikuar vetëm aty, ndërkohë mjekja ka thënë se edhe për vetë mjekët zbulimi i kësaj sëmundjeje ka qenë njëfarë çudie. Askush prej tyre në të shkuarën nuk ka pasur rastin të merret me këtë sëmundje. E meqënëse nuk e njohin as vetë mjekët, a mund të thuhet se sa mund të jetë numri i vërtetë i të prekureve?
Besohej se në Shqipëri sifilizi ishte zhdukur krejtësisht. Mjekët e sotëm nuk e kanë parë kurrë me sy, në veshët e tyre gjithçka ka mbërritur si në formë legjendash: në vitet e diktaturës sëmundja u luftua me të gjitha mjetet, jo vetëm sanitare. Përveçse raportet seksuale jashtë martese ishin të rralla (gjë që kufizonte edhe transmetimin e sëmundjeve seksuale), një njeri që vërtotohej se ishte i prekur nga sifilizi izolohej nga shoqëria. Flitet madje edhe për internime për këtë shkak...
Përpara se në vitet 2000 sifilizi të shfaqej në Shqipëri dhe në gjithë Evropën (Francë, Hollandë, Zvicër dhe Angli), alarmi i kishte ardhur nga SHBA-ja. Dhe nuk ka fare të bëjë me shpërthimin e rasteve në vitin '92 - '93 në ish Bashkimin Sovjetik apo me përhapjen e SIDA-s në vendet e lindjes, që erdhën si pasojë e lirisë më të madhe seksuale dhe zhdukjes së kontrolleve të detyrueshme sanitare.
Sifilizi (i ngjohur në gjuhën popullore edhe me emrin frëngjyzë) apo një tjetër sëmundje, gonorreja bëhen edhe më të rrezikshëm për aq kohë sa nuk kurohen në mënyrën e duhur. Dhe kjo ndodh edhe sepse shumë njerëz preferojnë të kurohen në klinika private, të bëjnë analizat në qendra laboratorike aspak të specializuara ku nuk mund ta marrin dot diagnozën e saktë. E po t'i shtosh kësaj edhe marrëdhëniet seksuale të lira dhe pa prezervativë, atëherë rezultati është alarmant: sifilizi po rikthehet frikshëm.
Vetëm një studim anglez ka zbuluar se nga 5 deri në 25 përqind e personave që udhëtojnë, kryejnë marëdhënie seksuale rastësore dhe 10 - 20 për qind e tyre nuk janë të mbrojtura. Udhëtimet janë ndër të parët faktorë të përhapjes së sëmundjeve që transmetohen seksualisht. Kjo është vërtetuar nga të dhënat e mbledhura në Britaninë e Madhe dhe në Zvicër: 80 për qind e rasteve të reja me sifiliz apo gonorre janë infektuar gjatë pushimeve verore. Kurse në Shtetet e Bashkuara fenomeni është vënë re sidomos brenda komunitetit gay: tek burrat që e bëjnë me burrat siç thuhet rëndom. Kurse në Shqipëri, shtresa më e prekur tani për tani janë banorët e Qytetit Studenti. Mjekët e kanë shpjeguar këtë me faktin se duke jetuar edhe larg familjes, studentët janë më të prirur drejt marrëdhënieve rastësore.
Kthimi i kësaj patologjie është shqetëses sepse paraqet simptomën e përsëritjes së sjelljeve seksuale të rrezikshme. Për fat terrapia antibiotike me penicilinë nuk e ka humbur efektshmërinë e saj: për këtë një diagnostifikim në kohën e duhur është mëse i rëndësishëm. Dhe ndër të tjera pengon edhe transmetimin jovullnetar të infeksionit tek partneri.
Virusi i quajtur "Treponema pallidum" i zbuluar në vitin 1905, është shumë më tepër ngjitës nga virusi Hiv, shkaktari i SIDA-s: mund të ngjitet në një raport në dy ndërsa ai hiv në një në njëqind, në bazë të ngarkesës virale tek një individ. Problemi qëndron tek fakti se infektimi me sifiliz lehtëson edhe kalimin e hiv-it: rreziku i infektimit bëhet 2 deri në 5 herë më i madh nëse personi është i infektuar nga Treponema. Eshtë hedhur hipoteza e një bashkëlidhjeje mes rritjes së rasteve me sifiliz dhe rëndimit të infektimeve nga hiv-i në komunitetet homoseksuale.
"Sëmundjet seksualisht të transmetueshme që kanë një periudhë inkubacioni të shkurtër janë si roje damkuese jashtëzakonisht interesante për sjelljet seksuale të popullatës në tërësi", pohon Michel Janier, dermatolog në Hopital Saint- Louis të Parisit në një intervistë për "Le Monde". Infeksioni ka një inkubacion prej tre javësh, kurse gonorerja prej dy apo tre ditësh. Infeksionet e tjera seksuale, më veçanërisht ato virale (nga herpes genitalis tek papilloma) dhe Chlamydia Trachomatis kanë një inkubacion më të gjatë dhe nuk janë të modifikueshme në mënyrë të menjëhershme nga sjelljet seksuale. Për këtë, eksperti francez është i mendimit se gonorreja dhe sifilizi duhet t'i nënshtrohen një sistemi mbikëqyrjeje. Neisseria Gonorrhoeae ashtu si dhe Trepomena pallidum mund të merren fare lehtësisht me raportet seksuale orale. Dhe një përqindje e infeksioneve të sifilizit lidhet me shtimin e numrit të raporteve orale të cilat sot praktikohen me një frekuencë më të madhe pasi konsiderohen si të parrezikshëm për ngjitjen e virusit të SIDA-s: kjo është e vërtetë për hiv-in, por jo për sifilizin.
Në pikën kur Treponema penetron në trup pas 20 deri në 40 ditësh formmohet një plagë me formë të rrumbullaktë: sifiloma primare. Bakteri mund të mos japë më gjurmë. Por nuk ndodh gjithmonë kështu. Në të tjera raste, përhapet në të gjithë organizmin. Nuk mund të jesh i "prekur" nëse nuk ke plagë të lëkurës apo të mukozave. Kur zhduken simptommat e sifilizit primar atëherë është radha e tij sekondar me simptoma të ndryshme. Kjo fazë zgjat 60 ditë që nga prekja deri në dy vjet dhe shkakton dëme paralelisht me plagët e lëkurës: njolla në pëllëmbët e duarve, në këmmbë dhe të pjesë të tjera të trupit. Pastaj mund të jetë edhe një fazë e tretë që ndodh në 40 përqind të rasteve në të cilën dëmet e organeve të brendshme të trupit përhapen drejt trurit, zemrës, kockave, kyçeve, syve, mëlçisë.
Ky është profili i sëmundjes pa trajtim mjekësor. Pikërisht për shkak të shumëllojshmërisë së simptomave që provokon, dermatologët e quanin "mimi i madh". Nëse personi i infektuar është një nënë, sëmundja mund të shkaktojë vdekjen e fetusit në dyzetë përqind të rasteve apo lindjen e një fëmije të infektuar (infektimi ndodh nëpërmjet placentës apo gjatë lindjes). Në të shkuarën, kur nuk njihej shkaku, mendohej për një sëmundje të trashëgueshme. Të tjera rreziqe për t'u infektuar? Puthja, ushqimi me qumësht gjiti dhe transfuzioni i gjakut të pastër. Më i frikshëm se hiv-i? Jo, sepse për fat ekzistojnë edhe antibiotikët. Mjaft të kapet sa më shpejt.
Krijoni Kontakt