“Malli” për diktaturën dhe diktatorin është siguria e dyshimit për demokracinë!


Në çdo 1 maj apo edhe më 7 nëntor në Moskë komunistët, të cilët janë mësuar të dalin në demonstrime tip paradë, kanë fotografitë e Stalinit dhe Leninit, si dhe sloganet kundër botës së lirë të sotme.Ato kanë edhe sloganet e dikurshme të BRSS-së “së lavdishme” dhe glorifikojnë atë superfuqi ushtarake dhe pjesërisht ekonomike, e cila jo vetëm fitoi luftën e madhe patriotike, sikundër e quajnë rusët, por edhe u ndesh me perëndimin në luftën e ftohtë për disa dekada rresht. Në fakt, është një histori e cila rusëve iu fillon në 1905-ën, deri sa në 1917-ën iu dha pushtetin sovjetëve, për të ardhur në vitet 1992 kur u nda përfundimisht koha e komunizmit në një pluralizëm rus, kur Partia Komuniste ka gjithmonë nën 25 për qind të preferencave nga populli i konfederatës. Problemin me trashëgiminë e tyre të gjatë dhe me taban të së kaluarës komuniste dhe bolshevike, e cila ka brenda revolucionin bolshevik, ndërtimin e socializmit dhe hapat e para të shpejtë industrialë, luftën dhe fitoren mbi nazizmin dhe pushtimin e egër, kapacitetin e madh ushtarak në luftën e ftohtë dhe, në përgjithësi, 70-80 vitet ecuri në këtë drejtim, i mbron disi të retushuara me fanatizëm partia e tyre komuniste, e cila nuk e ka hedhur poshtë këtë trashëgimi. Mirëpo, problemi është se gjatë 70-80 viteve ajo parti komuniste me Lenin, Stalin, Hrushov, Brezhnjev e në vazhdim ka pushkatuar, denigruar, deportuar dhe shkatërruar miliona shtetas sovjetikë dhe rusë dhe, absolutisht, ka qenë shembulli i përbotshëm i diktaturës komuniste e cila u imitua edhe nga gjigandë si Kina dhe liliputë si shteti shqiptar, për më keq në Evropë dhe brigjet e Adriatikut. Me jetëgjatësinë e tij në botë komunizmi dhe diktatorët e tij nëpër lëmshin tokësor kanë vrarë miliona njerëz dhe kanë bërë një dëm psikologjik e moral gati të pariparueshëm dhe shenjat shikohen jo vetëm në Kubë, por ka plot të tillë edhe në demokraci në rrugë e sipër. Vetëm në BRSS dhe në Rusi komunizmi vrau dhe deportoi mbi 40 milionë njerëz dhe, sidoqoftë, rusët këtë gjë nuk e harrojnë e kjo është një ndër arsyet që PK-ja e saj nuk vjen asnjëherë, së paku deri tani, në pushtet. As që bëhet fjalë të krahasohemi ne me viktima nga komunizmi me atë shtet dhe me Laosin, Kamboxhian apo edhe Kinën, por, për nga zbatimi dhe ashpërsia e madhe, Shqipëria është një realitet i keq dhe, për më tepër, në Evropën e kulturuar kur zbatimet e komunizmit kanë bërë dëme me një fuqi pak më të vogël se më në lindje. Sot në Pezë ka parulla dhe revokime për diktaturën dhe diktatorin dhe nostalgji jo vetëm në radhët e pleqve të indoktrinuar dhe që nuk kanë më “Ram” për të përpunuar psikologjikisht demokracinë. Sot në Pezë ka rrock e rrollist-a që kanë moshë të re dhe, për më tepër, ka anëtarë të PS-së e cila është ndarë prerazi me letra dhe gojë nga “diktatura e proletariatit” dhe, sidomos, nga PKSH-ja apo PPSH-ja. PS-ja ka bërë një kongres të formimit të saj dhe ka zgjedhur Fatos Nanon në atë kohë kryetar, duke ndryshuar kështu emrin e veprimtarinë dhe, më vonë, duke u pranuar në “Internacionalen Socialiste”. Në qoftë se në Rusi komunistët demonstrojnë në vete dhe mbrojnë po të njëjtin ideal të tyre që nga koha e Lenin Stalinit, në Shqipëri ideali, medemek, është ndarë, sepse nuk shikohet Enver Hoxha si themelues i PS-së së sotme, por turma demonstron bashkë dhe fantazma apo sagoma e Enver Hoxhës, në fakt, është aty përballë udhëheqjes së re socialiste, me Edi Ramën në krye. Ky është për ne edhe problemi i sotëm në Partinë Socialiste moderne, të drejtuar dhe tashmë në transformim nga lideri aktual Edvin Rama. Nga këmisha e kuqe e tij ato që duan të kuptojnë edhe nga kostumografia e Edit duhet të marrin vesh se ai ka nevojë edhe për sagomën e Enverit dhe për pleqtë që e lartësojnë atë, por edhe nga të rinjtë të cilëve diktatori dhe diktatura iu duken diçka interesante, meqë nuk kanë pasur “fatin” ta provojnë në realitet. Fati ynë i keq është se jo vetëm ka pasur pak komunistë (idealistë) me bindje në atë kohë, por nuk ka as socialistë me bindje në këtë kohë. Kjo është e jashtëzakonshme dhe njëkohësisht e llahtarshme, sepse, pa asnjë lloj bindje dhe asnjë lloj ideali, e gjithë kjo turmë që identifikohet me PS-në është kaq pa bindje të qarta politike, sa “është e pabindur në asgjë” në përgjithësi. Kjo e bën PS-në e sotme një konglomerat të komunistëve të vjetër të mbetur gjallë, me ato anëtarë leverdie që janë te 60-at, me “Çegevaristë” që rebelohen në çdo gjë, në socialistë të transformuar në 91-shin në “trendi socialistë” të kohës edramiste, në majtistë ekstremistë të mërzitur nga demokracia, në interesaxhinj pa ideal, por me lidhje partie që kanë për qëllim sferën ekonomike, në antiberishianë që mjafton që Berisha të thotë jam “djathtas” dhe ata me vrap shkojnë majtas, me nanoistë që rrotullojnë sytë, sepse për t’i fërkuar nuk munden, pasi iu shpëton ndonjë ndryshim që kryetari aktual i bën partisë së tyre të dikurshme, me ....... Në këtë kuptim thirrjet e Berishës për dënimin e figurës së Enver Hoxhës jo vetëm janë të vona, por edhe të dyshimta, sepse figura e tij jo vetëm që po lartësohet në Pezë, por ka disa kohë që të përditshme të caktuara nuk kanë punë tjetër, por merren me biografinë e Enver Hoxhës dhe të ndonjë diktatori tjetër shqiptar. Ka me qindra faqe gazetash që merren me veprat dhe bëmat e tij, kur drejtonte vendin e vogël dhe të çmendur të diktaturës së proletariatit. Nuk është pa qëllim kjo fushatë fokusimi mbi Enver Hoxhën dhe figurën e tij. Nuk është kot fare ky “glorifikim” i përpunuar dhe me lezet politik në shtypin shqiptar. Dosierët e shumtë dhe ngjarjet me demek të paditura nga njerëzit, tashmë serviren me tregime të mirëpërpunuara që, gati-gati, “të vjen keq për diktatorin dhe shtetin e tij”. Berisha është së paku 14-16 vite vonesë me atëherë kur deklaronte “të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”. Atëherë, kur, i dalë nga komunizmi, mendonte se si gardiani dhe i burgosuri janë njësoj, sepse “kanë qenë së bashku në burgun e madh të diktaturës”. Me vonesë që kur në përgjithësi filloi të ndahej populli në demokratë dhe komunistë (socialistë) dhe kur, në fakt, praktikat ishin të imituara nga diktatura dhe që kërkonin të bënin demokraci apo “llahtariseshin” mbas demokracisë. Mos u dënuan gjë krimet e komunizmit, edhe pse u fut në parlament ky diskutim përpara disa kohësh? Ashtu dhe figura e diktatorit nuk do të marrë dimensionin e saj vetëm se, tani, kur pa të shkruar në Pezë “Lavdi shokut Enver Hoxha”, zoti Berisha do që të reagojë si klasë politike. Nuk është se ai ka frikë se mos sagoma e tij kthehet në bust të vërtetë. Ka buste të Stalinit e Leninit edhe në botë dhe, për më tepër, aty ku ka nostalgjikë. Kjo është e vërtetë. Problemi është se ne e kemi zvarritur atë në qendër të Tiranës dhe po në atë kohë disa mijëra të egërsuar tundnin armët për ta rivendosur, duke formuar “vullnetarët e Enverit”. Tashmë kanë kaluar rreth 17 vite dhe me armët kemi pasur punë në vitin 1997 ku nuk u mor vesh krejt qartë se çfarë ndodhi dhe në fakt problemi lindi ekonomik, por që ndarja politike ishte tepër e thellë dhe në atë kohë sagoma e Enverit doli jashtë si për të parë se “çfarë ndodh kur ajo nuk është në buste” apo në krye të vendit. Problemi ynë nuk është te disa njerëz që tundin pankartat dhe lavdet për diktatorin. Problemi është se kjo gjë, me sa duket, i pëlqen edhe lidershipit socialist dhe se ky lidership te ata që tundin pankartat e famshme shohin “votues” probabël dhe të shumtë. Problemi është te zbatimi anadollak, i paplotë, gënjeshtar dhe i vonuar i demokracisë që turbullon mendjet e njerëzve të të gjitha shtresave për të arritur te sugjestionimi i disave për të “dashuruar” kohën e Enverit. Imagjinoni kur edhe në biseda të rëndomta, por që bëhen edhe nga njerëz të edukuar mirë, “flitet për mosmungesë dritash në kohë të Enverit, për rregull në punë, shëndetësi dhe arsim”. Flitet për mirë në drejtim të një qetësie relative dhe sigurie kolektive. Flitet për mungesën e korrupsionit në kohën e tij. Kjo gjë duhet të shqetësojë Sali Berishën dhe jo një pankartë e delirantëve në Pezën e Edvin Ramës. Rama jo vetëm që nuk do t’ia dijë për Enverin dhe partinë, por as për Fatos Nanon dhe Salinë. Ai nuk do t’ia dijë as për Nexhin dhe Ramiz Alinë. Ai kërkon vetëm njerëz që dalldisen dhe kalojnë në paranormalitet ideor dhe psikologjik, sepse kështu i garantojnë fuqinë e krijesës së tij socialiste nga “marksist-leniniste” në revanshiste, anarshiste dhe enveriste, me në krye njerëz të ideve trendi shumëngjyriste. Kur bashkohen bashkë të tilla legjione që ka lënë PPSH-ja dhe që po dyfishon PSSH-ja, fitorja në zgjedhje është e sigurt dhe kjo është edhe shënjestra e Ramës. “Malli” për diktaturën e diktatorin tentohet dhe sponsorizohet jo se kërkohet të vijë ky diktator dhe kjo diktaturë. Jo, kërkohet të vijë një tjetër që ka kuptuar filozofinë e të parit dhe tashmë edhe zërin mundohet ta bëjë “të ëmbël” si të xhaxhit Enver. Në këtë drejtim “dënimet e Berishës” janë tullumbacet e radhës, në raport me qëllimin e vërtetë të atij që kërkon të “mallëngjehemi” me diktatorin dhe diktaturën. Vonesat në demokraci dhe premtimet e pambajtura, që tashmë janë kthyer në mashtrime, revokojnë diktatorin, sepse ai, së paku popullit të tij, i kishte thënë qartas se pushteti i tij është “diktatura e proletariatit”. Parimi ishte: “Ju nuk mund ta vrisni njëri-tjetrin, sepse ju vras të gjithëve unë”. Kurse sot kjo farë demokracie, sikundër jemi, u jep leje të gjithëve të dhunojnë të gjithë dhe, natyrisht, më të fortët dhe kriminelët të jenë më dhunuesit. Dhuna sot është e ndryshme si formë, por ka një tangjente të barabartë gati me diktaturën. Dhunë nga administrata e shtetit, nga ajo bashkiake, nga taksat, nga dritat, nga uji, nga celularët, nga komshiu kriminel, nga rruga e prishur, nga aksidentet e shumta, nga stresi, papunësia alarmante, nga spitalet, ilaçet, shkollat e mësimdhënia, nga gazetat dhe media, nga kufijtë e deklaruar të hapur dhe qenësisht të mbyllur, nga emigracioni, nga çmimet, nga ... Pastaj dikush i zgjuar për keq thotë: Mos ju ka marrë malli për ... sepse unë ...