Adriano Galiani, Roberto Mançini apo trajnerët Malezani e Baldini. Të gjithë e kanë me arbitrat. Pas ndeshjeve të djeshme, vëmendja ka qenë e përqendruar te xhaketat e zeza, sërish protagoniste me vendime të dyshimta. "Kjo klasë është e traumatizuar nga Calciopoli dhe ndonjëri duhet të arbitrojë vetëm në Serinë B", ka deklaruar Adriano Galiani. "Unë do të isha dakord madje për marrjen e arbitrave të huaj, por nëse e them këtë, do të më hidhen të gjithë përsipër", shtoi ai. Akuza dhe nga trajneri i Interit Roberto Mançini, në ndeshjen me Udinezen. Tekniku zikaltër nuk e ka fshehur pakënaqësinë ndaj Rozetit. Ndërsa Malezani ka protestuar për një penallti të dhënë kundër. "Javën e shkuar na dhanë një penallti kot, kështu vajti edhe sot...Problemi është se nëse ankohen të mëdhenjtë, krijohen çështje, ndërsa për ne nuk lëviz njeri", tha trajneri i Empolit Alberto Malezani.
Interi
Ashtu si një vit më parë, cikli i fitoreve të Interit është ndalur sërish në "Friuli". Përballë Udinezes zikaltërit nuk kanë arritur të fitojnë as dje, duke parë pas vetes së tyre Romën me vetëm 5 pikë larg. Me 10 vetë që nga minuta e 22-të për shkak të kartonit të kuq të Cesar, kampionët e Italisë nuk kanë qenë në ditën e tyre më të mirë. Këtë vit, numri i fitoreve radhazi ka qenë 8, 10 më pak se në sezonin e shkuar. Në fund, trajneri Mançini është parë tepër i inatosur, sidomos për rastet e humbura nga Kruz, një për çdo pjesë. Megjithatë , "Friuli" mbetet një fushë tabu për Interin, që nuk e mposht Udinezen prej dy sezonesh tashmë. Gjëja më pozitive për Interin nga ndeshja e djeshme, ka qenë soliditeti në mbrojtje. Hulio Cesar i është dashur të bëjë vetëm një pritje të vështirë gjatë gjithë ndeshjes. Interit megjithatë i është mohuar edhe një gol i shënuar nga Ibrahimoviç, për një faull jo shumë të qartë në momentin e kontrollit të topit.
Milani
Fitorja e dytë radhazi në shtëpi për Milanin, që në javën e 20-të të Serisë A, ka mposhtur 2-0 Xhenoan. Dopieta e Aleksandre Patos në pjesën e dytë, ka qenë vendimtare për skuadrën e Ançelotit, që pavarësisht rasteve të krijuara, ka hasur vështirësi në finalizim. Në pjesën e parë, miqtë e kanë bllokuar Milanin që në mesfushë, ndërsa në të dytën skuadra e Ançelotit ka qenë më konkrete. Pato shënoi me kokë golin e parë të ndeshjes në minutën e 69-të, ndërsa një minutë më pas, arbitri nxorri me të kuqe portierin xhenoan Rubinjo, i cili ka ndaluar talentin brazilian me një dorë jashtë zonës së rreptësisë. Pato shënoi edhe golin e dytë për kuqezinjtë në minutën e 82-të, pas një kundërsulmi të shpejtë. Edhe pse në dy takime ka qenë në hije, ai tregoi se ka të dhënat për t'u bërë një futbollist i madh.
Krijoni Kontakt