Titullarët e stafit do përfitojnë nga 350 mijë euro
Pronari i Interit, Masimo Morati, i ka bërë të ditur skuadrës dhe stafit teknik se është i gatshëm t‘i shpërblejë me 10 milionë euro nëse fitojnë Ligën e Kampioneve në këtë edicion. Momentalisht zikaltërit dominojnë pa asnjë dyshim kampionatin italian, megjithatë që prej vitit të largët 1965 ata nuk arrijnë të fitojnë trofeun më të rëndësishëm në Evropë në rang klubesh. Me ofertën e bërë, Morati synoj t‘i japë skuadrës motivimin ekstra. "Nëse fitoni Championsin, kam përgatitur një bonos prej 10 milionë eurosh", ishin fjalët e manjatit italian të naftës, gjatë një bisede private me skuadrën në dhomat e zhveshjes, të cituara në kolonat e të përditshmes sportive, "Corriere dello Sport". Çdo lojtar i formacionit titullar dhe pjesëtarët e stafit teknik do të përfitonin nga 350 mijë euro. Shpërblimi i vendosur është disa herë më i lartë se 200 mijë eurot e përfituara nga lojtarët e Milanit, për finalen që fituan vitin e kaluar në Athinë kundër Liverpulit. Në historinë e saj, Interi e ka fituar Ligën e Kampioneve (trofe i njohur më parë si Kupa e Evropës) në dy raste, në vitin 1964 dhe 1965. Fillimisht ata kanë mposhtur në finale Realin e Madridit, me shifrat 3-1 falë dy golave të Sandro Macolës dhe pritjeve të portierit Aurelio Milan. Vitin e ardhshëm, zikaltërit fituan edhe përballë Benfikës, me rezultatin minimal 1-0, gol i shënuar nga braziliani Zhair da Kosta.
Ndërkohë, presidenti Morati ka pohuar se klubi e tij ndiqte Aleksandre Pato, përpara se ai të firmoste për Milanin. Sot talenti brazilian pritet të bëjë debutimin me skuadrën e Ançelotit në sfidën kundër Napolit. "Natyrisht, si kushdo që është i pasionuar pas futbollit, edhe unë jam kurioz të shoh se sa është përmirësuar ky lojtar", tha Morati. "Ai është një djalosh i ri me shumë kualitet dhe në këtë këndvështrim të gjithë jemi kureshtarë ta shohim në aksion". Më tej, njëshi i kampionëve të Italisë ka treguar rreth interesimit që skuadra e tij kishte treguar për ish-sulmuesin e Internacionalit: "Ishim të interesuar për të, pasi ai është një futbollist i mirë, por pasi kontrolluam bilancin financiar vendosëm që të mos bënim shpenzime të mëdha". Ashtu si edhe në sezonin e kaluar, Interi po dominon kampionatin, e distancuar me 7 pikë nga Roma e vendit të dytë. Morati ka rikujtuar objektivat e vendosura në fillim të edicionit: "Shpresojmë që paraqitjet tona në kampionat të vazhdojnë në këtë rrugë dhe në të njëjtën kohë të provojmë të fitojmë Ligën e Kampioneve. Në këtë aktivitet dëshiroj që skuadra të tregojë në fushë karakterin që ka paraqitur gjatë gjithë vitit 2007".
Përveç trofeve, në këto momente zikaltërit janë të përqendruar edhe te merkato, ku synimi kryesor është Manike. Është pothuajse e sigurt që portugezi do të transferohet tek Interi gjatë javës së ardhshme, ku pritet të firmosë deri në qershor, me opsion për rinovimin e kontratës. Shuma që klubi italian duhet t‘i paguajë Atletikos së Madridit shkon në afro 6 milionë euro. Të dielën, mesfushori 30-vjeçar do të zhvillojë edhe vizitën mjekësore, e nëse gjithçka kalon me sukses, ai do t‘i shtohet kontingjentit të Mançinit.
Krijoni Kontakt