Ndeshjet e Serisë A janë mbyllur me polemika të panumërta rreth gjykimit që ka lënë shumë për të dëshiruar, duke kthyer përsëri vëmendjen nga "xhaketat e zeza". Ndonëse përzgjedhësi i gjyqtarëve, Pierluixhi Kolina, mendohej të ishte i paanshëm dhe personi ideal për të kryer këtë funksion, deri tani ka pasur shumë probleme me emrat e rinj që ka vendosur në ndeshje të rëndësishme, pasi janë shfaqur prirje për të mbrojtur skuadrat e forta. Në syrin e ciklonit kanë përfunduar Pierpaolo dhe Taliavento, të akuzuar nga Atalanta dhe Torino në ndeshjet e së shtunës se kanë vepruar qëllimisht. Të dielën e ka pasur radhën Roki, i cili në ndeshjen mes Napolit dhe Lacios ka lënë të pakënaqura të dyja skuadrat. Pa harruar këtu edhe Gervasonin, i cili ka akorduar një 11-metërsh të dyshimtë për Interin, duke i hapur rrugë zikaltërve drejt fitores në minutat e fundit të takimit.
Nëse para "Calciopolit" ishte Juventusi që akuzohej nga të gjithë se ndikonte te gjyqtarët, tani e ka radhën Interi. Dje gazeta "Il Romanista" ka hapur faqen e saj të parë me titullin "Jeni si Juvja", drejtuar zikaltërve që fituan falë ndihmës së gjyqtarëve ndaj Parmës në minutat e fundit të takimit. Kryesuesit e Serisë A shihen nga të gjithë si më të favorizuarit nga gjyqtarët, dhe akuzat e Milanit dhe Sienës për mosakordimin e 11-metërshave në ndeshjet kundër zikaltërve hapën përsëri debatin. Për të shtuar thashethemet ka menduar Gervasoni, i cili ka akorduar një 11-metërsh në favor të Interit pas një prekjeje me dorë të Koutos pasi topi kaloi vijën fundore, ndërsa nuk akordoi 11-metërsh për një faull të Kordobës ndaj Korradit. Zikaltërit po shkonin drejt humbjes së parë sezonale, ndaj një skuadre të vogël, por kjo ndihmë e vogël i ka mjaftuar për të marrë tri pikë të tjera në luftën për titull. "Këta nuk janë gjyqtarë për Serinë A, por për Serinë C", ishte komenti i presidentit të Parmës, Girardi. Ndërsa sulmuesi Lukareli, që debutoi me Parmën në këtë ndeshje, shprehet se kjo është mënyra si trajtohen gjithmonë skuadrat që janë në kreun renditjes. "E pyes veten se çfarë do të ndodhte nëse skuadrat do të ndërronin vendet në renditje. Kur luan një skuadër e vogël, pas 20 minutash harrohet çdo lloj diskutimi i bërë para ndeshjes. Gjyqtarët kanë kujdes për ndeshjen në bazë të rëndësisë së skuadrave që gjykojnë", u shpreh ai. Vetë Fernando Kouto ka pranuar se ka prekur topin me dorë, por vetëm pasi e devijoi atë me kokë. "Unë e devijova topin me kokë, ndërsa më pas, ai preku dorën time, por asgjë nuk ishte e qëllimshme. Unë u hodha, por nuk e dija nëse topi do të përfundonte në rrjetë apo jashtë", tregoi futbollisti portugez, që më pas u ndëshkua me kartonin e kuq. Deklaratat thumbuese ndaj gjyqtarëve kanë komplikuar dukshëm pozitën e Kolinës, i cili tashmë duhet të bindë të gjithë se gabimet e kësaj fundjave kanë qenë vetëm njerëzore.
© Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt