Përdhunoi nusen e djalit: 12 vjet burg vjehrrit të shthurur
Gentjan Ruko
FIER –
Gjykata e Fierit dënoi, dje, me 12 vjet burg një 47-vjeçar i cili u vërtetua se kishte përdhunuar nusen e djalit. Nikollaq Poçi, banues në një lagje periferike të qytetit të Fierit, u shpall fajtor nga gjyqtarja Marsida Xhafellari për kryerjen e veprës penale të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura, më shumë se një herë. Sipas prokurores së çështjes, Elida Hoxha, ngjarja ka ndodhur më 14 shtator 2005, në shtëpinë e autorit të krimit. Rreth orës 13.00, ai është kthyer nga puna më herët se zakonisht. Me dredhi, vjehrri ka bërë të largohet nga shtëpia i biri, duke qëndruar vetëm me nusen e djalit.
Mandej, ka mbyllur derën e jashtme të shtëpisë, për të realizuar qëllimin e tij pervers. Nusja ishte duke fshirë dyshemenë e njërës nga dhomat e shtëpisë, dhe është befasuar kur vjehrri i është lëshuar përsipër. Për të kërkuar ndihmën e fqinjëve, ajo ka nisur të bërtasë. Vjehrri i frikësuar, e ka goditur me grusht dhe i ka mbyllur gojën me një pjesë të një mbulese divani. Por nusja ka rezistuar, kështu që vjehrri ka rrëmbyer mbi tavolinë një thikë dhe e ka qëlluar, duke i krijuar dëmtime në qafë, në mjekër dhe në pjesë të tjera të trupit, të cilat, ekspertët mjeko-ligjorë i klasifikojnë në kategorinë e rrahjeve që janë shkaktuar me mjete të fortë të mprehtë.
Por, nuk ka mundur megjithatë ta nënshtrojë. Atëherë, e ka kërcënuar se do ta vriste, nëse nusja do të vazhdonte të bërtiste. Në këto kushte, autori ka mundur më në fund të kryejë veprimin e paramenduar. Aktin çnjerëzor e ka pësëritur të nesërmen, duke përfituar edhe nga fakti që nusja nuk ka guxuar t’i tregonte bashkëshortit. Por më pas, ia ka rrëfyer ngjarjen e dhimbshme një shoqeje të së ëmës. Prindërit e nuses e kanë kallëzuar në polici dhe uniformat blu kanë ndaluar vjehrrin e shthurur.
Krijoni Kontakt