TURP DHE MARRËZI
Shkruar nga Albin KURTI, nga arresti shtëpiak
Sunday, 14 October 2007
Në takimin e Nju Jorkut të mbajtur më 28 shtator 2007, doli një deklaratë e përbashkët dhe një qëndrim i Treshes pas takimit me delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit. Paragrafi i dytë i deklaratës së pranuar nga të dy delegacionet tregon se ato janë informuar me qëndrimin e Grupit të Kontaktit (GK) nga mbledhja e një dite më parë të mbajtur në nivelin e Ministrave. Fakti që thuhet se 'delegacionet janë informuar me qëndrimet e GK-së' tregon se ata nuk mund t'i obligojnë delegacionet për ndonjë gjë meqë GK-ja është një trup joformal, anipse në përbërje i ka pothuajse të gjitha shtetet më të fuqishme të botës.
Mirëpo, a është njëmend kështu?
Përvoja e deritanishme, gjithmonë në përputhje me aktet legalet dhe juridike ndërkombëtare e vendore që janë në fuqi, na ka treguar se kjo vlen vetëm për delegacionin e Serbisë. Ata shpeshherë nuk i kanë përfillur qëndrimet e GK-së jo vetëm për shkak se GK-ja i ka përfillur qëndrimet e Serbisë. Dhe, kanë kaluar pa u ndëshkuar, përderisa politikanët kosovar përveçse duronin, në rastin më të mirë, edhe çuditeshin.
Serbia, para së gjithash si shtet sovran, i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht që është, e ka komoditetin e tillë të refuzimit edhe të paarsyeshëm. Qëndrimet e GK-së për Serbinë janë vetëm në nivelin e sugjerimeve. Ndërkaq, qëndrimet e (njëjta të) GK-së për Kosovën janë më shumë se vendime. Nëpërmjet zyrave të Quintit (si një miniaturë e GK-së dhe aureolë e PSSP-së), qëndrimet e Grupit të Kontaktit kanë qenë dhe mbeten themeli dhe projekti i çdo politike te ne. Madje, kur ka dilema për interpretimet zakonisht dominojnë variantet konservative për shkak të trysnisë që vjen nga Serbia e cila për më tepër mbetet e pabaraspeshuar.
Serbia duke qenë shtet arrin t'i bëjë ballë imperializmave të ndryshëm që i vijnë nga jashtë dhe bile zhvillon një imperializëm të 'vockël' të saj karshi Kosovës. Në anën tjetër, Kosova duke mos qenë shtet s'i reziston dot asnjërit prej këtyre imperializmave, që jo rrallë, të gërshetuar i përplasen në fytyrë. Qëndrimet ndërkombëtare që i dedikohen krerëve politik të Serbisë dhe Kosovës nuk vlejnë njësoj për të dyja palët. Thjesht, njëra prej tyre (pala kosovare), realisht nuk është fare palë. Që të gjithë e kemi parë se si PSSP-ja dhe zyrat e Quintit arrijnë t'i dirigjojë këta politikanët shqiptar në Kosovë, por jo edhe ata serbë që janë nëpër enklavat serbe. Politikanët shqiptar jo vetëm që s'janë të pavarur, por ata s'janë të varur as nga Tirana, ndërkohë që ata serbë dirigjohen si gjithmonë nga Beogradi dhe vetëm nga ai.
Edhe në leximin e mëtutjeshëm të kësaj deklarate të përbashkët askund nuk mund të gjesh prehje. Në vijim aty thuhet që Ministrat e kanë përsëritur se 'një zgjidhje e hershme për statusin e Kosovës është vendimtare për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës në tërësi'. Shteteve të Grupit të Kontaktit sigurisht që po u ngutet me përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës. Mirëpo, këtë qartazi nuk po e bëjnë për hir të Kosovës por, siç e thanë dhe vetë ata, për hir të rajonit dhe të Evropës. Pra, po nxitojnë për hir të vetes së tyre dhe kjo nuk do të duhej të ishte e çuditshme.
Në politikë secili i mbron interesat e popullit të vet, të atij që e përfaqëson e pjesëtar i të cilit është. Përveç Grupit Negociator (GN) të Kosovës, natyrisht. Ata e kanë pranuar këtë deklaratë e cila thelbësisht nuk e pranon Kosovën. Ose, më saktë, e pranon për të mos e pranuar. Sepse, e pranon vetëm për nga efektet e jashtme që mund t'i shkaktojë ajo. Ose, disi dhe më saktë se kaq, e pranon Kosovën por jo edhe popullin e saj, jo edhe ata që do ta jetojnë statusin e Kosovës e të cilët në të vërtetë do të duhej të vendosnin për atë status.
Ngjashëm, kur përmenden dhuna, provokimi dhe kërcënimi në atë deklaratë thuhet se ato e rrezikojnë (në radhë të parë) procesin e Treshes, dhe (së dyti) stabilitetin dhe sigurinë në regjion. Sërish asnjë fjalë për qytetarët e Kosovës që do të ishin viktima të drejtpërdrejta në ato raste të dhunës, provokimit dhe kërcënimit.
Se e gjithë kjo është vetëm një interfazë e shpalos edhe fjalia tjetër ku flitet për 'vendosmërinë në kërkimin e një marrëveshje të negociuar e të miratuar në KS të OKB-së'. D.m.th. marrëveshja eventuale që do të bëhet do të jetë e vlefshme vetëm pasi që të kalojë edhe në KS të OKB-së, vetëm pasi të kalojë edhe atje prej nga u dëbuan edhe modalitetet e zbutura të një projekti të zvetënuar siç ishte ai i Pakos së Ahtisaarit. Në nivelin e parë, atë të negociatave aktuale, është Serbia, ndërsa në nivelin e dytë, atë të KS të OKB-së, është (përsëri) Serbia (nëpërmjet Rusisë).
Megjithëse nuk është hera e parë që GN e pranon Rezolutën 1244, pranimi i radhës i kësaj rezolute në Nju Jork ka një kuptim disi vulosës: nuk ka nevojë për rezolutë të re për Kosovën. Pesë draft-rezolutat evro-amerikane, secila më e zbehtë se tjetra, u përpoqën ta sillnin një rezolutë të re gjatë pranverës e verës që shkoi. Nuk arritën. Tash (dhe rrjedhimisht) Rezoluta 1244 veçsa u bë edhe më e fortë. Ndërmarrja e pasuksesshme për rezolutë të re doli të ishte kundërproduktive. Prandaj, duke e ditur që do të mbetet Rezoluta 1244, madje e fuqishme si asnjëherë më parë, disa diplomatë evropianë kohëve të fundit nisën ta vazhdojnë avazin e oksimoronëve, duke propozuar pavarësi për Kosovën në bazë të Rezolutës 1244! Pasi që mendësia e politikanëve shqiptar në të kaluarën e afërt i kishte pranuar të ashtuquajturat 'diskriminim pozitiv' dhe 'pavarësi e kushtëzuar', pse të mos provohet edhe një formulim absurd, apo jo?!
Me këtë mënyrë të adresimit të çështjes së Kosovës dhe në rrugën se si po kërkohet zgjidhja për të, mosmarrëveshja është pakrahasimisht më e mirë se marrëveshja, më e mirë se secila marrëveshje kurdoherë përgjatë këtij procesi. Qëndrimi i Treshes pas takimeve të ndara me Beogradin dhe Prishtinën e sqaron deri në banalitet këtë. Aty thuhet se Treshja 'inkurajon palët që t'i paraqesin propozimet e tyre në mënyrën që do ta joshte anën tjetër'. Propozimi i Serbisë atje ishte ai i vjetri: autonomi substanciale për Kosovën brenda kufijve të Serbisë. Propozimi i GN të Kosovës ishte ky i riu: Pakoja e Ahtisaarit dhe disa gjepura për njëfarë fqinjësie të mirë që askush nuk i mori seriozisht. Treshja me këmbëngultësi synon marrëveshje brenda këtyre dy pozicioneve. Dhe, negociatat bëhen për marrëveshje, e jo për mosmarrëveshje.
Deri te Pakoja e Ahtisaarit analistët e politikanët e ndryshëm shqiptar çirreshin se si medoemos duhej arritur marrëveshja, duke besuar se Serbia do të lëshojë pe. 'Nuk do të ketë marrëveshje pas këtyre 120 ditëve!', sërish çirren përsëri të njëjtit analistë e politikanë shqiptar (sic.). Ama, pse, të mos ketë marrëveshje? Ndoshta Serbia mund të lëshojë pe, apo jo? Le të shpresojmë se Serbia lëshon pe?! Mirëpo, jo. Këta analistë e politikanë e dinë mirë se nëse dikush lëshon pe për marrëveshje ky do të jetë vetëm GN i Kosovës, e assesi Serbia. Ata pasi që e copëtuan Kosovën në Vjenë, tash edhe po e lënë atë nën Serbi. Pozita e Kosovës ka rënë në nivelin e Pakos së Ahtisaarit me qëllim që të bie edhe më poshtë se aq. Para negociatave të Vjenës pozita vërtet nuk ishte e mirë, por megjithatë nuk ishte kaq e dobët. Mu për këtë ngjau Vjena. Sikur të mos ishin koncesionet në Vjenë, nuk do të kishim një ofertë të turpshme miqësie për armikun tonë, Serbinë, në Nju Jork. Zaten, kërkohen (më shumë) koncesione nga ai që (tashmë) ka bërë shumë koncesione.
Mbulesa e vetme për GN-në edhe në këtë udhëtim për në Nju Jork ishte se kinse po shkojnë atje që ta argumentojnë pavarësinë e Kosovës. Përveç që nuk kanë se si e argumentojnë pavarësinë kur dihet që kanë zbritur te Pakoja e Ahtisaarit, a nuk e kanë argumentuar ata tanimë pavarësinë? Deri kur duhet ta argumentojnë atë pavarësi kur nuk mbet qytet në botë pa ia argumentuar atë? Dhe, çfarë është ky lloj argumentimi pa kurrfarë fuqie politike? Ç'është ky ligjërim politik pa forcë, ky lum i njëjtë fjalësh që asnjëherë s'bëhen vepra dhe kurrë nuk prodhojnë ndryshime? Është thjesht një hiçgjë, fundja, ashtu siç janë edhe ata vetë.
Që të mos merret vesh kjo dhe për t'ua njomur ca zemrat qytetarëve ende të pashëruar nga mosinformimi e iluzionet, në deklarata të GK-së herë pas here shtohet se zgjidhja për Kosovën duhet të jetë e pranueshme (edhe) për popullin e Kosovës. Mirëpo, siç e dimë të gjithë ne, anjëherë nuk na e lejojnë referendumin gjë që do të paraqiste pikërisht (mos)pranimin e popullit. Atëherë, janë vetëm dy mundësi këtu: ose po presin që t'ia ndryshojnë rrënjësisht vullnetin popullit para referendumit, ose konsiderojnë se populli ynë është i reduktueshëm në këta negociatorët kosovar. Sido që të jetë, asnjëri version s'është i drejtë. Kot flitet e përmendet vullneti i popullit përderisa e vonojnë atë, e keqinterpretojnë atë, ose duan ta shtrembërojnë atë. Vonimi, keqinterpretimi ose shtrebërimi i vullnetit të popullit, në instancë të fundit, janë veçse e përbashkëta e këtyre: mohimi i popullit.
Krijoni Kontakt