Rrotacioni i pushtetit në sistemin demokratik është procesi më normal që ndodh në këtë sistem dhe mbase po të mos ish m’u “rrotacioni i pushtetit”, edhe nuk do të ekzistonte fare sistemi politik i demokracisë. Aty ku nuk ka ndrrim të pushtetit, aty ka monizëm. Monizmi ose sistemi njëpartiak, ka shkaktuar deformime të pushtetit deri në diktaturë, totalitarizëm etj. Historikisht, populli shqiptar dhe edhe ky i Kosovës pa dallim, ka jetuar për kohë mjaft të gjatë në sistemin monist dhe jo vetëm monist ku e drejta e mendimit dhe fjalës së lirë, e drejta e votës së lirë, e zgjedhjes së lirë ka qenë apriori, e diktuar dhe e kontrolluar. Gjeneratat pak më të vjetra, e kanë përjetuar në kurriz të tyre diktatin politik dhe partiak të monizmit. Monizmi, ishte një sistem që e barazonte qenjen njerëzore me fuqinë e pushtetit deri në ekstrem, duke mos iu përgjegjur as ligjit dhe as zotit. Pakufizimi i pushtetit, ishte thelbi sundues i këtij sistemi i cili jo vetëm që ka sunduar papërgjegjshëm por, ka dërguar në botën tjetër pa gjyq miliona e miliona njerëz kudo që ishte shtrirë.
Rortacioni i pushtetit, është thelbi i ideologjisë liberale – demokratike. Relacioni pozitë – opozitë dhe e kundërta është mënyra e qeverisjes, një mekanizëm ky që jo vetëm e ndryshon pushtetin por, edhe e bënë të përgjegjshëm, efikas dhe nuk e lejon të rezignohet – degjenerohet. Nisur nga këto evenimente ( nga përgjegjësia, ndrrimi i pushtetit, vota e lirë, mekanizmat e pushtetit të kufizuar etj. ), demokracia bëhet funksionale dhe një nga sistemet më efikase për shoqërinë dhe popujt. Zgjedhjet e lira, mbase edhe janë kulmi i demorkacisë. Ne po mësohemi, Kosova po mësohet që të ndërtoj rend demokratik të pushtetit. Zgjedhjet e 17 nëntorit, simbolizojnë “mësimet e shkollës së demokracisë” të cilat pasqyrojnë në teori dhe praktikë, edhe ndërtimet e një shoqërie dhe vendi që shtreson demokracinë si sistem për interesa jo vetëm individuale, grupore – partiake por edhe qytetare, në përgjithsi. Zgjedhjet e deritanishme kanë treguar një gjë shumë të saktë: diciplinën e qytetarëve dhe të partive për ta bartur këtë proces nga fillimi e deri në fund, në mënyrë paqësore. Finalizmi paqësorë i procesit të zgjedhjeve, pra ndrrimi paqësorë i pushtetit, është esenca e ndërtimit të shoqërisë demokratike. Prandaj Kosova, me të vërtetë ka arritur që ta zhvillojë dhe ndjek këtë kurs demorkatik.
Por ndërtimi i shoqërisë dhe i sistemit demorkatik është një përgjegjësi më e madhe në nivel të përhapjes së demokracisë dhe funksionalizimit të saj, meqë ashtu si çdo proces edhe zgjedhjet kanë haraqin e tyre. Zgjedhjet në shoqërinë demokratike bëhen për ndryshime politike dhe partiake, për ndryshime të pushtetit dhe siç thamë edhe më lartë, ky mekanizëm ( zgjedhjet ) mundësojnë ndryshimin e qeverisjes. Nuk ka asgjë të jashtzakonshme: qeverisja mbetet e njejët ( demorkatike ) por, ndryshohen akterët e qeverisjes, programet e qeverisjes, kërkesat, vlerat, kultura politike etj. Nëse ndodh e kundërta statusquoja, mosndryshueshmëria e pushtetit, njëpartishmëria ose ruajtja e një klase në pushtet ta zëmë për më shumë se dy – tri mandate, duhet të konstatojmë që ose nuk jemi në sistemin demokratik ose nuk kemi arritur të inkorporohemi, të adoptohemi, të mësohemi me këtë sistem.
Zgjedhësit në Kosovë votojnë me inercion…
Më e paakceptueshmja: nuk kemi arritur ta zhvillojmë misionin që ka demokracia ose, nuk kemi arritur të çlirohemi nga ish sistemi monist dhe ta kuptojmë qartë se cili është thelbi i rrotacionit të pushtetit. Në fakt, thelbi i rrotacionit të pushtetit nuk është interesi kushtimisht individual, gruporë ose partiak por, është interesi shoqërorë e më gjërë, pra interesi i përgjithshëm. Nuk mund të kemi qeverisje të zhvilluar, funksionale, efektive, nuk mund të kemi institucione të qëndrueshme dhe efektive, nuk mund të ndërtojmë kulturë politike demokratike, nuk mund të kemi qeverisje të përgjegjshme, shtet ligjorë dhe gjyqësi të pavarur, vlera demokratike të qëndrueshme, perspektivë shtetërore nëse ndodh siç edhe jemi mësuar të ndodh që klasa politike në pushtet të mos ndryshohet në dy, tri e më shumë mandate ose procese zgjedhore.
Ndryshimet e pushtetit, pra ikja e një klase në pushtet dhe zëvendësimi i asaj klase me një klasë tjetër qoftë për nga aspekti i partisë, qoftë për nga programi zgjedhorë apo qoftë edhe për nga idelologjia politike dhe partiake e klasës ndikon që qeverisja të diktohet me hapje të konkurencës, me përgjegjësi, me vlera të reja, me perspektiva të reja etj. Nëse nuk ndodh kjo, rrotacioni i duhur i pushtetit në kohë dhe hapësirë të duhur mendoj që zgjedhjet janë inerte dhe në fakt, ose nuk ka vetëdije normale dhe të nevojshme për zhvillimin e sistemit të demorkacisë ose skena partiake është e varfër me ide, programe, me lidership dhe struktura të nevojshme për ta shkaktuar ndryshimin demokratik të pushtetit. Ka edhe një të vërtetë tjetër: që zgjedhësit në Kosovë votojnë me inercion, disa zgjedhës nuk janë të çliruar ende nga njëmendësia moniste e pushtetit, një pjesë tjetër e zgjedhësve shkojnë ose nuk shkojnë fare te kutiat e votimit të yshtur nga inatet, neglizhenca, nga mosnjohja e realitetit demokratik ( shumë qytetarë nuk e dinë që votimi është e drejtë kushtetuese por edhe obligim moral - ligjor ), dhe një pjesë tjetër e zgjedhësve e shohin votën kushtimisht, si interes personal.
Në çdo kohë, vota e lirë bëhet për të zgjedhur lirshëm. Ky është sistemi i demorkacisë që nga koha e lashta - antike. Konsideroj që po ti krahasojmë sot politikat, do të shohim se asnjë popull në Evropë nuk ka një histori më të gjatë se shqiptarët në sistemet perandorake – moniste – diktatoriale. Hantingtoni thotë që “krahasimi i së shkuarës dhe së tashmes së kombit tonë dhe krahasimi i përvojës sonë me atë të kombeve të tjera, thellon këndvështrimin tonë në institucionet tona”. Në këtë këndvështrim, zgjedhjet janë një shans i mrekullueshëm që alternativat tona politike dhe partiake të fokusohen në rrotacionin e pushtetit. Gjithsesi: jo sipas modeleve të mentalitetit që vjen nga politikat e monizmit, të diktaturave, të ideologjive, inercionit, intereseve meskine por në përputhje me ndryshimet e qeverisjes që janë interes shoqërorë - qytetarë, e më gjërë. Nuk është e vërtetë që në Kosovë nuk ka alternativa, nuk ka se kush të votohet, nuk ka se kush të hyjë në “formulën e rrotacionit” për ndryshim të pushtetit qeverisës. Kosova, përkundër paqartësive politike të statusit, të qeverisjes anarkiste, të problemeve të shumëta sociale – ekonomike, të pasigurisë dhe të paligjshmërisë ka në skenë një opozitë në krye me Partinë Demorkatike të Kosovës, shumë të fuqishme. Prandaj: çdo arsyetim për mosndryshim të pushtetit në zgjedhjet e 17 nëntorit, kësaj rradhe është i barabartë me iluzionet, gënjeshtrat dhe psikologjinë e mentalitetit politik monist.
Krijoni Kontakt