Close
Faqja 17 prej 18 FillimFillim ... 715161718 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 161 deri 170 prej 174
  1. #161
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Arrestimi i Albin Kurtit si në kohën e Titos!



    RIBURGOSJA E ALBINIT DHE VIZITA E TADIQIT NË KOSOVË



    · Politikanë vendor pa iu nxjerr emrat tani, keni afat shumë të kufizuar, ndoshta sapo ta kaloni procesin e shpalljes së pavarësisë që në ditët e para, jeni kompetent apo jo (!!!) ju duhet ta nxirrni vendimin për lirimin dhe kurrë më arrestimin e Albin Kurtit apo ndonjë Albini tjetër i cili në mënyrë jo violente, pa dhunë shpreh mospajtimet e veta politike dhe kërkon alternativa tjera me transparencë, program dhe forma demokratike.



    Shkruan: Xun ÇETTA

    Më 01. II. 2008



    Nuk është befasi dhe diçka e re ardhja e Tadiqit, as arrestimi i Albin Kurtit në Kosovë, kuptohet nuk është për ata që kanë provuar dhe për të cilët akoma janë të freskëta kohërat kur arrestoheshin, torturoheshin dhe në fund dënoheshin sa herë që vinte Tito apo funksionarë tjerë nga Beogradi në Kosovë.



    Sigurisht se në mënyrën tjetër po ashtu nuk është befasi as për ata të cilët nuk kanë ditur kurrë se kush përse erdhi dhe kush kur shkoj nga Kosova, pra sigurisht se të tillët edhe tani janë po aq të pa shqetësuar më atë se çfarë po ndodhë në Kosovë, pikërisht për këtë arsye Kosova ditën e stme e kaloj si në të kaluarën kuptohet me pak dallime .



    Arrestimi i Albin Kurtit ishte i dy anshëm, pra edhe kur vinte 29 nëntori festa e YU-shtetit tani të shpërbërë, sigurisht se arrestoheshin njerëzit e zbuluar dhe verifikuar si kundërshtar të asaj dite. Kësaj radhe dallimi është i madh, a padrejtësia është akoma më e madhe nga sa ishte në ish Jugosllavi!!!.Nëse atë botë ishim kundërshtar të ditës së atij shteti, kush i zbuluar dhe kush jo, tani Albin Kurti nuk është kundërshtar i pavarësisë por është i pa kënaquri i parë me produktet dhe cilësinë ligjore të asaj, nëse guxojmë ta quajmë pavarësi me parametra të drejtave ndërkombëtare.



    Pra dallimi kundërshtar nga i pakënaqur është i madh dhe kështu padrejtësia po na rezulton më e madhe nga sa ishte në të kaluarën, gjë kjo të cilën vetë drejtësia ndërkombëtare duhet ta thërras mendjen, në të kundërtën do ta gjejë fatin e komprometimit dhe thyerjes së padrejtësisë po si me ish Jugosllavinë, në të cilën investuan aq shumë. Nuk është Albini dhe shumë të tjerë si ai kundërshtarë të pavarësisë sado e gjymtë të jetë ajo, por ata janë njerëzit të cilët kundërshtojnë tendencat mjerisht të pa evitueshme që pavarësia të na vjen e hendikepuar dhe gjysmë invalidë.



    Pavarësia e cila me bekimin e ndërkombëtarëve më gjithë atë shkëputë, e ndan pushtuesin nga i pushtuari sigurisht se ka konsideratat e veta dhe mirënjohje kthesave morale nga ana e tyre, gjërat duhet seleksionuar dhe ndarë ato e jo të ngatërrohen dhe keq interpretohen më qëllimet e caktuara politike.



    Politikanë vendor pa iu nxjerr emrat tani, keni afat shumë të kufizuar, ndoshta sapo ta kaloni procesin e shpalljes së pavarësisë që në ditët e para, jeni kompetent apo jo (!!!) ju duhet ta nxirrni vendimin për lirimin dhe kurrë më arrestimin e Albin Kurtit apo ndonjë Albini tjetër i cili në mënyrë jo violente, pa dhunë shpreh mospajtimet e veta politike dhe kërkon alternativa tjera me transparencë, program dhe forma demokratike.



    Po nuk e bëtë këtë gjë jam i sigurt dhe garantoj se nuk do u hyn në punë pavarësia edhe ashtu pa kompetenca për të cilën u lakuat dhe e bëtë vetën teneqe. Ky nuk është kërcënim për njërën as palën tjetër por është paralajmërimi i fundit që të bëni kthesa në mënyrë që proceset edhe ashtu të vështira të paktën të mos dështojnë plotësisht.


    http://www.pashtriku.org/
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  2. #162
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Letër dërguar Ministrit italian të Ministrisë së Drejtësisë
    Tuesday, 05 February 2008

    I nderuari zotëri,

    Re: Roli i gjykatësit Maurizio Salustro në gjykimin kundër Albin Kurtit, Kosovë

    Po ju shkruajmë këtë letër për t'ju vënë në dijeni me punën e gjykatësit italian, momentalisht me shërbim në Kosovë, Maurizio Salustro. Ai është kryetar i panelit ndërkombëtar që gjykon Albin Kurtin, aktivist i padhunshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!

    Prapavija e ngjarjeve

    Albin Kurti u arrestua më 10 shkurt 2007 pas demostratës paqësore prej mijëra shqiptarëve në qendër të Prishtinës, që thërrisnin për referendum si shprehje e të drejtës për vetëvendosje dhe kundërshtonin Marrëveshjen e Ahtisaarit. Në këtë demostratë, policia e UNMIK-ut qëlloi me plumba gome në protestues, duke vrarë dy të rinj dhe lënduar mbi 80 të tjerë, tre nga ta me lëndime serioze. Prokurori special i Kombeve të Bashkuara Robert Dean, i cili zhvilloi hetimet mbi operacionin e policisë konkludoi se përdorimi i plumbave të gomës ka qenë reagim i panevojshëm dhe i tepruar. Gjithashtu ai konludoi se policët rumunë përgjegjës për vrasjen e dy të rinjve, kanë bërë vepër penale, por asnjë nga ta nuk u soll para drejtësisë. Gjithashtu asnjë nga zingjiri komandues i UNMIK-ut nuk ka dhënë përgjegjësi për urdhërat e dhënë atë ditë.

    Në fakt Albin Kurti ballafaqohet me gjykim, i akuzuar për ‘organzimin e masës që bëri vepër penale ("përpjekje për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe dëme materiale në shkallë të lartë), pengim i personave zyrtarë në kryerje të detyrës (definuar si vendosja e kordonit policor në rrugë), dhe thirrje për rezistencë (thirrje protestuesve për të shpërthyer kordonin policor). Ai mund të dënohet me 10 vjet burg. Ai u mbajt në burg në gjysmën e parë të vitit 2007, gjatë së cilës kohë organizatave ndërkombëtare humanitare iu mohua e drejta për ta vizituar atë, derisa diplomatëve amerikanë që mundoheshin ta bindnin të mos organizonte më demostrata iu lejua vizita. Në gjysmën e dytë të vitit 2007 ai u mbajt nën arrest rigoroz shtëpiak 24 orësh, me policë para derës pa u lejuar as të nxjerrë këmbën jashtë. Kjo ishte e pashembullt në Kosovë. Pas deklaratës së fundit nga Amnesty International arresti shtëpiak u hoq më 19 dhjetor.

    Gjykimi

    Albin Kurti po gjykohet nga një panel ndërkombëtar gjykatësish të udhëhequr nga Gjykatësi italian Maurizio Salustro. Gjykimi filloi në shtator 2007 dhe deri tash janë mbajtur katër seanca. E pesta është caktuar për 5 shkurt 2008. Albin Kurti nuk e njeh të drejtën e administratës së UNMIK-ut që të qeverisë në Kosovë, sepse është e bazuar në Rezolutën 1244, e cila e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë mbi Kosovë.dhe sepse administrata e UNMIK-ut është jodemokratike. Në vazhdimësi ai nuk e ka njohur sistemin gjyqësor të UNMIK-ut në Kosovë dhe as nuk beson se mund të ketë gjykim të drejtë nga sistemi në të cilin UNMIK-u drejtpërdrejt i emëron gjykatësit ndërkombëtarë dhe, njëkohësisht konsiderohet si palë e dëmtuar në gjykim.

    Gjykimi ndaj Albin Kurtit është i mbushur me shumë parregullsi. Amnesty International ka shprehur brengën se gjykimi po mbahet për qëllime politike:

    "Amnesty International është e brengosur se gjykimi ndaj Albin Kurtit, udheheqësit të organizatës jo-qeveritare VETËVENDOSJE!, nuk po mbahet në harmoni me ligjin e aplikueshëm në Kosovë, apo standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë. Albin Kurti po gjykohet nga një trup gjykues ndërkombëtar në Prishtinë, Kosovë. Amnesty International është e brengosur se deri më sot, kjo padi dhe ky proces gjyqësor duken të jenë të politizuara, dhe, në këtë rast, nga mungesa e pavarësisë së gjyqësorit".

    Ombudspersoni i Kosovës së fundi i ka shkruar letrën e dytë Departamentit të Drejtësisë duke i përmendur një mori parregullësish procedurale ligjore.

    "Numri i madh i parregullësive në këtë rast jep arsye për brengosje. Arsyeja që këto ndodhin dhe çështjet tjera të ngritura në letrën time të më hershme janë për t’u habitur, kur merret parasysh fakti që trupi gjykues është i përbërë nga gjykatës ndërkombëtarë, që të gjithë të shkolluar dhe duke punuar në vende me traditë të gjatë dhe të mirëfilltë të administratës gjyqësore"

    Komiteti Norvegjez i Helsinkit ka deklaruar,

    “Shqetësimet përsa i përket dilemave nëse gjykimi përputhet me standardet e një gjykimi të drejtë apo nëse do të përfundojë me nevojën për të zhvilluar një gjykim të ri, kanë ardhur në rritje. Jo vetëm që paraburgimi i z. Kurti është zgjatur për më tepër se dhjetë muaj pa ndonjë justifikim ligjor për marrjen e masave të tilla, por lënda e tij ka patur tejzgjatje të konsiderueshme midis seancave dhe një avokat mbrojtës të dobët nga ana profesionale. Për më tepër, gjykata duket se ka shkelur një numër kriteresh procedural gjatë këtij procesi, ku ka lindur shqetësimi se çështja është e padrejtë, ose siç është sugjeruar se po kryhet për motive politike.”

    Ndërkombëtarja e Rezistuesëve të Luftës ka deklaruar,

    ”Ndërkombëtarja e Rezistuesve të Luftës (War Resisters' International WRI) – një rrjet pacifist ndërkombëtar që angazhohet për format e padhunshme të veprimit dhe ka 82 degë në 42 shtete – e konsideron përndjekjen e Albin Kurtit si përpjekje të motivuar politikisht për të mos e lënë të qetë dhe për ta diskredituar njërin prej kritikuesëve më të zëshëm dhe më këmbëngulës të administrates ndërkombëtare në Kosovë si dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, themelimin e së cilës e ndihmoi ai. Misionet e OKB-së janë gjoja të rrepta në përpjekjet e tyre për t'i respektuar standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe në sigurimin e modelit të qeverisjes së mirë. Në vend të kësaj, UNMIK-u – Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara në Kosovë – është dëshmuar të jetë i papërgjegjshëm dhe – përballë pluralizmit dhe padëgjueshmërisë qytetare – thjesht autoritar në mosrespektimin e procesit ligjor.”

    Roli i gjykatësit Salustro në dhunimin e të drejtës për gjykim të drejtë.

    Gjykatësi Salustro është kryetar i trupit gjykues në gjykimin kundër Albin Kurtit që nga shtatori 2007. Në vazhdim është lista e shkeljeve të cilat i ka bërë personalisht ai, për t'ia mohuar Albin Kurtit të drejtën për gjykim të drejtë.

    Në seancën e parë gjyqësore më 19 shtator 2007, Albin Kurti kërkoi që trupi gjykues të përjashtohet, sepse nuk mund të jenë të paanshëm në një gjykim ku UNMIK-u është pala e dëmtuar, prokurori dhe gjykatësi. Gjykatësi Salustro e pengoi Albin Kurtin të jep deklaratën në të cilën i paraqiste këto argumente, duke i bërtitur dy herë "mbylle gojën", para se ta mbyllte seancën. Kjo i nxiti shtatë gazeta të Kosovës ta botojnë deklaratën e Kurtit në tërësi të nesërmen.
    Edhe pse gjyqi vendosi që ta refuzojë kërkesën e Kurtit për përjashtim të panelit më 26 tetor, kurrë nuk e njoftuan për këtë vendim, dhe për pasojë ai e humbi të drejtën për ankesë.
    Seanca e parë gjyqësore më 19 shtator, filloi me leximin e një akuze të re dhe të pa konfirmuar, para se për të të njoftohej Albin Kurti apo avokati mbrojtës i emëruar nga gjyqi. Kur Kurti kërkoi nga gjykatësi Salustro ta spjegojë këtë shkelje të së drejtës së tij në seancën e dytë më 15 nëntor, gjykatësi Salustro pa asnjë shpjegim deklaroi se akuza e re duhet të injorohet, dhe ankesa tashmë është e pa rëndësishme.
    Me ligjin e aplikueshëm në Kosovë Kurti kërkohet të ketë avokat mbrojtës të caktuar nga gjyqi. Avokati i fundit u caktua në ditën e seancës së dytë gjyqësore, pasi që ajo kishte filluar. Ai u emërua në momentin e fundit, pa procedurë të duhur zgjedhore, dhe në mënyrë jo-transparente. Sapo u emërua, gjykatësi Salustro vazhdoi gjykimin pa i dhënë avokatit Fazli Balaj fare kohë që të njihet me lëndën.
    Në seancën e tretë të gjykimit, Kurti i prezentoi gjyqit një DVD, ku tregohej avokati mbrojtës i caktuar nga gjyqi Fazli Balaj, duke marrë pjesë në një program televiziv, menjëherë pas demostratës të 10 shkurtit, ku publikisht dënoi demostratën dhe Albin Kurtin. ( ). DVD nuk funksionoi dhe në vend se gjykimi të shtyhej për të studiuar dëshminë, Salustro vendosi ta injorojë atë. Në një moment sjellja e Balajt, bëri që prokuroria të kërkoj nga gjykatësi Salustro të sqaroj rolin e avokatit mbrojtës të detyrueshëm, sepse dukej që ai po vepron kundër Kurtit. Gjatë seancës së katërt, dy muaj më vonë, më 30 janar, gjyqi më në fund e shqyrtoi dëshminë dhe vendosi ta largojë Fazli Balajn! Ata më pas tentuan ta vazhdojnë seancën me një avokat të ri mbrojtës i cili as që i kishte parë dosjet e rastit. Fatmirësisht, avokati kërkoi shtyerje të seancës.
    Pa asnjë shpjegim, me kërkesë të prokurorit, një pauzë prej dy muajsh u la nga seanca e fundit më 4 dhjetor 2007, deri në seancën e ardhshme më 30 janar 2008, më qëllim të vonimit të gjykimit. Në ndërkohë të gjitha kufizimet e arrestit shtëpiak i ishin hequr Albinit. Gjykata e dinte se ai nuk do të shkonte në gjykatë vullnetarisht. Kur nuk mori pjesë në seancën gjyqësore më 30 janar, ai u arrestua dhe u dërgua menjëherë në paraburgim deri në përfundim të gjykimit ose për maksimalisht 30 ditë. Gjykatësi Salustro kërkoi nga Albini që ta shpjegojë arsyen për mospjesmarrjen e tij në gjykatë, dhe menjëherë pasi që filloi të fliste Albini, ai e ndërpreu dhe nuk e la ta përfundojë sqarimin para se t’ia shqiptonte masën e paraburgimit. Siç e ka cekur Komiteti Norvegjez i Helsinkit ditë më parë, po të kishte qenë pjesëmarrja e Albinit në seancat gjyqësore synim, atëherë masat më të lehta që janë përdorur më herët do të duhej të zgjidheshin. Zbatimi i masave më rigoroze të mundshme tregon se synimi i vërtetë ishte izolimi i tij gjatë këtij muaji të rëndësishëm politik.
    Gjykata edhe një herë e klasifikoi Albinin si të burgosur të Kategorisë A – i burgosur i rrezikut të lartë – përkundër faktit që ai ishte liruar nga arresti shtëpiak më 19 dhjetor. Vetëm një gjë mund ta shpjegojë këtë status të “rrezikut të lartë”: fakti që ai nuk është paraqitur vullnetarisht në gjykatë më 30 janar për shkak të mosnjohjes së tij parimore të UNMIK. Pra, janë bindjet e tij politike që e bëjnë atë të burgosur të ‘rrezikut të lartë’.
    Në fund gjykatësi Salustro e ka mbajtur në vazhdimësi në arrest shtëpiak të ashpër dhe të pa-shembullt Albin Kurtin që nga shtatori. Shumica e seancave ku është vendosur për arrestin shtëpiak janë mbajtur privatisht dhe pa njohurinë e Kurtit.


    Sjellja e gjykatësit Salustro duhet të paraqes brengosje për Qeverinë italiane. Ai duhej të ishte në Kosovë për të përfaqësuar standardet ndërkombëtare të ligjit dhe drejtësisë. Kurse ai po bashkëpunon në një gjyq politik, ku po bën shkelje të numërta për t’ia mohuar Albin Kurtit të drejtën e një gjykimi të drejtë. Kjo jo vetëm që paraqet një trashëgimi të keqe për Kombeve e Bashkuara, por gjithashtu i sugjeron popullit të Kosovës, se pak mund të mesojë e shumë frikësohet nga misioni i ardhshëm i BE-së.

    Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  3. #163
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Seanca e pestë gjyqësore kundër Albin Kurtit
    Tuesday, 05 February 2008

    Gjykata vepron për ta shkatërruar padëgjueshmërinë morale të avokatëve mbrojtës

    Sot paneli ndërkombëtar i gjyaktësve në rastin e montuar politiko-gjyqësor kundër Albin Kurtit kanë hyrë në luftë të hapur me Odën e Avokatëve të Kosovës, brenda sallës së rrethuar me policë të armatosur ndërkombëtar, përfshirë një polic nga Rumania. Avokati i caktuar në seancën e kaluar, Ferki Xhaferi, refuzoi të marrë pjesë në këtë gjykim, akt ky parimor i padëgjueshmërisë, duke i’u përgjegjur kështu thirrjes së mëhershme të Albinit drejtuar të gjithë avokatëve në Kosovë, që mos të pranojnë ta mbrojnë atë. Për këtë akt të padëgjueshmërisë morale, Ferki Xhaferi u gjobit me 250 euro dhe gjykatësi Salustro kërkoi nga Oda e Avokatëve ta përjashtojnë Ferkiun. Paneli i gjykatësve nuk ka kurrëfarë të drejte ta përjashtojë asnjërin prej Odës së Avokatëve! Kjo Odë do të duhej të vepronte e pavarur dhe në mënyrë autonome nga pushteti apo gjyqësori.

    Avokatja e re mbrojtëse, Fetije Ukaj, e cila ishte caktuar sot në ora 10 për ta zëvendësuar z. Xhaferin, deklaroi se ajo nuk do ta mbrojë Albinin pa pëlqimin e tij. Znj. Ukaj tha se pa pëlqimin e Albinit, ajo do të qëndronte në gjykatë vetëm për t’i përmbushur kushtet ligjore dhe, kësisoj, do të shndërrohej në ‘kukull’. Gjykatësi Salustro e pyeti: “A dëshironi të veproni sipas ligjit apo sipas vullnetit të z. Kurti? Nëse mendoni se Albin Kurti është përmbi ligjin, atëherë ma thoni?” Janë këta gjykatës që e konsiderojnë veten të jenë mbi ligjin – dhe të cilët në të vërtetë JANË mbi ligjin në sistemin e padrejtë të UNMIK-ut. Gjykatësi Salustro mëpastaj e la të kuptohet se nëse Fetije Ukaj nuk paraqitet në seancat e ardhme gjyqësore, mungesa e saj do të jetë shkaktar i drejtpërdrejtë i zgjatjes së paraburgimit për Albinin. Kjo po ashtu tregon se gjykata nuk do ta shqyrtojë fare kërkesën e avokatit Ferki Xhaferi për anulim të masës së paraburgimit që i është caktuar Albinit. Ai po ashtu e tha nënrreshta se Ukaj ka dështuar në përgatitjen e saj për rastin, edhepse ajo e kishte marrë lëndën dhe dokumentat e lëndës vetëm tre orë para se të fillojë seanca.

    Më në fund, Salustro vendosi ta sfidojë Odën e Avokatëve të Kosovës. Ai tha se nëse znj. Ukaj nuk paraqitet në seancën e radhës, gjyqi do ta caktojë Ramë Gashin, Kryetarin e Odës së Avokatëve, për ta zëvendësuar atë.

    Albin Kurti deklaroi se ‘Nuk e pranoj avokaten Fetije Ukaj për shkak se nuk ju pranoj ju si gjykatë e cila e ka caktuar atë. Akt moral është pikërisht akti i padëgjueshmërisë së Ferki Xhaferit, dhe është simptomatike nga kjo gjykatë që ka vendosur sot afër meje një polic nga Rumania.’

    Natyra politike e këtij gjykimi dhe mungesa e çfarëdo baze ligjore për të u pa sheshazi sot. Gjykata po synon t’i detyrojë avokatët shqiptarë për të marrë pjesë në këtë gjykim kundër vullnetit të Albinit, për t’i dhënë rastit legjimitet të falsifikuar. Për ta bërë këtë gjykata së pari përdori kërcënimet financiare, kurse sot ka tentuar t’ia shkatërrojnë karrierën z. Xhaferi. Tash ata e kanë kërcënuar edhe vetë kryetarin e Odës së Avokatëve.

    Këto kërcënime të gjykatës po tregojnë qartë se sa të dëshpëruar, por edhe të urritur janë këta gjykatës për ta dënuar Albinin, dhe për ta bërë këtë gjykim të duket si kinse gjykim i drejtë. Mirëpo mu këto kërcënime të gjykatësit Salustro po ia çjerrin maskën tërë sistemit gjyqësor e politik të ndërtuar nga UNMIK-u, dhe po e shpërfaqin fytyrën e vërtetë të këtij sistemi – një fytyrë kjo e shëmtuar dhe e dhunshme që qëndron përmbi një popull të shtypur, të varfër e të lodhur. Salustro gradualisht po e zgjeron frontin e UNMIK-ut kundër tërë popullit të Kosovës. Kërcënimet e tij nuk janë vetëm për Albinin dhe avokatët – ato po i drejtohen secilit qytetarë të Kosovës. Salustro me këto po na tregon se UNMIK-u këtu ka të drejtë të bëjë çfarëdo që dëshiron, me këdo që dëshiron dhe kurdo që dëshiron. A nuk mund të thuhet kjo edhe për policin rumun në gjykatoren e Kosovës? Ky është koleg i atyre policëve që vranë e plagosën më 10 shkurt.

    Këta plumba nuk na ndalën. E nuk do të na ndalin as kërcënimet e Salustros e as paraqitja e policëve rumun nëpër seanca e në rrugë. Për shkak se padrejtësia me të cilën po përballemi është e padurueshme.

    Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  4. #164
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Kundër misionit të BE-së në Kosovë, për Kosovën në BE
    Wednesday, 06 February 2008
    Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! ka organizuar aksionin e shkruarjes së parullës kundërshtuese ndaj misionit të ardhshëm të BE-së, të quajtur EULEX. Aksioni është zhvilluar nga aktivistët e Lëvizjes VETEVENDOSJE! në të gjitha qendrat kryesore të Kosovës.

    Gjatë zhvillimit të aksionit në qytetet Besianë dhe Prizren, policia arrestoi dhunshëm aktivistët tanë si dhe konfiskoi shabllonët dhe sprejat me të cilët aktivistët e shkruanin parullën. Në Besiane janë arrestuar aktivistët: Blerim Maqastena, Labinot Balaj dhe Robert Bunjaku, ndërsa në Prizren aktivistët: Kushtrim Dakaj, Luan Hoti, Faruk Dakaj, Korab Veselaj, Artan Abrashi, Isa Balaj, Venhare Dervari, Myvedete Hoti, Arben Krasniqi, Shqipron Krasniqi dhe Nehat Ninaj.

    Gjatë arrestimeve në Prizren policia ka reaguar në mënyrë brutale duke ushtruar dhunë ndaj aktivistëve, me ç’rast është përdorur edhe sprej lotsjellës. Në këtë ndërhyrje brutale është dalluar polici Bekim Tafaj me numrin identifikues 3199, i cili ka keqtrajtuar dhe fyer aktivistët edhe në Gjykatën për Kundërvajtje në Prizren.

    Tashmë është bërë e qartë – Kosova nuk po lejohet të qeveriset nga populli i saj. Neve prapë po na udhëheq një mision i huaj. Emërtimi EULEX është arritur përmes bashkëdyzimit të akronimit për Bashkimin Evropian (ang. European Union - EU) dhe fjalës latine LEX që do të thotë ligj. Kështu i kanë thënë ligjit në Perandorinë Romake, dhe pikërisht këtë LEX perandoria e atëhershme synonte ta shtrinte nëpër vendet e pushtuara. Ne po shndërrohemi në një koloni të re?

    Misioni i ardhshëm i BE-së do të jetë një UNMIK tjetër, fuqia politike e të cilit do të jetë cungim i drejtpërdrejtë i lirisë sonë. Ky do të jetë mision edhe më i rreptë në kontrollin që do t'ia bëjë politikës si dhe jetës shoqërore në përgjithësi në Kosovë, duke qenë se do të ketë kompetenca shtesë krahasuar me ato të UNMIK-ut. Përfaqësuesi Civil Ndëkombëtar do të ketë fuqi t'i përjashtojë nga detyra secilin zyrtar të zgjedhur me votë nëse kundërshton Pakon e Ahtisaarit. Njëkohësisht ata do të kenë pushtet t'i ndryshojnë ligjet që miratohen në Kuvendin e Kosovës nga delegatë të zgjedhur. Njëkohësisht misioni do të ketë kompetenca të drejtpërdrejta qeverisëse në lëminë e ligjit (polici e gjyqësi) si dhe në disa aspekte të rëndësishme të ekonomisë (do t’i emërojë udhëheqësit e doganave, tatimeve, privatizimit, etj.) Mu këto kompetenca e shndërrojnë misionin (edhe po të ishte njëmend mision për pavarësi) në qeveri absolute të Kosovës, duke shndërruar institucionet tjera në agjenci të asaj qeverie. Ky mision është kundër pavarësisë. Ai e varëson Kosovën.

    Ne e dëshirojmë integrimin e Kosovës në BE, e jo qeverisjen e Kosovës nga misionet e BE-së. EULEX do të na e parandalojë integrimin. Shembull shumë të mirë e kemi Bosnjen. Ata janë nën Mision të udhëhequr nga BE-ja qe tetë vjet, pra qysh prej vitit 2000. Po të kishte qenë mision integrimi, deri tash Bosnja do ta kishte harruar momentin kur janë integruar në BE. Ata vërtetë e kanë harruar integrimin. Për shkak se i kanë humbur tërësisht shpresat se do të integrohen ndonjëherë. Të gjitha energjitë e Bosnjes shterren përbrenda përpjekjeve për integritetin e brendshëm. Të gjitha shtetet tjera në këtë pjesë të botës janë më afër integrimitsesa Bosnja. Asnjëra nga këto nuk qeverisen nga Misione të huaja, por nga qeveritë sovrane. BE-ja zgjerohet përmes një parimi formal - njohjes dhe respektimit të së drejtës për vetëvendosje të popujve. Popujt deklarohen përmes referendumit për t'iu bashkuar apo jo BE-së. Për shkak se ky Mision, dhe procesi politik që po e sjell atë këtu, na e mohon këtë të drejtë, po na e mohon dhe integrimin. Ky mision është kundër integrimit.

    Misionet ndërkombëtare do të duhej të qëndronin në Kosovë në cilësinë e misioneve këshilldhënëse dhe monitoruese. Mirëpo në asnjë mënyrë si misione qeverisëse. Madje edhe këto misione këshilldhënëse/monitoruese do të duhej të instaloheshin në vendin tonë përmes marrëveshjeve me institucionet sovrane të Kosovës, e jo me institucione të tilla kukulla, apo, siç është rasti aktual i UNMIK-ut, me Serbinë.

    Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  5. #165
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Thirrje avokatëve mbrojtës për padëgjueshmëri
    Wednesday, 06 February 2008

    Lëvizja VETËVENDOSJE! thërret Fetije Ukajn (që është avokatja e 6-të me radhë e caktuar nga UNMIK-u) dhe Ramë Gashin, kryetar i Odës së Avokatëve, si dhe të gjithë avokatët e Kosovës (përfshirë dhe Odën e Avokatëve të Kosovës), që të mos marrin pjesë në seancën e ardhshme gjyqësore politike ndaj Albin Kurtit. I thërrasim që të veprojnë në bazë të ndërgjegjes së tyre, dhe të mbrojnë kuptimin e vërtetë të drejtësisë në Kosovë, e jo ligjin e definuar sipas UNMIK-ut ashtu siç veproi dje avokati Ferki Xhaferi, me aktin moral të padëgjueshmërisë civile. Përkundër faktit që do të paguajë gjobën prej 250 eurosh si dhe kërkesës që gjykatësi politik Salustro ia ka bërë OAK-ut (Odës së Avokatëve të Kosovës) për largimin e tij, ai refuzoi ta mbrojë Albinin, akt për të cilin i jemi shumë mirënjohës dhe e falenderojmë. Kur gjykatësi Salustro e pyeti dje Fetije Ukajn që të zgjedh mes ligjit dhe Albinit, ai kërkoi që të bëjë një zgjedhje në mes të padrejtësisë që përfaqësohet nga ligji i UNMIK-ut, dhe drejtësisë që përfaqësohet nga Albini, përmes refuzimit parimor të këtij sistemi. Prandaj duhet t’i kundërviheni këtij gjykatësi ndërkombëtar që nuk është asgjë më shumë se një gjykatës politik e në kundërshtim të plotë me parimet profesionale të drejtësisë.

    Albin Kurti gjykohet nga ligji i UNMIK-ut për shkak të bindjeve të tij politike. Këtë e dëshmon më së miri mbishkrimi në derën e dhomës së tij, në burgun e Prizrenit ku shkruan: ‘Albin Kurti: Kategoria A, Jashtë’. Kjo nënkupton se Albini nuk paraqet rrezik të lartë për të burgosurit brenda burgut por për njerëzit jashtë burgut. Janë bindjet politike të Albinit që konsiderohen të rrezikshme për UNMIK-un, por jo edhe për popullin e Kosovës. Prandaj ai ishte rrethuar dje në gjykatë nga policë ndërkombëtarë, përfshirë një polic rumun që i qëndronte fare pranë.

    E përsërisim thirrjen që ua ka bërë Albini në shtator, të gjithë avokatëve mbrojtës që të refuzojnë të marrin pjesë në këtë gjykim politik, dhe në këtë mënyrë të mbrojnë kuptimin e vërtetë të drejtësisë në Kosovë: Ju ftojmë që të mos dorëzoheni ndaj shkeljes së hapur të integritetit tuaj personal dhe profesional, të manifestuar përmes kërcënimeve nënçmuese të Salustros. Ky është një rast i mirë për ju, që ta demonstroni pavarësinë tuaj dhe vullnetin tuaj për të punuar për një Kosovë më të mirë. Pjesëmarrja në rastet e motivuara nga politika dhe jo mbi parimet e drejtësisë, ju bën pjesëmarrës në krim serioz kundër popullit të Kosovës – shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të tyre, dhe i jep gjykimit një legjitimitet të rrejshëm. Pra, le të tregojmë se për çka angazhohet ky sistem: le ta bëjmë padrejtësinë dhe shtypjen të dukshme.

    Drei tash në procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit janë caktuar 6 avokatë.

    1. Ahmet Hasolli - ka dhënë dorëheqje
    2. Tomë Gashi - pas thirrjes që Albini u ka bërë Odës së Avokatëve të Kosovës dhe avokatëve veç e veç, Tomë Gashi nuk e pranon detyrën.
    3. Ibrahim Dobruna - po ashtu edhe ky nuk pranon t'a mbrojë Albinin.
    4. Fazli Balaj - ka pranuar ta mbrojë Albinin dhe ka marrë pjesë në dy seanca. Pas prezentimit të materialit si dëshmi kundër Balajt që e ka bërë Albini, gjykatësi Salustro e ka shkarkuar atë nga detyra. Pra, as vetë gjykatësi famkeq Salustro nuk e deshi Balajn, edhe pse ky ishte plotësisht në anën e gjykatës.
    5. Ferki Xhaferi - ka marrë pjesë vetëm në një seancë. Në seancën e dytë nuk ka pranuar të marrë pjesë dhe si dënim për këtë Salustro e ka dënuar me 250 euro gjobë dhe me kërkesën që do t'i bëjë Odës së Avokatëve të Kosovës që ta largojnë prej aty ku edhe Xhaferi është anëtar. Lëvizja VETËVENDOSJE! falenderon publikisht Ferkiun për këtë moral të refuzimit dhe padëgjueshmërisë ndaj gjykatës.
    6. Fetije Uka Islami - është caktuar në vend të F. Xhaferit.

    Në vijim është thirrja e Albinit drejtuar avokatëve më 30 shtator 2007:

    “Me këtë rast u bëj thirrje avokatëve shqiptarë që të mos më bëhen avokatë. Pra, u bëj thirrje që të mos më mbrojnë dhe kësisoj të më bashkohen në sulmimin e gjykatës. U bëj thirrje avokatëve që të mos e pranojnë emërimin që gjykatat e UNMIK-ut mund t'ua bëjnë në këtë proces kundër meje. Avokati për mua i gjykatës kundër meje është mëshira e gjykatës. Unë s'dua mëshirë. Le të duken të pamëshirshëm. Zaten, ashtu siç në thelb janë. Unë dua drejtësi. Por, rruga e drejtësisë kalon duke i luftuar ata, duke e luftuar padrejtësinë e tyre në të cilën ata janë të reduktueshëm.

    Duam të bëhemi të pavarur, apo jo? E, pra, le të bëhemi atëherë, duke mos iu bindur atyre që na sundojnë pa na dhënë llogari, atyre që me ligj s'mbahen përgjegjës, atyre që nuk nuk janë mbi ligjin vetëm sepse janë vetë ligji. Arbitrariteti i gjyqësorit që është i gërshetuar me ekzekutivin ndërkombëtar në Kosovë nuk ka legjitimitet dhe s'mund të funksionojë pa bindjen dhe dëgjueshmërinë tonë. Atëherë, le të mos u bindemi, le të mos iu nënshtrohemi. Po, pra, le të bëhemi (të pavarur).”

    Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  6. #166
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Gjykimi kundër Albin Kurtit u suspendua për shkak të padëgjueshmërisë morale të avokatëve
    Thursday, 07 February 2008
    Sot në seancën e gjashtë të gjykimit, rasti kundër Albin Kurtit është suspenduar si rezultat i refuzimit të Odës së Avokatëve të Kosovës që të marrë pjesë në të.

    Avokatja e caktuar nga gjykata, Fetije Ukaj nuk mori pjesë ne seancë fare, akt ky i padëgjueshmërisë morale. Ashtu siç kishin kërcënuar, gjykata, në ndërkohë, e thirri kryetarin e Odës së Avokatëve, Ramë Gashin, për të marrë pjesë. Z. Gashi i shkruajti një letër gjyqit në të cilën ai personalisht refuzoi të marrë pjesë për shkak se ai konsideronte se është e pamundur t’i ofrojë Albinit mbrojtje efektive. Për më tepër, ai deklaroi se Oda e Avokatëve nuk do të pajtohet ta caktojë asnjë avokat tjetër në këtë rast. Gjykata pauzoi për 45 minuta, kohë kjo gjatë së cilës ata vendosën që ta suspendojnë rastin për shkak të pengesës së avokatëve mbrojtës. Ky suspendim do të mbetet në fuqi deri sa të ndryshojë kjo situatë, pra, deri sa të gjendet një avokat i cili do të pranojë të marrë pjesë në seancë. Bazuar në ngjarjet e sotme dhe historikun e padëgjueshmërisë morale nga të gjithë avokatët e caktuar deri tash, me përjashtim të Fazli Balajt i cili u shkarkua për shkak të anshmërisë kundër Albinit, ka shumë gjasa që të mos gjendet asnjë avokat shqiptarë i cili do të pranonte të merr pjesë në këtë gjykim politik. Albini është lëshuar nga paraburgimi dhe gjyqi tha se do t’ia dërgojë procesverbalin e ditës së sotme PSSP-së, Gjykatës Supreme të Kosovës, Departmentit të Drejtësisë, dhe Komisionit Parlamentar për Drejtësi.

    Sot avokatët shqiptarë zgjodhën drejtësinë për popullin e Kosovës kundrejt sistemit të padrejtë të UNMIK-ut. Ata zgjodhën ti sherbejnë drejtësisë në perputhje me pergjegjësitë e tyre etike dhe profesionale, në vend që të veprojnë si vegla të një ligji të padrejtë. Solidariteti i tyre dhe padëgjueshmëria morale kushtëzuan kolapsin e gjykimit politik kundër Albinit. Përmes veprimit të tyre, ata sot ua mbrojtën të gjithëve në Kosovë të drejtën për të demonstruar dhe për të vepruar paqësisht në përputhje me bindjet e tyre politike. Përmes mosbashkëpunimit të tillë parimor luftohet padrejtësia.

    Lëvizja VETËVENDOSJE! i falënderon avokatët për qëndrimin e tyre.

    Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  7. #167
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216
    Konferencë për shtyp
    Thursday, 07 February 2008
    Nesër, e premtë 8 shkurt 2008, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbanë konferencë për shtyp, duke filluar në ora 13:00.

    Në këtë konferencë do të jenë të pranishëm aktivistët Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, të cilët do të flasin për procesin e politiko-gjyqësor kundër Albinit i cili u pezullua të enjten më 7 shkurt.

    Konferenca do të mbahet në zyren e Lëvizjes në Qytetthin Pejton.

    Ju mirëpresim!

    Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  8. #168
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283

    Bac, U Kry!

    BAC, U KRY!

    Paraqet, Sabri Selmani


    Thaçi e Sejdiu i lejuan zgjedhjet, strukturat, investimet dhe mallrat e Serbisë.

    Ata nuk e morën kontrollin mbi policinë dhe doganat me 17 shkurt 2008 dhe pas dy ditëve u dogjën pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.

    Ata e shitën veriun e Kosovës.

    Ata dikur e çarmatosën UÇK-në e tash e shuan TMK-në, duke na lënë pa ushtri që do të na mbronte.

    Ata e hoqën flamurin shqiptar nga institucionet e Kosovës.

    Ata po i ndryshojnë librat e historisë dhe abetaren duke ua shkombëtarizuar përmbajtjen.

    Ata e kanë braktisur Luginën e Preshevës.

    Ata e mirëpritën EULEX-in në bazë të 6 Pikëshit të Ban Ki-moon-it, e i cili thotë se është neutral ndaj statusit.

    Ata po e shesin pasurinë e Kosovës: nisën me KEK-un për të vazhduar me PTK-në, Aeroportin dhe Trepçën.


    Lëvizja VETËVENDOSJE !

  9. #169
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283
    Pse Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë nuk na e solli pavarësinë?

    Paraqet, Sabri Selmani
    Kiel, Gjermani


    Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 ishte një hap përpara, për shkak të njohjes ndërkombëtare. Por, në të njëjtën kohë, kjo deklaratë paraqet tre hapa mbrapa, sepse është e lidhur me zbatimin e Planit të Ahtisaar-it, mbikëqyrjen ekzekutive prej dy misioneve ndërkombëtare mbi bazën e Rezolutës 1244, dhe sepse ia mundësoi Serbisë zgjerimin e kontrollit brenda Kosovës.

    Plani i Ahtisaar-it: Deklarata e shtrëngon Kosovën për ta zbatuar Planin e Ahtisaar-it, i cili e ndan vendin tonë mbi baza etnike. Ai krijon brenda Kosovës një entitet territorial serb përmes ‘decentralizimit’, që do të kishte lidhje vertikale me institucionet e Beogradit. Po ashtu, ky plan të gjithë trashëgiminë ortodokse të Kosovës e definon si ‘serbe’, duke na shpronësuar prej kulturës sonë dhe duke na ndarë mbi baza fetare. Ai ia mohon Kosovës pasjen e një ushtrie për ta mbrojtur veten, kurse Serbisë ia mundëson zhvillimin e mekanizmave për ta mbrojtur kontrollin e saj brenda Kosovës. Plani u mendua të ishte çmim që duhet t’ia paguanim Serbisë në shkëmbim të njohjes së pavarësisë. Institucionet po e zbatojnë Planin pa na njohur Serbia.

    Mbikëqyrja ndërkombëtare dhe Rezoluta 1244: Deklarata përfshiu një ftesë drejtuar dy misioneve ndërkombëtare për mbikëqyrjen dhe zbatimin e Planit të Ahtisaar-it dhe sundimin e ligjit. Asnjëri prej tyre nuk ka rol këshillues. Këto misione – Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) dhe EULEX-i – kanë pushtet ekzekutiv dhe nuk i japin llogari e përgjegjësi institucioneve të Kosovës. Ato janë ligji i vërtetë sepse qëndrojnë mbi ligjin. Vetëm misioni EULEX do të shpenzojë 364 milion euro vetëm në vitin e parë. Ne nuk duam policë. Pse të mos shfrytëzohet këto para për ta përmirësuar arsimin dhe sistemin shëndetësor?

    Deklarata po ashtu përmban zotimin e e veprimit në përputhje me parimet e Rezolutës 1244, e cila ish Republikës Federale të Jugosllavisë (tash Serbisë) ia njeh sovranitetin dhe integritetin territorial mbi Kosovën! Si rrjedhim, UNMIK-u është ende këtu, kurse policët e shteteve të ndryshme që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, siç është Rumania, janë lejuar që të shërbejnë këtu. EULEX-i ‘neutral ndaj statusit’ edhe pse ka ardhur këtu për ta zbatuar ligjin nuk e njeh zyrtarisht Kushtetutën e Kosovës!

    Strategjia e Serbisë brenda Kosovës: Përderisa institucionet e Kosovës po e festonin deklaratën dhe po përqendroheshin në njohjet e reja, Serbia po e planifikonte zbatimin e strategjisë së vet e cila ka qy qëllime:
    1.Mënjanimin e kufirit zyrtar ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe forcimin e kufirit të ri në lumin Ibër. Këtë synim Serbia e ka arritur duke i djegur pikat doganore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Që prej asaj dite, pikat doganore kanë funksionuar 54 km në jug afër Mitrovicës. Duke u siguruar që EULEX-i është ‘neutral ndaj statusit’ dhe vepron në përputhje me Rezolutën 1244, ky kufi zyrtarisht ende definohet si ‘kufi administrativ’, e jo kufi ndërkombëtar. Dhe së fundi, duke organizuar sulme të organizuara të dhunshme mbi shqiptarët në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, dhe pa asnjë përndjekje a dënim, strukturat paralele të Serbisë treguan që autoriteti i institucioneve të Kosovës nuk shkon matanë lumit Ibër.
    2.Forcimi i institucioneve dhe strukturave të Serbisë brenda Kosovës në mënyrë që t’i krijojë themelet e entitetit territorial dhe institucional autonom serb. Serbia ia ka arritur kësaj duke bojkotuar ShPK-në e cila i raporton institucioneve të Kosovës; duke i okupuar institucionet tjera si hekurudhat dhe gjykatat; si dhe duke i zgjedhur strukturat paralele serbe nëpërmjet zgjedhjeve nacionale dhe lokale të Serbisë të mbajtura brenda Kosovës më 11 maj 2008. Edhe pse UNMIK-u tha që nuk do t’i njeh këto struktura të reja, ata plotësisht po bashkëpunojnë me këto struktura.

    Serbia është shpërblyer për këtë strategji, duke i ofruar asaj më shumë negociata të cilat çuan në Planin 6-Pikësh, e i cili shkon përtej Planit të Ahtisaarit dhe i cili edhe më tutje e ndan Kosovën territorialisht dhe institucionalisht. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, Serbisë me siguri që së shpejti do t’i ofrohet statusi i kandidatit për në BE.

    Në mënyrë që të jemi sovran e të pavarur, me integritet territorial e demokraci, ne duhet të kemi:
    Të drejtën për të pasur ushtri
    Kontrollimin e policisë sonë
    Kontrollimin e burimeve tona dhe një plan ekonomik për zhvillim energjetik dhe të bujqësisë
    Qeverisje pa ndërhyrje nga misionet ndërkombëtare ekzekutive
    Refuzimin e Planit të Ahtisaar-it dhe Planit 6-Pikësh
    Arrestimin dhe shpërbërjen e strukturave të paligjshme paralele të Serbisë

    Lëvizja VETËVENDOSJE !

  10. #170
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216

    Lëvizja Vetëvendosje - Gjakovë: Arrestime në Gjakovë

    Lëvizja Vetëvendosje - Gjakovë: Arrestime në Gjakovë
    Mbrëmë, në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë, Policia e Kosovës ka arrestuar dy aktivistë: Artan Mustafën dhe Tomor Grezdën. Ata u arrestuan pasi përfunduan aksionin e shkruarjes së parullës “EULEX – MADE IN SERBIA” nëpër qytetin e Gjakovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, me këtë rast, bastisën zyret e VETËVENDOSJE!-s në Gjakovë dhe vodhën disa materiale, përfshirë këtu edhe shablonin me të cilin shkruhej parulla.

    Togerja Laura Krekaj, si dhe rreshterët Rasim Dushi e Nikë Përgjokaj, morën në pyetje Artanin e Tomorin dhe aktivisten Hazbije Pruthi. Policët maltretuan aktivistët duke lozur rolin e prokurorëve. I akuzonin aktivistët që kinse, sipas tyre, nuk po e njohin shtetin e Kosovës, kur në fakt është pikërisht EULEX-i ai që duke qenë ‘neutral ndaj statusit’ nuk e njeh shtetin e Kosovës. Këta policë flisnin sikur të ishin zëdhënës të EULEX-it. Ata s’brengosen për strukturat paralele të Serbisë që duan ta rrënojnë Kosovën nga brenda por i pengojnë aktivistët tonë që e thonë të vërtetën. Artani dhe Tomori u mbajtën në polici deri të nesërmen në mëngjes.

    Institucionet e Kosovës dhe Policia e Kosovës në vend që të merren me veprimet e fundit të EULEX-it për zbatimin e Planit 6 Pikësh që është plan i Sebisë, po merren me arrestimin e aktivistëve tanë të cilët po tregojnë që “EULEX MADE IN SERBIA”. Policia po e luan rolin e atij policit të keq i cili nuk e arreston hajnin por atë që tregon kush është hajni. Nuk është e rastësishme që pjesëtarët e Policisë veprojnë sikur të ishin polici e EULEX-it, ngaqë janë nën kontroll të EULEX-it.


    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Gjakovë
    29 prill 2009
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

Faqja 17 prej 18 FillimFillim ... 715161718 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Nga vudi në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 59
    Postimi i Fundit: 22-04-2011, 15:55
  2. Levizja Studentore 8-12 Dhjetor
    Nga MaDaBeR në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 10-12-2008, 02:31
  3. Vlerësimi për Luftën Nacional Çlirimtare Shqiptare
    Nga Kryeplaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 177
    Postimi i Fundit: 05-11-2007, 20:10
  4. LËVIZJA EKUMENIKE ("Që të gjithë të jenë një")
    Nga Shpresmiri në forumin Komuniteti protestant
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 29-03-2004, 17:05
  5. Koha dhe Levizja
    Nga Hyllien në forumin Filozofi-psikologji-sociologji
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 02-02-2004, 17:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •