Tuesday, 04 December 2007
Më 4 dhjetor, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u mbajt sesioni i tretë i gjykimit kundër Albin Kurtit
1. Në këtë gjykim, Albin Kurti filloi duke paraqitur në gjyq një DVD të një programi televiziv i cili demonstron se avokati mbrojtës i caktuar nga gjyqi, Fazli Balaj, nuk është objektiv në këtë rast. Në këtë program televiziv me 13 shkurt, Fazli Balaj publikisht i kishte dënuar protestuesit e 10 shkurtit dhe Albin Kurtin si dhe kishte shpifur për qëllimet e protestës. Pasi që DVD-ja nuk funksionoi siç duhet gjyqi e injoroi pohimin e Albinit dhe vazhdoi me seancën pa e pezulluar atë për ta konsideruar dëshminë. Në vijim është dhënë deklarata e Albinit lidhur me këtë dëshmi:
“Mbi të ashtuquajturin avokat mbrojtës timin Fazli Balajn
Dua të them diçka mbi të ashtuquajturin avokat mbrojtës timin, Fazli Balajn. Në emisionin ‘A u shkel ligji?’ në TV 21, më 13 shkurt, Balaj më ka shpallur fajtor për më shumë gjëra sesa që më akuzoni këtu. Balaj ka thënë se unë duhet të fajësohem për çdo gjë (të keqe/kriminale) me 10 shkurt pasi që nuk jam takuar me SHPK-në para demonstratës (pjesa e parë 6:14 min). Ai ka thënë se protesta e 10 shkurtit, që është në fokus të këtij rasti, nuk iu ka përmbajtur as standardeve ndërkombëtare, as kombëtare (pjesa e parë 5:35 min); se qëllimi i protestës ishte të rrëzohej pushteti dhe destabilizohej Kosova (pjesa e dytë 6:52 min) dhe se plani konkret i VETËVENDOSJE!-s ishte të digjeshin veturat (pjesa e dytë 4:41 min). Ai po ashtu ka thënë se policia e UNMIK-ut ka vepruar në emër të Kosovës (pjesa e dytë 4:25 min).
Balaj nuk është këtu për të më mbrojtur mua. Gjithashtu në seancën e 15 nëntorit u bë e qartë se ai dhe unë kemi interesa të kundërta. Caktimi i Balajt si avokat imi ilustron sërish se si ky gjyq është gjithçka përveçse i drejtë, se ma mohon të drejtën për gjykim të paanshëm. Nuk u pat qartësuar se si Balaj u zgjodh. Ai kurrë nuk më ka kontaktuar dhe unë kurrë s’kam folur me të. Ai do të duhej të përjashtohej nga ky rast menjëherë. Çkado që ai ka thënë ose do të thotë do të duhej të shpërfillet.”
2. Njëri prej dëshmitarëve kyç, polici Ismet Hajdini, u mor në pyetje nga prokuroria, mbrojtja, nga Albin Kurti dhe nga trupi i gjyqtarëve. Gjatë marrjes në pyetje Hajdini ka thënë se, në kundërshtim me deklaratat e tij të mëhershme, ai nuk e ka parë Albinit duke hedhur gurë, dhe as që ka dëgjuar Albinin t’i japë kurrfarë urdhërash demonstruesve që të gjuajnë me gurë. Hajdini ka mohuar se deklarata e tij e mëparshme kundër Albinit është dhënë nga ai. Ai ka thënë se ka dëgjuar një pjesë të fjalimit të Albinit në të cilin ai ka thënë se edhepse Kosova ka Ministri të Brendshme dhe të Drejtësisë ato asnjëra s’kanë kompetenca. Hajdini ka thënë që protesta ishte e padhunshme deri kur u thye kordoni. Ai po ashtu ka deklaruar që nuk ka dëgjuar asnjë paralajmërim të policisë për protestuesit që të mos vazhdojnë me marshin. Dëshmia e Hajdinit demonstron se prokuroria nuk ka fare rast. Pasi që asnjë nga dëshmitarët e tjerë nuk u shfaq në gjyq, seanca gjyqësore u pezullua.
3. Seanca e ardhshme u caktua për 30 janar 2008, një shtyrje e panevojshme e cila është e disenjuar për t’ia zgjatur izolimin Albin Kurtit në arrest shtëpiak.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Krijoni Kontakt