Letër Shefit të Zyres Britanike në Kosovë,
Z. David Blunt
Më 10 shkurt të këtij viti, dhjetëra policë ndërkombëtar u dolën përballë mijëra demonstruesve paqësor, duke ua ndërprerë marshin përgjatë rrugës “Nëna Tereze” në Prishtinë. Demonstruesit hoqën barrikadat e vëna dhe u përpoqën ta vazhdojnë marshin përtej kordonëve të policisë, ashtu siç veprojnë protestuesit në çdo vend të botës. Policët e regjimentit rumun, polak e ukrainas filluan të shtiejnë me çifte e plumba gome në drejtim të qytetarëve, të cilët kishin dalur në rrugë për t'i shprehur bindjet politike në mënyrë të padhunshme. Intervenimi policor qe mizor, pasojat fatale i dimë të gjithë: policët vranë prishtinasin Arben Xheladini dhe Man Balajn nga Besiana. Prej keqpërdorimit të qëllimshëm të armëve me zjarr nga një afërsi e ndaluar rreptësisht sipas të gjitha konventave, patëm edhe 82 të plagosur, dhjetëra me gjymtyrë të sakatosura, trupa të shpuar tejpërtej, hundë të thyera, sy të humbur… plot prej tyre të mbetur me gjymtime të përjetshme, disa nga ta edhe pas gjashtë muajsh ende të shtrirë nën përkujdesjen mjekësore. E gjithë kjo ekspeditë gjuetare kriminale u udhëhoq prej një bashkëkombasi tuaj, atëbotë Komesar i Policisë Ndërkombëtare, Steven Curtis.
Të gjitha shenjat e krimit tregojnë për një intervenim brutal të urdhëruar politikisht, qëllimi i planifikuar i të cilit qe asgjësimi i një numri demonstruesish paqësor dhe, në këtë mënyrë, frikësimi i popullit të Kosovës nëpërmjet tytës së pushkëve, duke harruar që këtë gjë s’ia ka arritur madje as Milosheviqi. Sapo e patë që krimi të cilin e ekzekutoi policia ndërkombëtare qe i pariparueshëm, ngarendët i madh e i vogël për ta fajësuar demonstruesin paqësor, duke ia mveshur atij qëllimin e paqenë të uzurpimit me dhunë të institucioneve politike. Vetëm në këtë mënyrë UNMIK-u mendonte ta ndërtonte justifikimin e këtij akti barbarie antiqytetare. Fillimisht të gjithë urdhërdhënësit mbrojtën kriminelët. Intervenimin e quajtën “profesional” dhe të domosdoshëm (këtij vlerësimi iu bashkëngjit, si gjithmonë, edhe kori servil i pushtetarëve vendor me në krye Grupin e Unitetit dhe zëdhënësen e qeverisë, Ulpiana Lama). Por meqë krimi ishte aq i tejdukshëm sa që nuk mund të fshihej më nën qilim, e të frikësuar tejmase nga një kundërreagim i atypëratyshëm popullor, regjimi politik antidemokratik së paku vendosi ta shpëtonte veten, duke i larguar kriminelët nga Kosova. Steven Curtis u kthye në Britani, policët rumun u riatdhesuan. Në vend që të burgoseshin ata - kriminelët, UNMIK-u, në mbështetje të parezervë nga Ju, zyret tjera ndërkombëtare dhe Grupi i Unitetit, burgosi Albin Kurtin.
Tashmë të gjithë e pranojnë që intervenimi policor i 10 shkurtit ishte një krim i paramenduar i UNMIK-ut, kurse pas raportit të kryeprokurorit ndërkombëtar, Robert Dean, këtë gjë e pranon madje edhe vetë krimkryerësi. Çështja mbetet: ku mbetën kriminelët? Meqë UNMIK-u është një regjim antidemokratik i squllët, i cili qëllimisht nuk ndërmerr masa për ta dënuar krimin që e ka kapluar përbrenda, u mbetet shteteve individuale përkatëse që ta gjejnë kriminelin, nëse ai është qytetar i atij shteti. Po të varej burgosja e ish menaxherit të KEK-ut, Joe Truschlerit, vetëm nga administrata e UNMIK-ut, sigurisht që ai ende do të ishte i lirë, së bashku me 4.5 milion € e vjedhura në Kosovë, e të deponuara në Gjibraltar. Por ishte shteti gjerman ai që e ndoqi dhe e burgosi atë. Njëjtë duhet të veprojë edhe Britania e Madhe kundër qytetarit të saj, Steven Curtis, përgjegjës për udhëheqjen e operacionit kriminal policor më 10 shkurt, i cili rezultoi me vdekjen e 2 personave dhe plagosjen e 82 të tjerëve, disa prej të cilëve me dëmtime fizike të pashërueshme.
Së pari duam ta dimë ku ndodhet qytetari britanik, Steven Curtis. Së dyti kërkojmë arrestimin e tij për krimin e udhëhequr. Nëse keni sadopak njerëzillëk dhe nëse veç u ka mbetur ndonjë miligarm ndërgjegje, pranoni letrën tonë, dhe merrni masa të duhura. Historia do të shkruaj për ju si vepruat, si s’ndërmorët gjë. Ne shpresojmë që ju dhe atdheu juaj, vendlindja e të drejtave të njeriut dhe lirisë qytetare, nuk do t’ia mbani anën krimit.
Krijoni Kontakt