Close
Faqja 15 prej 18 FillimFillim ... 51314151617 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 141 deri 150 prej 174
  1. #141
    i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i!i! Maska e biligoa
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Postime
    3,216

    Të martën, me 18 dhjetor, tubim në amfiteatrin e Fakultetit Juridik

    Të martën, më 18 dhjetor 2007, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizon tubim dhe debat me studentët e Universitetit të Prishtinës.

    Do të diskutojmë për aktualitetin në Kosovë:
    regresin e vazhdueshëm politik – defaktorizimin e shqiptarëve përmes përjashtimit të popullit nga procesi politik
    stagnimin ekonomik – shkatërrimin e vazhdueshëm të potencialit zhvillimor të Kosovës
    mjerimin social – varfërimin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës

    Gjithashtu do të flasim edhe për rolin e pazëvendësueshëm të studentëve përballë kësaj situate.

    Tubimi mbahet në amfiteatrin e madh të Fakultetit Juridik dhe fillon në orën 12:00. Para të pranishmëve do të flasin aktivistët Albin Kurti, Visar Ymeri dhe Glauk Konjufca.

    Ju mirëpresim!

    Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Nese eshte e bere me dashuri, asgje nuk eshte mekat.

  2. #142
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475
    Traktati që keqinterpreton historinë për ta projektuar varësinë
    Shkruar nga Albin Kurti
    Sunday, 21 October 2007
    I ashtuquajturi Ekip i Unitetit në çdo takim që zhvillon me përfaqësuesit e Serbisë në kuadër të këtyre 'negociatave shtesë' e paraqet njëfarë traktati si platformë. Sa i përket statusit të Kosovës gjithsesi më i avansuar është rekomandimi i Ahtisaarit për 'pavarësi të mbikëqyrur' sesa ky Traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndonëse 'Ekipi i Unitetit' thotë se nuk do të bëjë koncesione të reja, ky Traktat është dëshmi se ato tashmë janë bërë dhe mbase që do të bëhen edhe më tutje. Pasi që e copëtuan dhe stërkeqën Kosovën me Pakon e Ahtisaarit, tash nëpërmjet këtij Traktati, ashtu siç e ka vlerësuar me saktësi Ramush Tahiri, i vendosën bazat për konfederatë me Serbinë. Vetëm se kjo konfederatë sigurisht se nuk do të jetë simetrike por asimetrike, diçka ngjashëm propozimit të ish kryetarit të parë të Tribunalit të Hagës dhe ekspertit të së drejtës ndërkombëtare – Antonio Cassese. Ai thoshte se trupi i përbashkët vendimmarrës duhet të ketë katër përfaqësues të Serbisë, dy të Kosovës dhe tre të Bashkimit Evropian. Themelimin e organeve të përbashkëta, partneritetin e thellë insitucional, mënyrat e zmadhimit dhe të institucionalizimit të këtij bashkëpunimi, grupe punuese për çështje specifike, ndërmjetësime të palës së tretë në çështjet veçanërisht të ndjeshme me interes të përbashkët, Këshillin e përhershëm të bashkëpunimit Kosovë-Serbi, që të gjitha këto në vazhdimësi i përmend edhe Traktati i 'Ekipit të Unitetit'. Pra, tërësisht në frymën e shkrimit të Casseses të botuar në The Guardian më 28 shtator 2007 me dallimin që këta propozojnë që ky Këshilli i përbashkët të jetë me dhjetë anëtarë, pesë nga të cilët emërohen nga Serbia dhe pesë nga Kosova. Mirëpo, këta që kanë lëshuar pe aq shpesh dhe aq shumë natyrisht se do ta bëjnë edhe këtë 'sakrificë' të fundit duke pranuar që kjo konfederatë të jetë asimetrike. Zaten, konfederata e Kosovës me Serbinë as që mund të jetë simetrike: përderisa 'Ekipi i Unitetit' përmes Pakos së Ahtisaarit ka pranuar që Serbia të pyetet për Kosovën (kujto lidhjet vertikale në decentralizim, rolin që do ta ketë Kisha Pravosllave Serbe te 'eksterritorialiteti', pjesëmarrjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë dhe modelin e shumicës së dyfishtë (gjithsesi bllokues) në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës), është e paimagjinueshme që Serbia të lejojë që Kosova të pyetet për territorin e Serbisë. Dallimi tjetër është se Traktati i 'Ekipit të Unitetit' në vend të BE-së e sheh Grupin e Kontaktit si ndërmjetësues. E kuptueshme: tash kur çështja e Kosovës u dëbua nga KS i OKB-së dhe nuk ka nevojë për rezolutë të re – ajo 1244 vetëm sa u përforcua – Grupi i Kontaktit që nuk është detyrues ndaj Serbisë por është më shumë se detyrues ndaj Kosovës mbetet adresa jonë (ndërkombëtare).

    Në nenet 11 dhe 12 të Kapitullit V të Shtojcës I (me gjasë ka edhe shtojca tjera ende jopublike!) të këtij Traktati flitet për një sekretariat që do të lehtësonte bashkëpunimin dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë si dhe dialogun në mes të deputetëve të Kuvendit të Serbisë dhe atyre të Kuvendit të Kosovës, përfshirë krijimin e grupeve punuese ndër-parlamentare për avancimin e bashkëpunimit legjislativ. Këso ndërmarrjesh Kosova nuk po bën me Shqipërinë por me Serbinë. Gjepurat e politikanëve për Serbinë si shtet fqinj asgjë nuk i demanton sikurse ky Traktat i vetë atyre. Ama, a është njëmend i vetë atyre?! Nëse lexohet me kujdes menjëherë kuptohet se ai është i përkthyer nga anglishtja. Ai gëlon nga shprehjet e llojit: 'mësimet e mësuara', 'të ndërtojmë në sukseset e njëri-tjetrit' etj. Aspak e rastësishme. Anëtarët e 'Ekipit të Unitetit' nuk e artikulojnë qëndrimin e Kosovës por zgjidhjen më të mirë sipas tyre. Ata nuk thonë se çka përfaqësojnë ose çfarë interesash mbrojnë por thonë se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte Pakoja e Ahtisaarit! Anëtarët e 'Ekipit të Unitetit' propozojnë - ata nuk kanë qëndrim (sikur përfaqësuesit e Serbisë). Dhe, propozojnë e flasin sikur të ishin zyrtarë ndërkombëtar. Fundja edhe janë të tillë. Korniza Kushtetuese, apo më saktë rregullorja e UNMIK-ut që mban numrin 2001/9, i bën të atillë: zyrtarë ndërkombëtar që flasin në gjuhën e vendasve duke përfaqësuar UNMIK-un kundrejt popullit e jo anasjelltas. Fjalët e tyre janë të huaja anipse janë në shqip. Ato janë veçse të përkthyera në shqip.

    E gjithë kjo mynxyrë e ka burimin në keqinterpretimin proserb që i bëhet historisë më të re të Kosovës. Në Traktat shprehet keqardhje ndaj periudhave të konfliktit dhe luftës që, siç thuhet aty, 'na kanë ndarë, në veçanti ngjarjet që kanë të bëjnë me kolapsin e dhunshëm të Jugosllavisë në vitet e nëntëdhjeta'! Nuk thuhet që Jugosllavinë e shkatërroi Serbia në krye me Milosheviqin për shkak të aspiratave ekspanzioniste dhe hegjemoniste tw saj dhe, pwr mw keq, 'Ekipit të Unitetit' i vie keq që kolapsoi Jugosllavia e cila me të drejtë është cilësuar të ketë qenë burg i popujve. Përmendja disa herë e kthimit të refugjatëve para të të pagjeturve, flirtet për pajtim e falje, zgjatja e dorës së sinqertë të miqësisë, koncepti i ndarjes (jo shpërbëjes (sic.)) së Jugosllavisë gjatë të 90-tave, termi tipik serb për 'komunitetet joshqiptare' etj. etj. që qarkullojnë dhe e mbushin këtë Traktat janë vetëm pasoja të ndryshme të të njëjtit krim: harresës së krimeve të Serbisë në Kosovë.

    Ky Traktat i 'Ekipit të Unitetit' është i padrejtë, i pavërtetë dhe i turpshëm. Ky Traktat i bashkëpunimit me Serbinë e kthen Kosovën nën Serbi. Ky Traktat i miqësisë me armikun, 'Ekipin e Unitetit' e bën veçse aleat të armikut. Ai nuk përfaqëson vullnetin dhe interesat e popullit të Kosovës. Ai nuk duhet pranuar dhe duhet luftuar në mënyrë të pakompromis. Mu ashtu siç është 'Ekipi i Unitetit' unik për Traktatin e tij ashtu duhet të jemi edhe ne unik kundër tij. Deri në fitoren tonë. Fitorja jonë është fitore mbi ta dhe mbi konceptet e projektet e importuara të tyre.
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  3. #143
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475
    Kundërshtimi i Panelit (fjalimi i ndërprerë)
    Shkruar nga Albin Kurti

    Thursday, 15 November 2007

    Ky trup i gjyqtarëve nuk ka të drejtë që të marrë vendime as për mua e as për dikë tjetër. Përveç arsyeve të ravijëzuara në deklaratën time të 19 shtatorit, unë e kundërshtoj këtë trup për shkak të sjelljes së tij gjatë seancës gjyqësore të asaj dite dhe që nga atëherë. Siç e kanë theksuar Ombudspersoni dhe KMDLNJ, seanca e 19 shtatorit ka përfshirë një varg të parregullsive të papranueshme.

    Para së gjithash, unë nuk isha i njoftuar për padinë e re me të cilën gjyqtari Salustro e hapi seancën e 19 shtatorit. Kjo padi e re nuk është konfirmuar, dhe unë nuk e kam pranuar një kopje të saj. Unë kam të drejtë që të informohem për akuzat kundër meje dhe të mbrohem kundër tyre. Leximi i padisë së re e shkel të drejtën time për gjykim të paanshëm. Pasi që as i ashtuquajturi avokat mbrojtës imi nuk është informuar për padinë e re, leximi i saj me 19 shtator po ashtu ishte shkelje e parimit të barazisë së palëve.

    Në mesin e këtyre gjyqtarëve, kundërshtimin tim të fuqishëm posaçërisht ia drejtoj gjyqtarit Salustro. Ndërprerja që ai ia bëri deklaratës sime me 19 shtator – pasi që kërkoi nga unë që ta lexoj atë – ka shkelur të drejtën që të dëgjohem dhe që të mos ndërprehem gjatë fjalimit. Mënyra se si gjyqtari Salustro më ka ndërprerë, një mënyrë kjo e padinjitetshme dhe joprofesionale duke bërtitur “mbylle”, gjithashtu paraqet sjellje të pahijshme dhe shkelje të etikës gjyqësore: gjyqtarët duhet të interpretojnë ligjin dhe jo të veprojnë sipër tij. Unë kam të drejtë për gjykim të paanshëm. Unë kam të drejtë që të konsiderohem i pafajshëm. Unë kam të drejtë që të trajtohem me respekt. Sjellja e gjyqtarit Salustro është edhe më problematike pasi që unë jam i privuar nga kërkesa për zhdëmtim – në Kosovën e sunduar nga UNMIK-u nuk ka mekanizëm përmes së cilit unë mund të inicoj procedurë kundër gjyqtarit Salustro.

    Gjatë sesionit të djeshëm, gjyqtari Salustro sërish më ndërpreu pasi që kërkoi nga unë të flas. E kundërshtoj këtë model të veprimeve, sikurse që e kundërshtoj këtë gjyqtar që të kryesojë me seancën dhe siç e kundërshtoj panelin e tij.

    Po ashtu e kundërshtoj këtë trup gjyqësor për moslejim të të ashtuquajturit avokat t’imin për tërheqje të menjëhershme nga rasti. Unë asnjëherë nuk e kam pranuar avokatin, dhe kur ai më në fund e kuptoi se është koha të jap dorëheqje, ky trup është dashur që ta lejojë atë të veprojë ashtu. Për më tepër, unë asnjëherë nuk jam njoftuar si duhet për këtë seancë gjyqësore – kam mësuar për të vetëm kur është përmendur në vendimin për ta zgjatur arrestin tim shtëpiak, gjashtë ditë para seancës, jo tetë ditë paraprakisht dhe jo në një dokument të veçantë, siç parashihet me ligjin tuaj. Për më shumë se kaq, vendimi për të ma zgjatur arrestin shtëpiak është marrur nga gjyqtari Salustro pa më informuar mua se ai vazhdon të jetë gjyqtari kryesues në rastin tim.

    Njëkohësisht, po e përsëris se ju kundërshtoj juve për shkak të mungesës së pavarësisë dhe të paanësisë. Ju jeni emëruar nga UNMIK-u dhe e përfaqësoni UNMIK-un, i cili gjithashtu është i renditur në këtë rast si një palë e dëmtuar dhe akuzuese. Sundimi jodemokratik dhe neokolonial i UNMIK-ut dhe negociatat për statusin e Kosovës me Serbinë nuk do t’i sjellin Kosovës gjë tjetër përveçse mjerimit dhe gjakderdhjes. Unë e shikoj si detyrë timen që ta ndaloj këtë që të ngjajë duke iu kundërvënë padhunshëm pushtetit të UNMIK-ut në Kosovë. Gjithnjë e më shumë njerëz po e kuptojnë se unë kam të drejtë në këtë, dhe se referendumi për pavarësi është e vetmja mënyrë se si Kosova mund ta fitojë lirinë e vërtetë, dinjitetin dhe zhvillimin e shëndetshëm politik dhe ekonomik. Vetëm vetëvendosja mund të mundësojë drejtësi të drejtë.

    Pasi që UNMIK-u është caku i kundërshtimit tim të padhunshëm, është e qartë se është në interesin e UNMIK-ut që të më pengojë mua për të vazhduar punën, duke më izoluar dhe duke u përpjekur që ta hesht zërin tim mospajtues. Rrallë kjo është kristalizuar më qartazi sesa kur gjyqtari i UNMIK-ut Salustro më bërtiste “mbylle” në seancën e 19 shtatorit.

    E kundërshtoj këtë trup të gjyqtarëve, e kundërshtoj këtë gjyq dhe e kundërshtoj këtë rast. Procesi i padenjë i këtij rasti dhe ky trup në vazhdimësi kanë dhunuar të drejtat e mia fundamentale. Ky rast do të duhej të shfuqizohej dhe unë të lirohesha menjëherë.
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  4. #144
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475
    Shpallja e Thaçit
    Shkruar nga Albin Kurti

    Sunday, 25 November 2007

    Do ta shpallin apo nuk do ta shpallin? Kështu pyesnin njerëzit njëri-tjetrin para zgjedhjeve të 17 nëntorit. Shpalljen e pavarësisë menjëherë pas 10 dhjetorit e besonin posaçërisht ata që u besonin premtimeve të politikanëve në fushatë. Mirëpo, lehtas e qetas, e ashtuquajtura ‘shpallje e njëanshme e pavarësisë’ u shndërrua në ‘shpallje të koordinuar të pavarësisë’. Brukseli ia tërhoqi veshin Thaçit ende pa u bërë kryeministër. Mund të merret me mend se çka do t’i bëjnë kur të bëhet kryeministër! I thanë se tash duhet të jetë i kujdesshëm meqë nuk është më në opozitë. Pra, Thaçit i treguan se ngjitja lart në pushtet nuk është edhe liri më e madhe për pushtet. Sistemi politik në Kosovë – në të cilin UNMIK-u iu ka dhënë pushtet ca vendasve për të sunduar më lehtë dhe jo për të sunduar më pak – e imponon një gjë të tillë. Mirëpo, UNMIK-u, thjesht, nuk do opozitë as përfundi vetes. Për shkak se koalicioni LDK-AAK ishte i dobët, UNMIK-u e krijoi Grupin Negociator (e jo aq pse duhej negociuar me Serbinë). Për të njëjtën arsye, që të mos ketë opozitë, tash UNMIK-u do që ta sajojë koalicionin PDK-LDK. Ky koalicion nuk është pasojë e rezultatit të zgjedhjeve por vetë arsyeja e mbajtjes së zgjedhjeve. Agim Çeku ishte kryeministër i dobët në një qeveri të dobët. Hashim Thaçin duan ta bëjnë kryeministër të fuqishëm në një qeveri të fuqishme. Përderisa Ibrahim Rugova ishte i gatshëm të jepte gjithçka vetëm që të mbetej president, Hashim Thaçi jep gjithçka vetëm që të bëhet kryeministër. Në Kosovë nuk është me rëndësi që të bëhesh kryeministër. Me rëndësi është që të keshë dëshirë të bëhesh kryeministër. Pastaj, UNMIK-u dhe ca zyra ndërkombëtare ta menaxhojnë dëshirën, duke e vonuar plotësimin e saj. Ndërkohë, ti ua plotëson atyre dëshirat. Hashim Thaçin e shfrytëzuan mu kështu ende pa e bërë kryeministër. Ama, ky shfrytëzim gjithsesi do të harrohet. Sa të jetë Thaçi kryeministër, ai shfrytëzimin e vërtetë gjithmonë do ta ketë përpara, deri në ditën kur do të bëhet i pashfrytëzueshëm. Tani, më këto zgjedhjet e 17 nëntorit, Thaçi ka fituar relativisht që të humbasë absolutisht më vonë (e që sërish është shumë më herët sesa që ai mendon).

    Mirëpo, për çka do ta shfrytëzojnë? Pse i duhet Hashim Thaçi UNMIK-ut? Pse i nevojitet atij mu në këtë kohë? Që të gjithë tashmë e kanë të qartë se nuk ka trysni ndërkombëtare mbi Serbinë që ajo ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Presioni është mbi Prishtinën. Politikanët e Prishtinës do të cyten e shtrydhen që të pranojnë marrëveshje kompromisi me Serbinë. Aq shumë koncesione i janë bërë Serbisë nga ana e Grupit Negociator saqë tash besohet se mund të bëhet edhe kompromisi përfundimtar. Siç dihet, Kuvendi i Kosovës e pranoi Pakon e Ahtisaarit, ndërkaq Serbia s’ka lëvizur asnjëherë për asgjë nga pozicionet fillestare. E, qëllimi i Pakos së Ahtisaarit ishte vendosja e themeleve për ndarjen e brendshme të Kosovës, kurse efekti kryesor i kësaj Pakoje ishte shkatërrimi i pavarësisë së plotë si kërkesë e shqiptarëve të Kosovës. Tash, Hashim Thaçi duhet të jetë garantuesi i kurorëzimit të punës dyvjeçare të Grupit Negociator, garantuesi i zyrtarizimit të varësisë më të re të Kosovës nga Serbia. Në vijim të këtyre negociatave, Serbia jo vetëm që s’do të lëshojë pe, por ajo as që ka pse të lëshojë pe. Ajo po fiton duke mos lëshuar pe (siç edhe ngjan zakonisht në politikë). Faktorët e rëndësishëm ndërkombëtar, Serbinë e konsiderojnë një vend demokratik andaj nuk duan të lejojnë shkëputjen e Kosovës prej saj. Në fakt, Serbinë e bën demokratike pikërisht pëlqimi për shkëputjen dhe pavarësimin e Kosovës. Mirëpo, Koshtunica dhe zyrtarët e tjerë të lartë të Serbisë nuk e bëjnë një gjë të tillë. Në të vërtetë, ka vetëm një mënyrë paqësore se si Koshtunica do të pajtohej me pavarësimin e Kosovës (dhe kjo pa veriun dhe pa Luginën e Preshevës). Vetëm dhe vetëm nëse në shkëmbim për shkëputjen e Kosovës Koshtunica e fiton Republikën Serbe në Bosnje. Në korrik të vitit 2007, Koshtunica pat theksuar disa herë radhazi që nuk mund të lejojë pavarësimin e Kosovës meqë kjo do të thoshte humbje e 15% të territorit të Serbisë. Me këtë deklaratë Koshtunica ka treguar se ai e sheh Kosovën vetëm si territor dhe se ky territor është i Serbisë. Edhe më e rëndësishme se kjo, ai ka nënkuptuar se, në fund të fundit, për humbjen e Kosovës, Serbia do të duhej të kompensohet territorialisht, e jo me anëtarësime të përshpejtuara në BE e NATO. Koshtunica nuk pranon kurrfarë kompensimi joterritorial për Kosovën. Territori vazhdon të jetë kategoria kryesore e politikës së Serbisë dhe Koshtunica e ka ndërmend Republikën Serbe në Bosnje kur flet në këtë mënyrë për Kosovën. E gjithë kjo mundësohet e ndërlidhet edhe me paradigmën e bashkësisë ndërkombëtare për stabilitet rajonal: Bosnja dhe Kosova konsiderohet se i përkasin të njëjtit rajon.

    Megjithëkëtë, le të kthehemi në Kosovë dhe te pyetja që akoma nuk është zhvlerësuar tërësisht: do ta shpallin apo nuk do ta shpallin pavarësinë? Nuk do ta shpallin, sidomos jo menjëherë pas 10 dhjetorit. Sepse tanimë thanë që pas 10 dhjetorit (në vend të shpalljes) do ta caktojnë datën kur do ta shpallin. Dhe, për shkak se vetëm nga perspektiva e sotme ky 10 dhjetori mund të duket interesant dhe joshës: sa më afër tij, aq më i largët ai. UNMIK-u dhe faktorë ndërkombëtar që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, nuk do të lejojnë që t’i skadojë afati një premtimi pa e shpikur paraprakisht një premtim të ri. Me 11 dhjetor njerëzit nuk do të merren me mospërmbushjen e premtimit të vjetër, por me shpresat për premtimin e ri. Do të flitet për shuma marramendëse në konferencën e donatorëve (që do të mbahet në mars 2008), për mision të ‘vogël’ të BE-së në vend të UNMIK-ut (në prill 2008), për konferencë ndërkombëtare për Kosovën (në qershor 2008) etj.etj. Por, edhe nëse krijohet një trysni e madhe që të shpallet pavarësia e Kosovës nga Kuvendi i ardhshëm i Kosovës, kjo s’do t’i sjellë gjë të mirë Kosovës. Shpallja e pavarësisë pa referendum dhe ushtri thjesht është kundërproduktive. Një kuvend që e ka pranuar Pakon e Ahtisaarit, edhe nëse e shpall pavarësinë diku në vitin e ardhshëm, pas një kohe do ta mund ta pranojë federatën apo konfederatën asimetrike me Serbinë. Pikërisht referendumi si ushtrim i së drejtës për vetëvendosje e sjell popullin në proces politik, por, mbi të gjitha, ai e kushtëzon çfarëdo vendimi të Kuvendit me verifikim te populli, pra me referendum të sërishëm. Në anën tjetër, pavarësia pa ushtri e mundëson skenarin e Bosnjes nga viti 1992. Është e kotë edhe nëse SHBA-të e njohin pavarësinë e Kosovës po qe se shqiptarëve të Kosovës (apo TMK-së në veçanti) nuk i lejohet që të armatoset nga Shqipëria dhe ShBA-të për të mbrojtur veten prej sulmeve nga jashtë dhe brenda. SHBA-të, më 7 prill të vitit 1992, e patën njohur Bosnje e Hercegovinën si shtet të pavarur e sovran, por asaj iu vendos embargoja e armëve nga viti 1992 e deri në vitin 1995. Milosheviqi i ndërseu serbët e Bosnjës duke ua vënë në shërbim ushtrinë jugosllave dhe paramilitarët nga Serbia. E dimë mirë se çfarë ngjau atëbotë: pas humbjeve, vuajtjeve dhe dëmeve të papara në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, boshnjakët u detyruan ta pranojnë edhe ndarjen e brendshme të vendit të tyre e që rezultoi me Republikën Serbe, një krijesë kjo gjenocidale.

    Është naive, e gabueshme dhe jashtëzakonisht e dëmshme të mendohet se KFOR-i na mbron nga Serbia apo nga rebelimi i strukturave të Serbisë në Kosovë. Dëshmi kundër besimit në mbrojtjen që na e bën KFOR-i është tolerimi tetëvjeçar i strukturave të Serbisë në Kosovë, përfshirë këtu edhe veriun e ndarë. Dëshmi tjetër është edhe soditja që KFOR-i i bëri spastrimit të veriut të Kosovës nga shqiptarët në shkurt të vitit 2000. Shpalljet, e madje edhe njohjet, pa referendumin që e fuqizon popullin dhe përderisa nuk na lejojnë të kemi ushtrinë tonë veçsa do ta keqësojnë gjendjen në Kosovë. As Pakoja e Ahtisaarit nuk lejon referendum dhe as ushtri për Kosovën. Kosova parashihet të ketë vetëm FSK-në, pra njëlloj xhandarmërie me 2.500 pjesëtarë (me armatim të lehtë dhe nën kontroll të NATO-s) e cila asisoj do të jetë së paku katërfish më e vogël se policia. Çfarë shteti i pavarur do të jetë ajo Kosovë në të cilën do të ketë shumë më tepër policë sesa ushtarë?! Kosova e atillë do të jetë e varur dhe pa sovranitet, me vullnet të shkelur dhe pa kontroll mbi veten e saj: policët e shumtë do të jenë këtu për ta shtypur popullin kurse ‘ushtarët’ e paktë të FSK-së do të jenë te kufijtë që s’do të mund t’i ruajnë. Shpallja eventuale e pavarësisë së Kosovës pa organizuar referendum që e bën popullin sovran dhe pa ushtri që e mbron vendimin e popullit, e shndërron Kosovën në një Bosnje të re. Atë lloj shpallje, jo vetëm që e shfuqizon menjëherë PSSP-ja të cilit i nënshtrohet Kuvendi i Kosovës, por ajo vetëm sa do t’i shërbejë strukturave të Serbisë që t’i formalizojnë enklavat anekënd Kosovës si pjesë të Serbisë. Shpallja e Thaçit nuk do ta bënte Kosovën të pavarur nga Serbia por do t’i bënte enklavat të pavarura nga Kosova.

    Mbase realiteti në Kosovë po bëhet gjithnjë e më cinik. Në vitet e ‘90-ta, Hashim Thaçi u pat angazhuar në UÇK meqë besonte se pavarësia e shpallur e Ibrahim Rugovës ishte e kotë pa ushtri. Tash, Hashim Thaçi flet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës pa e pasur ushtrinë tonë, çarmatosjen e së cilës e nënshkroi ai vetë!
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  5. #145
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475
    Vjetërsia e raportit më të ri
    Shkruar nga Albin Kurti

    Sunday, 16 December 2007

    Raporti i Treshes BE/SHBA/Rusi për Kosovën, i bërë publik ditë më parë, e përfundoi fazën e negociatave shtesë që zgjatën 120 ditë. Ky raport realisht nuk i ka as tri faqe të plota. E gjithë pjesa tjetër e tij janë dokumente të mëhershme: Rezoluta 1244, 'Parimet udhëheqëse' të Grupit të Kontaktit nga nëntori i vitit 2005, Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të KB-ve bërë më 1 gusht 2007 etj. Edhe me këtë rast, historia e dokumenteve ndërkombëtare zë vend pakrahasimisht më shumë se çfarëdo dokumenti i ri ndërkombëtar. Madje, më shumë është në spikamë kjo histori sesa ajo e problemit që trajtohet. Historia përmendet (p.sh. në paragrafin 7) atëherë kur flitet për "mosbesimin e ndërsjelltë dhe ndjenjën e ankesës historike për konfliktet e '90-tave" të ketë qenë një vështirësi në këtë proces negociator. Pra, barazohen përvojat e palëve dhe në mënyrë elegante suspendohet historia e çështjes që trajtohet. E kuptueshme: qëllimi i Treshes është marrëveshja e kompromisit e jo drejtësia. Mbase kjo është pika kryesore të cilën aq shumë njerëz në Kosovë nuk arrijnë, ose nuk duan, ta kuptojnë.

    Qysh në paragrafin e parë të këtij raporti thuhet se në negociata është diskutuar një rreze e gjerë opcionesh, siç janë: pavarësia e plotë, pavarësia e mbikëqyrur, ndarja territoriale, autonomia substanciale, aranzhmanet konfederale e madje edhe heshtja e statusit në 'marrëveshje për mosmarrëveshje'. Sigurisht që të gjitha këto i kanë diskutuar. Por, edhe më e sigurt është që opcioni i parë (pavarësia e plotë) në fakt ka qenë i përjashtuar - mu në po këtë paragrafin e parë i bëhet referencë eksplicite Rezolutës 1244 si kornizë e negociatave. E, dihet që kjo rezolutë riafirmon sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së (tash Serbisë), kurse për Kosovën parasheh vetëm autonomi substanciale. Rrjedhimisht, nuk është aspak e rastësishme që në këtë raport me shumicë Kosovës i referohen si Prishtinë kurse Serbisë si Beograd meqë të dy palët trajtohen përbrenda të njëjtit entitet dhe subjekt ndërkombëtar.

    Më tutje, në paragrafin e tretë të raportit thuhet se "...Presidenti Ahtisaari ka përgatitur një Propozim Gjithpërfshirës për Përcaktimin e Statusit të Kosovës, i cili përfshin masa për mbrojtjen e komuniteteve joshqiptare të Kosovës...". Së pari, pakicat në Kosovë quhen joshqiptarë. Ata nuk cilësohen as si të tjerë prej shqiptarëve por si joshqiptarë! Ideja e qëndrimit përkundruall të shqiptarëve dhe joshqiptarëve në Kosovë nuk është e drejtë dhe as që duhet të realizohet asnjëherë. Ky afirmim kategorik përmes mohimit nuk paraqet realitetin e Kosovës. Në çështjen thelbësore të pavarësisë së Kosovës pesë pakicat e tjera (pra përveç serbëve - boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit) janë bashkë me shqiptarët. Së dyti, nuk është aspak e vërtetë që ato janë të rrezikuara (prej shqiptarëve siç aludohet) dhe aq më pak en bloc. Pas përfundimit të luftës ka martesa të përziera ndërmjet shqiptarëve, turqëve, boshnjakëve, ashkalinjëve etj. Mirëpo, jo edhe ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Mbase, po të thoshte Turqia e sotme se Kosova është djep i Turqisë dhe se ajo do të kthehet për të sunduar me Kosovën, gjithsesi do të rrezikoheshin ato martesa aktualisht të lumtura ndërmjet shqiptarëve dhe turqve. 'Komunitetet joshqiptare që duhet të mbrohen' janë një tezë kryekëput e Serbisë që është përvetësuar nga Ahtisaari dhe së cilit i referohet ky raport kur përshkruan të kaluarën e këtyre negociatave.

    Megjithëse në paragrafin numër 9 thuhet se "asnjëra palë nuk ka arritur ta bind tjetrën për ta pranuar përfundimin e preferuar", paragrafi paraprak i këtij e bën të qartë se nuk bëhej fjalë për dy palë të barabarta në këto negociata shtesë. Në paragrafin 8 thuhet: "Prishtina përsëri ka deklaruar preferencën për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës dhe ka rikonfirmuar pranimin e propozimit të Ahtisaarit. Beogradi e ka refuzuar propozimin e Ahtisaarit dhe ka përsëritur preferencën e tij që Kosova të jetë autonomi brenda Serbisë. Si rezultat, nuk pati diskutime për propozimin e Ahtisaarit dhe as ndonjë diskutim që ai duhet të modifikohet"! S'ka dilema se ajo që refuzon Beogradi jo vetëm që s'bëhet dot por as që diskutohet. Ky proces negociator qartazi varet nga pëlqimi eventual i Beogradit dhe assesi ai i Prishtinës. Zaten, i tillë ka qenë prej fillimit. Përfundimi i tij mund të jetë veçse fillimi i tij, ardhmëria e tij mund të jetë veçse e tashmja e tij - autonomia substanciale për Kosovën. Kuptimi i 'përpjekjeve' të Treshes ishte lehtësimi i hapjes së derës për padronin e ri ('EUMIK') me tapi të vjetër (Rezoluta 1244). Misioni i misionit të ardhshëm të BE-së është (edhe një) ndërrim për mosndryshim, është veçse zëvendësim burokratik i UNMIK-ut. Thjesht, po e bëjnë gati shkuarjen e UNMIK-ut si administratë për ta përjetësuar UNMIK-un si koncept. Fatkeqësisht? Aspak. S'është punë fati kjo. Konsistenca e dokumenteve ndërkombëtare për Kosovën, sidomos që nga Rambujeja e këtej, është marramendëse.
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  6. #146
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475
    Papërsosuria e krimit
    Shkruar nga Albin Kurti

    Sunday, 23 December 2007

    Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka arritur ta ndal krimin e UNMIK-ut. Nuk e kam fjalën këtu (vetëm) për krimin me 10 shkurt të këtij viti në demonstratën e VETËVENDOSJE!-s por (edhe) për krimin e mohimit të vetëvendosjes së popullit për këto tetë vjet e gjysmë. Qytetarët e Kosovës nuk u lejuan asnjëherë ta shprehin vullnetin e tyre në referendum (jo vetëm për çështjen e statusit por për asnjë çështje). Ky krim ndaj dy milionë e gjysmë njerëzve është një krim i vazhdueshëm: qytetarëve të Kosovës as sot e kësaj dite nuk u lejohet referendumi (për asgjë). UNMIK-u nuk e lufton Lëvizjen VETËVENDOSJE! vetëm për shkak se ajo një ditë mund ta ndal këtë krim të UNMIK-ut. Çështja është më urgjente se kaq. UNMIK-u do që krimi i tij të jetë i përsosur, që të gjithë qytetarët në Kosovë të heshtin. Dhe, më pas, që këtë heshtje të popullit ta interpretojë si pëlqim të popullit me krimin ndaj tij. Nëse viktima nuk e denoncon kriminelin atëherë s’ka kriminel (për publikun) dhe viktima s’është e tillë (për publikun). Këtë gjë e don UNMIK-u dhe mu për këtë gjë e ka pengesë VETËVENDOSJE!-n. Pra, Lëvizja VETËVENDOSJE! njëmend nuk ka arritur ta ndal krimin e UNMIK-ut por ama ka arritur që këtë krim të tij ta bëjë të papërsosur. UNMIK-u kurrë nuk do t’ia fal VETËVENDOSJE!-s këtë gjë – ai kurrë nuk do të mund të pajtohet me ata që nuk e lejuan të kryejë krim të përsosur. Askush në Kosovë nuk ishte më i vetëdijshëm se vetë UNMIK-u që pikërisht ekzistenca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e bën UNMIK-un kriminel. Me 10 shkurt, UNMIK-u ndërmorri një operacion kriminal të paparë në përpjekje e sipër për ta shuar Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Kjo Lëvizje duke qenë opozitë autentike dhe parimore e shpërfaq UNMIK-un në krimin e tij sistemik ndaj një populli të tërë. Mbase Jean Baudrillard kishte të drejtë kur thoshte që nuk ka krim të përsosur porse përsosuria është kriminale. VETËVENDOSJE! është bërë pamundësia e përsosurisë së krimit të UNMIK-ut. UNMIK-un e bën kriminel krimi mirëpo e zbulon si të tillë papërssosuria e krimit të tij – Lëvizja VETËVENDOSJE!.

    Luftimi i VETËVENDOSJE!-s është i pakompromis meqë antagonizmi është total. UNMIK-u e lufton qëllimin e VETËVENDOSJE!-s, mënyrën e VETËVENDOSJE!-s dhe konceptin e VETËVENDOSJE!-s.

    Së pari, qëllimi. Qëllimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është ajo mënyra tjetër, ajo mënyra e drejtë, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës – vetëvendosja e popullit që do të ushtrohej në refrendum. E kurrsesi negociatat me Serbinë meqenëse Serbia është problem i Kosovës e jo partner i Kosovës në zgjidhjen e problemeve.

    Së dyti, mënyra. Mënyra e VETËVENDOSJE!-s janë protestat e demonstratat në rrugë, në sferën publike, ku(r) publiku i pakënaqur bëhet bashkë për ta shprehur pakënaqësinë. UNMIK-u nuk i do demonstratat por kampanjat. Ai nuk do që të pakënaqurit të bëhen bashkë në demonstratë por që atyre t’iu mpihet qafa duke shikuar individualisht billboard-at dhe t’iu merren sytë duke shikuar familjarisht videospotet.

    Së treti, koncepti. Koncepti i VETËVENDOSJE!-s është koncept i së drejtës që konsideron se liria na takon dhe nuk duhet ta meritojmë. UNMIK-u do që në vend të kërkesave për të drejtat e tyre, banorët vendas të avokojmë e lobojmë – pra, të tentojnë që nëpër dreka, darka e kokteje me burokratë ndërkombëtar t’i lusin ata që në agjendën e tyre gjithsesi të ngjeshur të inkorporojnë edhe ndonjë nevojë të vendasve.

    Pra, UNMIK-u e lufton Lëvizjen VETËVENDOSJE! për shkak të qëllimit të Lëvizjes, mënyrës së Lëvizjes dhe konceptit të Lëvizjes. UNMIK-u e lufton VETËVENDOSJE!-n, e lufton ekzistencën e saj. Fakti se UNMIK-u e lufton Lëvizjen VETËVENDOSJE! totalisht dhe pa mëdyshje do të thotë se UNMIK-u do ta luftojë VETËVENDOSJE!-n deri sa VETËVENDOSJE!-a ta mund UNMIK-un. Është pikërisht UNMIK-u ai që nuk i lejon alternativë tjetër VETËVENDOSJE!-s përveç fitores.
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  7. #147
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475
    Tubim me qytetarët e Malishevës


    Të enjten, më 27 dhjetor 2007, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi debat me qytetarët e Komunës së Malishevës. Debati filloi në orën 12:00, ne Asamblenë Komunale të Malishevës. Të pranishëm në sallë ishin një pjesë e konsiderieshme e qytetareve te kësaj komune.

    Temat e trajtuara në tubim, ishin:

    Regresi i vazhdueshëm politik – defaktorizimi i shqiptarëve përmes përjashtimit të popullit nga procesi politik.
    Stagnimi ekonomik – shkatërrimi i vazhdueshëm i potencialit zhvillimor të Kosovës përfshirë komunën e Malishevës.
    Mjerimi social – varfërimi i vazhdueshëm i qytetarëve të Kosovës

    Fjalën përshendetëse e mori aktivisti Petrit Zogaj, duke i falenderuar të pranishmit për pjesëmarrje, kërkoi nga ta të jenë sa më aktiv, duke kontribuar në shtjellimin e konceptit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe për problemet tjera që i mundojnë qytetarët e Malishevës, e sidomos pjesëmarrje në aksionet dhe demonstratat e përbashkëta.

    Pastaj aktivisti Albin Kurti ka bërë një prezantim të konceptit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe ka komentuar aktualitetin politik. Sipas tij, me këto institucione te sistemit, aspirata për pavarësi të shqiptarëve të Kosovës nuk do të realizohet. I pyetur rreth mundësisë së shpalljes së pavarësisë se Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, sipas Albinit shteti është çeshtje faktike, e jo deklarative.

    Duke komentuar Pakon e Ahtisarit ai ka thënë se është pikërisht kjo Pako që rrezikon të ardhmen e Kosovës. Rreth bashkëvendosjes me bashkësinë ndërkombëtare, që erdhi si ide nga nje debatues, Albini iu përgjigj duke thënë se kjo do te thotë t’i thuash bashkësisë nderkombëtare vendos ti per mua, gjë që nuk është liri, por varësi. Në këtë debat janë komentuar edhe zgjedhjet e 17 nëntorit, ku të pranishmit kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth mundësisë që këto elita politike të marrin vendime të dëmshme në emër të popullit, pa e pyetur popullin. Ky debat i cili zgjati mbi dy orë u vlerësua nga pjesëmarrësit si shumë i dobishëm.

    Pas tubimit, shumë qytetarë pjesëmarrës iu drejtuan zyreve të Levizjes VETËVENDOSJE! në Malishevë për t’u regjistruar si aktivistë të rinj të Lëvizjes, duke ofruar kontributin e tyre për qëllimet tona të përbashkëta.

    Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Malishevë
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  8. #148
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475
    Letër mërgimtaritI/

    e nderuar mërgimtar/e,
    shpresojmë që po kalon pushime të këndshme. Ndoshta ke shetitur në Kosovë, e ke parë se vendi është në zor. Sipas
    statistikave zyrtare papunësia është 47 përqind, por shumë ekspertë vlerësojnë se ajo është rreth 60 përqind. Gjysma e
    popullit rron në varfëri, çereku në varfëri ekstreme, ndërsa brutoprodhimi kombëtar është nën atë të Afrikës Qendrore, sipas
    Bankës Botërore. Jemi pa ujë e pa drita, ndonëse kemi rezerva të bollshme natyrore. Kosova është vendi i vetëm në
    Evropë jo pa rritje, po me rënie ekonomike. Ekonomia ynë varet aq fort nga Serbia, sa ta kemi tash problem edhe bukën e
    gojës. Ekspertët janë unanimë që kjo teposhtëz shkaktohet nga a) statusi i pazgjidhur, e b) korrupsioni në UNMIK e në
    institucione.
    Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vetmja forcë e organizuar që ka ngritur zërin kundër kësaj. Ne e kemi luftuar UNMIK-un
    dhe korrupsionin. E kemi luftuar vartësinë ekonomike nga Serbia. E kemi sulmuar pakon e Ahtisaarit, që sajonte copëzim
    etnik e diskriminim fetar. Kemi paralajmëruar që pranimi i njëanshëm i pakos së Ahtisaarit sall nga Kosova çon drejt
    shtyrjeve e keqësimeve të reja, gjë që, mjerisht, po na vërtetohet dhimbshëm. Për ty si mërgimtar shqiptar, ne kemi kërkuar
    që të quhesh zyrtarisht si refugjat nga Kosova, status ky që ti e gëzon edhe në vendet e origjinës së UNMIK-ut.
    VETËVENDOSJE! kërkon që të investohet edhe në kthimin e akomodimin tënd njësoj si për serbët. Dr Hakif Bajrami,
    ekspert kosovar për demografi, ka llogaritur se Serbia në vitet 1980 e 1990 ka përzënë mëse 360 000 shqiptarë nga
    Kosova. E megjithatë, ti këtu s'figuron me asnjë germë a shifër si kosovar. Zanafilla e kësaj nis më 1999, kur UNMIK-u
    dekretoi që si kosovar të quhet vetëm kush ka qenë i regjistruar në Kosovë më 1998 e këtej. Që atëhere, ti tok me gjysëm
    milioni mërgimtarë tjerë heq të zitë e ullirit për të nxjerrur një pasaportë, një letërnjoftim, a një çertifikatë. Ty të mohohet
    statusi i refugjatit, ndonëse këtë e ke të pranuar edhe në shtetet anëtare të UNMIK-ut. Të mohohet shtetësia e dyfishtë, në
    kundërshtim me ligjet e Kosovës e me konventat ndërkombëtare. Para së gjithash, të mohohet e drejta e votës. Si shtetas
    zviceran, gjerman a suedez, ti mund të banosh kudo në rruzullin tokësor e prapë të votosh në shtetin e banimit -
    por jo në Kosovën tënde! Kjo zgjidhje përjetësohet në nenin 1.6 të Aneksit I - Dispozitat Kushtetuese të pakos së Ahtisaarit,
    ku thuhet që shtetësi të Kosovës do të marrin vetëm "qytetarët e ish Republikës Federative të Jugosllavisë" dhe "banorët e
    përhershëm të Kosovës" gjer më 1 janar 1998. (Vëre dallimin në terme "qytetarë" të ish RFJsë e "banorë" të Kosovës!) Sa
    për krahasim, veç këqyr se çfarë trajtimi special që po u bëhet serbëve. UNMIK-u e ka zyrtarizuar propagandën se nga
    Kosova gjoja paskan ikur 200 a 300 mijë serbë (shifra dallon ndër dokumente), ndonëse provat flasin ndryshe. Në
    regjistrimin e fundit, më 1991, Serbia pat thënë vetë se në Kosovë ishin sall 194 000 serbë, e ajo sot ankohet për fatin e
    "130 000 serbëve të mbetur". Prej ku pikën këtu edhe 200 mijë serbë tjerë!? E pra, ai dekret i UNMIK-ut që ta mohon ty
    identitetin kosovar, ia ofron atë me dy duart jo veç serbëve vendorë; por edhe refugjatëve që i pat prurë Serbia e fëmijëve të
    tyre, si dhe ushtarakëve, policëve, agjentëve, pylltarëve, drejtorëve të dhunshëm, gjyqtarëve, konduktorëve, e gjithë tjerëve
    që i zu këtu viti 1998 me një adresë kosovare, sa për t'u ardhur letrat prej familjes. Merre me mend: vetë serbët dallojnë
    mes "došljaci" e "starosedeoci" (serbë të ardhur e vendorë), kurse UNMIK-u e qeveria jo! Këta duan që edhe puro serbët t'i
    bëjnë kosovarë me zor, u ndajnë troje, e u ndërtojnë shtëpi. Ndërsa ty si mërgimtar ta mshelin derën me shul, e familja jote
    në enklava detyrohet t'ia shet shtëpinë Serbisë. VETËVENDOSJE! është lëvizje qytetare e cila lufton paqësisht që UNMIKu
    dhe institucionet të respektojnë vullnetin e gjithë kosovarëve, pra edhe ty e vullnetin tënd. Në aksionet tona ne s'e kemi
    lënduar asnjeri, por anëtarët tanë janë vrarë, plagosur, rrahur e burgosur nga UNMIK-u e veglat e tij. Më shumë informata
    për ne gjen te websajti www.vetevendosje.org. Ne nisemi
    nga Rezoluta 1514 të Këshillit të Sigurisë, që thotë troç: "Vetëvendosja është e drejtë e të gjithë popujve të kolonizuar.
    Mungesa e parapërgatitjeve në fushat e politikës, të ekonomisë, të shoqërisë apo të arsimit kurrë s'bën të përdoret si
    pretekst për të shtyrë mëvetësinë." Për t'i jetësuar të drejtat tona, na duhet ndihmë. Andaj, të lutemi që ta përkrahësh
    lëvizjen VETËVENDOSJE! Asnjë ndihmë nuk është pak - çdo qindarkë e jotja e ndihmon çështjen tonë të përbashkët. Nëse
    do të ndihmosh edhe në forma tjera, mos ngurro po merr kontakt me qendrën tonë më të afërt. Ndihmo aktivisht atdheun e
    familjen tënde – përkrahe Lëvizjen VETËVENDOSJE! në:
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  9. #149
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Dardanë
    Personat kontaktues:
    Agron Demi, agroni_d@yahoo.com, 044 417 634
    Vaxhid Rexhepi, vaxhid_r@hotail.com, 044 368 841
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Deçan
    Person kontaktues:
    Dardan Molliqaj, dardanmolliqaj@hotmail.com, 044 266 790
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Drenas
    Person kontaktues:
    Petrit Bajraktari, petriti22@gmail.com, 044 265 248
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Ferizaj
    Personat kontaktues:
    Riza Xhakli, rxhakli@yahoo.com, 044 179 900
    Sabit Azizi, 044 164 743
    Adresa e zyres: Rr.”Epopeja e Jezercit”, nr.8
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Gjakovë
    Personat kontaktues:
    Hazbije Pruthi, 044 122 712
    Jusuf Osmani, jusufosmani@hotmail.com, 044 387 921
    Vullnesa Doli, vetevendosje.gjakove@gmail.com
    Adresa e zyres: Rr."Nëna Tereze", Kurrizi, Kati i I-rë
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Gjilan
    Personat kontaktues:
    Shkurte Aliu, shkurte_aliu@yahoo.com, 044 470 939
    Vedat Xhymshiti, v_xhymshiti@yahoo.com
    Adresa e zyres: Rr.”Lidhja e Prizrenit”, p.n.
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Klinë
    Person kontaktues:
    Skender Mërturi, kena_st1@yahoo.com, 044 363 917
    Adresa e zyres: Rr.”28 Nëntori”, p.n
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Lypjan
    Person kontaktues:
    Atdhe Buja, atdhe.buja@yahoo.com, 044 459 572
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Mitrovicë
    Person kontaktues:
    Bujar Voca, b_voca@hotmail.com, 028 24 998
    Numri i telefonit në zyre: 044 105 203
    Adresa e zyres: Rr. "Mbretëresha Teutë", p.n.
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Pejë
    Person kontaktues:
    Blerim Kullashi, blerimkullashi@yahoo.com, 044 723 636
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Prizren
    Personat kontaktues:
    Faruk Dakaj, dakaj_faruk@hotmail.com, 044 254 863
    Adresa e zyres: Rr. "Lekë Dukagjini", nr.139
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Sharr
    Person kontaktues:
    Gëzim Mustafa, 029 81 054
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Skënderaj
    Person kontaktues:
    Isuf Koci, isuf.koci@hotmail.com, 044 668 476
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Viti
    Person kontaktues:
    Arton Musliu, amusliu_83@yahoo.com, 044 194 004
    Adresa e zyres: Rr.”Adem Jashari”, Ndërtesa e Shtëpisë së Mallrave,
    Kati i III-të
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Vushtrri
    Person kontaktues:
    Aida Dërguti, aida.derguti@hotmail.com, 044 161 945
    __________________________________________________ _____
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Belgjikë
    Person kontaktues:
    Albert Jusufi, vetevendosje_be@yahoo.com, +32/484614963
    Antwerpen
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Britani të Madhe
    Person kontaktues:
    Fatos Dërguti, fatos.derguti@imperial.ac, + 44/7810401377
    Londër
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Danimarkë
    Person kontaktues:
    Xhemil Zeqiri, xhemil@hotmail.com, + 45/229481133
    Kopenhagë
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Gjermani
    Person kontaktues:
    Bashkim Osmanaj, b_osmanaj@hotmail.com, ++49/17627195459
    Dortmund
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Irlandë
    Person kontaktues:
    Adem Bërnica, adembernica@yahoo.ie, ++353/596482589
    Co.Wicklow
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Norvegji
    Person kontaktues:
    Vlora Haxhimehmedi, vlorah84@yahoo.no, + 47/ 951 50 332
    Skjetten
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Suedi
    Person kontaktues:
    Shqiptar Oseku, oseku@hotmail.com, + 46/704519776
    Stokholm
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në SHBA
    Person kontaktues:
    Arta Haxhaj, artushe75@aol.com, ++1/6463394228
    Nju Jork
    Qendra e VETËVENDOSJE!-s në Zvicër
    www.vetevendosje.ch
    Person kontaktues:
    Arta Kryeziut, kryeziu_a@hotmail.com, +41788921897
    Gjenevë
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

  10. #150
    Vetevendosje & kuq e zi Maska e ABytyqi
    Anëtarësuar
    19-05-2006
    Vendndodhja
    Belgjik
    Postime
    475
    Letër nga mërgimtari
    Lëvizja VETËVENDOSJE! duhet përkrahur


    Besnik Kryeziu (Gjermani)
    Mërgata shqiptare gjatë gjithë historisë së saj e ka dhënë kontributin e vet për atdheun. Ajo, edhe sot, kur atdheu është në
    rrezik, do ta jep kontributin e vet. Mërgata shqiptare u la anash padrejtësisht dhe u harrua e tëra menjëherë pas luftës, nga
    ata që e volën sa herë deshën në emër të atdheut, porse në të vërtetë i mbushën xhepat e vet. Krijuan pasuri që as vetë
    nuk e dinë se ku iu fillon e as ku iu mbaron. Ndonëse lufta për liri nuk u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës, ata vlerësuan
    se ndihma jonë nuk iu duhet më. Si duket më shumë se lirinë e atdheut e kishin dashur lirinë dhe pasurinë e tyre personale.
    Në momentin kur u bënë ‘liderë’ harruan betimin e dhënë para Flamurit, harruan amanetin e dhënë ndaj shokëve të rënë
    nëpër beteja gjithandej Kosovës. Mbase nuk është thënë kot se luftën për liri e projektojnë të mençurit, e bëjnë trimat,
    ndërsa e gëzojnë matrapazët. Dhe, për fatin tonë të keq, kështu edhe ka ndodhur. Matrapazët kanë zënë majën e
    piramidës politike dhe po na e zënë frymën. Mjerë ata që janë aty, si dhe ata që synojnë të hyjnë në këtë piramidë, ngase
    kjo piramidë politike është ndërtuar me gënjeshtra: gjithçka ka aty përveç nderit dhe ndjenjës atdhetare. Sa më parë që do
    të rrënohet kjo piramidë e gënjeshtrave, liria do të jetë më afër nesh. Frymëmarrja jonë do të jetë më e pastër, sepse kjo
    piramidë ka filluar të kundërmojë dhe nëse nuk e rrënojmë do të na helmojë të gjithëve. Atdheu ynë i dashur sot ndodhet
    para sprovave të shumta dhe tepër të rrezikshme. Andaj, thirrja juaj për ndihmë drejtuar ne mërgimtareve është kuptimplote
    dhe me vend. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka më shumë se askush tjetër të drejtën morale dhe kombëtare për të kërkuar
    ndihmë, ngase ju ishit ajo drita sado e vogël në fillim, por që erdhi duke u rritur e që do të rritet edhe më shumë deri kur të
    gjithë ta kuptojnë mashtrimin e madh që kanë bërë me ne. Ju na e ndriçuat rrugën. Edhe unë si shumë mërgimtarë tjerë
    isha në atdhe, për tu çmallur me miqtë dhe të afërmit e mi. Por a u çmalla e u çlodha? Fatkeqësisht, jo. Sepse atdheun tim
    nuk e pashë ashtu si desha ta shoh. Kudo njerëz të lodhur nga hallet e jetës. Fytyrat e tyre thuajse ishin bërë një – ishin
    ngrirë në pritje. Krijoja përshtypjen se vetëm pritja iu kishte mbetur. Qartazi lexoja në fytyrat e tyre: ne jemi populli që po
    presim, e deri kur nuk e din as Zoti. Kot e kisha kur në mbrëmje doja t’i shikoja lajmet, apo edhe të shkruaja ndonjë kujtim
    me kompjuterin tim, sepse si për inat ikshin dritat e mbetesha në terr. Qiriu ishte shpëtimi i atyre njerëzve. Sa shpesh e kam
    përsëritur këto ditë: çka po ndodh me ne? Nëse para lufte politika krenohej me gjeneratat e bodrumeve, sot politika le të
    krenohet me gjeneratat e territ, sepse vërtetë vetëm terr e varfëri janë duke krijuar. Nuk është turp të jesh i mjeruar, por turp
    është të pajtohesh me mjerimin. Po kam frikë se ne jemi pajtuar me këtë të keqe, sepse asnjë popull tjetër në botë s´do ta
    duronte këtë gjendje poshtërimi. Kudo nëpër rrugët e Kosovës shihen njerëz që kërkojnë lëmoshë. Një ditë, derisa po ecja
    rrugëve në qytetin e besëlidhjes shqiptare, m’u afrua një njeri i shtyrë në moshë. Nga fytyra e tij e lexova se ka një hall. I
    thashë: fol axhë, çka mundem të ndihmoj? Jam i sëmurë nga veshka, isha te mjeku, m’i ka dhënë do barna po... dhe iu ndal
    zëri. Pastaj vazhdoi: jo bre nuk po të ngushtoj as ty, se... Fol të lutem, ne jemi njerëz dhe të gjithë kemi halle, i thashë. ‘E
    vdeksha unë më mirë’, ma ktheu, ‘nuk kam para për barna’, dhe pa dashje filluan t’i rridhnin lotët. Dora e tij kërkonte diçka
    nëpër xhepat e sakos së tij. E nxori një foto nga aty. ‘Ky është djali im. Ka qenë ushtar në UÇK. Ka rënë në luftë.’ – më tha.
    Për një çast humba i tëri, çdo gjë përreth meje u shkri. Si!?, ju jeni baba i dëshmorit!? Po, m’u përgjigj me një zë që vështirë
    kuptohej. Ky rast më bëri të mendoj shumë. Babai i dëshmorit nuk ka të holla për barna! Po biri i tij a nuk ra për ditë më të
    mira, për një Kosovë të re? Po thash, të tillë janë politikanët tanë: dëshmorët iu duhen vetëm nëpër fushata për të
    promovuar vetveten e tyre. E, pastaj, familjet i tyre i lënë në rrugë qoftë edhe për të kërkuar dy euro për barna. Ky rast
    tregon më së miri se ku na kanë katandisur politikanët tanë. Kështu më nuk shkon. Mërgata shqiptare duhet të aktivizohet
    përsëri sepse roli i saj ishte dhe dotë jetë i një rëndësie të veçantë. Motoja jonë gjatë luftës ishte “Atdheu në Rrezik –
    Vendlindja Thërret!”. Atdheu është në rrezik, ai po na thërret nëpërmes zërit të VETËVENDOSJE!-s, atij zëri që kurrë s´ka
    për t’u ndalur deri sa populli ynë ta realizojë të drejtën e tij për vetëvendosje. Mërgimtarë të dashur, ju kurrë nuk u lodhet për
    atdheun, gjithçka dhatë për të. Bëjeni edhe kësaj here. T’i tregojmë gjithë botës se ne nuk jemi qyqar sikur Grupi i Unitetit,
    të cilit i ka humbur rruga në oborr, por jemi popull që dimë dhe mundemi të realizojmë të drejtën tonë për vetëvendosje. Unë
    do ta përkrah thirrjen e VETËVENDOSJE!-s për ndihmë. Bëje edhe ti. Bëjeni edhe ju të gjithë. Të dalim faqebardhë me
    VETËVENDOSJE!-n në ballë. Atdheu ka nevojë për ne. Ç´kuptim ka jeta pa atdhe? Më mirë se ne mërgimtarët kush tjetër e
    ndjen mungesën e tij. Përkraheni VETËVENDOSJE!-n që sa më parë t’i ndalim gdhendjet e huaja në shpirtin tonë, në trupin
    tonë.
    Kosova është Zemra e Shqipërisë !

Faqja 15 prej 18 FillimFillim ... 51314151617 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Lëvizja VETËVENDOSJE!
    Nga vudi në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 59
    Postimi i Fundit: 22-04-2011, 15:55
  2. Levizja Studentore 8-12 Dhjetor
    Nga MaDaBeR në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 10-12-2008, 02:31
  3. Vlerësimi për Luftën Nacional Çlirimtare Shqiptare
    Nga Kryeplaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 177
    Postimi i Fundit: 05-11-2007, 20:10
  4. LËVIZJA EKUMENIKE ("Që të gjithë të jenë një")
    Nga Shpresmiri në forumin Komuniteti protestant
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 29-03-2004, 17:05
  5. Koha dhe Levizja
    Nga Hyllien në forumin Filozofi-psikologji-sociologji
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 02-02-2004, 17:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •