Qyteti i Durrësit është zgjuar mëngjesin e sotëm nga një krim makabër. Rreth orës 08:20 minuta, në lagjen numër 17, në Durrës, pikërisht në vendin e quajtur ish-URT-ja, një 48-vjeçare është vrarë nga bashkëshorti. Shtetasja Zana Mezhda, 48 vjeçe, është vrarë me thikë nga i shoqi, shtetasi Gëzim Mezhda, 50 vjeç. Ky i fundit ka shkuar në vendin e punës së bashkëshortes, pikërisht tek rrobaqepësja “ Alb-Dor”, ku e ndjera punonte prej vitesh, duke i kërkuar asaj të bisedonin. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, 48 vjeçarja ka qëndruar jashtë rrobaqepsisë për rreth 15 minuta.Ndërkohë që kjo vonesë ka shqetësuar përgjegjësen e repartit, e cila ka dalë për ta kërkuar. Ky ka qenë momenti në cilin është konstatuar vdekja e gruas 48-vjeçare. Ndërkohë është lajmëruar policia, më pas viktima është dërguar për në spitalin e Durrësit. Ekspertiza bën të ditur se viktima është prerë me thikë në pjesën e poshtme të qafës, gjë që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas punonjësve të këtij reparti, çifti Mezhda kishte probleme xhelozie prej kohësh, aspekt ky i theksuar kohët e fundit pas martesës së tre fëmijëve. Burri vrasës është larguar menjëherë nga vendngjarja, duke lënë bashkëshorten të vdekur. Policia e qytetit bregdetar po punon për kapjen e autorit.
Ngjarja
Ngjarja tronditëse ka ndodhur mëngjesin e sotëm, pikërisht rreth orës 08 e 20 minuta. Gëzim Mezhda, 50 vjeç, ka vrarë me thikë, duke e prerë në fyt, gruan e tij Zana Mezhda, 48 vjeçe. Sipas kolegëve të së ndjerës, si edhe dëshmitarëve okularë, Mezhda ka shkuar tek rrobaqepsia ku punonte e shoqja dhe i ka thënë përgjegjëses se donte ta takonte, pasi kishte një bisedë të rëndësishme për t’i thënë. 48-vjeçarja ka ndërprerë punën dhe ka dalë të takonte të shoqin. Takimi me të shoqin i ka rezultuar fatal për jetën. Mungesa e saj prej 15 minutash ka rënë në sy të shoqeve, të cilat janë interesuar se çfarë po ndodhte me Zanën. Njëra prej tyre, pikërisht Dallëndyshe Bulku, ka dalë të shikojë dhe ka gjetur shoqen e saj të mbytur në gjak. Ajo ka dhënë alarmin dhe e gjithë ndërmarrja ka parë skenën makabër. 48-vjeçarja është transportuar menjëherë për në spitalin e qytetit, por, sipas mjekëve, ajo ka mbërritur e vdekur. Policia ka kryer veprimet e para proceduriale dhe ka arritur në përfundimin se vrasja ka ndodhur për motive xhelozie.
Dëshmitarët
Koleget e së ndjerës, që janë njëkohësisht edhe dëshmitaret e ngjarjes, pasi ato kanë parë çfarë ka ndodhur, të tmerruara tregojnë momentet e krimit makabër. Ngjarja e sapondodhur i ka tronditur tej mase, pasi kishin vite që punonin me 48-vjeçaren, Zana Mezhda. Ato tregojnë se çifti Mezhda kishte probleme prej vitesh. Problemet ishin theksuar më tepër pas martesës së tre vajzave, sepse djali i vetëm i familjes ishte gjithë kohës jashtë, pasi merrej me peshkim. Sipas dëshmitarëve, ai punonte me të atin. Natën e mbrëmshme ata kishin dalë për peshkim, ndërsa mëngjesin e sotëm burri është nisur në drejtim të punës së gruas, ku më pas e ka lënë të vdekur. E ndjera kishte si profesion rrobaqepsinë dhe prej vitesh punonte në një ndërmarrje konfeksionesh. “ Është një krim i tmerrshëm. Nuk mund të vrasësh një njeri sikur po ther një pulë,” ka thënë Thëllënxa Cela, shoqe e së ndjerës. Të gjitha punonjëset janë tronditur tej mase, madje disa prej tyre janë shoqëruar për në spital, pasi kanë pasur momente dobësie.
Krijoni Kontakt