Amerika shënon sot gjashtë vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit 2001 me aktivitete përkujtimore më të zbehta se vitet e kaluara. Në një ceremoni solemne, punonjësit e skuadrave të shpëtimit do të lexojnë emrat e të gjithë atyre që humbën jetën në sulmet tragjike të 11 shtatorit.
Ashtu si në vitet e shkuara, pak para ceremonisë përkujtimore, lideri i Al-Kaedës, Osama Bin Laden ka regjistruar një mesazh video, ku kërcënon për shkallëzimin e luftës në Irak.
Ndryshe nga vitet e tjera, pjesa më e madhe e ceremonisë këtë vit do të mbahet në një park pranë “Ground Zero”, vendi ku dikur ngriheshin kullat binjake dhe jo në vendin ku ato u rrëzuan, ku dhe po punohet për ngritjen e rrokaqiejve të tjerë dhe një memoriali. Në atë që tashmë është kthyer në një ritual të përvitshëm, leximi i emrave të atyre që humbën jetën do të ndërpritet nga katër momente heshtjeje, për të shënuar herët e sakta që aeroplanët goditën kullat dhe kur blloqet masive të zyrave u shembën. Kambanat e kishës do të kumbojnë në orën 20:46 (me orën lokale) për të shënuar momentin, kur aeroplani i parë “American Airlines Flight 11” u përplas me kullën veriore.
Të afërmit e të vrarëve do të vendosin lule në vendin ku u rrëzuan dy kullat.
Presidenti i SHBA-së, George W. Bush, i cili u bëri thirrje dhe këtë vit amerikanëve që të përkujtojnë ngjarjet e dhimbshme me anë të shërbimeve memoriale dhe vigjiljeve me qirinj të ndezur, do të marrë pjesë në një përkujtesë në Uashington.
“Çështja kryesore është të luftojmë ekstremizmin, të kuptojmë se historia na ka bërë thirrje të hidhemi në aksion. Duke luftuar ekstremizmin dhe radikalët, ne i ndihmojmë njerëzit të realizojnë ëndrrat e tyre. Dhe, të ndihmosh njerëzit të realizojnë ëndrrat, ndihmon për të promovuar paqen”, tha Presidenti Bush muajin e kaluar duke ndjekur të njëjtën linjë që prej sulmeve të 11 shtatorit.
Në “Ground Zero”, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, do të kryesojë ceremoninë në të cilën paraardhësi i tij, Rudolph Giuliani, do të mbajë një fjalim. Disa prej të afërmve të të vrarëve në sulme kanë kritikuar pjesëmarrjen e Giuliani-t, duke pasur parasysh ambiciet e tij presidenciale. Ndërsa kandidatja e mundshme demokrate për presidente, Hillary Clinton, gjithashtu dhe senatore e Nju Jorkut, do të marrë pjesë në ceremoni ku do të lexojë një pjesë të emrave të atyre që humbën jetën në sulme.
Ngjarjet
Vendngjarja: Nju Jork, SHBA
Data: 11 shtator 2001
Ora: 8:46 – 10:48 (me orën lokale)
Objektivi: Qendra Botërore e Tregtisë (Kullat Binjake) dhe Pentagoni. Objektivi i katërt nuk është zbuluar asnjëherë, por dyshohet se bëhet fjalë për lokalitet në Uashington.
Sulmet: Sulme kamikaze.
Vdekje: 2993 persona, duke përfshirë edhe 19 terroristë.
Të plagosur: Nuk ka një numër të saktë.
Shqiptarët që humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit:
Viktor Saraçini, 51 vjeç: Pilot në një prej katër avionëve të rrëmbyer nga terroristët.
Rrok Camaj, shqiptar nga Malësia e Madhe, 60-vjç: Punonte në njërën prej kullave binjake, ku pastronte xhamat nga jashtë.
Simon Dedvukaj, shqiptar nga Mali i Zi, 26 vjeç: Punonte në Qendrën Botërore të Tregtisë.
Mon Gjonbalaj, shqiptar nga Kosova, 65 vjeç: Punonte prej 30 vitesh si portier në njërën prej kullave binjake.
Krijoni Kontakt