Kryengritja e 9 shtatorit 1946 në Postribë, e para kryengritje kundër diktaturës në Shqipëri


Memorial, kryengritjes antikomuniste të Postribës



Me rastin e 61-vjetorit të kryengritjes antikomuniste të Postribës, të dielën u përurua memoriali kushtuar kësaj ngjarje, realizuar nga skulptori shkodran Ferit Kola, përmes një financimi të MTKRS. Shiriti i përurimit u pre nga zonja Topalli dhe kryekomunari i Postribës, Faz Shabaj. Kryeparlamentarja Topalli e konsideroi këtë kryengritje si të parën e këtij lloji në Shqipëri dhe Europën Lindore. Në tubimin e organizuar me këtë rast në qendër të Komunës së Postribës, kryetarja e Kuvendit u shpreh se, "kryengritja e 9 shtatorit 1946 në Postribë, e para kryengritje antikomuniste në Shqipëri dhe në gjithë Evropën Lindore është një ngjarje për t'u shënuar jo vetëm në librat e shkollave, por edhe në librin e madh të historisë së kombit tonë". Duke u ndalur në domosdoshmërinë e rishkruarjes së historisë, numri një i legjislativit shqiptar tha se: "Është shumë e rëndësishme të rishkruash faktet e kohës së kaluar, të thuash të vërtetën e kohës që ka kaluar, sepse kjo është detyra e jonë dhe ky moment është dëshmia e gjallë". Kryeparlamentarja Topalli foli për heroizmin e pjesëmarrësve në këtë kryengritje. Ajo tha se, "është një ngjarje që pati jehonë shumë të madhe në të gjithë Shqipërinë, ngjarje që regjistroi tragjeditë më të mëdha, me raprezaljet më të turpshmet, më kriminalet që mund të ndodhin në historinë e njerëzimit".

Në tubim folën dhe përfaqësues të komunës, veteranë të zonës, pjesëmarrës në këtë kryengritje, deputetë e drejtues të partive politike. Në fjalën e tyre ata vlerësuan aktin heroik të burrave të kësaj zone që morën guximin dhe organizuan këtë kryengritje që ka

hyrë në histori si e para e këtij lloji në vendin tonë dhe në të njëjtën kohë në Evropën Lindore. Shumë prej tyre dhanë jetën, ndërsa të tjerë u burgosën, u internuan dhe u persekutuan për afro 50 vjet nga regjimi komunist. Kryekomunari i Postribës, Faz Shabaj

kërkoi që, kjo ngjarje me rëndësi politike të shkruhet dhe të botohet dhe në tekstet shkollore, në mënyrë që fëmijët tanë të mësojnë nga kjo dhe të mos e harrojnë

të kaluarën e tyre.

Qeveria, investime për infrastrukturën në Postribë


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi të dielën se Komuna Postribë do të përfshihet së shpejti nga investimet në infrastrukturën e kësaj zone, të cilat do të mundësojnë dhe hapjen e fronteve të reja të punës. "Në zyrën time kanë ardhur dy kompani shumë të mëdha, njëra austriake dhe tjetra italiane, të cilat do të ndërtojnë dy fabrika çimentoje të mëdha në këtë zonë", tha znj. Topalli. Duke vlerësuar punën e Qeverisë shqiptare, kryetarja e Kuvendit vlerësoi veçanërisht investimet serioze që ajo po kryen në të gjithë vendin. "Jam shumë optimiste që në vendin tonë do të ketë investime shumë serioze, sepse këta investitorë të huaj po vijnë në Shqipëri, duke shënuar një rebesh investimesh të jashtëzakonshme, sepse ata këtu shohin se ky vend ka mundësi të tilla, ka perspektivë, ka siguri, dhe kjo është shumë e rëndësishme për Shqipërinë", u shpreh Topalli.