Prishtinë 4 shtator - Ndihmat e grumbulluara nga KFOR-i suedez dhe Bashkësia Islame e Kosovës, të martën u janë shpërndarë 3 familjeve skamnore nga Bresalci i komunës së Gjilanit.
Imami i xhamisë së Hajvalisë, Xheladin Fazliu së bashku me priftin e KFOR-it suedez ua dhuruan ndihmat nevojtarëve. Ato kanë qenë kryesisht rroba dhe gjëra ushqimore.
Imami Fazliu tha se kjo nuk është hera e parë që i ka ndihmuar skamnorët, por është hera e parë që ato janë ndarë në bashkëpunim me KFOR-in suedez. "Ndihem i kënaqur për ndihmën që më kanë ofruar, kjo është vetëm një nismë, por besoj se ky aksion do të vazhdojë edhe në të ardhmen". Ai e falënderoi edhe Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës për përkrahjen.
Prifti iI KFOR-it suedez në kampin "Victoria" ne Hajvali u shpreh i kënaqur që ka filluar bashkëpunimin me imamin e kësaj xhamie. Ai ndihet tepër krenar që ka bërë një gjest të tillë. "Bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Është hera e patë që njësiti jonë ushtarak bën shpërndarjen e ndihmave në këtë mënyrë, edhe pse ushtarët suedezë gjithherë i kanë ndihmuar fëmijët shqiptarë me gjësende të tjera", tha ai.
Edhe familjarët, të cilët kanë marrë ndihmat, ndihen të kënaqur dhe e falënderojnë hoxhën dhe KFOR-in për ndihmën e ofruar. Vjollca Rexhaj, nënë e shtatë fëmijëve, tha se janë nëntë anëtarë në familje dhe nuk kanë kurrfarë të ardhurash. "Jetojmë me 40 euro pension, të cilat nuk po na mjaftojnë. Është hera e parë që kemi marrë ndihma nga KFOR-i, dhe i falënderojmë shumë".
Krijoni Kontakt