Rezoluta për të cilën kreu i PS do t'i drejtohej Brukselit është miratuar marsin e shkuar nga Parlamenti Europian


Gafë e Ramës në Kosovë me rezolutën e BE


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri dje një gafë të rëndë në Kosovë, ndërsa tha se do t'i kërkonte Parlamentit Europian të votonte një rezolutë që mbështet pavarësinë e Kosovës dhe planin e Ahtisarit. Një rezolutë të tillë,në mbështetje të planit "Ahtisaari", Parlamenti Europian e ka miratuar që me 29 mars të vitit 2007, vetëm tre ditë pasi ish-presidenti finlandez ia kishte dorëzuar propozimin e tij sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Neë York. Rama është bërë qesharak me injorancën e tij politike përpara syve të kosovarëve, të cilët kanë prekur dje nga afër mungesën e seriozitetit të Kryetarit të opozitës shqiptare, i cili nuk e ka haberin se cilat janë zhvllimet në lidhje me Kosovën dhe statusin e saj.

Që në pikën e parë të rezolutës, të miratuar pavarësisht kundërshtimit të socialistëve europianë, mbështetet procesi i drejtuar nga Kombet e Bashkuara në përcaktimin e statusit final të Kosovës, duke përkrahur propozimin e plotë të Ahtisarit dhe duke vërejtur se "pavarësia e mbikëqyrur nga komuniteti ndërkombëtar është opsioni më i mirë". Gjithashtu, në këtë rezolutë i bëhet thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të shpejtojë në adoptimin e një rezolute të re që zëvëndëson rezolutën 1244 (1999).

Rama duket edhe më qesharak në këtë gafë të tij, kur sjellim ndërmend se vetëm grupi socialist europian është shprehur haptazi dhe qartazi kundër pikës së rezolutës që mbështet pavarësinë e mbikëqyrur dhe propozimin e Ahtisarit. Zv.presidenti i Grupit Socialist në Parlamentin Europian, Jan Marinus Ëiersma, duke kundërshtuar në emër të grupit, amendamentin që përfshinte propozimin e të dërguarit Marti Ahtisari të Kombeve të Bashkuara për të patur statusin e "pavarësisë së mbikëqyrur nga ndërkombëtarët" deklaroi atëherë se "Ne (socialistët) ende mendojmë që nuk është e mençur për një institucion të Bashkimit Europian të përsërisë këtë kualifikim statusi. Këshilli i Sigurimit duhet të marrë një vendim. Bashkimi Europian ka për të luajtur një rol, pas vendimit të Këshillit të Sigurimit. Ne duam të qëndrojmë sa më neutral që të mundemi".

Rama, që po viziton Prishtinën për të shprehur mbështetjen e opozitës për të ardhmen e Kosovës, tregon se është njeriu më i papërshtatshëm dhe i paaftë për ta bërë atë. Kryetari i socialistëve tregon se është një injorant jo vetëm për çështjet dhe zhvillimet që kanë të bëjnë me Kosovën, por edhe për ato me familjen e socialistëve europianë. Socialistët po kalojnë vërtet një krizë të rëndë, pasojat e së cilës duken në çdo moment dhe në çdo aspekt të përditshmërisë së tyre.