
Postuar më parë nga
Kryeplaku
Jemi fajtore?! (leter emigranteve ne Greqi)
Morra shkas edhe unë nga këto ngjarjet e fundit, kaq të mezipritura nga mediat greke, për ti drejtuar dy fjalë emigrantit të stërmunduar shqiptar. Sigurisht me këtë shkrim nuk do mundohem ti japë të kuptojë publikut grek se ka ardhur koha “të na dashurojnë jashtë mase” por ti them emigrantëve shqiptarë se ka ardhur koha të përputhemi me veten tonë. Nuk mund të presim të na kuptojnë të tjerët kur ne nuk mundohemi të kuptojmë veten tonë. Shumë Shqiptarë bëjnë pyetjen “pse janë Grekët racistë me ne” por asnjëri nuk pyet “çfarë bëmë ne që ti ndryshojmë mëndjen Grekëve”.
Duket se të qënurit “alvane” më shumë i frikësohemi ne Shqiptarët se çdokush tjetër. I ndrojmë fëmijëve emrat sepse frikësohemi mos i thonë “alvane”, i themi të mos flasin Shqip në rrugë, t’iu largohen Shqiptarëve etj. Me thënë të drejtën ende nuk e kam kuptuar se ku gjëndet ky “dëmi i madh“ i thirrjes “alvane“. Kështu edhe kur shkoj në dyqanin e ndonjë Shqiptari meremi vesh gjysma-gjysma me Greqishten e mangët të dyqanxhijëve qe bëjnë çmos të tregojnë se janë Grekë. Ajo që ka rëndësi është se kemi bërë shumë Grekë të besojnë se Shqiptarët dyqanxhijë, studentë, nxënës, bashkëpunëtorë, zyrtarë, komshinjë dhe njerëz që shikojnë çdo ditë nuk janë Shqiptarë por Grekë ose diçka tjetër. I vetmi vend ku Shqiptari nuk mund jetë diçka tjetër veçse Shqiptar është rajoni i policisë (llogjike nuk është të dëgjohemi vetëm për keq?), sepse atje nuk presin ti thuash gënjeshtra reth identitetit kombëtar por mjaftohen me pashaportën e lëshuar nga Republika e Shqipërisë.
Pra studentët më të mirë të universiteteteve, nxënësit që zejnë një numër të madh bankash, vajzat e bukura që të buzëqeshin mbrapa xhamave të dyqaneve, kamarjerët etj. të ardhur nga Shqipëria kanë lënë të gjithë të nënkuptohet se kanë lindur Grekë. Pastaj të gjithë ankohen, “ sa turp, shikoni ç’bëjnë bashkëatdhetarët tanë”, në këtë rast harrojnë se këta që ankohen, përpara syve të tjerëve nuk janë bashkëatdhetarë me Shqiptarët e rajoneve, të stallave, të arave dhe të piacave të fshatrave. Edhe për Grekët vetëm kriminelët dhe punëtotrët e gjunjëzuar te fshatit duket se përbëjnë termin “Alvani”.
Që të shprehem sinqerisht do thosha se jam përkrahës më shumë i atij Shqiptarit të përvojtur të fshatit grek sesa i atij të kamurit të qytetit i cili mund të fshihet mbrapa ndonjë gënjeshtre, sepse atij të parit i ka ngelur ende emri Shqiptar. Sot nga pothuajse të gjithë egjyptiologët pohoet se akoma edhe në Egjyptin e lashtë besohej se njeriu përbëhet nga tre gjëra : trupi, shpirti edhe emri. Biles në Egjyptin e lashtë dënimi më i madh për dikë ishte zhdukja e emrit të tij nga cdo shkresë ose edhe nga mbishkrimi i varrit. Pra nëse shpirtin ia kemi falur problemeve dhe lekëve, trupin pronarit të paktën të na mbetet emri!
Ngjarja e pengmarrjes të autobuzit në 15/12/04 ishte me të vërtet një ngjarje e shëmtuar të cilën e dënon cdo njeri me shëndet të plotë mendor- nuk luan rol kombësia për të kritikuar marrëzira të këtilla. Por kjo nuk mund të jetë shkak për të shtyer më tepër fëmijët tanë që të fshehin prej’ardhjen e tyre. Përkundrasi ka ardhur koha ti tregojmë bashkëqytetarëve tanë Grekë se ekzistojmë edhe ne, miqtë nga Shqipëria të cilët duam-s’duam jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe me mënyrën tonë ndihmojmë çdo ditë në përparimin e këtij vendi. Nëse disa elemente ekstreme të mediave greke guxojnë të ndajnë shtetasit Shqiptarë në “Voriopiriotë” të mirë dhe Shqiptarë të këqinjë – nuk mbaj mend të jetë shfaqur ndonjë emigrant shqiptar në mediat greke për ndonjë vepër të mirë dhe të mos jet karakterizuar “vorioepiriot”, biles disa ekstremistë nuk ngurojnë të citojnë këto “ndarjet” edhe kur bëhet fjalë për tragjedi familjare – atëhere nuk duhet të bëhemi edhe ne bashkëfajtorë me ta. Ka ardhur koha ti japim mundësinë fqinjëve Grekë që të na njohin më mirë!
20-12-2004
Krijoni Kontakt