Ened Janina
06-09-2007
Vasil Lici, 25 vjeç, dhe Aldo Agalliu, 20 vjeç, janë emrat e dy shqiptarëve që janë publikuar nga policia greke
Motivi i vrasjes dyshohet se është prishja e pazareve të drogës. Gjenden heroinë e shiringa
GREQI- Masakër shqiptarësh në kryeqytetin helen për trafiqet e drogës. Tre persona janë gjetur të ekzekutuar me armë zjarri mëngjesin e djeshëm në lagjen Kolomo. Dy prej tyre janë identifikuar nga policia greke ndërsa emri i shqiptarit të tretë të gjendur të vrarë nuk është bërë ende publik. Vasil Lici, 25 vjeç, dhe Aldo Agalliu, 20 vjeç, janë emrat e dy shqiptarëve. Ata janë gjetur nga qiradhënësja e shtëpisë, një tjetër shtetase shqiptare. Dyshohet se motivi i vrasjes është një ngjarje që ka lidhje me trafikun e drogës dhe se ekzekutori është një i njohuri i tyre pasi ai ishte ftuar nga vetë ata në shtëpi. Të treja viktimat kishin në gjak sasi heroine por të dhënat e tjera janë mbajtur të fshehta nga ana e policisë greke.
Tmerr dhe frikë mes emigrantëve shqiptarë në lagjen Kolomo të Athinës teksa mëngjesin e djeshëm janë gjendur të ekzekutuar tre prej tyre. Një shtetase shqiptare ka hyrë në mëngjes në shtëpinë që i kishte dhënë me qira tre të rinjve dhe është tmerruar nga skena që ka parë. Ajo ka gjetur tre trupa njerëzish të mbuluar nga gjaku në mes të dhomës. Përreth tyre kishte sende që tregonin se aty ishte konsumuar drogë dhe më pas ishte bërë një masakër e vërtetë. Menjëherë ajo ka njoftuar policinë, e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka kryer hetimet e para. Sipas burimeve të policisë greke, të tre viktimat ishin qëlluar nga një distancë e afërt me armë zjarri. Në banesë janë gjendur sasi heroine si dhe shiringa dhe sende të tjera që tregojnë se aty është konsumuar drogë. Pas analizave të para ka rezultuar se në trupin e tre shqiptarëve ndodheshin gjurmë heroine. Nga rindërtimi i vendit të ngjarjes policia ka pohuar se kanë qenë tre shqiptarët që kanë ftuar në shtëpinë e tyre vrasësin. Kjo pasi çelësi ndodhej i vendosur në derën e shtëpisë nga ana e brendshme e saj. Ky fakt ka shtuar edhe dyshimet se tre viktimat dhe vrasësi njiheshin më parë me njëri- tjetrin. ata kanë konsumuar së bashku sasi heroine dhe më pas mendohet se janë zënë. Në këtë moment vrasësi ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar secilin prej shqiptarëve duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Ende nuk është saktësuar nëse arma ka qenë apo jo e pajisur me silenciator por deri tani asnjë prej fqinjëve nuk ka dëgjuar krisma armësh ose zhurma të çuditshme në apartamentin që banonin tre shqiptarët.
Dyshimi kryesor i policisë greke është pikërisht prishja e ndonjë pazari që ka lidhje me drogën. Dy prej viktimave sapo kishin dalë nga burgu ku kishin kryer dënime për trafik lëndësh narkotike. Policia bllokoi në cilësinë e provës materiale disa gëzhoja, një thikë, një sasi të vogël droge si dhe disa shiringa që kishin përdorur viktimat për të injektuar heroinë në gjak. Ndërkohë janë marrë edhe të gjitha gjurmët e gishtërinjve që ndodheshin në apartament dhe ka nisur një proces i gjatë verifikimi për të parë nëse kanë qenë apo jo të skeduara më parë. Deri tani nuk ka asnjë dyshim konkret në lidhje me identitetin por edhe kombësinë e vrasësit. Policia greke i ka kërkuar homologëve shqiptarë të dhëna në lidhje me viktimat për të parë nëse ata kanë pasur apo jo probleme në vendin tonë.
Shekulli
Krijoni Kontakt