Presidenti i SHBA-së zbret në Anbar bashkë me Condoleeza Rice dhe Robert Gates


Presidenti Bush dhe zyrtarë të lartë të administratës amerikane ndërmorën dje një vizitë të panjoftuar në Irak. Presidenti Bush, Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice dhe Këshilltari i Sigurimit Kombëtar Stephen Hadley arritën dje në një bazë ajrore të provincës Anbar, në perëndim të Bagdadit. Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates arriti atje me një avion tjetër. Presidenti Bush ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë irakianë dhe me oficerë të ushtrisë amerikane. Ai u dal në Irak, ndërkohë që udhëtonte për në Australi, ku do të zhvillojë takime me udhëheqësit e rajonit.

Vizita bëhet një javë para se zyrtarët më të lartë ushtarakë dhe diplomatikë amerikanë në Irak t‘i dorëzojnë Kongresit vlerësimin e tyre për ecurinë e arritur që nga shtimi i përkohshëm i trupave që filloi disa muaj më parë. Presidenti Bush ka qenë në Irak në vitin 2003 dhe 2006. Ai që në janar ka shpallur një strategji të re në Irak, e cila parashikon rritjen e trupave amerikane në më shumë se 160 mijë, pas arritjes së një pakti edhe me mazhorancën demokrate. Vizita e Bushit në Anbar është një shenjë për të treguar progresin e sigurisë në Irak dhe për t‘i dhënë një shtysë strategjisë së shpallur nga Bush. Këshilltari kryesor i Bush, i cili është emëruar pak kohë më parë, Ed Gillespie, tha për gazetarët që shoqëronin Presidentin në "Air Force One" se nisma për të vizituar Irakun është marrë nga Presidenti që prej gjashtë javësh dhe gjithçka është organizuar në sekret të plotë nga Shtëpia e Bardhë. Asnjëri nuk ka qenë i informuar. Sipas informacionit zyrtar, Presidenti Bush do të nisej me "Shtëpinë e Bardhë fluturuese" në Australi. Por në mënyrë të papritur, të dielën në darkë, agjentët e Shërbimit Sekret u kanë marrë gazetarëve që shoqëronin Presidentit në bazën ushtarake të Andews, kompjuterët e tyre, si dhe telefonat celularë. Gazetarët kanë pritur në avion me perdet e dritareve të ulura, deri sa Presidenti ka mbërritur në bazën ushtarake të Andrews me një autokolonë të fshehur me dy makina, që është shumë e çuditshme për eskortën e Kreut të Shtëpisë së Bardhë. Deri sa ka mbërritur Presidenti në bazë, "Air Force One" ndodhej brenda në hangar, ku në errësirë ishte përgatitur për vizitën 12-orëshe në Irak.





Gazeta Shqip