Vera, rrezik për sëmundjen e salmonelës

• Ditët e nxehta, paralajmërojnë shtimin e rasteve me sëmundjen e salmonelës. Shkaktarë është një mikrob që shumohet në temperatura të larta.

AIDA MALAJ

Në një intervistë për “Panorama”, mjekja infeksioniste, Imelda Zeqo, shpjegon se si shfaqet kjo sëmundje, si mund të parandalohen këto raste gjatë stinës së verës:
Doktoreshë, çfarë është sëmundja e salmonelës?
Me termin salmonelozë përfshihen të gjitha infeksionet që shkaktohen nga bakteret e gjinisë së salmonelave, të cilat paraqesin forma klinike të ndryshme duke filluar me baktereminë, siç ndodh me ethen tifoide, paratifon dhe infeksione me lokalizime jashtë zorrës, si: në kocka, zemër deri në rastet kur infeksioni është i lokalizuar vetëm në tubin tretës, duke shkaktuar enterokolit. Këto janë sëmundje infektive, që shkaktohen nga bakteri i salmonelës. Salmonelat janë baktere gramë negative. Shumica e tyre ngordhin në temperaturën 55 gradë celsius për një orë, ndërsa në 60 gradë për 15-20 min. Por në disa raste ato mund t’u rezistojnë temperaturave të larta, sidomos kur janë në mjedise që përmbajnë proteina si: mishi, veza etj. Shumica e salmonelave ngordhin në pH acid. Salmonelat mbijetojnë në akull për një periudhë të gjatë kohe.
Eshtë e vërtetë që stina e verës është më problematike për të shfaqur të tilla probleme?
Rreziku ekziston gjatë gjithë vitit, por në fakt probabiliteti për shfaqjen e kësaj sëmundjeje është gjatë stinës së verës, për shkak të faktit që ky bakter në temperatura të larta gjen terren të shumohet dhe përhapet më shpesh gjatë ditëve të nxehta, favorizuar kjo dhe nga mungesa e kushteve higjieno-sanitare. Veç këtij fakti, mungesa e higjienës në gatimin e ushqimeve, apo akulloreve, pijeve të ftohta, bën që kjo sëmundje të jetë mjaft e shpeshtë gjatë stinës së verës.
Si shfaqet kjo sëmundje, çfarë ankesash ka pacienti?
Simptomat përfshijnë diarrenë e ujshme dhe të vjellat. Personi i infektuar mund të ketë dhimbje koke, ethe, dhimbje barku, të lokalizuara më tepër në pjesën e poshtme të barkut. Ndonjëherë mund të ndodhë që të shfaqet dhe temperatura.
Kush rrezikon të preket nga këta forma virozash dhe si mund të trajtohen?
Nuk ka grupmosha më tepër të riskuara dhe më të mbrojtura, çdokush mund të infektohet për mënyrën e transmetimit. Për këtë arsye rekomandohet që të gjithë të tregojnë kujdes maksimal, sidomos personat që kanë sistem imunitar të dobët: të moshuarit, fëmijët, të sëmurët kronikë etj.
Si vendoset diagnoza e kësaj sëmundjeje?
Analiza e vetme në këtë rast është mbjellja e feçeve të të sëmurit, e cila është e vetmja që mund të përcaktojë diagnozën diferenciale, nga sëmundjet infektive të tjera.
Si mund të parandalohet sëmundja e salmonelës gjatë stinës së nxehtë?
Fakti që salmonela është një mikrob që mund të gjendet kudo, e bën të pamundur mbrojtjen komplet prej saj. Gjithsesi rekomandohet shmangia e kontaktit me persona të sëmurë, respektimi i një higjiene të mirë personale dhe larjes së shpeshtë të duarve. Kujdes duhet treguar në përgatitjen e ushqimeve si akulloret, vezët dhe mishi, që thamë që është terren i përshtatshëm për vendosjen e salmonelës. Gatimi duhet të bëhet në temperatura të larta. Rekomandohet gjithashtu trajtimi me kujdes i çdo episodi diarreik që zgjat në kohë, në mënyrë që të shmangen ndërlikimet e mundshme që mund të shfaqen.

SHENJAT

• diarre e ujshme
• të vjella ose të përziera
• dhimbje koke
• dhimbje stomaku
• këputje trupi
• temperaturë
• mungesë oreksi
• dhimbje gjymtyrësh dhe muskujsh


Çfarë janë diarretë infektive?

Diarretë infektive mund të hasen në çdo moshë. Rëndësia e tyre lidhet me rrezikun e dehidratimit që mund të ndodhë sidomos te fëmijët dhe të moshuarit. Ato mund të shfaqen në formë sporadike apo endemike. Diarretë infektive janë të lidhura pothuajse vetëm me çrregullimin e sekretimit dhe të thithjes. Ato më shpesh janë akute dhe më rrallë subakute dhe kronike.

"Panorama"